Trashigimia Kombëtare: Etnogjeneza e torbeshëve

Kosovar+Bosnian+bride1_torbeshet_tane

Stolisja e nuses

Shkenca pa fakte është një lis pa rrënjë e gjethe, kurse faktet pa shkencën janë dukuri që koha luan me të si i do kokrra e qefit.
dr_nebi_dervishi_01

Nga: Dr. Nebi Dervishi

 Edhe më shumë rritet mosbesimi kur lexojmë për llojet e skepticizmit absolut të A.Foiude, se historia është “ kockë me shkronja me të cilat mundemi ta ndërtojmë çdo fjalë që e dëshirojmë “ ashtu siç bëjnë sot e në vazhdimësi, në të kaluarën historiografia sllave, e në veçanti ajo sallvo-maqedonase, prandaj historinë e një qytetërimi apo etnosi – kolektiviteti, siç janë “torbeshët“, apo siç i emërojnë pa të drejtë “ makedonski muslimani “, nuk mund ta krijojnë me arnime kohore të ngjarjeve të protagonistëve, nësë nuk do të ishim në gjendje ta shikojmë trendin e kontinuitetit të ndodhive dhe proceseve në kohë dhe hapsirë.
Çdo histori e krijuar me arnime ( siç është kjo e sllavomaqedonasve sot) është “kullë’ pa hyrje /pa derë/, nuk ka kontinuitet, e kur mbi te të sendërtohen edhe gënjeshtrat dhe insinuatat ose “gjysmë fakte”, atëherë gjithçka është e qartë.

Shkenca pa fakte është një lis pa rrënjë e gjethe, kurse faktet pa shkencën janë dukuri që koha luan me të si i do kokrra e qefit. [1]

Qysh në fillim parashtrohet pyetja: ku është shkenca, cila është pozita e saj, dhe në ç`mënyrë të krijojë relacione të reja ose të paktën më të guximshme midis së ardhmes dhe së kaluarës? Ai që nuk mund te kape të ardhmen, i kthehet të kaluarës, humb ndjenjën e realitetit duke u shkëputur nga dukuritë ose fenomenet që nuk janë të amshueshme, s`kupton dialektikën dhe “ pantarenë” Heraklitiane.

E kaluara duhet studiuar duke u nisur nga e tanishmja, ajo që është aktuale e ne të gjithë jetojmë, veprojmë në të sotmen por me një vizion për të ardhmen.

E kalura duhet studjuar duke u nisur nga këndëvështrimi i sotëm, këte e theksojnë shumë stdudiues dhe historianë që theksin e vënë në ndryshimin metodologjik të punës kërkimore-shkencore.

Midis tjerash BUFTERFIELDI thekson se “ studimi i së kaluarës me një sy është burim i të gjitha mëkateve dhe sofiste të historisë… ajo është bërthama e asaj që e kuptojmë ahistorinë” “. Pra, çështjet duhet të ndryshohen, duhet të marrin rrugë të drejtë, rrugë reale në botën e hulumtimeve shkencore. [2]

Gjithçka në botën reale ndryshon. Ajo është në lëvizje permanente, ndaj edhe vetë studjuesit që merren me aspekte të ndryshme të jetës shoqërore, nuk duhet të bien në ujrat e dogmatizmit dhe demagogjisë.

Për fat të keq, tek ne dhe kudo, individët që merren me shkencë, përfshirë këtu edhe historianët, janë plotpërplotë me paragjykime anakronike ndaj s`mund të neglizhojmë e anashkalojmë faktin që me habi e neveri ta parashtrojmë pyetjen : “si ndihen njerëzit e tillë që kinse merren me shkencë kur të vërtetën e shtrembërojnë”?  Mbi këte dukuri Hegeli ( filozofi i madh gjerman ) thekson midis tjerash se: “ njeriu i madh i një kohe është ai, i cili me fjalë e shpreh dëshirën e kohës së vet, t`ia thotë kohës së vet, dhe ta pyesë se cila është dëshira e saj të cilën pretendon ta plasojë, ate që e bën është bërthama dhe esenca e kohës së tij, ai e shndërron kohën në vërtetësi “ (“ Hegel “1942 ). [3]

torbeshet

Veshjet kombëtare të vajzave

Qëllimi, dëshira dhe nevoja per interpretimin e historisë ka mjeshtëri te thellë, sa që, nëse ne këtë drejtim hulumtuesit ose studijuesit nuk kanë qëndrim konstruktiv për të kaluarën, atëherë vevetiu kalohet ne misticizëm, ose në mungesën e ndjesisë për ate çka është e kaluar, që është në lidhje të ngushtë me të tanishmen dhe të ardhmen, ( kur që të treja shndërrohen në një, në ate që ne jetojmë, e ndjejmë, se ne jetojmë momentin, aktualen), njerëzit e tillë jo vetëm që shndërrohen në dogmat e demagogë të llojit të vet, por veprimet e këtyre PSEUDOINTELEKTUALËVE shkaktojnë një sëmundje shoqërore që shkon në dëm të shkencës dhe së vërtetës.
torbeshet01

Stolisja e Nuses

Midis të tjerash ekzistojnë shumë çështje të pazgjidhura, p.sh. etnogjenezës së etnosit ose komunitetit “ torbesh”. [4] Deri më tani janë parashtruar disa teza nga disa autorë të ndryshëm, për të zbërthyer në mënyrë etimologjike emrin e etnosit “torbesh”.

