Arkitekti dhe Ati i Madh i Kishes Ortodokse shqiptare Fan Noli

noli_kisha_dhe_greku

 Prane Fan Nolit te madh  në 50 vjetorin e vdekjes

Agim_shehu

      Nga: Agim Shehu

Po hyjmë në festën e Krishtlindjes. Edhe pse sot Kisha Ortodokse s’e kujton më Arkitektin dhe Atin e Madh të saj, Ai ndodhet natyrshëm në ‘vatrën’ e Tij. Na vjen si një reze drite prej Perëndie edhe nëpër retë e zeza që emisarët e zinj të Kishës greke, për të zezën e Shqipërisë, ia kanë mbuluar Veprën e pavdekshme. Aq më tepër sivjet, në 50 vjetorin jubilar të ndarjes nga jeta fizike. Ai vjen i thirrur nga ndërgjegjia e pashuar kombëtare, mbi të gjitha – të ortodoksëve të pastër shqiptarë.

Kur nguli këmbën në Shqipëri, në një intervistë në RD me gazetaren V. Isak, Janullatos tha publikisht (siç ia donte qëllimi i paracaktuar): “…Po ju them dhe një sekret! Kur bëj meshë, përmënd prindët e mi, emrin e atij që më bëri prift, e krahas tyre – emrin e Nolit”. Si i nguli mirë këmbët me ndihmën e zyrtarëve antikombëtarë të të dy anëve, Nolin e çduku nga të gjitha skajet, me emër, me portretet, me përkthimet, me përkujtimet. Festoi 200 vjetorin e armikut të betuar të kombit e gjuhës shqipe, ‘Shën Kozmait’ (“Shënjtëri e vjedhur” e cilëson studjuesi dinjitoz Naun Kule).

Në të njejtin vit hirësia e kishës greke nuk kujton 100 vjetorin e lindjes së Nolit! Më 28 Nëntor nuk kryen ritin tonë tradicional kishtar, (dhoksologjinë, siç thuhet në s’gaboj), përkujtimin e Nolit të njësuar me Flamurin tonë Kombëtar. Nën trysninë e zërave atdhetarë, detyrohet ta bëjë të nesërmen, jo vetë por duke ia ngarkuar një më të ulëti (fetë e tjera e kanë në selitë dhe festat e tyre Flamurin shqiptar. Janullatos nuk e pranon, kundër traditës së Ortodoksisë së ndritur atdhetare, dhe zyrtarët tanë të shfytyruar me ulje majmunësh në gjunjë i puthin dorën, më puthadorë se ndaj Jakomonit). Shpesh prej tij e shegertëve të tij thuhet “ç’ju duhet juve, fe të tjera, ç’bëjmë ne, ortodoksët!..” E më tej, gjer te zërat tragjikë si në Mesjetë: “Kush na prek Hirësinë, do kalojë mbi kufomat tona(!). Askush nuk prek ritet e zakonshme fetare të tjetrit. Shqetsimi është kur brënda riteve fetare nxiten ndasitë e besimeve, shkelet traditat e të parëve e i hapen plagë të vjetra Atdheut. Këtu s’ka asnjanësi e lëshime.

Me zërin e të parëve “Fe e Atdhe” të pandara, dëgjojmë porosinë e Nolit: “Mos i qasni priftërinjtë grekë se po u ngulën, nuk shkulen më e do t’ju bëjnë gjëmën”…”Jam vetëm Eksark e i përkohshëm…” u betua botërisht Hirësia kur erdhi. Ndodhi e kundërta, Noli na u kthye “I përkohshëm(!)”. U tha se Hirësia vjen nga Patrikana e s’ka lidhje me Athinën! Dihet ç’ndodhi: Për çdo plan, shkon konsultohet në Athinë e zyrtarët grekë në Tiranë së pari takojnë Hirësinë si misionar të shtetit të tyre. Shqipëria bën regjistrimin e popullsisë.

