”Gjithë ilirët janë shqiptarë- Gjithë shqiptarët janë pellazgë dhe gjithë pellazgët janë shqiptarë.”

Pellazget_ilire

Studim i thelluar mbi shqiptarët dhe gjuhën e tyre gjatë periudhës nga 146 para K.,

deri te vërshimet sllave 

Me shpërndarjen e helenëve, që praktikonin në Greqi greqishten, si të shkruar dhe të folur disa herë, kjo e fundit gjithashtu u zhduk, dhe kudo në Greqi, në Azinë e Vogël perëndimore, në ishujt dhe në Itali mbeti vetëm shqipja si gjuhë e folur dhe e shkruar, kurse latinishtja si gjuhë zyrtare. Nëse kjo gjendje shoqërore do të kishte vazhduar, latinishtja do ta kishte zëvendësuar plotësisht greqishten si gjuhë zyrtare dhe shqipja do të mbetej gjithmonë gjuha e folur dhe e shkruar e popullit. Ajo që e shpëtoi greqishten nga kjo zhdukje ka qenë përhapja e saj si gjuhë zyrtare në gjithë Lindjen e Afërt të pushtuar nga Aleksandri i Madh. Pas këtij pushtimi në të gjitha vendet të quajtura Lindja e Afërt, kryesisht në Aleksandri dhe Antioki, përdorimi i greqishtes u bë mbizotërues dhe madje mënjanoi vetë latinishten, ndonëse ishte bërë gjuhë e Perandorisë.

Pra, mbajtja e greqishtes në ato vise gjatë periudhës nga 146 para K., deri te Diokleciani lejoi krijimin e një letërsie greke të krishterë dhe njëkohësisht solli, që greqishtja të bëhej gjuha e ortodoksisë lindore. Del se greqishtja me Konstantinin I u ngrit në gjuhë liturgjie, pak nga pak zëvendësoi latinishten dhe pjesërisht shqipen e shkruar, e cila nuk ishte më në përdorim veçse si gjuhë e folur. Që shqipja ka qenë e shkruar në antikitet, kjo provohet nga mbishkrimet etruske ose shqipe dhe nga ato, po ashtu shqipe ose likiase e të tjera, që janë zbuluar në Azinë e Vogël, në Lemnos, në Kretë dhe në Itali.

Shqipja si gjuhë është gjeniale dhe është për të ardhur keq, që shqiptarët e sotëm ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e saj gjuhësore universale. Deri më tashti asnjë prej tyre nuk ka ditur ta studiojë dhe ta thellojë siç e meriton në këtë kuptim gjuhësor. Dijetarët shqiptarë gjithmonë kanë shkuar tepër pas gjuhëtarëve perëndimorë dhe më në veçanti atyre që quhen albanologë. Ata madje kanë kaq shumë besim te këta, sa shpesh pranojnë, pa e menduar aspak, gjithë mendimet që japin albanologët sido që të jenë. Kështu, duke hequr dorë nga çdo mendim tjetër, ata besojnë në mënyrë të patundur se janë “të gjithë” pasardhës të ilirëve, sepse një dijetar, bashkë me gjithë ata që kanë pranuar pikëpamjen e tij, e ka thënë kështu. Në thelb, kjo gjë është e vërtetë vetëm për një pjesë fare të vogël – për disa të Veriut – por shqiptarët e tjerë, grupet e të cilëve janë të shpërndarë nga pak kudo në Shqipëri, në Greqi, në Turqi, në Serbi, në Itali, nëpër ishujt etj., nuk janë pasardhës të ilirëve, por të degëve të tjera të trungut të racës pellazge.

Nga ana tjetër, mjafton që një dijetar perëndimor të shprehë mendimin, se pellazgët nuk kanë ekzistuar, përveç se në imagjinatën e dijetarëve të lashtësisë, ose që ata përbëjnë vetëm një mit të këtyre të lashtëve, e menjëherë shqiptarët e kanë pranuar pa rezerva. Dhe ajo që është më për të ardhur keq, një nga më të diturit e tyre, pa asnjë mënyrë shpjegimi, pohon se në të vërtetë pellazgët nuk kanë ekzistuar asnjëherë. Dr.K… nga Fieri, të cilin e kam takuar një herë në Paris, ishte më i bindur se gjithë shqiptarët e tjerë, meqë kjo gjë është pohuar nga Max MULLER, dhe me paditurinë e vet, nuk druhej të pretendonte se gjithë dijetarët e tjerë, që nuk mendonin si Max MULLER, e kishin gabim. Me një qëndrim të tillë, si mund t’u besohet atyre, që vetëm shkojnë pas dijetarëve perëndimorë, në vend që t’i futen vetë punës kërkimore, sepse ata janë shumë më të kualifikuar për këtë, se sa edhe albanologu më i mirë perëndimor.