Si referencë na shërbejnë disa autorë:

1. Si reference na sherbejne disa autore: Reçnik stranih rijeçi/[5] shënon: “ torbeshi – torbesha”. Po i njejti autor thekson : “ baba , turq. Baba – shtyllë/ shtyllë trarë”.
2. Milan Vujaklija, ndër të tjera thotë: TORBA/ [6] persisht e turqisht/ torba ose tobra = thes i vogël, i cili mbahej mbi shpinë ose mbi supe, ose torbë gjuetie, ushtarake, fëmie, etj. Po i njëjti autor në fq..96, shërbehet me fjalën babë ( turq = baba (ati), ndërsa persisht baba = babë, gjysh, atë, babu/ hinduisht – baraz titull indian, sundimtar princ.
3. Në fjalorin e bashkautorëve HAKI YMERI – ZIHNI OSMANI, theksohet:[7] TORBA, =torbë, strajcë, calikë, ndërsa ne fq…8 për BABUN. mb, gjejmë shënimet :

a) njeri me fytyrë te rrudhur (te regjuar , te vyshkur)
b) historikisht Bogomil. Për BABA = nëne e prind, plakë , vjerrë ( nenë e gruas ), keq, frikacak; c) në fjalorin MAQEDONISHT-SHQIP shënohet: [8] TORBA = strajcë, torbë, çantë; TORBAR (em.), fig.1, ai qe shet nëpër tezga, tezgar; 2. ( zool.), strajcor (marsupial); TORBE= torbë , strajcë, e vogël, çante e vogël; TORBESH = (em.) 1. njeri i pasjelllshëm, shop, pomak; 2.musliman qe flet maqedonisht dhe maqedonas që janë të besimit musliman.

Problemi i etnogjenezës së shqiptarëve në Maqedoni, po edhe i ”Etnosit,, Torbesh, gjithsesi, nëqoftëse nuk hulumtohet dhe afirmohet me përsosjen e arritjeve shkencore bashkëkohore botërore, nuk mund te spjegohet , as edhe te arsyetohet kohegzistenca dhe bashkëjetesa e tyre ndër shekuj me sllavomaqedonasit. Prandaj (për këtë arsye) çeshtja se shqipëtarët dhe njëherazi torbeshët janë pellazgo-ilirë, [9] apo të ardhur nga diku , është i pavlefshëm, aktualizimi ky apo ai mendim i politikës ditore.

Tek e fundit, se a janë shqiptarët pasardhës të drejtpërdrejt të ilirëve, thrakasve apo ështe çështje e shkencës dhe kerkohet shkencërisht edhe të arsyetohet si edhe të behet objekt dhe pronësi e ndonjë individi te caktuar, i cili shkencën dhe faktografinë historike i vë në shërbim te opsioneve të shkurtëpamësisë (miopisë), sikurse bënë para disa vitesh z. Nijazi Limanovski, me shokë dhe sot, z. Fiat Canovski, janë joobjektivë, tendencioze dhe nënkuptohet, jo shkencore. Por për këtë problem të etnogjenezes së shqiptarëve në pergjithësi, pra edhe të atyre në Maqedoni, disiplina albanologjike, që frymon në Ballkan dhe botë tashmë janë shprehur.

Pas rënies së Perandorise Romake (476 e.s) të Perëndimit, trojet e ilirëve mbetën ne kufijtë e Perandorisë Romake te Lindjes, Bizantit. Ne shek. V-VI es. në trevat ilire, ashtu si ne gjithë Ballkanin, u dyndën gotët, hunët, antët, avarët e më në fund sllavët, që shkaktuan kudo ku kaluan shkatërrime dhe pasiguri. [10] Dyndjet e popujve “barbarë” e në veçanti ato sllave u shoqërua me nje dukuri te re, atë të kolonizimit. Në këtë mënyrë, në shek. VII mjaft treva të Ballkanit si: Panonia, Dakia, Thrakia, Maqedonia, Peloponezi, pësuan ndryshime etnike. Edhe trevat e gjëra të Ilirisë pësuan rrudhje të mëdha. Në pjesën qendrore të Ilirisë, në provincat e Prevalit (Malit të Zi të sotëm), Dardanisë, Epirit të ri dhe Epirit të vjetër grupet e vogla sllave u larguan ose u asimiluan. Burimet historike deshmojnë se në Preval, në Dardani, në Maqedoninë perendimore, në Epirin e ri (Arbëri) dhe Epirin e vjetër qysh nga antikiteti i vonshëm ne mesjetën e hershme, fundi i shekullit IV e fillim i i shekullit te V-Vl, banonte një popullsi e madhe autoktone, të cilët ishin pasardhës të ilirëve. [11] Po kështu edhe për Provincën e Maqedonisë Antike burimet historike deshmojnë për një popullsi autoktone (edhe maqedonasit antikë ishin fis ilir). [12]

Gjatë antiktetit fiset ilire kishin përvetësuar në masë religjionin e krishterë, para se apostujt e krishterimit sllav do perhapnin krishterimin e tyre nder fiset sllave ne shek.IX.