Ortodoksët dolën aq sa ishin, jo sa donte Hirësia, dhe ai shpall kundër shtetit zyrtar se nuk i njeh e do bëjë regjistrimin e tij (si shtet brënda Shtetit). Krishti në Ungjill porosit Apostujt: “Shkoni në popuj e bëni dishepujt e tyre, duke i pagëzuar…” Hirësia bën të kundërtën. Jo vetëm që u ngul e nuk shkulet por solli dhe mitropolitë grekë, për ta karfosur sa më të plotë helenizimin e vëndit. (vërtetim i thënies latine: “Ujku sulmon me dhëmbë, demi me brirë, greku me kishë”). Dhe shërbëtorët vazhdojnë – “puna jonë, dhe për meshën greqisht!…” Përballë këtij kori të vjetëruar na vjen e freskët këshilla historike e Konicës: “Dita që Noli mbajti meshën e parë në shqipet është një kthesë në historinë e Rilindjes Shqiptare…dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët ta harrojnë”. Këtu ndahen shqiptarët me antishqiptarët.

Noli_me_bash

Me këto mësime drite, gjatë një vizite në Amerikë shkova dhe te Noli, si një detyrim shpirtëror e kombëtar. Në këto ditë, para Krishtlindjeve e në 50 vjetorin e ‘ikjes’ së Tij, më rri gjallë para syve ajo ditë noliane e paharrueshme:

“…U ndamë përzemërsisht me të nderuarin Z. Antoni Athanas për të shkuar te Kisha historike ‘Shën Gjergji’ e Nolit. “Do vija dhe unë se kam ca kohë pa e parë e më mori malli për Të, po më kanë lidhur ca punë” na tha në përcjellje. Doli te udha e na tregoi drejtimin e vëndvarrimit në Foreist Hill, si të na tregonte shtëpinë e fqinjit ku hyn e del si në shtëpi të vet. Po ndjeja një tronditje të papërfytyruar; më bëhej se Noli po na priste i gjallë te dera e Kishës me humorin e tij të hollë e unë e ndjeja veten të papërgatitur. Shpirti im kish ikur më përpara dhe po më priste atje. Gjithëçka dija për Nolin mbështjellë me adhurimin e veçantë për të më lëviznin te qelqi i makinës përpara si një ekran i trazuar në kohë e hapësirë.

Arritëm. Hodha sytë nga ndërtesa e saj. Ndjeva trysninë e një tempulli të shenjtë dhe ndala në vënd, thua më kish dalë përpara një përrallë e dashur nga fëminia që më tregonte gjyshja. Piramidë e vogël, e bukur me heshtjen e një Sfinksi të njohur brënda! Një çast me të m’u përzie përfytyrimi i Kështjellës së Krujës. Madhështia m’u dyzua…Historia rrinte afër legjendës. Pashë më poshtë muret, portën…Godina m’u përkul në një shtëpi të ëmbël Korçe që pret mysafirë e më fliste – eja të keqen! Brënda ka vetëm njerëz të mirë mbledhur për meshë. Imzot Noli vazhdon pret e përcjell njerëz Perëndie me Shqipëri në zemër…

U nisa më afër drejt saj. Lartësia disi gotike shihej bashkë me qiellin. Poshtë – qeramika të kuqe, të vogla rrethuar me degëza të holla blerimi. Vënde-vënde çimentua e rënë, si shtëpi e lashtë me halle! Qelqe të gjata dritaresh në mur në një diell të ndritshëm buzë Oqeani; ca figura aty këtu si qëndizma odash shqiptare. Porta nr. 525, gjysmë hapur, thua i thërret një të vonuari te rruga para se të kthejë fytyrën nga mesha brënda. Një tub i shtrirë për ujitjen e luleve lënë mbi bar duke pikuar, thua pret nikoqiren shqiptare që sa është larguar pak e po vjen. Ca vazo si të lodhura nga vitet me ngarkesë lulesh, rrethuar me një bimësi të kursyer. Një dryn te dera me ëmbëlsi të mikpritjes shqiptare më kujtoi shtëpitë fisnike të të parëve tanë. E preka butë…ndjeva se kisha prekur gjurmët e ëmbëla të të gjitha duarve shqiptare mbi të, ndoshta që nga Noli. Ia kërkova Vehbiut, e ai mori në telefon At Artur Liolin, për t’u takuar këtu sadopak me të. Matanë telefonit u bë një heshtje me ca fjalë nën zë, pyetja – cilët ishim, pastaj përgjigjia “Nuk është aty”! (At Artur Liolin, pasi në fillimet kish kundërshtuar ardhjen në Shqipëri të Janullatosit, më pas, shkallë-shkallë do miqësohej me të gjersa do ta ftonte dhe në Kishën e Ortodoksisë së Pavarur Shqiptare, duke shkelur si renegat i radhës emrin dhe veprën e Nolit).

