Lutu n’emër të paqes, pajtohu n’emër të atdheut!

E marte 4 Nëntore 2014,

Ai që ka zemër  njeriu e di vlerën e pajtimit!

Nëse vërtet jeta ka burra, ata dinë të pajtohen e të pajtojnë

riiza_riShkruan: Riza GREIÇEVCI

Të pajtosh dy zemra të ndara, të pikëlluara e të qara me fatkeqësinë, që kanë pësuar në jetën e tyre! Të pajtosh dy shpirtra të shqetësuar që kanë humbur shpresën për jetën, dhe në duar mbajnë litarin o pushkën…Të pajtosh dy njerëz që kanë humbur dritën e arsyes, të gjykimit dhe të durimit, dy njerëz të cilët shoqishoqmin e shohin me sy ujku, dhelpre, me sy gjarpri dhe orë e çast sherri, belaja, thika,plumbi, armiku,  i nxisin për t’ia marrë njëri-tjetrit jetën…! Të pajtosh dy vëllezër, dy miq, dy njerëz, që nga sytë e zemra e shpirti i tyre reflekton vetëm terri, urrejtja, dëshira për hakmarrje o gjakmarrje, dhe të tillëve në duar ua sheh pistoletën,thikën, hekurin për të shkarkuar vetveten e tyre me vrasje, me plagë, me gjak!  Të pajtosh një fëmijë që qan për mamanë, që shpirti i saj ka ikur përtej diellit dhe fëmija ka mbetur jetim, ka mbetur qyqe vetëm te gurët e oxhakut dhe kurrë më s’ka kë ta thërrasë nënë, kurrë në jetë s’ka me e përqafua, me dashtë e me u kënaq me krijesën e shenjtë me emrin: nënë! ! Të pajtosh fjalën e egërsuar, mosdurimin si prushi, të pajtosh dyshimin, lakminë, të pajtosh dorën që shtrëngon thikën e plumbin duke nxituar për t’ia mbaruar qejfin vdekjes, sherrit, belasë, për t’ia mbaruar qejfin varrit, hasmit, territ, turpit…  

Ai që ka zemër njeriu, di, çmon, vepron për vlerën e pajtimit

Kryemami i Kosovës, Sabri efendi Bajgora, në ceremonie e faljes se  Kurban Bajramit, tha: “Një fe që emrin e ka paqe, nuk mund te jetë fe e terrorit. Ata që kryejnë akte makabre ata nuk meritojnë të quhen myslimanë…Zoti ynë nuk na mëson të mbysim e të presim, të urrejmë, të “shpifin, të përgojojmë, të vrasim, të rrëmbejmë, të vjedhim, të përbuzim të mirën e të fusim në shpirt djallin e zi!  Rrenë qoftë,  s’e shkruan fatin e njeriut Zoti, s’e shkruan i Madhërishmi,  njeriu me punua pas shpine, m’i zënë pritë mikut, kurse nderin e respektin me ia bërë armikut! Vlerë mbi të gjitha vlerat, pasuri mbi të gjitha pasuritë, lumturi e burrëri mbi të gjitha lumturitë e burrëritë: Të pajtosh dy zemra të pikëlluara! Të shuash zjarrin e urrejtjes e të armiqësisë brenda vetvetes sate, por edhe te të tjerët. Të terësh lotin në faqe, të mos hedhesh kashtë në zjarrin e dyshimit, në zjarrin e shqetësimit, të hedhësh zjarr në plagën e zemrës, në plagën e trupit… O miku im,  të pajtohemi vëllazërisht dhe të besojmë në vlerën dhe të mirat  e pajtimit. Në daç me ditur a je afër Zotit, a i bën respekt dhe a gjunjëzohesh para Tij, atëherë, o miku im,   t’u besojmë njerëzve, miqve, shokëve, jetës, të lehtësojmë me pajtimin e besës të fjalës e të zemrës  atë shpirt, atë zemër, atë njeri, që ka halle, ka zjarrin e shqetësimeve, të belasë, të gjakmarrjes, brenda vetës, të pajtojmë shpirtin dhe mendjen e njeriut që nga shpirti i tij  ka ikur pajtimi, arsyeja, fuqia e gjykimit të drejtë, dhe në gjirmën e shpirtit të njeriut me halle, skamje, bela, sëmundje,  mbretëron terri, pasiguria, hamendja, dyert e  së keqes, kobit, xhehenemit i ka të hapura. Ai që ka zemër e di, e përjeton, e beson, dhe vepron për  vlerën e pajtimit. Ai që është burrë e trim, ai di vlerën  e pajtimit.  Për fatkeqësitë e tyre njerëzit janë te prirë te akuzojnë fatin,perëndite dhe çdo gjë tjetër,por vetëm jo vetveten (Platoni). Nuk mund ta poshtërosh dikë pa u poshtëruar edhe ti bashkë me të! Zakonisht, brezi i njerëzve të sotëm janë të prirë të besojnë më shumë në atë që e dëshirojnë, lakmojnë, kanë interes, përfitime,në ato rrugë që e çojnë të pasuria…! Të mos harrojmë, o miq, o brezi im: Ai që ka zemër njeriu, di të çmojë vlerën e peshën e shenjtërinë e pajtimit të zemrës me zemrës, të njeriut me njeriun, dhe të  veprojmë, të investojmë, të ndërtojmë kalanë me vlerën të paçmueshme me emrin: Pajtim!