Perandoria e parë Bullgare arriti kulmin në kohën e sundimit të Simeonit (893-927), djalit të dytë të Borizit. Perandoria Bizantine vazhdonte akoma të lëkundë jashtë mase sundimtarët bullgarë. Mbreti Krum vdiq, në përpjekje të pushtimit të Konstantinopojës, [13] kurse objektivi kryesor i Simeonit u bë pushtimi i kryeqytetit duke pretenduar për supremaci në perandorinë e përbotshme të krishtërimit. Në vitin 925, pas dështimeve të njëpasnjëshme për okupimin e qytetit, ai e shpalli veten perandor të romakëve dhe bullgarëve, me pas ngriti qendrën ekleziastike bullgare të Presllavit , nga rangu arqipeshkopat në Patrikan , me qëllim që kjo e fundit t’ia ndajë titullin e njëjtë që mbante edhe primati i kishës së Konstandinopojës.

Pushtimet bullgare i shteruan resurset e vendit. Veç kësaj, sundimtarët bullgarë u ballafaquan edhe me probleme të brendëshme. Disa fisnikë iu kundervunë autoritetit qendror, i cili u pasua nga një periudhë konfliktesh fetare.

Problemi i herezisë ka qenë perherë një pikë delikate si për kishën lindore, ashtu edhe për atë perëndimore. Herezia e Bogomilit, që kishte zanafillën në Bullgari, [14] do te bëhej shumë e rëndësishme.

Bogomilët ishin dualistët ata besonin se shpirti i njeriut perfaqëson parimin e së mirës, ndërsa trupi dhe materia përbëjnë të keqen. Duke mosrespektuar as ritet, as shërbesat fetare , ata ndërmorren sulme të fuqishme mbi kishën zyrtare. Bogomilët nuk pranuan simbole të tilla fetare si ndaj autoriteteve fetare, ashtu edhe ndaj autoriteteve politike.

Jeta në Evropën feudale në fund të mesjetës së hershme (shek.IX-XI), ishte kaq shumë e gërshetuar me religjionin e krishterë, sa që të gjitha përpjeket kundër rendit feudal kishin petkun e fesë. Shtypja klasore, varfëria dhe mjerimi përbënin bazën themelore, në të cilën prej Azisë së Vogël e deri në Francën Jugore,u zhvilluan një sërë lëvizjesh heretike (bogomilët, katarët, albizhanët, pataranët në Bosnjë e Itali etj).

Njerëzve në mesjetën e hershme (sh.V-XI), të mësuar nga kisha që arsyen e të gjitha fenomeneve ta kërkojnë tek feja u shtrohej çështja e origjinës dhe burimeve së të keqës, të padrejtësive dhe vuajtjeve, për të cilat kanë ditur, duke u nisur drejtpërsëdrejti nga përjetimet e veta, që dominojnë në botë. Kisha propagandonte se shkaku i së keqes është në natyrën e gabuar të njeriut, së cilës i ka dhuruar zoti vullnetin e lirë, nderkaq Heretikët (ata nuk besonin në predikimet kishtare) spjegonin se origjina e së keqes gjendet në botën materiale, të cilën nuk e ka krijuar zoti. Kjo doktrinë mbi dy burimet (dualizëm) e botës materiale dhe zotit është e gërshetuar me një sërë lëvizjesh popullore.

Në territorin e Maqedonisë gjeografike dhe në Bullgari, qysh ne shekullin X ka ekzistuar një lëvizje heretike dualiste, që quhej lëvizja bogomile. [15]

Bogomilët, në përputhje me doktrinën e tyre themelore, hodhën poshtë të tërë sistemin shoqëror feudal. Në bazë të një dokumenti bashkëkohor, mësojmë se ata predikonin mosnënshtrimin ndaj fisnikëve, se i sulmonin “bolarët dhe të pasurit “ dhe se i këshillonin “të gjithë robërit mos u nënshtrohen në punë të gjithë zotërve të tyre”.