 

Noli_gjate_meshes

Zgjata sytë te një e çarë e derës si të kërkoja te altari i Kishës Nolin. Hija e tij e padukëshme po lëvizte nëpër histori. Brënda kish një heshtje të plotë Perëndie. M’u bë se besimtarët shqiptarë qenë aty, hije bashkë të të gjitha kohëve, me tërë plagët e martirëve për kishën e vet amtare ngarkuar në shpirtin e tyre. Në qetësinë e shenjtë brënda ata vazhdonin të dëgjonin meshën e parë shqipe të Nolit…Po më shfletoheshin faqet e historisë…madhështia kombëtare e Ortodoksisë Shqiptare në një nga kulmet më të ndritëshme të historisë sonë plot tragjedi, për t’u shkëputur nga kisha vdekjeprurëse greke. Kjo histori e para 100 viteve askund nuk ngjallet më fuqishëm se te kjo Kishë e vogël me emër të madh. Publicisti i shquar nacionalist e martir, Vangjel Koça shkruante dikur përballë trysnisë së fqinjëve shovenë se “qe një kohë kur ishte shumë vështirë të ishe ‘shqiptar’; aq më e vështirë – të ishe shqiptar duke qënë ortodoks e sidomos prift”.

Kisha Greke me teorinë e shpifur se “çdo ortodoks është grek”, mohonte kombësinë dhe fyente dinjitetin shqiptar, gjer duke komanduar dhe shpirtrat e të vdekurve. Nuk pranoi të varroste a të kurorëzonte ata që qëndronin vendosmërisht në kombësinë e tyre duke shkelur dhe parimin “komb i pavarur, fe e pavarur”. Si “shpërblim” kishin helmin apo thikën pas krahësh. Kjo solli zemërimin e papërmbajtur të shqiptarëve dhe domosdonë e krijimit të Kishës së tyre Kombëtare. Shtypi i kohës i përshkruan gjerësisht ngjarjet. Atdhetari i shquar Spiro Kosturi shërbesën e martesës së vëllait e bëri shqip, dhe e vranë pas krahësh. Noli foli aq drithërueshëm për të sa ringjalli të gjallë e të vdekur, e kjo e çoi drejt meshës shqip. Sotir Noka në krye të të zemëruarve mbante një flamur amerikan, në njerin anë të të cilit kishin ngjitur një flamur të vogël shqiptar pikturuar nga zonjusha Ana Honi. K. Demo përshkruan bukur: “Flamuri i vogël, si një fëmijë që bën hapat e para, dukej se mbahej fort pas udhëheqjes dhe mbrojtjes së flamurit Amerikan teksa parakalonte krenar për herë të parë në rrugët e Bostonit duke bartur me vete shpresat tona të mëdha për një të ardhme më të mirë…Si dëgjoi fjalën e tij (Nolit) për Spiro Kosturin, turma iu përgjigj me një brohoritje të tillë që tronditi ndërtesën. S’kisha parë as dëgjuar një të ngjashme me të”.

…Nga e çara e derës po mbaja vesh mos, pas 90 vitesh dëgjoja aty vetë Nolin. Ai tani heshtëte. Ia kish lënë historisë të fliste. Vetë, ai po dëgjonte se ç’ngjyrë kanë sot zërat e bashkatdhetarëve të tij, pas kujt zëri po shkojnë!