Ja një gabim tjetër i një dijetari perëndimor, edhe më i rëndë se gabimi i Max MULLER: etnologu J.P.FALLMERAYER, duke e marrë elementin shqiptar të Greqisë e në veçanti të Peloponezit, për një element të huaj të atij vendi, për shembull për sllav, dhe aspak si një popullsi vendëse, që ka banuar në Greqi që përpara vetë grekëve, – a nuk kanë qenë ata autoktonë? – ka dhënë mendimin, se grekët e viteve 1830-1840 nuk kanë qenë pasardhës të drejtpërdrejtë të grekëve të lashtë. Kështu ai nuk ka ditur të bëjë dallimin që duhej, detyrimisht ta bënte, domethënë mendimi i tij është fare i vërtetë për pasardhësit e sllavëve, të çifutëve, të armenëve, të arabëve, të persëve, të egjiptianëve, të arixhinjve e të tjerëve, që pasi u kristianizuan, më pas u përthithën në popullsinë heteroklite, që doli prej kësaj dhe që, pas gjithë kësaj përzierjeje dhe kryqëzimi, mori emrin e helenëve. Por për shqiptarët, si për ata të Peloponezit edhe gjetkë, çështja është ndryshe: duhej shqyrtuar dhe duhej thënë se ata zbresin drejtpërdrejt, jo nga helenët e lashtë që tashmë ishin të përzier nga kryqëzimi i tyre mesopotamas, por nga pasardhës të pellazgëve të mbetur jashtë çdo përzierjeje dhe që përbënin në epokën e lashtësisë shumicën dërrmuese të popullsisë së Greqisë, atë që u pushtua ose që u kthye në skllave në përpjesëtim me qëndresën e saj. Ja se kush kanë qenë këta shqiptarë të Greqisë bizantine të shekullit VI, kush kanë qenë ata të vitit 1830, epoka e dijetarit J.P.FALLMERAYER dhe ata që janë ende shqiptarët e Greqisë së sotme. Prandaj në kundërshtim me atë që shkruajnë autorët e sotëm, të cilët deklarojnë se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve – deklaratë që shqiptarët nga ana e tyre e pranojnë, siç e kemi thënë tashmë – këta të fundit jo vetëm janë pasardhës të ilirëve, por para së gjithash të pellazgëve, gjë që nuk është e njëjtë, sepse kur i deklarojnë ose kur deklarohen vetëm si pasardhës të ilirëve, merret para sysh vetëm një pjesë e vogël në vend të tërësisë. Ilirët përbënin vetëm një pjesë të vogël të pellazgëve ose shqiptarëve. Për ta mund të thuhet se: ”Gjithë ilirët janë shqiptarë”, por e kundërta nuk është aspak e vërtetë, domethënë: ”Gjithë shqiptarët janë ilirë”.. Me të njëjtën mënyrë mendimi për ilirët, mund të thuhet njësoj: “Gjithë grekët” (duke përjashtuar, siç e kemi parë më lart, pasardhësit e mesopotamasve) janë shqiptarë ose Γραικοι; ose më mirë: ”Gjithë grekët janë pellazgë, por jo gjithë pellazgët janë grekë”. Që këtej del, siç e kemi parë tashmë, se: Gjithë shqiptarët janë pellazgë dhe gjithë pellazgët janë shqiptarë.

Qëllimi i kësaj vepre është rehabilitimi i emrit albanët dhe i atij SHQIPTARËT. Ky i fundit nuk është më i vjetër se rreth 1400 të erës sonë, dhe përdoret vetëm për pasardhësit e arbërve që luftuan nën Skënderbeun kundër turqve. Prandaj [u]shqiptar[/u] ka qenë gjithmonë i panjohur nga shqiptarët e Greqisë, të Trakës, të Azisë së Vogël, të ishujve dhe të Italisë; kështu ata e thërrasin veten – dhe e kanë thirrur – gjithmonë me emrin: arbën mashkullor dhe arbënesha femërore, që duan të thonë: shqiptarë e shqiptare edhe nga ana etimologjike. Që nga antikiteti më i largët shqiptarët gjithmonë janë denigruar e zhvlerësuar sistematikisht nga të rishardhurit: helenët, të cilët pasi arritën ta ngrenë gjuhën e tyre në gjuhë zyrtare të arsimit, të artit, të qytetërimit e të kishës ose të drejtësisë, bënë që shqipja, e cila kishte qenë liturgjike madje para gjuhës së tyre, të kalonte në plan të dytë, në vend që të dilte në krye siç e meritonte, duke qenë se ajo ishte në origjinë të saj dhe pa të greqishtja as nuk do të kishte lindur.