Në bazë të doktrinës së tyre dualiste, bogomilët, nuk i pranonin shumicën e mësimeve dhe institucionet kishtare: denonin Dhiatën e Vjetër, sepse në të permendet krijimi i botës, tempujt, ikonat, kryqi dhe misteret e botës etj. Lëvizja Bogomile u përhap edhe në Bizant, [16] në Sërbi, ku e ç`rrënjosi Stefan Nemanja etj. Bogomilët ndikuan fuqishëm në Bosnjë ku u zhvillua kisha dualiste patarene e Dravidëve, e cila ishte kundër të dy kishave: Lindjes, kishës bizantine, që quhej Ortodokse (gr. mendim i drejtë) dhe perëndimit me qendër në Romë (Vatikan) që u quajt kishë Katolike(gr.katolikos-e përgjithshme, botërore). [17]

Ne shtyp publikohet një letër e hapur e z.Demish Demishkoski, të botuar në të përditshmen “Utrinski Vesnik”, [18] i cili ndër të tjera shkruan: ”…Pasi i takojmë një grupi njerëzish, gjegjësishtë torbeshëve muslimanë, ndërsa unë jam deklaruar se jam shqiptar, ndoshta jam unë i çoroditur…le ta çmojnë lexuesit. Si pjestarë të besimit muslimanë, nuk guxojmë të forcojmë kombëtaren. Besimi është mbi kombëtaren. Nuk nervozohem se si do t`më thërrasin, sepse prej kohësh e kam mësuar kush dhe cili jam. Thjesht e di se gati të gjithë në Gadishullin Ballkanik, Apenin dhe Azi të Vogël, jemi një popull pellazg. Me kalimin e shekujve lindën në këto hapësira besimet, popujt dhe gjuhët e tyre. Mos harrojmë se me gjuhën e pellazgëve janë të shkruara edhe “Iliada” e “Odisea” e Homerit…

Shtrohet pyetja:kush jemi ne torbeshët?

Me paraqtjen e krishterimit, shumë më herët se Kirili e Metodi, në këto hapësira, një pjesë ë popullsisë tashmë e kishin pranuar këtë besim, por me disa ndryshime nga ajo e mevonshmja. Në të palejuarën (haram) hynin: mishi i derrit, Lihvata, nderimet e totemeve etj. Me përqafimin e krishtërimit nëngjegjësisht me futjen dhe në përdorim të gjuhës së vendit, gjuhës së pellazgëve në shërbimet kishtare, erdhi deri te disa ndryshime ne besimin. Atehëre tek besimtarët e vjetër të krishterë iu bashkangjit kreri i besimtarëve të rinj me emrin Bogomil dhe me këtë emër edhe sot na thërrasin “bogomilë”. Dallimi në mes ë krishterëve të vjetër dhe të rinj, është se tek të vjetërit kleri nuk paguhej, por më të mençurin e kanë thirur “BABA” ose “BABUSH”. Në udheheqjen e Bogomilit, besimi i vjetër i krishter u zgjërua shumë, e cila përfshiu gjysmën e Italisë, një pjesë më të madhe të Europës, ndërsa ne Lindje deri ne Detin Kaspik.

Kjo i detyrohet spjegimit se besimi ishte i thjeshtë dhe social. Për të ruajtur krishterimin ashtu siç ishte vendosur në Koncilët në Konstantinopojë në vitet 328 dhe 348, gjegjësisht për tu mbrojtur ne shekullin X, sundimtarët e Lindjes i ndoqën bogomilët në vendet më pak të banuara dhe atë në Golo Bërdë, në Rekën e Epërme, në malin Pind, Rodope dhe Rilë, ndërsa disa të tjerë ne Sanxhak e Bosnjë. Të larguarit kishin pasur të drejtë me vete të marrin vetëm vegla e ushqime të cilat mund të futeshin në një torbë dhe për këtë arsye ne na quajnë torbesh.

Edhe pas shpërnguljeve të Bogomilëve, pasojnë kryqëzimet me forcë në veçanti nga serbët ne shek.XIII. Me ardhjen e turqëve, thenë ndryshe në fund të shekullit XIV, të gjitha besimet u vendosën nën mbrojtje. Bogomilët, gjegjësisht torbeshët, në një anë fituan lirinë dhe nga ana tjeter, sipas doktrinës së tyre fetare, pritej besimi i fundit që ishte feja islame dhe me vullnet e pranuan islamin…” [19]

Studiuesja Galaba Palikrusheva ”Islamizacija na torbeshite i torbeshkata subgrupa” [20] duke u bazuar ne punimin e M.Pavlloviqit, na jep një rezyme, ku ndër të tjera emrin torbesh e shpjegon si mbeturinë të një emri fisi shumë të vjetër (lashtë) serb, e cila në vete përmban rrenjët TARB, që na paraqitet edhe ne gjuhën frenge, duke paragjykuar dhe pretenduar se Torbeshët janë paraardhës të një fisi të vjetër sllav, të cilët ne Ballkan paskan ardhur shumë më herët nga sllavët e tjerë, të cilët kanë depërtuar më në jug dhe të njëjtët më vonë dalëngadalë janë të tërhequr nga veriu. [21]

Studjuesi i njohur bullgar Dimitar Angelov, ”Bogomilstvoto v Belgaria”, [22] studiues, specialist i historisë së lëvizjes bogomile, duke u bazuar te studiuesi D.Obolenski, [23] përfundon se; “Për të treguar ithtarët e bogomilizmit në Maqedoni, ishin përhapur emrat: Torbesh, Babuni ose Babush dhe Kadugeri, të cilët do të paraqiten në kohërat më të vona dhe të cilat dëshmojnë popullaritetin e madh të herezisë në to”.