Historiani amerikan Edvin Zhak te “Shqiptarët” shkruan: “Në këtë vënd të lirisë fetare zuri fill udha e shkëlqyer e Nolit i cili dha një ndihmë aq të madhe në formësimin e një kombi të ri”. Këtë gjykim Kostë Çerkezi e pohon gjer në thellësi dymijëvjeçare: “Dita e sotme ringjall Kishën e Shenjtë të Ilirisë”. Është pohim i madh i ortodoksëve tanë të ndritur, se Kisha e shqiptarëve ka moshën e Krishtit që kur Apostulli i Tij, Shën Pavli kaloi e predikoi dhe në hapsirën ilire ku la gjurmët e emrit gjer më sot (për këtë Kisha shqiptare ka fatin dhe nderin e madh të jetë Apostolike).. Pohim i shenjtorëve martirë ilirë Flori e Lauri në Ulpianë të Prishtinës dikur; pohim i Perandorit ilir Kostantini i Madh që zyrtarizoi Krishterimin; i Jeronim Eusebio që përktheu të parën Bibël në latinisht nga hebraishtja e ia dha Perëndimit (në Komedinë Hyjnore Danteja e nderon me një tercinë); i Niketë Dardanit i cili bëri të parin Hymn të Krishterimit – Te Deum vlerësuar e kënduar shekuj me radhë…

Zëri i shenjtë i Nolit në Kishën e tij “Shën Gjergj” në Boston i përsërit të gjitha këto maja historie të krishterimit shqiptar.

Nisemi për atje ku pushon trupi i Tij. Ktheva dhe një herë kokën nga kisha e tij historike. Në majë të kupolës – kryqi. I hollë e qiellor si i përbërë prej ajri hyjnor. Sipër tij lëviznin re të holla të bardha si krahë ëngjëjsh. Të bëhej se Kryqi (i cili iu shfaq në qiell Kostandinit të Madh duke i kërkuar mbrojtje e duke i dhënë bekimin), po lëvizte bashkë me to në udhën drejt Atdheut të tij, Shqipërisë ilire! Ku po shkonte? Detyrën në histori ai e kish bërë. Ndoshta qe në merak për motrën e saj në Shqipëri, rrethuar re të zeza të cilat Noli i kish parashikuar kur kish thënë: “Kisha greke është kisha e Satanait, një rjetë merimange plot shpifje e intriga…Mos qasni kurrë priftërinj grekë se po u ngulën nuk shkulen, e do t’ju bëjnë gjëmën”! Shqiptarët për të mirën e tyre e ruajtën gjatë këtë amanet, dhe për të zezën e tyre e për habinë e habive lejuan që t’u shkelet në ‘demokraci’! Është e besueshme, eshtrat e tij me tronditje hyjnore kanë dalë nga gjumi, po lëvizin të shqetësuara brënda njera tjetrës e zgjaten të bisedojnë me pasardhësin besnik të Tij, At Nikollë Markun, tanimë figurë historike e paharrueshme e Ortodoksisë së vërtetë Autoqefale Shqiptare (Janullatos dhe veglat e tij e shkruajnë djallëzisht të ndryshuar “Ortodoksia e Shqipërisë”. Jo “Shqiptare”, pasi e duan një bijë “në Shqipëri” të kishës greke).

Me shqetësimin e gjallë të Nolit po ecja drejt banesës së fundit ku po fle. Nga pas zëri i Tij na ndiqte si hije në lëvizje drite, që nga përshpirtja e meshës në Kishë te pëshpërima e barit në varreza. Kalojmë portën e hyjmë në botën e gjelbër të atyre që s’janë më. E dija se aty pushojnë shumë vëllezër tanët, atdhetarë të shquar. Shumë vetë flenë me mallin që mbi vete nuk kanë baltën e mëmëdheut, që te kryet nuk kanë dhe një luleshqerë Shqipërie. Ecij mes ruginave të blerimit e vështroj ku janë ata!

