Isa Boletini: “Kosovën ta marrim nga Serbia, sepse pa Kosovë Shqipëria nuk do të mund të jetojë”

Isa_boletini_Ushtria_jone_fbISA BOLETINI: SHQIPËRIA PA KOSOVËN NUK ËSHTË SHQIPËRI

(Intervistë e panjohur e Isa Boletinit dhënë gazetës vjeneze “Neue Freie Presse” dhe

reagimi i gazetës proqeveritare serbe “Politika” në prill të vitit 1914)

fitim_rifati

Shkruan: Mr.sc. Fitim Rifati

Prijësit popullorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kanë zgjuar një interesim të madh në qarqet diplomatike të kohës dhe në shtypin e opinionin ballkanik, evropian e më gjerë. Ndër figurat kryesore shqiptare, që la gjurmë të thella në histori dhe vazhdon të jetë në fokus të studiuesve, është edhe Isa Boletini. Karakteri dhe personaliteti atdhetar i Isa Boletinit zgjoi mjaft kureshtjen e shtypit ndërkombëtar përmes korrespondentëve e reporterëve të tij. Në një intervistë të dhënë në Shqipëri reporterit të gazetës vjeneze “Neue Freie Presse” (Shtypi i ri i lirë), e cila u botua më 19 prill të vitit 1914 me titullin “Eine unterredung mit Issa Boljetinac” (Një intervistë me Isa Boletinin), që sakaq ngjalli reagimin e shtypit serb dhe u publikua për disa nuanca me kritika e mospajtime në një artikull me titull paragjykues “Isa fon Boljetin” (Isa fon Boletini), në gazetën proqeveritare serbe “Politika” e Beogradit, më 8/21 prill të vitit 1914, paraqitet shqetësimi i Isa Boletinit dhe djalit të tij, Januzit, për çështjen e Kosovës, mizoritë që administrata ushtarake, policore dhe civile serbo-malazeze po ushtronte ndaj shqiptarëve dhe planin strategjik shqiptar të veprimeve të armatosura për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Në reagimin e botuar në gazetën “Politika”, kundërshtohen të gjitha shqetësimet, pohimet dhe vlerësimet e Isa Boletinit, duke i arsyetuar veprimet e organeve administrative serbe ndaj shqiptarëve si masa për parandalimin e sulmeve ndaj territoreve të reja administrative serbe e malazeze të njohura nga Fuqitë e Mëdha. Qëndrimi i gazetës në fjalë, i cili ishte njëkohësisht edhe paraqitje e pikëpamjeve të qeverisë serbe ndaj shqiptarëve, gjykonte Perandorinë e Austro-Hungarisë si financuese, përkrahëse dhe nxitëse të shqiptarëve për aksione dhe ndërmarrje të armatosura kundër pushtetit mbretëror serbo-malazez në Kosovë. Sipas artikullit të gazetës serbe “…austro-hungarezët me plot gojën shtojnë se shqiptarët janë popull i qetë dhe e respektojnë Perëndinë, kurse serbët janë dhunuesit të cilët në mënyrë artificiale nxisin konflikte me shqiptarët, vetëm për të prerë sa më shumë koka shqiptare dhe për të djegur sa më shumë fshatra shqiptare”. Konstatimet e tilla të vazhdueshme irritonin gazetën serbe, ndërsa raportimet e shtypit vjenez “…se serbët janë duke ua dhënë flakën të gjitha fshatrave shqiptare rreth Prizrenit”, konsideroheshin akuza të pa baza, të imagjinuara dhe gënjeshtra sistematike. 

ias_wien

Mizoritë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës në muajin mars dhe prill të vitit 1914, të cilat përbënin temën qendrore të kësaj interviste, janë provuar edhe nga vet korrespondencat ushtarake serbe në Kosovë dhe organeve qeveritare në Beograd. Ato i ka raportuar edhe kori diplomatik ndërkombëtar i akredituar në Kosovë përkatësisht në qytetet Shkup, Prizren e Mitrovicë, por edhe shtypi shqiptar dhe ai i huaj. Sipas një raporti të hollësishëm të zëvendëskonsullit britanik në Shkup, Walter Divie Peckham, dërguar Londrës më 3 prill 1914, i cili u shkrua pasi ai u kthye në Shkup nga vizita që i bëri fshatrave të rrethit të Prizrenit, konstatohej se revolta e shqiptarëve i jepte shkas ushtrisë serbe për të kryer mizori ndaj tyre, duke ua djegur vendbanimet dhe duke masakruar ata pa dallim gjinie dhe moshe. Diplomati britanik, Peckham, konsideronte: “Unë e mendoj se është më shumë e mundshme që ata (pushteti dhe qarqet serbo-malazeze në Kosovë, F. R) po e ekzagjerojnë peshën e revoltës, si një justifikim për të bërë masakër të përgjithshme (ndaj shqiptarëve, F. R)”. Si arsyetim për ofensivën e ushtrisë dhe grupeve serbe ndaj tyre, gazeta proqeveritare “Politika” shprehte arrestimin e kryetarit të rrethit të Podrimes, Kosta Rakiq dhe disa xhandarëve, si rezultat i një sulmi të planifikuar dhe organizuar mirë të shqiptarëve me bazë në Shqipëri. Ndër pjesëtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që mori pjesë në hartimin e këtij plani, i cili i parapriu kryengritjes së mars-prillit të vitit 1914 në Kosovë, ishte edhe Isa Boletini me bashkëluftëtarët e tij.