Në një vend tjetër, në po këtë studim, autori (D.Angelov) tregon se paralelisht me emrin bogomil ne Azi të Vogël ne shek.XI, rrugën e hap edhe një emërtim tjetër lokal, që u quajtën heretikët e atjeshëm me emrin “FUNDAGIAGITI”, që d.m.th. torbë-mbajtës, e cila nuk është e shpikur nga vet heretikët, por nga kundërshtarët e tyre. [24] Prej saj autori spjegon se mund të paramendohet se në lidhje ose korrelacion me emrin e fundagiagët e Azisë së Vogël, nisi që të përdoret edhe ekuivalenti i saj sllav: TORBONOSONCI (torbëmbajtës) ose torbesh dhe se emri Torbesh si emërtim për bogomilët nisi që të përdoret edhe në Maqedoni. Në lidhje me të, ishte edhe emri i fshatit Torbaçi në rajonin e Dibrës, në trevën e Golo Bërdos. [25]

Etnologu bullgar P.Cilev, [26] në kohën e një udhëtimi etnografik në rajonin e Dibrës, në verën e vitit 1916, që e bëri autori, arrin të ndertojë lidhje me një “torbesh”të kësaj treve. Po këtu kishte dëgjuar dhe evidentuar këtë: ”Shqipëtaret orthodoks më treguan se emri torbesh rrjedh nga fjala torbë giza (torbë gjize) ose urda=gjizë. Thënie e përafërt është përhapur edhe në mesin e të krishterëve orthodoks: ”TË SHNDERROHESH OSE TË KONVERTOHESH NË TURKUN PER MISH E JO PËR GJIZE’’…

Studiuesi serb Jovan Haxhi Vasileviqi, [27] e kishte shkruar gojdhënën e cila ka qenë e përhapur në mesin e të krishterëve vendas se torbeshët janë “Poturqile(turqizuar), sipas disa, për një torbë me gjizë, ndërkaq sipas disa të tjerëve për një torbë miell dhe për këte e morën emrin e tyre. Por, më pas për t`u sqaruar u thirrën nga administratorët e sundimtarit turk, të ciët i komentuan studiuesit sërb se emri “torbesh” rjedh nga fjala persishte TORBEKESH, e cila dmth torbar, torbarim (Hausieren) dhe prej saj emri torbesh për ”poturqenite” në rajonet e përmendura. Në rajonet e përmendura Dibër, Prizren, Shkup, e Tikvesh rrjedh prej veprimtarisë së tyre me torba, duke shitur nëpër rrruge allvë, bozë, salep etj .Nga kjo ky emërtim u përvetësua edhe nga te tjerët.”

Në shek. X kemi një lëvizje-emigrim popullate tjetër ne Rekën e Vogel e rrafshnaltën e Bistrës, paraqitet fisi mijak. Për lëvizjen e mijakëve fliste Buzharovski, i cili thotë se mijakët kanë ardhur nga rrethi i lumit Galik dhe janë vendosur në rrethin e Selanikut. Për kohën se kur kanë ardhur mijakët, R.Buzharovski [28] thotë se bënë hapjen e varreve më të vjetra të Galeshnikut (pas një eksplorimi arkeologjik). Eshtrat i dërgon në ekspertizë analize ne Fakultetin e Mjekësisë ne Shkup ku u konstatua se varrezat jane afro 1000-vjeçare. Kjo e vërteton tezën se mijakët ishin blegtorë të mirë, të ardhur nga rajoni i Selanikut në kohën e Samuelit dhe pasi ne malin Bistër kishte kullosa të bollshme ngelën aty dhe u asimiluan.

Me problemin e torbeshëve është marrë dhe studiuesi dhe historiani Dr.Aleksander Stojanoski, [29] “po prashanjeto za potekloto na imeto torbesh, i cili ndër të tjera thote: ”Në mesin e shumë çështjeve te pazgjidhura, që lidhen me islamizimin e një pjese te banorëvë sllavo-maqedonas, në veçanti të asaj që banojnë në pjesën e Maqedonisë veri-perëndimore, inkorporohet edhe çështja e prejardhjes së emrit torbesh, me të cilën ka qënë e njohur kjo popullatë. Deri tani janë bërë përpjekje të ndryshme që të ndriçohet ky problem …por, është mjaft kompleks dhe i vështirë.”