Në krye të një katrori lexoj “Konica.1875-1942”. Pllaka prej guri ku qe shkruar ai emër m’u shfaq e bardhë, e bukur, me një hijeshi princi dhe fisnikëri beu bashkë, siç qe vetë i Zoti (vëllai i Skënderbeut helmuar nga Sulltani, Rreposhi, në pllakën përkujtoimore varrosur në Manastir cilësohet “Duka i Ilirisë”). Shkronjat – “Konica” po më vështronin si një të njohur të tyre e po më ftonin t’u afrohesha. Emri i Tij përballë po më kërkonte diçka, dhe fjalët që pyesnin mbeteshin përsëri te guri. Eca ngadalë drejt tyre. Vëndi ku duhej të qe i shtrirë ish i hapur e pa asgjë brënda. Kish shkuar në tokën e mëmëdheut. Më lëvizi në kokë legjenda e Kostandinit të ringritur.

Brënda legjendës historia jep dëshmitë e saj: Sa doli më 1942 Karta e Atlantikut Rusvelt-Çurçill me premtimin që u jepej popujve në luftë kundër fashizmit, se pas lufte do vendosnin vetë për fatin e vet, Konica e Noli, me mbështetjen e premtuar të Qeverisë Amerikane japin Deklaratën ku shpallin se Njeriu rreth të cilit mund të mbështetej fati i Shqipërisë ishte Mbreti Zog. Konica vdes pa pritur e në përcjelljen e tij Noli tha me pikëllimin e thellë të njeriut të Madh për të Madhin: “Mbreti Zog e emëroi Faik Konicën si përfaqësues në Uashington dhe kërkoi njohjen si kryetar i Guvernës shqiptare në mërgim. Faik Konica i shkroi menjëherë Departamentit të Shtetit për këtë njohje, dhe kjo kërkesë ishte vepra e tij e fundme, pasi i ra nga dora për gjithënjë pena të cilën dinte ta përdorte aq bukur. Pas nja dy dite u gjet pastaj i vdekur(!) në shtrat, pa marrë përgjigjen nga Departamenti i Shtetit”…(kish përsëritur vdekjen e papritur e të misterëshme të Mid’hat Frashërit pikërisht para një ngjarje të shënuar për të çliruar Atdheun).

Shikoj hapsirën ku pushoi aq kohë trupi i tij e m’u kujtuan fjalët botuar në Albania, dikur në mërgimin e herët, si një poemë Naimiane e tij: “Malli i Shqipërisë, malli i Atdheut të dashur, të shenjtë! Kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhè të huaj!?..Duhet të jesh jashtë Shqipërisë e të jesh larg për të kuptuar se ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë – SHQIPËRI!..” Në mbyllje të jetës, me dëshirën e zjarrtë që një ditë të pushonte në “tokën-mëmë”, la amanetin aq të dhimbshëm si martir e atdhetar i Madh: “…Kam lënë mënjanë dhe harxhimet e rrugës për trupin tim të pajetë, dhe shumën për dy metra vënd në Shqipëri. Mbyll sytë se Ju, i nderuar Noli dhe ju, të nderuar shqiptarë e ti, Lamja im i vogël (Sejfulla Malëshova-a.sh.) në Paris, do ma kryeni këtë amanet. Faik Konica. Boston 1942”.

Diku përballë tij pushon Noli, në një hapsirë me bar të freskët të bukur si mëndafsh i gjelbër nuseje. Portreti i tij gdhëndur në gur te Pllaka mbi krye, me vlerësimet themelore bërë nga bashkatdhetarët e Bostonit: “Noli, themelues i K.O.SH. në Amerikë. Shkollar e poet. Delegat në Lidhjen e Kombeve. Deputet në Parlamentin Shqiptar. M. i Punëve të Jashtme. Kryeministër“. Mbi të, – lule të bardha, të kuqe, të gjelbëra si nga fshatrat e Korçës. Fidanë rrushi ardhur si nga Omer Khajami; kallinj gruri prej Myzeqeje. Te këmbët – një qiri gjysëm i shkrirë zgjatur që larg nga Naimi drejt Tij. Portreti në gur, një madhështi e palëvizur përjetësie, rënë në mendim statuje për një merak të largët që vazhdon ta shqetësojë. Rri ashtu pa lëvizur, si për të ndihmuar vizitorët ta lexojnë qartë. Në çdo vijëz të fytyrës i lexohen udhë Shqipërie trazuar me udhë të tij…