Intervistën që Isa Boletini dhe djali i tij, Januzi, e realizuan me reporterin e gazetës vjeneze në Shqipëri, në vapor ndërmjet rrugës për në Vlorë dhe Shëngjin, gazeta proqeveritare serbe “Politika” e vlerësoi si një klithje të vazhdueshme të Isa Boletinit, “… i cili nuk pushon së derdhuri lot për shqiptarët e “gjorë”, të cilët nuk mund të jetojnë nga “mizoritë” e trupave serbe”. Ai paragjykohej si njeri i preferuar i austro-hungarezëve dhe organizatori e trajnuesi kryesor i grupeve shqiptare në Shqipëri, të cilat përgatiteshin për të sulmuar vazhdimisht autoritetet serbe në zonën kufitare përreth Prizrenit dhe më në thellësi të viseve të Kosovës. Për t’i dhënë publicitet dhe ngritur atë në piedestalin e një fisniku evropian, sipas gazetës serbe, shtypi vjenez propagandonte dhe e quante atë “Isa fon Boletini”.

Gjatë kësaj interviste Isa Boletinin, përveç djalit të tij, Januzit, e kishin shoqëruar edhe 60 bashkëluftëtarë të tjerë shqiptarë, të cilët ishin nisur në rrugën drejt Shkodrës për t’u vendosur atje dhe për të qenë më afër kufirit me Kosovën dhe situatës së tensionuar që mbizotëronte në të. Ai i kishte deklaruar reporterit të gazetës vjeneze se kthimi i tij në Kosovë, përkatësisht në vendlindjen e tij në Boletin të Mitrovicës, në rrethanat e pushtetit të dhunshëm administrativ ushtarak, policor dhe civil serbo-malazez, ishte i pamundur për shkak se konsiderohej njeri i padëshiruar dhe i rrezikshëm për Mbretërinë e Serbisë, i cili punonte vazhdimisht për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare nga pushtuesit e rinj dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Isa Boletini nuk kishte besim tek Mbretëria e Serbisë, prandaj ishte i bindur se në rast se ndërmerrte ndonjë tentativë kthimi në Kosovë, serbët sigurisht se do ta vritnin, prandaj nuk e vlerësonte të guximshëm dhe as të arsyeshëm një veprim të tillë.

Në pyetjen e reporterit se a shpreson me gjithë mendjen e tij se Kosova në të ardhmen do t’i shkëputet Mbretërisë së Serbisë e asaj të Malit të Zi dhe t’i bashkohet Shqipërisë, Isa Boletini ishte përgjigjur: “Kosova duhet t’i takojë Shqipërisë, sepse Shqipëria pa Kosovën nuk është Shqipëri”. Si drejtues i Lëvizjes Kombëtare, ai vazhdonte të kundërshtonte vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1912-1913 për ricopëtimin e viseve shqiptare. Sipas vlerësimeve të tij: “Dhënia e Kosovës Serbisë është padrejtësia më e madhe, të cilën Evropa e ka bërë ndonjëherë, padrejtësi e cila edhe vet Evropës do t’i hakmerret shumë keq”. Ai ishte i vetëdijshëm se kapacitetet e brendshme luftarake, si në aspektin e arsenalit dhe në numrin e forcave të armatosura, i bënin të pamundura përpjekjet e shqiptarëve për të sfiduar ushtrinë serbo-malazeze dhe për të çliruar e bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Isa Boletini konsideronte se realizimi i kësaj aspirate “…dihet mirëfilli nuk do të jetë i lehtë – dhe prerazi paralajmëronte opinionin evropian –  por ne nuk do të qetësohemi përderisa kjo të ndodhë”.