Duke konsultuar literaturë nga autorë të ndryshëm dalim në përfundimin se gjatë shekujve X-XIII, në viset malore të Dibrës [30] gërshetohen mes veti shumë popuj. Të parët dhe më të shumtit janë Arbërit, popull autokton që flisnin gjuhën shqipe, më vonë mijakët që po ashtu flisnin gjuhën shqipe, vllahe, sllave dhe greke. Dyndja më e madhe e fiseve dhe popujve të ndryshëm erdhi nga Rodopet e Bullgarisë si vllehë të cilët përveç vllahishtes flisnin edhe sllavo-bullgarishten.

Në këtë konglomerat gjuhësh e popujsh, perzierje etnike përfunduan në konflikte gjuhësh. Në rajonin e Golo Bërdës gjuha shqipe rezistoi, por u zhduk gjuha vllehe e cila me përjashtimet e disa fjalëve (Pjetër Guri i shqipes) nuk la asnjë gjurmë tjetër. Në këtë krahinë qëndroi gjuha sllavo-bullgare. Sot në disa fshatra te Golo Bërdës përdoren paralelist të dyja gjuhë: shqipja si autoktone dhe sllavo-bullgarishtja si e imponuar. [31]

Fshatarët thonë se jemi dygjuhëfoles por gjuha e të parëvë tanë është arberishtja, kurse sllavo-bullgarishten na e kanë imponuar. Përzierja më e madhe në mes dy gjuhëvë bëhet ne Rekën e poshtme, Zhupën e poshtme dhe Buzadri. Në këto vende paraqiten Arbërit si shtresë e parë dhë në numër më të shumtë në gjuhën shqipe pastaj vllehët me gjuhën vllehe dhe sllave, ndërsa turqit që ta ruajnë përkatësine etnike (sepse ishin të pakët në numër) u tërhoqen në Zhupën e sipërme dhe flisnin vetëm turqisht. Kjo përzierje e kaq etnive me gjuhë të larmishme vazhdoi për disa shekuj me radhë në periudhën bizantine, por me ardhjen e mijakëve rreth shek.X-XI në këto rajone paraqitet edhe gjuha greke.

Për zbërthimin e kësaj nyjeje të ngatërruar dhe tepër komplekse kontribuoi shteti bullgar dhe administrata qe mbahej në gjuhën sllavo-bullgare ne intervalin kohor prej rreth 150 vjetësh nga knjazët, krajlat dhe carët bullgarë. Në këtë mënyrë duke u perdorur format e ndryshme të presionit të trysnisë në përdorimin e një gjuhe administrative në pushet, në administratë dhe në kishë, në Rekën e poshtme dhe në disa fshatra të Buzadrinit, dominoi gjuha sllavo-bullgare, ndërsa gjuhët e tjera morën status të papërdorshëm. Gjuha shqipe mbeti si gjuhë kombëtare në shumë fshatra të Rekës së sipërme, në fshatrat e Buzedrinasit si në Labënishtë dhe Oktis dhe në disa fshatra të Rekës së poshtme. Gjuha turke mbeti si gjuhë nacionale në fshatrat e Zhupës së sipërme.

Nga evokimi i njerëzve, personave të moshuar, të kujtimeve të tyre dëshmohet se në kohën e mbretërise SKS (Jugosllave-nga 1929), gjuhë e komunkimit ka qënë vetëm gjuha shqipe, pas vendosjes se administratës italiane në vitet 1941 në fshatrat Labënishtë, Podgorcë e Borovec u hapën shkollat e para në gjuhën shqipe me mësues të ardhur nga Shqipëria. [32] Pas Luftës Së Dytë Botërore sistemi komunist duke përdorur masa te ndryshme, torturat, burgosjet, shantazhet, hapi shkolla vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase duke i mbyllur shkollat shqipe. Presioni ndaj gjuhës shqipe vazhdoi gjatë gjithë kohës së monizmit si edhe ndaj gjuhës turke gjë që ndikoi në cënimin e të drejtave të tyre për të mësuar në gjuhën amëtare dhe kjo shkaktoi largimin e tyre nga bankat shkollore. Por nëse i kthehemi vitit 1945 në disa fshatra që ishin tërësisht shqipfolës dhe shqipëtare, mësonin në gjuhën shqipe e cila ra viktimë e regjimit per ti dhënë prioritet asaj maqedonase.

Shumica e shqipëtarëve orthodoksë të këtyre fshatrave u asimiluan ne maqedonas. Ata që thonë se torbëshët janë maqedonas të islamizuar (Nijazi Limanoski) [33] në vitet 70-80 të shek. XX dhe të tjerë që thonë “Nashiot Soj (z.Fiat Canovski) nga viti 2006, [34] pseudotezën e tyre e mbështesin kryekëput në faktorin gjuhë që e perdor ky kolektivitet. Gjuha së bashku me kulturën, historinë, traditën, zakonet përcakton identitetin e një etniciteti. Presioni dhe masat e ndryshme diskriminuese në vazhdimësi për një kohë të gjatë që u përdorën ndaj torbeshëve i detyruan ata ta pranojnë gjuhën sllavo-maqedone duke u shërbyer me faktorin fetar.