Shkruan „Autobiografinë“ e shprehet me humor të këndshëm, se shkolla greke e vegjëlisë s’ia ndryshoi shpirtin shqiptar; ajo rodhi e ra „siç shket ujët mbi trupn e rosës“ (një figurë e përdorur po kaq bukur nga Miss Durham). Erdhi në Amerikë 24 vjeçar me 5 dollarë në xhep. Filloi punë në një sharriste ku zgjidhte trungje të mëdhenj e ia afronte sharrës, për 4 dollarë në javë. Flinte në një dhomë me 9 punëtorë. Iu afrua Sotir Pecit që botonte vetë të përjavëshmen „Kombi“. Nisën ta nxirrnin bashkë, në një presë që e shtynin me këmbë. „Kombi“ botohej në një katua të tymosur që qe zyrë e redaksisë! E ftohtë dhe e lagësht, stufa e vjetër qiste më shumë tym se nxehtësi. Iu mbaruan paratë, e Sotir Peci jep dorëheqjen. Noli u nis për punë. Pronari i fabrikës i priste te dera e merrte vetëm të fuqishmit, kurse Noli i imët s’ia mbushi syrin. Gjeti vënd te një punishte nate teneqesh. Një puntor preu krahun, e Noli nga frika se mos i priste të dyja, u largua…Konica i ri veshur me fustanellën e hijëshme zbret në Boston, e Noli që e shoqëroi kujton: „Fëmijët e Bostonit s’ia varën fare mjekrës sime dhe mbetën pa frymë nga Konica“.

Antoni Athanas kujton: Faiku piqte kafen, si me shije më të hollë. U harruan në biseda e kafja u dogj. Sytë po u lotonin nga tymi që mbushi dhomën, e ata bënin humor…Fati e dha që Noli ta përcjellë Konicën e në fjalën mortore tha mes të tjerash: „Sot lotët nuk i kemi nga kafeja por i kemi për birin e madh të Shqipërisë i cili dha jetën e tij në shërbim të vëndit të vet“.

Shoh rrotull vëndit ku po pushon Noli. Të dy të heshtur nën bar: – njeri aty, tjetri larguar me trupin në Atdhe. Shpirtërat pranë e pranë u bisedojnë me dhëmshurinë e rrallë shqiptare për njeri tjetrin. Hirësia Anastas në krye të ortodoksisë së grabitur largohet nga misioni i shenjtë i Perëndisë brënda Kishës së Zotit: çelje shkollash greke dhe për shqiptarët, kisha greke ku s‘ka shqiptarë, varreza për ushtarët grekë – pushtues më të rrezikshëm se italianët, nxjerrja e eshtrave të shqiptarëve në varrezat e tyre duke i kthyer dhe në grekë (gjë që të tillë s‘e kanë bërë as hunët e vandalët); ndërrim emrash e kombësie pagëzuar nga kisha, bekime bankash greke në Shqipëri, takime me shtetarët grekë kur në Shqipëri feja është e ndarë nga shteti, emërtimin ‚minoritet grek‘ të Himarës duke i hedhur dhe benzinë zjarrit (akte që janë shkelje e hapur e Kushtetutës sonë). Kurse shegertët e tij përsërisin: “Kush e kundërshton atë pengon integrimin në Europë“(!) Sigurisht shqiptarët, duke nderuar çdo fe në misionin e shenjtë të tyre, do ndjekin këshillat e figurave të mëdha kombëtare.

