1
—————————————————-
Kosovë, bijë e luftërave dhe e betejave
bijë e të gjitha kohërave nëpër histori
ji n´çdo cep të atdheut ku thërritet liri
dhe je në çdo cep ku mbrohet atdheu
Kosovë, kush është më i gëzuar se unë
në damar kam pika të gjaku pellazg
pika gjaku që flasin e shkruajnë shqip
pika gjaku që dashurojnë e përqafojnë
Kosovë, për ty kudo e ndjej krijimin
në kopësht, në male, dhe pranë lumit
fjalët e muzës shtyhen të hyjnë në libër
poeti e di, në poezi s´ka çast të fundit
Ndodh që herë-herë të jem pak i dehur
përpara emocioneve, Kosovë-Shqipëri
atdhe, i këndoj të bukurës së Roganës
i këndoj luftës së drejtë të popullit tim
Kosovë, del në shesh, e merrja këngës
e vërteta erdhi! E vërteta është brenda
nëpër shtëpitë, Shqipëri të Kosovës
nëpër shtëpitë, Kosovë të Shqipërisë!..
2
—————————————————-
Në Roganë, më quajnë bujk të popullit
në Prishtinë e Tiranë jam vetëm qytetar
në Dortmund unë jam mërgimtari juaj
pranë Drinit dhe detit jam i juaji lundërtar
Kosovë, ç´të bëj me këto thërime poetike
përse djemtë e tu prej teje sot frikohen
a do ketë një luftë fisnikësh për bashkim
kush ia dha gjysmën e popullit, mërgimit
Vendi im, s´ka fjalë më çlirimtare se liria
s´ka fjalë më të gjerë s´e fjala në ajër
s´ka fjalë më të lartë s´e fjala jote e lirë
dhe s´ ka fjalë më përtej s´e fjala në libër
Kosovë, atdheun tim unë e dua shumë
Por Kosova qanë që ta bëjmë më mirë
e pëlqej natyrën me esencë të jaseminit
më pëlqen të jem i dashuruar në atdhe
Në Roganë e kam të kaluar fëmijërinë
Rogana kujtoj s´e pak më mban në mend
por, lulet e gurëve ku unë bashkëbisedoja
aty unë të desha o e dashura ime mizore!..
3
—————————————————-
Kosovë, me gjakun e zgjedhur të luleve
dhe me gjakun e ma të thellës këngë
muzën unë e nxora vet nga vetja e ime
për pak dritë jete, dhe për pak fjalë
Në atdheun tim ku unë jam vetëm bujk
ardhja e së vërtetës kë tani e frikon
ajo me vete sjell zemrimin e një epoke
prania e së vërtetës duhet të na gëzojë
Dielli n´ëndërr është krejt i pakuptimtë
shtëpitë e dëfrimit janë disa në Kosovë
e vërteta e Kosovës s´pranon kufizime
është e pandalshme, shkon më përtej
Kosovë e poshtëruar nga pushtimet
njëqind vjet e vrarë, dhe prapë e ngritur
shpirt, pushtimi shumë na ka varfëruar
jemi vonë në kohë, por e kemi një fitore
Sot u takova me kohët e armiqësuara
të gjitha i pashë në shesh të zemëruara
i lexova dënimet që vijnë nga e kaluara
atdhe, shqiptarinë s´e meriton gjithsecili!…
4
——————————————————
Kosovë, liria është e lirë aq sa kemi liri
liria është e lirë për aq sa kemi drejtësi
liria është e lirë, sa bëjmë dhe krijojmë
liria është e lirë, dhe për aq sa jemi qytetar
Poezi, shpërndaje flakën e mendimeve tua
flakën që shprehë dhimbjen dhe vullnetin
e popullit, flakën që shprehë qëllimin e të
gjithë neve, flakën e madhe të shqiptarëve
Kosovë, për këtë gjysmë pavarësie ende kam
gjak në duar, gjak të prindërve, të motrës
dhe të vëllait, gjak trimash të pavarrosur
hirin e shtëpisë së djegur, dhe gjënë e gjallë
Ore, më quaj si të duash, unë s´heqi dorë
nga revoltat e mia, as nga vullneti qytetar
vendi im, unë s´dua ty ta quaj me emër të
huaj, “Kosovo”, as popullin tim,“Kosovar”
Kosovë, çështja çame po vjen, dhe erdhi
ajo është midis nesh! Me çështjen çame
po bashkohemi të gjithë! Zgjohu Atdhe!
Çamëria Shqipëri, është përbashkimi ynë!…