Sylejman Vokshi: “Projekti i Ushtrisë Shqiptare” i Lidhjes Shqiptare te Prizrenit

sylejman_vokshi

Strategu, burrështetasi e diplomati i shquar

i shekullit XIX

Sivjet mbushen 200 vjet qëkurse në Gjakovë u lind strategu e burrështetasi i shquar shqiptar Sulejman Vokshi. Njeriu e ka vështirë që, në faqet e një punimi përkujtimor si ky, të përfshijë personalitetin e shquar shumëdimensional dhe kompleks të njërit nga përfaqësuesit më të mëdhenj e më të denjë të atdhetarisë shqiptare të shekullit XIX.

Gjatë hulumtimit të jetës dhe veprimtarisë së tij vështirësi të mëdha paraqiste zhdukja e dokumenteve personale, vepra e tij “Projekti i Ushtrisë Shqiptare” dhe kronika e familjes. Asnjë kërkimtar deri më sot s’ka arritur të gjejë madje as fotografinë e tij.

Pas përpjekjesh mbi tridhjetëvjeçare, ne arritëm të sigurojmë një fotografi origjinale të Sulejman Vokshit, ndonëse tejet e vjetruar dhe e dëmtuar, e cila për herë të parë u jepet në dorë kërkimtarëve dhe lexuesve në Kosovë e Shqipëri, pranë portretit të tij, dhënë në përfytyrimin artistik të Guri Madhit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shumë ngjarje tek ai përqendronin përmbajtjen e epokave të tëra e si gurë shënues dëftonin përpjekjet e Sulejman Vokshit për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe të gjuhës shqipe. Sulejman Vokshi është ushqyer kurdoherë nga “heroizmi i heshtur dhe gjallëria e pandërprerë gjuhëkrijuese e gjuhëmbrojtëse” e popullit tonë, të cilit i ka prirë me qëndrueshmëri e në mënyrë dinjitoze, duke përshkuar dhjetëvjeçarët e luftërave të tij si një frymëzim dhe shqetësim i thellë.

Ndonëse në rrethanat e luftës së vështirë e të pandërprerë, ai shkollën shqipe e shihte si tempull të formimit e të edukimit atdhetar. Krismat e hutave të lirisë dhe këngët e popullit, ia pavdekësonin bëmat, duke shprehur me vërtetësi historike, luftërat e pandërprera të tij, si njëri nga qëndrestarët më të mëdhenj.

Sulejman Vokshi jetoi e veproi energjikisht pas viteve të mënjanimit të Napoleon Banapartës nga skena e përgjakur evropiane dhe pas krijimit të “Lidhjes së Shenjtë” të Evropës së krishterë (1814) e tutje.

Gjurmët e ndritshme të marshimit të Napoleonit nëpër Evropë e Mesdhe shënuan epokën e shkundullimave të stuhishme dhe të ndryshimeve të vrullshme. “Kontinentin e Vjetër” e përfshirë ngjarje të rëndësishme e tronditëse, që lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e Sulejmanit. Ai hyri në këto ngjarje të mëdha plot tension, që karakterizoheshin nga imta kyçe e dramatike në jetën e shumë popujve.

Mirëpo derisa te popujt e tjerë, të mëdhenj e të vegjël, evropianë e ballkanikë, këto ngjarje u reflektuan pozitivisht e do të sillnin plot ndryshime cilësore në jetën e tyre, Sulejman Vokshi e kuptoi se për Shqipërinë, me shumicën e popullatës të besimit islam, këto do të jenë kthesa prapavajtëse e do të reflektoheshin shumë negativisht në jetën e tyre kombëtare. Ndaj hyri i vendosur në vorbullën e ngjarjeve, që këtyre t’u jepte drejtimin e duhur e, brenda mundësive, t’i tejkalonin pa dëmtimin e shqiptarëve.

