CILA ËSHTË POZITA E MËRGIMTARËVE NË PROTESTËN E 9 JANARIT !?

prot_9_janfb

Fototportret në ram

     Hasan QYQALLA *

Shpreh opinionin tim pas shumë pyetjeve që më dërguan bashkëmërgimtarët tanë përmes postës elektronike dhe formave tjera…!

Skenaristët e periudhave të mëhershme sikur nuk kanë pushuar kurrë, madje ende edhe sot shfaqen si hije apo fantazmë nëpër skenat e teatrit tonë politik, duke e ringjallur të kaluarën e hidhur skena identike, pa rëndësi të madhe në është bashkë-skenaristi apo skenaristi bashkë-regjisori apo regjisori.

Madje duke e përcjellë krizën politike, në atdheut tim (që i është shkaktuar nga politika e sotme e papërgjegjshme), dhe duke parë se si po torturohet populli me këtë politikëbërje, padyshim si gjithë mërgata shqiptare edhe unë shpreh indinjatën e thellë me një thyerjen shpirtërore, për rastin më të shëmtuar e të denigruar, të dëmtimit të varrezave të vëllezërve të besimit të katolik, që populli ynë nuk e ka këtë traditë.

Andaj bëjë Apel te organet institucionale dhe të gjitha strukturat sociale e shtetërore që aktorët e këtij krimi të paprecedan të zbulohen dhe të dalin para drejtësisë. Megjithatë shqetësimet janë të mëdha e të arsyeshme, nga që disa zëra tani më qarkullojnë në opinion mbarëshqiptar, përmes rrjeteve sociale, karshi këtij rasti që është shumë i ndjeshëm një skenar i tillë. Këtë ndjeshmëri e ndjen secili qytetar shqiptar, pavarësisht moshës, nivelit intelektual e atij kulturor, apo të strukturës sociale të mjedisit ku jeton e vepron.

Andaj, raste të tilla na i kujtojnë skenarët e kaluara, si me rasti Martinoviq ( “dhunimet” me shishe, duke pretenduar se këtë po e bëjnë shqiptarët dhunshëm ndaj popullatës serbe), po ashtu edhe rasti tjetër “dhunimet” ndaj femrave serbe (që dështuan si skenarë),…etj., deri në dëmtimin e varrezave të popullit serb, kinse këto akte i kryenin “nacionalistët e irredentistët shqiptarë”, vetëm e vetëm që të arsyetojë dhunën sistematike mbi popullin shqiptarë dhe njëkohësisht të rrënojë imazhin tonë në arenën ndërkombëtare.

Pra, qëllimi i asaj qeveria sunduese fashizoide, ishte shpërqendrimi nga politika diskriminuese që ushtronte mbi popullatën shqiptare…! Për lexuesin, vura në pah disa raste të asaj kohe të keqe, që zgjatën deri atëherë kur dolën radhët e para të UÇK-së hapur, që të tërheqim një paralele me Qeverinë e sotme (dalë nga vota e “lirë” e popullit) edhe pse qëndrojnë në rrafshe disproporcionale në kohë.

Për Qeverinë e sotme dihet mirëfilli i saj se është një koalicion i dhunshëm, me baste e kushte të përcjella nga pas. E dhunshme, policore, diktatoriale, e deri te identifikimi i tyre si Qeveria e Esat Toptanit, pas nënshkrimit të “zajednicës” me palën serbe në Bruksel dhe nënshkrimin e Demarkacionit me Malin e Zi, kur i falet një pjesë e mirë e territorit tonë shtetit fqinjë, gjithnjë sipas Opozitës.

Pasoi gazi lotsjellës në Parlament (edhe pse nuk njihet si formë demokratike parlamentare), protesta popullore paqësore, por që i dhunoi e gjakosi një urdhër nga Ministri i Punëve të Brendshme (që ngeli me 20 vota të vetme në zgjedhjet e fundit, dhe u rehatua në postin e Ministrit!).

Gjithë kjo rrjedhë i dha të drejtë Opozitës dhe protestuesve, pas gjykimit që dha Gjykata Kushtetuese, se është shkelur Kushtetuta pikërisht në rastin e “zajednicës”! Megjithatë, përkundër premtimeve teorike nëpër media, se “nëse e kemi shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ne do të ikim”, flisnin vendosmërisht të parët e Qeverisë: Kryeministri e Zëvendëskryeministri i parë si dhe Ministër i Punëve të Jashtme…!!!

Duke mos i qëndruar besnik fjalës së tyre, gjë që edhe nuk pritej më shumë, dhe në anën tjetër mungesa e moralit individual e kombëtar i Kryeqeveritarëve, bënë që Opozita të jetë më këmbëngulëse, që përmes protestave paqësore, të sjellë “Monarkët” e kësaj Qeverie para aktit të kryer.

