Kosova, shteti i paradokseve

Populli po duron shumë

Kemi Qeverinë më të fuqishme për nga numri i ministrave dhe zv. ministrave

mufail_salihaj1

                   Prof. dr. Mufail SALIHAJ

 

Shkruan: Prof. dr. Mufail SALIHAJ

Po të kishte një çmim që ndan Evropa të titulluar “Shteti i Paradokseve”, me siguri se këtë çmim për vitin 2014  do ta kishte fituar ky shteti ynë, i quajtur Kosovë. Vërtet gjërat që ndodhin te ne të bëjnë të shkruash edhe kur s’je gazetar, të flasësh me veten, të komunikosh me  drurin e gurin, për t’i thënë deri kur ky popull do t’i durojë absurditetet e tilla, çfarë po ndodhin te ne. Këtu formula e zgjidhjes së problemeve është e njohur tash e sa vite, problemet e vogla mbulohen me ato të mëdha, me ngjarje më të dhimbshme dhe ato  nuk i  komenton më askush. Ky  është çelësi magjik për t’i ‘zgjidhur’ (mbuluar) problemet -alla kosovarqe.

 Dyfish rritje më të madhe ekonomike se në Gjermani

Çdo ditë dëgjon ngjarje e ngjarje, prej më tragjikeve. Në vend se të merresh me prioritet tua dhe të familjes, pa dashje, ndërgjegjja humane të bën të merresh me gjërat që nuk arrin t’i zgjidhësh, por bile së paku  t’i shkruash për t’ia prekur ndërgjegjen kësaj klase politike që ka katandisur vendin deri në këtë nivel.

Jemi shteti me rritjen ekonomike gati më të lartë në Evropë prej 4-5 %  (sipas statistikave të politikanëve tonë), por jemi shteti i pestë në botë që migrojmë, dhe shkojmë atje ku rritja ekonomike  është  2 % . Çudi e habitshme kjo ?! Askush nuk vjen te ne, me këtë rritje ekonomike dyfish në krahasim me  Gjermaninë, nuk kanë dëgjuar si duket! Mbajmë zgjedhje ‘demokratike’, por nuk formojmë Qeveri plot 7 muaj. Pse ta formojmë, po bëka edhe pa të! 

Pas krejt kësaj pritjeje kemi formuar Qeverinë më të  fuqishme për nga  numri, me 20 ministra, 50 zëvendësministra, qindra këshilltarë… ! Bile  i konkurrojmë edhe Kinës, ani pse jemi ndër shtetet më të vogla në Evropë apo afërsisht sa një fshat i madh i Kinës.

 Shteti i qenve apo i njerëzve?!

Shpenzojmë 17 milionë euro për rroga të qeveritarëve për një mandat qeverisës, edhe pse buxheti ynë  është më i varfri në Evropë (1.5 miliardë). Kemi kushtetutën më demokratike në botë, bile me këtë demokraci mburren edhe qentë endacakë, të cilët sa herë takojnë ndonjë fëmijë  duke shkuar në shkollë e  sulmojnë! Në pikë të ditës mbytet fëmija 7-vjeçar,  mu para godinës së banimit në  Fushë-Kosovë nga qentë endacakë. Po ashtu, duke ikur, po nga qentë e rrugës në Prishtinë, shkelen me makine dy fëmijë, të cilët fatbardhësisht shpëtojnë. Është ky shtet i qenve apo i njerëzve…? Ta vrasësh sot një fëmijë, çdo kund në botë dënohesh deri me burgim të përjetshëm. Po kur qentë, këtu në Kosovë na mbysin fëmijën, kush dënohet? Se ne paskemi ardhur deri në atë nivel, sa e drejta e qenit qenka më e madhe se drejta e fëmijës! 

Si s’paskemi të drejt t’i eliminojmë qentë që na vret fëmijën?! Po ku jemi duke jetuar ne, deri ku do arrijmë me këtë mentalitet pseudoevropian, kinse po mbrojmë mirëqenien e kafshëve! Po mirëqenia jonë ku është? Ne po jetojmë sot edhe më keq, nëpër kampe në gjithë botën. Kur shikon skena duke u mbushur autobusët me fëmijë dhe të rinj që ia mësyjnë rrugëve të  Evropës, kur shikon fëmijët që mbledhin mbeturina për të  siguruar kafshatën e gojës, të bën ta ringjallesh Migjenin, t’i këndok mjerimit edhe njëherë në këtë shekulli. Ne paskemi mbetur ta mbrojmë mirëqenien e qenve,  mos t’i vrasim se nuk na lejon Kushtetuta. Po çfarë do të ndodhte sikur ai fëmijë i vrarë para sa ditësh nga qentë të ishte i një zyrtari qeveritar.

 Jetojmë sot më keq se kafshët

Në çdo dimër ndodh që një fëmijë të vritet nga qentë e rrugëve, e ata shëtisin të lirë, në Kosovën e lirë e cila po ju lirohet dita ditës nga njerëzit, se të rinjtë po  ikin!  Ne jemi humanë, nuk i vrasim qentë endacakë, ne jemi popull paqësor, ne sakrifikojmë fëmijët tanë për ta..! Jemi modeli i demokracisë  së kafshëve  për gjithë botën, qentë nuk bën t’i vrasim  e nëse fëmijët vriten nga këta, kështu e ka shkruar Zoti ….!!  Lum këta qenë që jetojnë këtu e mjerë ky popull! 

Shperndaje ne
Updated: 1 Janar, 2015 — 23:02

The Author

Mufail SALIHAJ

1 Comment

Add a Comment
  1. te falenderoj per ket koment e tera esht e vertet.
    por kujt ti po ja thu qe edhe populli bashk me qeveri jan ne gjume.fjala turke (siq esht mileti esht hyqmeti) dhe se nje qen sado frigacak me ken me prek kur esht tu ngren mish te han .edhe kjo qeveri esht e rrezikshme nisoj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.