Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ideali i Ribashkimit Kombëtar

uck__jone_12Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një mësymje agresive gjithpërfshirëse

e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

01_sylejman_abazi_trimi_kombitNë vlerësimin e një situatë të vështirë për kombin shqiptar, duke parë me vërtetësi ngjarjet dhe faktet, në thelb kuptojmë se, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kreu misionin e saj historik në aleancë të fortë me NATO-n dhe SHBA-të. Duke vlerësuar ngjarjet e viteve 1968, 1981, 1989 arrijmë në përfundimin se, strukturat çlirimtare të popullit shqiptar kishin filluar të formatoheshin në thellësinë e viteve. Për shkak të sakrificave në periudha të ndryshme, brenda tyre nuk kishte çoroditje politike dhe ideologjike, por bindjen e plotë për të sjellë lirinë e Kosovës nëpërmjet grykës së pushkës dhe luftës së armatosur me karakter çlirimtar.

Edhe pse brenda këtyre strukturave, për shumë arësye kishte mungesë eksperience, asnjëherë nuk pati boshllëk, pasi marrëdhëniet e herëshme me shtetin shqiptar në rrugë legale dhe ilegale, mundësuan plotësimet dhe krijuan hapësirën e pamatë, që drejtuesit dhe udhëheqësit kryesorë të luftës, të gjithë luftëtarët të formoheshin në betejat e mëdha të përplasjes për jetë a vdekje me armikun.

Pamvarësisht etiketimeve ekstremiste dhe shpesh dashakeqëse, duke i quajtur si struktura “ekstremiste”, “marksiste leniniste”, “terroriste”, fakti është që këta njerëz të mëdhenj, të anatemuar si “radikalë”, bënë histori dhe sollën lirinë. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s në 26 mars të vitit 1999-të në territoret shqiptare dhe mbi shtetin serb, forca mbështetse kryesore në terren ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Organizimi dhe veprimi i saj në një hapësirë kaq të gjerë, nuk ishte një rastësi.

Ajo që meriton analizën dhe kritikën është periudha e vitit 1998, kur formacionet luftarake të Ushtrisë Çlirimtare u angazhuan në veprimtari luftarake frontale me ushtrinë serbe. Çlirimi i disa qyteteve si Rahoveci, ndoshta dhanë euforinë e parë, e cila çoi në mendimin se, kjo ushtri tashme kishte në dorë nismën operative. Mungesa e eksperiencës dhe e orientimit më të drejtë doktrinar, bëri që në verën e këtij viti të fillonte një kundërofensive ushtarake e egër, e cila në dimrin e acartë të fundvitit 1998-të, e vuri në vështirësi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që përveç situatës luftarake, kishte edhe përgjegjësinë e ruajtjes së popullsisë që i ishte nënshtruar shpërnguljes masive. Ngjeshja luftarake e UÇK-së në këtë periudhë, në gati vetëm 15 përqind të territorit të Kosovës , vuri në dyshim ecurinë e tërë procesit të luftës. Kjo është edhe koha kur UÇK filloi të nxirrte nga gjiri i saj kuadrot e vetë, me eksperiencë luftarake në fushën e organizimit dhe të zbatimit të metodave të luftës popullore.