Që në të ritë e tij, kur hyri në Lëvizjen e Kallfëve kundër shfrytëzimit dhe padrejtësive të mëdha njerëzore që u bëheshin atyre, Sulejman Vokshi filloi luftën për një jetë më të mirë të vegjëlisë qytetare dhe për ruajtjen e dinjitetit të njerëzve të thjeshtë. Këtë luftë ai do ta vazhdojë edhe kundër shtypjes e shfrytëzimit, që përpiqej t’ia impononte popullit shqiptar pushteti qendror osman me kinse reformat e tij burokratike, qendërsuese e të nxitura nga Fuqitë e Mëdha.

Për dallim nga kombësitë sllave dhe greke të Perandorisë Osmane, shqiptarëve, të ndarë në tri besime: katolikë, ortodoksë dhe myslimanë, reformat e rreme jo vetëm ua mohonin çdo të drejtë kombëtare, por edhe i shtynin drejt shkombëtarizimit. Kjo ishte arsyeja që ai u kyç fuqimisht e mori pjesë aktive në konfliktin afatgjatë shqiptaro-osman të periudhës së Tanzimatit, prej vitit 1839 e tutje.

Sulejman Vokshi u kalit në ngjarjet e mëdha, nëpër të cilat kaloi populli shqiptar dhe viset e tij, në ballafaqimin e armatosur kundër “reformave” osmane, që donin të vendosnin kundër shqiptarëve një sistem të tërë taksash e detyrimesh, gjyqesh të korruptuara e shërbimesh ushtarake në dhé të huaj. Në këto ngjarje të mëdha ai doli ballas, si luftëtar i shquar i vegjëlisë qytetare e fshatare kundër zaptive, që vilnin taksa të rënda e merrnin rekrutë për shërbime në vende të largëta, duke ua prerë krahët e punës familjeve shqiptare për më shumë se dymbëdhjetë vjet.

Sulejman Vokshi seliste në vazhdimësi bashkimësinë shpirtërore gjithëshqiptare si një bashkësi etnike me territor të përbashkët që nga kohët më të lashta. Ai u përpoq që luftërat e vazhdueshme të fshatarëve shqiptarë nëpër zona dhe krahina të ndryshme t’i bashkonte e t’i shkrinte në një luftë të përgjithshme për krijimin e një shteti autonom shqiptar.

Ai u bë kështu një prej personaliteteve më shkëlqyese revolucionare të popullit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, për begatimin e jetës së popullit në një atdhe të bashkuar e të çliruar nga zgjedha e huaj. Me këtë Sulejman Vokshi i siguroi vend nderi fjalës dhe pushkës së tij, ndër kuvende burrash e luftëra të rrepta.

Sulejman Vokshi u shfaq në një etapë të re të zhvillimit etnik e historik të shqiptarëve në shekullin XIX, në periudhën e zhvillimit të marrëdhënieve kapitaliste, të cilat çuan drejt formimit të vetëdijes së kombit shqiptar. Në kushtet e reja që u krijuan me Krizën Lindore dhe Traktatin e Shën Stefanit, Sulejman Vokshi kërkoi veçimin e tokave të rrezikuara të atdheut shqiptar dhe mori masa për mbrojtjen e tyre nga synimet gllabëruese të fqinjëve lakmitarë.

Qëndrimi i këtillë, luftës së pandërprerë mbigjysmëshekullore të popullit shqiptar i dha jo vetëm karakter mbrojtës e çlirimtar, por edhe kundër imperializmit të fqinjëve. Kurorë e përpjekjeve të Sulejman Vokshit dhe të atdhetarëve të tjerë shqiptarë qe krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i organizatës me karakter të shumëfishtë e gjithëkombëtar të shqiptarëve në planin politik, ushtarak, pushtetor dhe kulturo-arsimor.

Bashkimësia shpirtërore qe kusht i përparimit të tyre drejt qytetërimit e i shndërrimit në një komb modern, gjë që mandej edhe u bë ideali më i lartë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si e para organizatë gjithëkombëtare e shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, çështjen e shtetit autonom shqiptar e shtroi jo vetëm para Portës së Lartë e sulltanit, por edhe para burrështetasve evropianë, para Kongresit botëror të paqes në Berlin e diplomacisë ndërkombëtare.