Në fakt studimi i thelluar i shqipes, i greqishtes dhe i latinishtes bën të dalë qartë, se marrëdhënia e afërisë që i lidh, është ai i nënës për shqipen dhe i bijave për dy të tjerat: greqishten dhe latinishten. Ne nuk druhemi ta përdorim një terminologji të tillë që të përcaktojmë afërinë, e cila i lidh në të vërtetë këto tri gjuhë – edhe disa të tjera – sepse në të vërtetë kemi të bëjmë me një marrëdhënie të tillë, me gjithë faktin që ka gjuhëtarë, të cilët pretendojnë se lidhur me marrëdhëniet e farefisnisë midis gjuhëve, ai i nënës dhe bijës nuk mund të zbatohet, sepse nuk është çështja e një farefisnie të tillë, por për një evoluim të gjuhës.

Sipas pikëpamjes sonë, po të pranohej një mendim i tillë, duhej të thoshim se greqishtja dhe latinishtja janë gjuhë shqipe të evoluara. Në realitet, kemi të bëjmë me një evoluim ose ndërrim të një gjuhe në një tjetër, por, siç e kërkojmë ne, kjo do të thotë t’i jepet një emër pikërisht rezultatit të këtij evoluimi, i cili ka bërë, pavarësisht nga gjithçka, një lidhje farefisnie që i bashkon realisht këto tri gjuhë, ka ndërhyrë dhe ekziston, edhe nëse do t’i quanim greqishten e latinishten, gjuhë të evoluara nga shqipja. Dhe shqipja atëhere, që ka pësuar këtë evoluim, nuk kemi të drejtë ta quajmë nëna e këtij evoluimi, sepse ajo ka qenë, në mos tërësisht, të paktën thelbi i këtij evoluimi? Kështu, siç mendojmë ne dhe me të drejtë, që emri i nënës për shqipen dhe i bijës për secilën nga dy gjuhët e tjera: greqishtja e latinishtja, janë saktësisht emrat ose cilësimet që përshtaten më mirë dhe që na i imponon një emërtim i tillë.

Nga ana tjetër, ka një vërejtje të rëndësishme, që duhet bërë këtu, lidhur me dallimin ndërmjet helenëve, nga njëra anë, dhe pellazgëve, shqiptarëve ose grekëve, nga ana tjetër. Pas luftës me atlantët kanë kaluar nëntë mijë vjet deri në epokën e Platonit, pellazgët-atikë, athinas të Greqisë, për shkak të famës që morën nga fitorja në krye të të gjitha trupave pellazge të Europës, vijuan të luajnë gjithnjë rolin e parë në çdo lëvizje të rëndësishme që ndodhi më pas. Por meqë pas vërshimit të egjiptasve të Danait e fenikasve të Kadmit, një pjesë e këtyre pellazgëve të Greqisë pranoi të përzihej me pushtuesit për të ndërtuar klasën sunduese të momentit dhe morën emrin e helenëve, këta helenë përqendruan te vetja, te emri i tyre gjithë meritën e qytetërimit të quajtur pellazg (dhe më vonë helenik) dhe nën këtë emër të helenëve bënë që të eklipsohej çdo kujtim për përkatësinë e tyre, qoftë dhe të pjesshme, në popullin e madh pellazg.

Ky qëndrim ka qenë karakteristik vetëm për këtë pakicë shumë të vogël të huaj drejtuese, që në realitet nuk përbëhej vetëm nga pellazgë, por edhe nga aziatikë e afrikanë nga origjina dhe që zbarkuan në Greqi tashmë të përzier me kolonët e ndryshëm pellazgë, që riktheheshin në atdheun e tyre të parë, pas një qëndrimi shumë të gjatë në vise të huaja jo pellazge, ku ata në pjesën më të madhe kishin humbur edhe përdorimin e gjuhës së stërgjyshëve. Meqë shumica dërrmuese e autorëve të lashtë të gjuhës greke nuk i përkisnin vetëm kësaj klase drejtuesish, që i denigronte vazhdimisht pellazgët autoktonë, por edhe klasës që përbënte popullsinë pellazge ose shqiptare të epokës, dhe që do t’u korrespondonte, po të guxonim të bënim një krahasim, klasave të kohës së sotme: borgjezisë dhe klasës popullore, ajo nuk ka lënë pa na dhënë njoftime për përbërjen e vërtetë të popullit të lashtë, të quajtur helenë. Kështu ne sot kemi mundësinë ta dimë, që grekët e lashtë (duke përjashtuar egjiptasit, mesopotamasit, që të dyja palët të helenizuara, të shtuar me një popull tjetër, të përzier me egjiptas dhe mesopotamas nga njëra anë, dhe pellazgë autoktonë, nga ana tjetër) kanë qenë pellazgë, ose argë, ose arias ose shqiptarë.

Shkëputur nga libri: ” Enigma nga pellazgët te shqiptarët  ” Robert d’Angely

Shperndaje ne
Updated: 13 Shtator, 2015 — 09:02

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.