Të gjitha shqiptaret janë Teuta

mbreteresha_teute_perFbfahri_xharra_web“ Teuta e kishte bërë zakon që për fillim jave , shtronte një mëngjes ku hante sillën bashkë me zonjat e shquara të dinjitarëve të oborrit, aristokracisë ushtarake dhe të pronarëve të mëdhenj të tokave qe zotëronin me mijëra bujkrobër.
Shërbenjëset e ndihmuan të lahej, e lyen me vajra dhe kremra të erëndshme, e ndihmuan të vishej dhe flokët gërsheta ia lidhën mbi ballë kurorë,ashtu si asaj i pëlqente. Uji i ngrohtë dhe fërkimi i trupit me shparcë i bëri mirë dhe i shkrifi gjymtyrët.E dinte që ishte pak e vonuar por nuk ngutej. Zonjat le të prisnin ca, kështu ato e kuptonin më mirë atë vijën ndarëse midis tyre dhe fronit. Kur hyri në sallën e bukës, zonjat u ngritën në këmbë, dhe duke u përulur me hijeshi nisën ta përdhëndesnin.

-Mirëmëngjesi, Madhëri!
-Mirmëngjes,Lartësia juaj Mbretërore!
-Mirmëngjes,Mbretëreshë e Ilirisë!
-Mirmëngjes,Shkëlqesi!
-Mirmëngjes,zonja fisnike, si keni qenë?
-Lutemi për shëndetin tuaj, madhëri!
-Uluni dhe ju bëftë mirë. “ (*Teuta e Ilirisë *. Roman nga Resmi Osmani )

Vlen të shënohet, se paraardhësit tanë Ilirët, ndryshe nga popujt e tyre fqinjë: grekët, maqedonasit, trakasit apo romakët,që mbanin qëndrim përbuzës ndaj gruas dhe nuk lejonin që në fronin mbretëror të kurorëzohej një grua, Ilirët e kishin të lejuar këtë të drejtë në kodin e tyre zakonor e trashëgimor. Është kjo një shenjë qytetarie dhe nderimi e vlerësimi për gruan Ilire, për vendin e saj në familje e shoqëri, e cila kulmon me mbretërimin e Teutës.

Teuta ishte një personalitet me zë në historinë e Ilirisë, pas Bardhylit e Glaukias, Klitit e Agronit. Sundoi vetëm për 3 vjet, por vepra dhe lavdia e kësaj gruaje ka triumfuar në shekuj Për kohën që udhëhoqi ajo rivalizoi perandorinë dhe perandorët e mëdhenj romakë. Vërtete Teuta e mori drejtimin e shtetit në një periudhe të lulëzuar, por do të duhej edhe mendja dhe dora e saj e sigurt për ta ruajtur dhe për ta çuar më përpara ketë zhvillim.

Ajo vijoi me planet dhe synimet e Agronit. Përforcoi me tej rendin shtetëror, duke i dhëne përparësi pushtetit qendror. U dha impuls të ri zhvillimit ekonomiko-kulturor të qyteteve, si bazë themelore për një stabilitet dhe fuqizim në fushën ushtarake.

Me natyrën e saj kurajoze dhe të mençur, Teuta, me siguri përziej dhe merrte pjesë qoftë edhe jo drejtpërdrejt në qeverisjen dhe drejtimin e shtetit, duke qenë këshilltare e të shoqit për politikat dhe synimet e tij për një Iliri të madhe. Kjo kohë ishte e mjaftueshme për të që të njihte mekanizmin e ngatërruar të drejtimit të mbretërisë, interesat, politikat, dredhitë , intrigat dhe forcat mbështetëse e kundërshtuese, që të krijonte bindjen se ajo mund të mbretëronte e të drejtonte njësoj si burrat. Ishte grua ambicioze, që e dëshironte pushtetin dhe luftonte për ta zotëruar atë.