Pra, vlerësimi i gabuar doktrinar e ktheu situatën në të kundërtën e vet, duke i dhënë shkas ushtrisë serbe të vinte në zbatim fazën e dytë të operacionit famëkeq, “Patkoi”. Sasia e fitoreve të përkohëshme dëmtoi cilësinë e synimeve të fitores përfundimtare të luftës. Entusiazmi i komandave dhe shtabeve të UÇK-së në këtë periudhë ishte dëmprurës. Kjo është njëkohësisht edhe një periudhë e dhimbëshme, pasi u vranë shumë luftëtarë dhe komandantë të zotë, të cilët ishin të rreshtuar në vijën e parë të luftës. Dëshmorët e popullit shqiptar, Muj Krasniqi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Indrit Cara, Ilir Konushevsi, Luan Haradinaj, Iliaz Kodra, Abedin Rexha, e shumë të tjerë, ishin nga ata kuadro luftëtarë, një pjesë e mirë e të cilëve u përgatitën politikisht dhe ushtarakisht në Republikën e Shqipërisë.
Këta dëshmorë dhe të tjerë, në muajt në vijim të luftës, ishin nga njësitet e para që organizuan gjithçka në vitet 90-97-të dhe në prag të shpërthimit të luftës, ata treguan se organizimi klandestin ilegal e kapërceu më sukses situatën dhe doli në terrenin e vështirë të luftës, hapur, me formacione të mirorganizuara, për t’u vënë ballë për ballë më ushtrinë serbe. Masakra e Reçakut në 15 janar, lufta e Prekazit në 5 mars1999-të, e ngritën çështjen e popullit shqiptar në Kosovë në nivel ndërkombëtar. Këto momente zgjuan shqiptarët, treguan se erdhi ora e sakrificës së madhe, “Liri a vdekje”. Beteja ishte ndarja përfundimtare nga 100 vitet e kaluara të robërisë. Heronjtë krijuan precedentin e reagimit dhe të ballafaqimit kombëtar. Këta ishin elita e nderit, që çuan në çlirimin e Kosovës.

Lufta e UÇK-së dëshmoi për një Akademi të mësuar nga betejat, dhe në disa beteja të mëvonëshme, duke dhënë qartë mesazhin, se si di të luftojë populli shqiptar kundër okupatorit. Beteja të vërteta, beteja që vranë frikën e kohës, me veprime taktike të zgjuara, me tërheqje dhe organizim të qëndresës, duke e futur armikun në një kurth të ngritur me mençuri, duke e kthyer betejën në një luftë të popullit në çdo zonë, për t’i dalë në mbështetje strukturave të UÇK-së. Beteja e Prekazit në Vojnik dha kushtrimin, rreziku tek porta, të ngrihemi në këmbë të vrasim robërinë, të ruajmë jetën, të fitojmë lirinë.

Ata kishin kuptuar se lufta nuk mund të fitohej pa drejtim dhe organizim të fortë, pa shtuar radhët e formacioneve luftarake, pa siguruar armatimet dhe municionet e domosdoshme. E para, beteja në Vojnik u shfaq e tillë, pa asnjë humbje dhe me dëme të mëdha për okupatorin. Nga kjo betejë, serbët nga pësimi nxorrën një mësim dhe kuptuan përfundimisht, se kishte ardhur koha e përplasjes së madhe me shqiptarët dhe ata do të luftonin pa mëshirë kundër tyre.
Kjo veprimtari me prapavijë të thellë kohore, tregoi se filozofia e një pacifizmi gandist në Ballkan nuk dha rezultat. Ajo po e çonte popullin shqiptar në një pritshmëri që çonte në zbehjen e vlerave të identitetit kombëtar. Kjo situatë paksa e gjatë, u kuptua nga njerëzit atdhetarë dhe bindja se, fitorja do të vinte nga gryka e pushkës dhe me sakrificë njerëzore, ishte një “profeci” që çoi në ndezjen e pishtarit të lirisë.

Disa operacione të spikatura të Ushërisë Çirimtare të Kosovës janë dëshmia më e gjallë e veprimit aktiv në terren, mbi bazën e strukturës së miroganizuar, të disiplinuar dhe të përgatitur. Lufta në Koshare, zona e Llapit, zona operative e Pashtrikut, futja në veprim e strukturave të përgatitura në shtetin shqiptar në nivel brigadash, lufta në Prekaz, janë disa momente që meritojnë vlerësimin maksimal, po të kemi parasysh se, në këto beteja, ushtria serbe u thye dhe pësoi humbje të rënda. Goditjet ishin të pandalshme jo vetëm mbi objektet ushtarake dhe stacionet policore serbe, por në vazhdim ato morën hapësira në terren, kundër formacioneve të rregullta, të cilët ishin shumë të paisur në armatim, teknikë lufatarake dhe mjete të blinduara. Asgjësimi i tankeve në grykën e Caralevës me mjete të thjeshta luftimi, ishte arti i veprimit të metodave të luftës popullore, të cilat asfiksonin deri në përjashtim superioritetin ushtarak të kundërshtarit.