Për t’iu kundërvënë rrezikut ekspansionist të sllavo-maqedonasve fillimisht torbeshët perkrahën heretizmin si portë e mbyllur për besimin orthodoks dhe më vonë duke përkrahur besimin islam si përfitim kolektiv.

Lidhur me problemin e torbeshëve dhe goranëve kontribut të shquar kanë dhënë dhe dy hisorianet eminent, prof. dr. Reshat Nexhipi nga Manastiri [35] dhe prof. dr. Skënder Rizaj nga Prishtina, [36] që vite me rradhë merren me këtë problem kompleks. Në një intervistë që i ka dhënë gazetës “Flaka” të Shkupit në vitin 1998, prof.dr.Skënder Rizaj ndër të tjera shpreh dhe këtë mendim: “se tobeshët dhe goranët janë shqipëtarë, për çka flasin vetë doket e tyre, zakonet, traditat dhe tiparet antropologjike që dominojjnë te ky kolektivitet. Gjuha sllave e tyre thotë prof. Riza nuk personifikon përkatësinë etnike. Këta në të vërtetë janë patarenët (bogomilët) ose muhamedanët e fshehtë ilirë apo shqipëtare (arbërorë)”.

Edhe prof. Nexhipi në punimin e tij ”veprimtarët e bashkëjetesës në maqedoni nëpër shekuj”, [37] mbështet tezën se torbeshët janë pasardhës të maqedonasve të lashtë ndër fiset më të mëdha ilire.

Dhe jo rastësisht punimin kushtuar Etnogjenezës së Torbeshëve do ta përmbyll me njëfar Nijazi Limani, Limenoski e Limanov, i cili është “autor” i një fejtoni, “ISLAMIZMI NË MAQEDONI”, i betuar në gazetën “Veçer” të Shkupit. [38]

Ky punim ka shkaktuar në tryezë të shkencës historike një problem mjaft seriozë, komleks dhe tepër të ndërlikuar. Ai në këtë fejton pamfletist thurë e trillon historira fantastike sipas hamendjes, ringjall valën e pseudoshkencës së deplasuar, e cila që moti e ka humbur tregun e shitjes dhe shërben vetëm për atje në… për të fshirë prapanicën. Autori është përpjekur aq sa ka mundur të përdor literaturën tendencioze të periudhës së borgjezisë serbomadhe, bile të botuar në kohën kur Maqedonia ishte në kuadërin e të ashtuquajtur “Juzhna Stara Serbia”, por për shkak të cilësisë së punimit ë tij gezatersk me pretendime “pa tjetër shkencore, sepse me atë u avancua me titullin doktor i shkencave etnografike që ia ndanë MANU në vitet ‘80”, për çudi nuk e citon literaturën ose biblografinë e përdorur në tërësi.

 
Në vazhdimin e pestë të feltonit “Islamizmi në Maqedoni”, të dt. 30. 09.1980, Nijazi Limanoski shkruan: “Islamizmi, e më vonë shqiptarizimi, vazhdon edhe me depërtimin e shqiptarëve në gjysmën e parë të shek. XVIII. Sipas filozofisë të këtij autori barrën kryesore të procesit të islamizimit të popullsisë maqedonase e paskan bartun shqiptarët. Ky është një apsurd historik i tipit të vet dhe dukuri e çuditshme, e panjohur në rrejdhat historike të njerzimit. Sikur shqiptarët të kishin qenë muslimanë edhe para turqve, sigurisht se “ndoshta” do të ishte e vërtetë kjo që thotë oponenti. Atij aspak nuk i ka shkuar ndërmend se të njëjtin fat e kanë ndarë të dy popujt gjatë historisë së koekzistencës së tyre në këtë truall të Ballkanit. Këto dy popuj kurrë nuk kanë qenë më të lidhur midis tyre gjatë gjithë historisë se sa zgjat sundimi osman. Për këtë flasin argumentet historike dhe jo pallavrat e politikës ditore, do të shprehet Prof Dr. Asllan Selmani “Popullsia e Maqedonisë”. [39]
 
Nga faktet e mësipërme konkludojme se janë të kota përpjkjet e autorëve të ndryshëm antishqiptar për të himnizuar apo degraduar origjinën dhe histroinë e kësaj popullate sepse ata kanë qënë, janë dhe mbeten me prejardhje shqipëtare.