Gjatë kësaj interviste kishte ndërhyrë e dhënë një prononcim edhe i biri 24 vjeçar i Isa Boletinit, Januzi. Ai kishte shprehur qëndrimin e tij dhe të forcave kombëtare shqiptare se lëvizjet e armatosura nuk do të ndaleshin, por do të vepronin vazhdimisht në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare derisa çështja e Kosovës të merrte zgjidhjen e duhur dhe të bëhej pjesë integrale në agjendën e forumeve diplomatike të Fuqive të Mëdha. Gjatë bisedës së zhvilluar me reporterin e gazetës “Neue Freie Presse”, ai në mënyrë të përkufizuar e kishte shpalosur edhe planin e veprimeve të mëtejshme kundër pushtetit serbo-malazez në Kosovë. Si i ri dhe i edukuar në frymën kombëtare, Januz Boletini kishte paralajmëruar: “Ne edhe këtë verë do të përgatisim çeta për Kosovën dhe serbët do të na mbajnë mend mirë për këtë. Kryengritja shqiptare shpejt do të zgjerohet”. Ai kishte bindjen se përkundër tensioneve dhe përpjekjeve për konsolidimin e brendshëm të Shqipërisë dhe forcimin e pozitës së saj karshi mbretërive fqinje ballkanike dhe interesave të tyre ndaj Shqipërisë, së shpejti shteti i përgjysmuar shqiptar do të kishte ushtrinë e tij, e cila do të ishte në gjendje që me forcat e saj të korrigjonte padrejtësitë ndërkombëtare ndaj shqiptarëve. Sipas tij: “…Shqipëria do ta ketë ushtrinë e vetë dhe ne do t’ia dalim që Kosovën ta marrim nga Serbia, sepse pa Kosovë Shqipëria nuk do të mund të jetojë”. Deklarimet e të birit, me një lëvizje koke i kishte miratuar e përkrahur edhe Isa Boletini, i cili kishte vazhduar të shpaloste më gjerësisht strategjinë luftarake dhe rëndësinë e pajisjes së shqiptarëve me armatim dhe municion modern. Ai konsideronte se në rast se shqiptarët posedonin topa, do të mund të sfidonin fuqinë ushtarake serbo-malazeze përkundër arsenalit të kohës dhe numrit të pabarabartë të luftëtarëve. Isa Boletini i deklaroi reporterit: “Ne duhet të shohim që të marrim sa më shumë topa, sepse pa topa nuk mund të bëjmë asgjë. Këtë e kemi konstatuar në luftën e fundit. Serbët patën shumë topa dhe mjaft të mirë, kurse ne nuk kishim topa. Për këtë arsye edhe nuk kemi guxuar të lëshohemi në një luftë më të madhe me serbët”. Në kryengritjen e mars-prillit të vitit 1914, shqiptarët e Kosovës kishin arritur të kryenin sulme të befasishme ndaj organeve të pushtetit administrativ mbretëror serb e malazez, mirëpo kundërveprimi ushtarak dhe i grupeve civile të armatosura serbo-malazeze ishte aq i madh dhe i ashpër, saqë qindra kryengritës dhe familje shqiptare ishin detyruar të tërhiqeshin gradualisht në territorin e Shqipërisë.

Pavarësisht kryengritjeve dhe aksioneve të njëpasnjëshme shqiptare, të cilat përfundonin të pasuksesshme krahas qëllimeve të tyre, për Isa Boletinin ishte e rëndësishme t’i tregohet Mbretërisë së Serbisë, Mbretërisë së Malit të Zi dhe posaçërisht Fuqive të Mëdha, se shqiptarët nuk pranonin pushtimin e ri, por do të luftonin me të gjitha forcat për t’u bashkuar në një shtet. Gjatë përfundimit të intervistës, ai njoftoi: “Unë tash jam duke shkuar në Shkodër dhe atje do t’i përkushtohem lirisë së Kosovës. Serbët shumë shpejt do ta hetojnë se Isa Boletini është ende gjallë. Unë për lirinë e atdheut tim jam duke luftuar që nga mosha ime 17 vjeçare dhe këtë luftë nuk do ta braktis. Më herët kam luftuar kundër turqve, ndërsa tani do të luftoj kundër serbëve”. Në momentin kur kishte arritur vapori në Shëngjin, Isa Boletini ishte vendosur në barkë dhe, duke shprehur besimin e tij të plotë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, e kishte përshëndetur reporterin e gazetës vjeneze me fjalët “Mirupafshim në Kosovë!”.

Dedikimi jetës për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe bashkimin e të gjitha viseve në një shtet kombëtar shqiptar, ishte formula kryesore që e përcolli Isa Boletinin deri në fund të veprimtarisë kombëtare dhe akti më sublim kushtuar atdheut. Ai kishte vënë në dispozicion familjen dhe pasurinë e tij që shqiptarët të jetonin të lirë dhe të bashkuar. Vizioni i tij për Shqipërinë së bashku me Kosovën ishte platforma e vetme për përparimin e shqiptarëve. Këtij programi politik kombëtar, me të cilin u mishërua nga fëmijëria e tij, ai në çdo kohë i qëndroi konstant dhe në mënyrë të pathyeshme. Duke ndjerë thellësisht cenimin e interesave të tyre nga qëndrimi dhe deklaratat e tilla për Kosovën të patriotit të paepur shqiptar, qarqet serbo-malazeze vunë në shënjestër çdo lëvizje të tij dhe prisnin momentin më të favorshëm politik për ta likuiduar. Vrasja e pabesë në Podgoricë, më 23 janar të vitit 1916, në rrethana të Luftës së Parë Botërore, i pamundësoi Isa Boletinit realizimin e idealeve kombëtare shqiptare, për të cilat edhe u flijua.

Shperndaje ne

The Author

Fitim Rifati

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.