Heroi im nuk ka qenë pjesëmarrës në asnjë luftë dhe nuk ka asnjë dekoratë trimërie. Nuk joshet nga lavdia, as nga paratë. Shëtit mbrëmjeve i vetmuar dhe pëshpërit:”Fëmijëria ime është parajsë”. Ai ëndërron parajsën e humbur, drejt së cilës rendim kur ngulfatemi në botën e të rriturve dhe duke ëndërruar se do të gjejmë një tjetër botë, vonë e kuptojmë se me ta humbur fëmijërinë e kemi humbur përgjithmonë botën e mirë. Bota tjetër, përtej fëmijërore, është luftë e përhershme me demonët e rebeluar brenda qenies sonë, që tentojmë t’i përgjumim nëpërmjet shkrimit. E ata zgjohen sërish e sërish. E sa më tepër zhytemi në thellësitë e qenies njerëzore, aq më tepër jeta na shfaqet me pamjen e saj të egër. Atëherë kujtohemi se kemi pasur një tjetër botë, një botë të largët, që na vjen disi e mjegullt, hijesore, për të cilën kemi nevojë, teksa ngulfatemi në botën tonë. Bota fëmijërore ka qenë e pasur me dëshira e iluzione të shumta. Në atë botë kemi ëndërruar shumë. Të tjerë emra i kanë sunduar kokat tona. Kanë qenë emrat e idhujve që i kemi imituar dhe kemi dashur t’u ngjajmë…
***
Heroi im është një gjeni i errët. Ai nuk meret me punët e shtetit. Nuk joshet nga luksi. Heroi im bën jetë eremiti.
***
Heroi im është apologjet i gjendjes së pashpresë. Ai flet për rënien e njeriut dhe botën nuk e sheh me syrin e optimistit. Ai nuk pranon ta legjitimojnë e ta vlerësojnë të tjerët, sepse i duken gjëra koti.
***
Heroi im nuk është as ideolog e as profet. Ai e di se të ligat janë pasojë e ideve të pranuara pa gjykim kritik. Heroi im nuk pranon se ka ide, thotë se ka vetëm opsesione.
***
Teksa të tjerët kujdesen për shëndetin e tyre, heroi im beson se të sëmurët nuk duhet të ankohen, sepse kanë me çfarë të merren. Ai nuk është normal, por as anormal. Bota e sajoi termin “më normal se sa normalët” .
***
Heroi im është gjeni i errët, mendja e tij depërton në honet më të thella të absurdit ekzistencial, nëpër labirintet më të çuditshme të qenies njerëzore.
***
Heroi im nuk shkruan për lavdi, por për t’i ikur bezdisë e absurdit. Ai dëshiron të jetë bari në fshatin e tij të lindjes…
***
Heroi im, prej se humbi fëmijërinë, asnjëherë nuk qe i lumtur. Iku së gjalli duke menduar. Lumturia nuk u takon atyre që mendojnë. Vetëm njerëzit e sipërfaqeve janë të lumtur.
***
Heroi im është dekompozues i gjithçkasë, është shkatërrues iluzionesh, ai beson se “secili njeri fsheh në vetvete një të çmendur”.
***
Heroi im nuk joshet nga të mirat e ëndërruara prej vdekatarëve të zakonshëm. Beson se “në ditën e gjykimit do të rrjedhin vetëm lot”. Heroi im vuan nga depresionet e mbrëmjes. Ai e di pse klith ajo qenie në pikturën e Munk-ut.
***
Heroi im trazohet vazhdimisht nga demonët e krijimit. Për atë shkrimi është lehtësim, shërim, mbretëri veçantie…
***
Heroi im lindi për t’u keqkuptuar. Ai foli për gjëra të padëgjuara. Ai rrënoi mite. E kjo është e rrezikshme. Shkakton tërbimin e turmës. Heroi im nuk beson në fuqinë e turmës. Beson se ajo është kategori sasie, privuar nga origjinaliteti, joshur nga imitimi e përsëritja. Heroi im e di se princat duan turmë dhe jo qytetarë, sepse qytetari ka përcaktim cilësor në punën e tij, në mënyrën e të jetuarit.
***
Heroi im nuk i honeps të pazëvendësueshmit, të kudondodhurit, lakmitarët e mbretërisë tokësore. Ai nuk beson në ”histori të lavdishme”, sepse janë plot gënjeshtra të mëdha, plot me gjëra të turpshme e të bezdisshme. “Historitë e lavdishme” glorifikojnë ata që janë me ne dhe asgjësojnë ata që janë kundër nesh.
***
Heroi im qeshet me mua. Qeshet me shkrimet e mia. Qeshet me parashikimet e mia. Qeshet me moralizimet e mia…
Sa bezdi të merresh me do emra të tjerë, kur ke hero një gjeni të errët, që nuk qe pjesëmarrës në asnjë luftë, por kurrë nuk e shijoi paqen…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.