“Kush çon dorë për me vra, n’borxh te Zoti ka me ra!”

Njeriu rrallë mendon në dritë për errësirën, në lumturi për fatkeqësinë, në kënaqësi për vuajtjet, por gjithmonë në errësirë mendon për dritën, në fatkeqësi për lumturinë, në mjerim për bollëkun, thoshte Kant. Jorgani e mbulon trupin e të mençurit e budallait. Të pasurit e skamnorit. Mbretit e lyesit. Robit e perandorit. Por, gjumë të rehatshëm e të shëndetshëm bën vetëm ai njeri, që Zot e fe e atdhe e ka Pajtimin, i cili nuk çon dorë gjakmarrjeje mbi fëmijë, mbi miq e shokë! Vetëm ai njeri që Pajtimin e ka pjesë të shpirtit, të zemrës, të besimit e nderimit të Zotit, ai njeri kurrë nuk ndodh me vra shpirtin e nderin e jetën e askujt! Gjumë të rehatshëm bën vetëm ai njeri, që di e shpërndan e çmon Pajtimin e njeriut me halle e katrahura gjithfarë shqetësimesh, sprovash e ndodhish. Po, po, njeri mund të quhet vetëm ai njeri që pajton, ndihmon, fshin lotin në sytë e fëmijës jetim pa babë e pa nënë, të fëmijës të braktisur nga prindërit për sherr mospajtimit, dhe perëndia ka thënë: Nuk ka pushkë e top më të fuqishëm se sa Pajtimi për të vrarë kobin, për të shëruar plagën në shpirtin e vëllait, të mikut, për t’u afruar afër Zotit, afër fesë, afër atdheut, afër bujarisë, afër mirësisë. Po të bëj be e rrëfe, o miku im: “Kush nuk e përfill Pajtimin e zemrës me zemër, e shpirtit me shpirtin,  ai njeri quhet: ujk, më tepër se sa ujk: Bimë e dreqit! Dhe, porosia e popullit, e Tokës dhe e Qiellit jeton në mes nesh: “Kush çon dorë për me vra, n’borxh te zoti ka me ra!”

Pajtim gjithandej ku ka gegë e ku ka toskë

Me Porosinë e Allahut e të Krishtit! Me porosinë e Tokës dhe të Qiellit! Me porosinë e zemrës me zemër! Të djepit me djep! Të nënës me nëna! Me porosinë e dashurisë! Të gjakut të derdhur për liri! N’emër të UÇK-së, të varreve masive, të viktimave dhe të te pagjeturve! N’emër të paqes, n’emër t’atdheut, n’emër të dëshmorëve:  Të mbëltojmë në secilën zemër! Në secilin shpirt! Në secilën shtëpi! Në secilin kopsht! Nëse secilën shkollë, fakultet, punëtori! Në secilën arë, të hedhim farën e grurit të bukës dhe të farës së Pajtimit! Le të mbijë fidanë me emrin: Pajtim! Le të shtrijë  degë e gjethe e kurorë  pema me emrin: Pajtim, gjithandej ku ka gegë e ku ka toskë! Gjithandej ku ka kosovarë e shqiptarë! Le të piqen me Diellin e dashurisë frutat e Pemës me emrin Pajtim ! Le të hajë secila gojë! Secila dorë të ketë hise në futat e Pemës Pajtimi! Le të shndërrohen fjalët, këngët, buzëqeshjet, djepet e nënave, meloditë e defeve e të tupanëve, le të shndërrohen në  Pajtim zemrat gjithandej shtetit të Kosovës, gjithandej atdheut Shqipëri etnike! Le të quhet secili emër: Pajtim! Le të quhet secila dashuri: Pajtim! Le të quhet secili vëlla: Pajtim! Le të quhet: Pajtim, Bashkim, Kosovë-Shqipëri! Të ecim! Para marsh! Gisht për gisht! Edhe ti…edhe ajo…edhe ata. Edhe ato, gjithandej, nga Toka në Qiell, gjithandej atdheut: Shqipëri! N’emër të paqes, pajtohu n’emër të atdheut! Pajtim! Pajtim dhe vetëm pajtim!     

 

Shperndaje ne
Updated: 1 Janar, 2015 — 23:51

The Author

Riza GREICEVCI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.