REFERENCAT/FUSNOTAT:

1. Asllan Semani, Popullsia e Maqedonisë, Shkup, 2004, faqe 389.
2. Po aty.
3. Asllan Semani, Popullsia e Maqedonisë, Shkup, 2004, faqe 390; “Hegel”, 1942..
4. Dr. Aleksandër Stojanoski, “ Po prashanjeto za poteklo na imeto torbeshi i za negovoto pravilno spomenuvanje vo pishuvani izbori”, botuar në “Istorija, folklor i etnologija na islamiziranite makedonci”, Skopje, 1987, st. 31-37, materiale nga simpoziumi shkencor “Folklorot i etnologijata kaj makedonskite muslimani”, mbajtur në Dibër, 16-17.X.1986.
5. Bratolub Klaiç, Tugjice i posugjenic, Zagreb, 1987, fq. 1360.
6. Milan Vujaklija, “Leksikon stranih reçi i izraza”, Beograd, 1980, fq. 920.
7. HAKI YMERI – ZIHNI OSMANI, “FJALORI MAQEDONISHT – SHQIP”, Shkup, 2000, fq.. 534,
8. MILE QORVEZIROSKI – LUTFI RUSI , Shkup, 1980 në fq. 614.
9. Reshat Nexhipi, Veprimtarët e bashkëjetesës në Maqedoni nëpër shekuj, “Flaka e Vëllazërimit”, qershor-korrik, 1994.
10. Historia e popullit shqiptar, I, Tiranë, 2002, faqe 199-206.
11. Edëin Jascues, Shqiptarët, 1995, Tiranë, faqe 48-50; Serge Metais, Historia e shqiptarëve, Tiranë, 2006, faqe 67-73.
12. Aleksandar Stpiçeviq, Ilirët, Prishtinë, 1980, faqe 39.
13. Branko Jelaviç, Historia e Ballkanit, Tiranë, 1999, faqe 26-30.
14. Bllazhe Konoski, “Bogomilite od Kosta Racin”, botuar në vend të parathënies në librin e Kosta Racinit, “Dragovitskite bogomili”, Skopje, 1948, faqe 3-7; Historia e popullim maqedonas, “Flaka e Vëllazërimit”, Shkup, 1983, faqe 22-23.
15. Po aty.
16. Nebi Dervishi, Etnokultura e fushëgropës së Ohrit, Tetovë, 2005.
17. Po aty.
18. Demish Demishoski, I nie torbeshite sme potomci na pelazgite, “Makedonsko Sonce (18.08.2000) dhe “Utrinski Vesnik” (19.06.1999).
19. Po aty.
20. Goluba Pelikrusheva, “Islamizacija na torbeshite I torbeshka subgrupa” (tezë dizertacioni), Shkup, 1965, faqe 132.
21. Milivoj Pavloviq, Skopski Tobeshi-Najstarije srpsko pleme na Ballkanskom Poluostrovu, “Juzhna Srbija” 94 (od 27.XI.1939, Skopje).
22. Dimitar Angelov, Bogomilstvo v Balgarija, Sofija, 1969, faqe 150.
23. D. Obolenski, The Bolomols, Londër, 1948.
24. Dimitar Angelov, Bogomilstvo, … vepër e cituar, faqe 384.
25. Po aty, faqe 385, shënimi 56.
26. ”Obikolka na albanski selisha, Prishtinsko, Prizrensko, Debarsko i Ohridsko”, izvestaja na narodnia Etnografski muzej v Sofia, god.VI, kn.I-IV, Sofia, 1926, fq..110
27. ”Muslimani naše krvi u južnoj Serbiju”, Beograd. 1924, fq..34,
28. R. Buzhanovski, Historia e Galishnikut, Shkup, 1976
29. Aleksandar Stojanoski, Po prashanjeto za potekloto na imeto torbeshi…, vepër e cituar në shën. 4, faqe 31.
30. Mojsi Lutfiu, Dibra në Mesjetë, “Flaka e Vëllazërimit” 30.07.1994.
31. Po aty.
32. Nebi Dervishi, Shkollat e para shqipe 1941-1944 në Nënprefekturën e Strugës, Revista “Drini”, 2006.
33. Nijazi Limanoski, Islamizacijata i etniçkite promeni vo Makedonija, botuar në revistën “Makedonci muslimani”, Skopje, 1984, faqe 12-56.
34. Fijat Canoski, Politikan i ri maqedonas, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, doli me moton “NASHIOT SOJ” (LLOJI YNË) dhe lider i Partisë për Ardhmërinë Evropiane që vepron në Maqedoni.
35. Reshat Nexhipi, Diçka rreth torbeshëve në Maqedoni, Flaka, 12.04.2002.
36. Skender Rizaj, “Itervistë”, Flaka, 1998.
37. Reshat Nexhipi, Flaka, qershor-korrik 1994.
38. Nijazi Limanoski, “Islamizacija vo Makedonija”, fejton “Veçer”, në 23 vazhdime, Shkup, shtator-nëntor 1980.
39. Asllan Selmani, Popullsia e Maqedonisë, Shkup, 2004, faqe 390.

Shperndaje ne

The Author

Dr. Nebi Dervishi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.