Duke analizuar shumë të dhëna të karakteir organizativ dhe operacional, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dha natyrën e një ushtrie të standardeve bashkëkohore, të një force sasiore ushtarake, e cila dëshmoi t’i bënte të dy llojet e luftrave, guerrilje dhe atë frontale. Këtë veprimtari operacionale të kombinuar e ndjeu ushtria serbe, e cila nuk arriti të vinte asnjëherë në shfrytëzim të plotë superioritetin e saj. Figurat më kryesore të Aleancës Ushtarake që ndërhyri në çlirimin e Kosovës, Uesli Klark apo Lordi Robertson, e kanë vlerësuar shumë lartë rolin e UÇK-së në terren, si aleatja e vendosur e NATO-s.

Lufta e Kosovës është një luftë reale e përmasave kombëtare. Ajo nuk u ndërtua në një boshllëk historik. E kundërta, ajo ishte një vazhdim i traditës së mënyrës së të luftuarit të shqiptarëve që në gjenezën e tyre, kundër një kundrshtari të fuqishëm, duke zbatuar me shumë sukses luftën guerrilje. Tradita e luftës popullore, e cila bën të arrihet fitorja nga qëndresa e një populli përballë një armiku të fortë, edhe në këtë rast, i ngriti më lartë vlerat e luftës së UÇK-së, për faktin sepse, lufta e saj u gërshetua plotësisht me veprimet operacionale të NATO-s nga ajri dhe në terren.

Lufta e UÇK-së ishte një luftë për çlirim kombëtar dhe çlirim shoqëror, sepse ajo solli alenacën me demokracitë më të mëdha që udhëheqin sot politikën globale. Kjo histori e një periudhe luftarake të vështirë, asnjëherë nuk mund të quhet e mbyllur dhe t’i kalohet thjeshtë arkivit historik. Nuk mund të harrohet asgjë. Sa më shumë të analizohet dhe të sillen të dhëna të kohës për këtë ushtri dhe heronjtë e saj, aq më shumë të do të bëhet masivisht popullore dëshira për liri dhe pavarësi kombëtare, e lidhur me gjakun dhe sakrificat e të rënëve.
Populli dhe ushtria shqiptare gjithashtu, kanë merita të veçanta për këtë kohë të vështirë, sepse me dinjitet, angazhim maksimal, arritën të përballojnë të gjithë pasojat e një spastrimi të karakterit biblik dhe me praninë ushtarake në kufijtë shtetërore, u bënë arteriet lidhëse e jetësore me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke realizuar suksesin e përbashkët në planin kombëtar.

Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sa më shumë kalon koha, aq më shumë ajo do të marrë dimensione më të mëdha, sepse në betimin e luftëtarit të saj ishte ideali i Ribashkimit Kombëtar, një amanet që sot është në rrugën e tij të zgjidhjes.

Nderim dhe respekt për të gjithë ish luftëtarët e UCK-së.
Lavdi jetës dhe veprës së Dëshmorëve të Kombit Shqiptar.

Shperndaje ne

The Author

Sylejman Abazi

1 Comment

Add a Comment
  1. Të lumtë pena, i nderuari kolonel Sulejman Abazi. Nga shkrimet Tuaja dhe të ‎shumë kolegëve Tuaj, ka çka të mësohet për të mirën e përgjithshme, njerëzore dhe kombëtare!‎
    Lavdi jetës dhe veprës së Dëshmorëve të Kombit!‎

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.