Vëmendjen kryesore ia kushtoi ushtrisë dhe sidomos flotës se fuqishme detare, jo më të vogël sesa ajo para saj. Dhe për ketë Teuta urdhëroi : “Prijësit ta quajnë si armike gjithë bregdetin”. Kështu, liburnët e flotës ilire bënin ligjin në Adriatik. Një shtet i përqendrueshëm dhe me pretendimet e veta të drejta, me një fuqi detare që sfidonte deri në hyrje të Mesdheut, nuk mund të pranohej, qoftë edhe në heshtje, nga shtetet që e kufizonin Ilirinë.

Teuta, si një grua e zgjuar që nuhaste se s’pelqehej nga shtetet fqinje, i parandiente rreziqet. Prandaj, ndërmori dhe realizoi një veprimtari të gjithanshme politike, ushtarake e diplomatike. Ajo u përpoq për të afruar aleate (siç ishte formimi i marrëdhënieve me Maqedoninë) për të përballuar opozitën e brendshme dhe kërcënimet e jashtme. Ndërkohe edhe strategjikisht, ajo punoi për të zbutur armiqësitë e mbretërve të veçuar dhe, përgjithësisht, për të shuar rivalitetet e grupeve shoqërore të armatosura brenda mbretërisë.

Me këtë vije dinamike dhe elastike, mbretëresha-stratege e rriti prestigjin, shëndoshi pozita në gadishull e Adriatik dhe përgatiti terrenin e opinionin për hapa dhe aksione të reja.
Duke mos qenë të mësuar në atë epoke me praninë e grave si mbretëruese dhe për rolin e strategut (siç ishte rasti me Teutës e Ilirisë), atë e portretizojnë një sundimtare krenare nga natyra si grua dhe nga fuqia si shtet, por me dobësi (frike dhe paqëndrueshmëri) posa merrte vesh kërcënimet romake për luftë. Por, ta, shtojnë se po ajo grua, porsa shihte se rreziku ende nuk ishte afruar, i përbuzte dhe dërgonte ushtri atje ku donte. Atëherë del se kjo mbretëreshe-stratege ilire qëndronte në lartësinë e strategeve të kohës, të cilët dinë të çmojnë situata e të shfrytëzojnë rrethanat. Atëherë, Romës i duhej një shkak. Ky u “gjet” shpejt të “pirateria”, e posaçërisht të “vrasja” nga Teuta e ambasadorit romak, që kthehej në Romë.

Të përfundojmë me historianin Moikom Zeqo se çfarë rëndësie ka patur gruaja në periudhën ilire:
“Kjo është një temë me një subjekt shkencor të mirëfilltë. Për habi ne shqiptarët nuk kemi shkruar, ndërsa disa historianë të huaj po si p.sh. Pierr Caban, një historian i antikitetit dhe epigraf francez. Faktet e historisë dhe kronikat tregojnë se roli i gruas në epokën ilire është i veçantë. Para epokës ilire, në epokën e matriarkatit të gjitha monumentet dhe artefaktet që kemi zbuluar lidhen me kultin e magnamatet, që do të thotë “nënës së madhe”. Matriarkati është një periudhë aq e gjatë, sa patriarkati që vjen pas është shumë e shkurtër në krahasim me të. Edhe Zoti, Perëndia në atë kohë ishte femër, ndërsa në patriarkat Zoti u bë burrë. “

Femra shqiptare sot ,është Teutë që nuk do i nënshtrohet “patriarkatit “ të sotëm arab ; nuk do të mbëshillet për “hatër “ të dikujt, nuk do të mbyllet ne shtëpi për hatër të largqoftit , nuk do të lindë primitivizëm për vazhdimësi të te tekeve të dikujt.

Përkundër kohës që po e kalojmë ;në një jemi të bindur se të gjitha shqiptaret janë Teuta !

Fahri Xharra,30.12.15
Gjakovë

Shperndaje ne

The Author

Fahri Xharra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.