Rreth vëndpushimit të Nolit – mbiemëra të njohur atdhetarësh mbledhur si në kuvënd rreth tij, me shqiponjën shqiptare pranë emërit të tyre dhe lule amerikane përqark: Refat Gurazezi, red. i Diellit, Stefan Lasko, Thimi Theodori, Kristo Eli, Teodor Gjergji…Portreti i Nolit në gur, i ëmbël e disi i përqëndruar, si para një vatre ende me dimër të largët Shqipërie. E shihja me vëmëmëndje, e m’u duk sikur pas ndjente të ftohtë! Dola me Vehbiun e Ademin të shihja më tej…një befasi e papritur: pas krahëve të tij e si i fshehur – varri i Marko Lipes, shërbenjës i kishës greke me të cilin Noli luftoi aq ashpër në vitet 1950. Janullatos ka mbi 20 vjet që, kundër premtimit nuk ka përgatitur zëvëndësin shqiptar me shtetësi e kombësi, kurse Marko Lipe u përgatit me nxitim nga Patrikana duke shkelur dhe afatet kanunore, e dërgohet peshkop në Amerikë, për ta „riorganizuar“ ai kishën shqiptare të Nolit! Qe po ai vit kur shteti komunist në Shqipëri përgatiste Kongresin e Kishës Ortodokse duke i vënë kazmën Statutit të saj të vitit 1929. Noli mbështetur nga bashkësia atdhetare ortodokse e flaku larg tyre si një „batakçi aventurier“.

Zgjatem që renegatit t’i shoh fytyrën te pllaka e gurit…Aty qe shkruar si me fjalë plakash grekomane duke tjerë lesh magjie sipër varreve: „Marko Lipe…të gjitha punët mirë i ka bërë“! Noli po na ndiqte tërë humor me sy!

Që Noli të lodhej e të dorëzohej (siç u dorëzua Artur Liolin) qysh ahere nëpër qoshkat e intrigave nisën ta quanin „komunist“, „majtist“, „bolshevik“!..e kjo vazhdon gjer në ditët e sotme në tregun politik antishqiptar. Ky soj trulajthitur apo shpirtshitur, duke mos arritur të kuptojnë as të mbahen te përmasat vigane të lisit. Ai dhe atje ku fle të përsërit fjalët që në shtator 1946 i shkruan kryeministrit Hoxha, se duhej lidhur me Shtetet e Bashkuara e nuk duhej mbajtur „me argumentin e vjetëruar të Përmetit të cilave u kishte shkuar koha“ e më tej: „U lodha duke jua përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet (me SHBA – a.sh.) në parim e pa kondita“, gjykime mëse antikomuniste në rrënjë.

Noli gjykoi aq saktë e bukur, se te shqiptarët myslimani e krishteri rrojnë vëllezërisht si e bardha dhe e verdha e vezës bashkë; se shqiptarka shpesh lakrorin e bën gjysmën me mish derri (për krishterin në familje), e gjysmën me mish qengji (për myslimanin)! Ai bashkë me shokët e ndritur, shqiptarët në mërgim i mblodhi në një Vatër duke pasur të gjithë një parti, vetëm Shqipërinë. Kush mund ta harrojë, se para Konferencës së Paqes, 1919 kur Shqipërinë e rrezikonte coptimi i mëtejmë, Noli me personalitetin e veçantë të tij takon Presidentin Vilson e ai i premton se „Një votë që kam do ta përdor për Shqipërinë“, dhe e mbajti fjalën; se dhe në programin e Federatës APA krijuar nga Noli më 1930 ai shpalli: „Duam kufinjtë etnografikë, duam veç Shqipërisë së Konferencës së Londrës edhe Kosovën e Çamërinë…të 4 vilajetet e të gjitha krahinat e banuara prej një shumice shqiptarësh“!

Vlen të kujtohet një letër e veçantë dërguar prej Pr. dr. Krist Maloki në Austri, më 19.12. 1958 ku mes të tjerash i thotë: „Unë jam kosovar, i lindur më 1900 në Prizren. Kam shumë vjet që mendoj të hyj në njohje ma të ngushtë me Ju, me Fan Nolin si njeri, si shkencëtar, filozof, vjershëtor, poet, muziktar etj…I kam parasysh hijedritat e njeriut faustian me të dy shpirtërat kundërshtarë në gjoks…i kam parasysh dhe dashjet, brengat e përdëllimet e një Shën Gjoni Evangjelist për të cilin shkruan Bibla e Shenjtë. Po ku me e marrë atë pendë, ku me e marrë atë gjuhë (sidomos shqipe) për t’i përshkrue gjithë ato fanitje të fantazisë me tanë vijat e ngjyrat, me tanë dritat e hijet e tyne“!?