Si pararendës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sulejman Vokshit i takojnë merita të mëdha e të veçanta në punën dhe mbarëvajtjen e saj. Burimet tona dëshmojnë se qysh me themelimin e Komitetit Kombëtar në Gjakovë gjatë viteve ‘60 të shekullit XIX, ai ishte njëri ndër ideatorët, organizatorët dhe udhëheqësit më të shquar të saj.

Me virtyteve që e stolisnin, ai u bëri luftë të pakompromis forcave feudale çifligare dhe Lidhjes së Myslimanëve të Vërtetë a Fraksionit të sulltanit, Partisë së Portës, në Kuvendin e Përgjithshëm Kombëtar të Lidhjes në Prizren. Ky konflikt i hapur e i pakompromis, çoi në vrasjen e prijësit Abdullah pashë Drenit dhe të mareshalit Mehmet Ali pashë Maxharri, misionar i sulltanit, që kishte ardhur të vinte në jetë vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit për cungimin e viseve shqiptare.

Madhështia e personalitetit të Sulejman Vokshit, siç del nga shumë burime proveniencash të ndryshme: diplomatike, ushtarake e politike të Fuqive të Mëdha, nga ato osmane dhe nga burimet tona shqiptare, qëndron në faktin se Sulejman Vokshi jo vetëm që nuk iu tremb ndjekjeve, internimeve dhe burgimeve mbi njëzet herë, por edhe i hodhi me përbuzje të gjitha ofertat e titullarëve më të lartë të Portës dhe të të dërguarve personalë të sulltanit për ofiqe e poste në pushtetin qendror osman.

Në ballafaqimin me armë, pra në luftërat e pabarabarta me pushtuesit osmanë dhe shkelësit malazezë, sidomos në Plavë e Guci, Hot e Grudë dhe gjithandej trojeve shqiptare, shkëlqeu arti luftarak popullor dhe aftësia komanduese e Sulejman Vokshit me shokë, që i detyruan Fuqitë e Mëdha të korrigjonin dy-tri herësh vendimet e tyre të padrejta.

Përvojën luftarake të popullit shqiptar ai diti ta përgjithësojë e ta sintetizojë në idenë e mobilizimit të përgjithshëm vetëmbrojtës popullor, në atë të popullit të armatosur, përkrye Besëlidhjes për mbrojtjen e tokave dhe luftës për autonominë territoriale-administrative, shtetformuese, si bazë për fitimin e pavarësisë së plotë në një të ardhme të afërt. Vënia në jetë e kësaj ideje ia imponoi Sulejman Vokshit edhe nevojën e shndërrimit të njësive vullnetare të “bashibozukëve” në Ushtri Kombëtare Shqiptare.

Për këtë ai hartoi veprën “Projekt i Ushtrisë Shqiptare”, ndërsa burrat e Lidhjes së Re e zgjodhën shef të Seksionit Ushtarak me cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes e të Kryekomandantit të Ushtrisë. Sulejman Vokshi është ndër të paktët që armiqtë kurrë nuk arritën ta korruptojnë as me para e dhurata të mëdha, as me ofiqet e gradat më të larta, qofshin këta gjeneralët më të mëdhenj a emisarët personalë të vet sulltan Abdyl Hamitit II.

Edhe pas thyerjes ballore me ushtritë osmane të komanduara nga shtatë gjeneralë, ai nuk u dorëzua, por kaloi në luftë partizane. Malësinë e Gjakovës Sulejmani e shndërroi në një kështjellë të papushtueshme për armiqtë. Si një qëndrestar i rrallë e më i autoritetshmi ndër udhëheqësit e mbetur të “Kuvernës së Përdorme”, ai u bë legjendar qysh për të gjallë të tij.

Sulejman Vokshi ishte orator e veprimtar i shkëlqyer, diplomat e qeveritar i shquar shqiptar, që hyri në pavdekësi dhe mbeti flamur i shpaluar në luftën për bashkim e përparim të popullit shqiptar dhe si një porosi e shenjtë për breznitë e ardhshme në luftërat çlirimtare që do të vijnë.

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.