Letërsi Kombëtare: Rrustem Geci- “FSHATI I VDEKJEVE ” – poezi nga dorëshkrimet

shperngulja_shqiptare_bllace_1999_2

RrustemGeci

Rrustem Geci –
Dortmund, Kallnor, 2016

Shpërngulja vritka më shumë s´e vdekja!?..
Ç´të bëjmë me shpërnguljen dhe mërgimin
si ta ndalim këtë murtajë për kombin tonë
këta dy vrasës të pashpirt të shqiptarëve
shoh, plotë njerëz tek habiten kur dëgjojnë
ky artist, ai shkencëtar, ose ai kozmonaut
kanë prejardhje shqiptare, prejardhje të
vendit tonë, por që shpërngulja i ka sikteris
nëpër qytete dhe shtete pa emër e mbiemër
ç´të bëjmë me shpërnguljen dhe mërgimin
flasin pjesë të atdheut të shpërngulur, flet
Ilirida, Molla e Kuqe, Çamëria, Presheva
flasin Kosova dhe gjitha trojet shqiptare
për një gjysmë atdheu tërësisht të shuar
Jo fort moti, udha më rastisi përtej, Nishit
Në një katund me emër, Molla e Kuqe
Fshati ku kishin jetuar shqiptarët ishte i
vdekur. Në atë fshat të vdekjeve të gjithë
vdekurit qanin për një varr të vdekjeve
të vdekur qenë të tashmit, dhe të kaluarit
të ardhshëm në atë Katund nuk kishte
shpërngulja ua kishte shuar emrin, dhe
mbiemrin. Në këtë pjesë të Shqipërisë së
lashtë, varret qenë shndërruar në toka
buke. Krahina e Molla e Kuqe kishte vdekur
Në një çast tek qanin pema dhe bari, në
Në këtë tokë të Shqipërisë së lashtë dy të
vdekur, fqinjë të pavarrosur gjatë luftave
pyesnin njëri- tjetrin; miku im i vrarë si
ndodhi që asnjë i vdekur më s´është tek
kjo varrezë, ku vajti fshati ynë i vdekjeve
fqiu kufomë, ju përgjigj; miku im i rënë
shpërngulja neve na vrau më shumë se
pushtimi! Nën pushtim s´vdesin të gjithë
nën pushtim së paku ruhet bima e gjakut
Të gjallët qofshin edhe të poshtëruar, nuk
vdesin kështu si vdiqëm né! Ashtu është;
miku im i vdekur, të pyes; a di me shkru
që t´ua lëmë një porosi të gjallëve; që të
kombi ynë të ketë kujdes nga mërgimi, se
shpërngulja vritka më shumë se vdekja!..

Shperndaje ne

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.