Edhe një gjë që befasoi elektoratin dhe simpatizantët e vet, ishte Partia që u pagëzua disa herë deri në finalizim: Lëvizja për Bashkim (që në Statutin e vet përdorë sloganin për Bashkim Kombëtar, aludohet për shtetin amë Shqipërinë, gjithnjë sipas fushatës së tyre elektorale!!!), që nuk e ngriti zërin asnjëherë kundër “zajednicës”, por iu bashkua dhe përkrahu liderët e kësaj platforme (mbase heshtja është padyshim forma e pajtimit)! Këtë vendosmëri të Opozitës dhe pesimizmin e shtuar të popullatës ndaj Kryeoligarkëve në fjalë, e kanë nuhatur mirë “paria”, mbase tani edhe dihet mirëfilli që “Kryeshi(ni)ku” është në Krye të Legjislativit të Republikës së Kosovës.

Natyrisht e dinë shumë mirë se çfarë i pret më 9 janar 2016!

Andaj, dyshohet se pikërisht skenari i shëmtuar, për dëmtimin e varrezave të vëllezërve të besimit katolik, është bërë me regji të matur edhe pse padyshim është shumë i ndjeshëm. Kjo, për shpërqendrimin e vëmendjes nga 9 janari, edhe për atë se i është krijuar terren i blertë asaj që shkruajnë e deklarojnë gazetat perëndimore, për shtimin e rekrutimit të xhihadistëve të ISIS-it. E, sipas matematikës së tyre, do pasojë një ndarje mbarëkombëtare që do t’ua mundësonte përdorimin e dhunës, sikur edhe herave të mëparshme. Shih për këtë, për një kokërr vezë të hedhur në drejtimin të një Ministri (adhurues i ISIS-it), jo vetëm që i rrahën po i torturuan dy të rinj, pavarësisht cilit ngjyrim politik i përkisnin.

Këtu, mu kujtua edhe ngjyra që iu hodh Ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë Joschka Fischerit, dhe kaloi në procedim të rregullt përmes sistemit juridik shtetëror…! E në Kosovën tonë të thyhen brinjët, eshtrat, pse jo edhe koka…!? Shtrohet pyetja, cila është pozita e mërgimtarëve në protestën e 9 janarit!?

Nisë nga lëvizjet dhe demonstrata studentore të pranverës së ’81-shit, pikërisht ata që iu qepën me besnikëri platformës politike të asaj kohe, si: distancimet, largimet nga proceset edukative, arsimore e deri te ndjekja, gjykimi dhe dënimi i studentëve. Më pastaj në vazhdën e së keqes vije plaçkitja e mërgimtarëve gjatë periudhës së Qeverisë në ekzil (në kooperim të harmonishëm me Bujar Bukoshin), që sot ka uzurpuar pushtetin partiak (me daulle të mëhallës) dhe atë kryeqeveritar (falë tradhtisë të paprecedanë që i bëri Bllokut pas gjashtë muajve “koalicion”!)…! Koalicionisti bashkëqeveritar (që ka porositë Kostum e kollare për Kryetar Shteti), është ai që me partnerin e vet aktual, u shtyn e u pështyn deri sa nxorën edhe fjalë e shprehje tualeti nga gjuha e tyre!!!

Çfarë do të thotë kjo?

Asgjë më shumë as më pak, veç se të tillët duan ta ruajnë kolltukun me çdo kusht, me çfarëdo çmimi, nga që të dy e kanë rrëmujë brenda partive të veta! Për shpëtimin nga kjo rrëmujë e këtij koalicioni bashkëqeverisës, kujdesen edhe për Liderizmin e jo për liberalizmin, kujdesen për Lidershipët e jo për jetimët (që prindët e tyre ranë në fushën e nderit), kujdesen për Oligarkët e jo për varfanjakët, kujdesen për “oborrtarë” përmes klientëve servil e zuzarë, kujdesen për popull pa ju “hyrë në hak”, po ua prishi rehatllëkun, s’kursejnë dhunë as gjak! Prandaj, ndjenja e dashuria e mërgimtarit për atdhe është e shenjtë, është hyjnore, mbase jemi të mishëruar me Dheun e Ashtin sikur me Mëmë-Atin. Kultura, virtytshmëria, mishërimi e gjakimi nuk na lejojnë të dalim jashtë vetvetes.

Ndryshe, do bëhemi shartimi i tyre, që përpiqen të na manipulojnë dhe të na diktojnë me barasvlerën e “prototipave të fushës së ndotur”!

* Autori është Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Në këtë shkrim, autori shpreh opinionet e veta personale, jo edhe të Asociacionit që i prinë…!

Shperndaje ne

The Author

Hasan Qyqalla

Autori është Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.