Një vlerësim i tillë mjeshtëror e fisnik të kujton vlerësime pa fund për Nolin. Më 1915 në Parlamentin grek kryeministri Venizellos tha se vetëm një fatalitet hyjnish mund t’i largonte nga Epiri i Veriut (Toskëria) e pushtuar përgjakshëm. Ata u detyruan të largohen, dhe ai shtoi se Vorioepiri shpëtoi së pari falë përpjekjeve dhe zgjuarësisë së veçantë të Nolit! Më 1924 kur Shqipëria me përfaqësues zyrtar Nolin pranohej më në fund në Lidhjen e Kombeve, gazetat e Londrës shkruan se „Një burrë-shteti i tillë do nderonte çdo vënd tjetër e, siç u duk ai ka lexuar gjithëçka duhet të lexohet“!

Për veprën e veçantë „Bet’hoveni dhe Revolucioni francez“ citojmë sadopak vlerësime të dijetarëve amerikanë. Herbert F. Pejser në revistën „Amerika muzikore“ shkruan: „ Njeriu çuditet sesi nuk është shkruar më parë një libër i tillë! Ndoshta kështu është më mirë, meqë ka pak muzikologë e historianë që shkruajnë me aq shkëlqim e humor të natyrshëm si ky klerik i çmuar“. Prof. Karl Mek Kinli: „Është një punë tepër freskuese të lexosh librin tuaj me atë stil shprehës e të kulluar i cili përndan qartazi mjegullën e marrinave me të cilën janë mërtisur të gjitha subjektet e tilla“.

Prof. Keneth Konent: „U mrekullova nga mënyra e paraqitjes suaj të një çështjeje të vështirë e mbeta mjaft i kënaqur me mënyrën se si ia delni në krye që nga shkrime të thata e biografi të balsamuara të na jepni një njeri të gjallë, të fuqishëm e të përvuajtur. E keni bërë me mjaft mënd kur veprës i jepni fund me të thënmen ‚gottern schadet nichts’ (asgjë nuk mund t’i lëndojë perënditë), në shkronja të mëdha e të bukura“. Shtojmë dhe fjalët e të përndritëshmit Stivën Apson: „Suksesi juaj gjysëmshekullor ka qënë me të vërtetë i madh, prandaj kujtimi i këtij suksesi jo vetëm do shënohet në librat historikë, por do mbetet dhe në analet e Kishës Ortodokse në Amerikë. Ju e ndëruat shërbimin fetar nga greqishtja në shqipet, ndërsa tani keni bërë përpjekje të mëdha që atë ta mbani edhe në anglishte; vetëm kjo punë do t’i mjaftonte njeriut gjatë jetës së tij“…

…Po largoheshim. Ademi e ngiste veturën si fije bari mbi ujë, thua mos të na trondiste përshtypjet që po na zinin vënd në kujtesë si një frymë hyjnore. M’u kujtua nga larg gjëndja e mjerë e Shqipërisë me votime të trazuara e me qeveri të pahairit, dhe m’u kujtua gjykimi i Nolit, aq i freskët ende: „O shqiptarë, o budallenj! Tërë bota e qytetëruar para se ta japë votën, mendon: ‚ç‘ka bërë dje, ç‘bën sot e ç‘do bëjë nesër‘! O shqiptarë trupluanë e mëndjefoshnjë“! Konica shtonte këshillën e tij: „Popull, e ke në dorë shpëtimin tënd! Në të pëlqen të vuash nga uria, sëmundjet e gjithë të ligat, dërgo në Parlament hajdutët e larot! Në do bukë, shëndet e prehje dërgo në Parlament njerëz të mirë e të pastër“! Gjykime të shprehura si për ditët e sotme.

Po largoheshim. Pas ndjenim se Noli na ndiqte me sy – si i hidhnim hapat në Shqipërinë e trazuar.

 

 

Shperndaje ne

The Author

Agim Shehu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.