Që moti i ri të mos na gjejë vetëm një mot më plak, po edhe një mot më të mençur, më të lumtur

Në ndërrimin e moteve

Kur rrinë bashkë insekte, kafshë, duhen ndërmjet vete, kurse njerëzit urrehen?!

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

riza_greqevciUrimi i parë

Uroj, me zemër, uroj gjithandej tek frymon krijesa e njeriut mbi planetin e Tokës: Mbarësi! Shëndet! Lumturi! Paqe! Uroj, me dashuri uroj, që populli mos të matet me hijen e trupit të tij, por të matet me numrin, vlerën e madhështinë e veprave të krijuara me duar, me djersë, sakrificë, me dije. Uroj, o populli im, fjalën shqipe, para se të dalë nga goja, të qërosh mirë e mirë, t’i japësh pak zemër, pak shpirt, pak Dardani, pak Iliri, pak Çamëri, pak Vlorë e Krujë, pak Prekaz, që fjala shqipe të mos skuqet, të mos thyhet, të mos përkulet, të mos shitet, të mos koritet, të mos bëhet sorrë ndër sorra, të mos bëhet mish për korba.…Uroj, shumë uroj, që dashurisë, populli im, t’i japësh pak vezullimë të shpatës së Gjergjit, pak ushtimë të pushkës së Ademit, pak Qyqevicë të Azemit, gajtanë nga tirq të Shotës, tinguj çiftelie të Sali Manit, sakrificë të Familjes shenjtërore Jashari, pak ninulla të nënëlokes…

Faleminderit Interpress…!

Uroj, patjetër uroj, sepse druaj më mallkojnë netët pa gjumë. Hidhërohet deti i lexuesve gjithandej Kosovës dhe përtej saj. Druaj hidhërohen mbesat e nipat e mi, profesorët, studentët, buqit, gjyshe e gjyshër, që aq i lexuan dhe i pëlqyen opinionet e mia. Uroj, me zemër, uroj, patjetër, sepse hidhërohen shkronjat, presjet, pikat,  metaforat, personazhet, më qortojnë frymëzimet…

O kam frikë hidhërohen faqet e librit “Non bis in idem” (mos u përsërittë më), hidhërohet Lap – topi, me të cilin, bashkërisht për pesë e më shumë  vjet shkruam bashkë opinione dhe shkrime tjera, me të cilat bëmë “Luftën e Tretë Botërore”, shkruam për paqe, liri, për UÇK-në, për malet me krisma, për arat djerrinë,  livadhet, për Parlamentin e Kosovës, për urrejtjen, mërinë, inatet, shkruam për  shkolla, uzina, bujq e për mësuesit, shkollarët, për nëna e për gjyshe…Hyri shtëpi me shtëpi. Lokal me lokal. Hyri nëpër spitale, fabrika, shkolla, fakultete, andej e këndej, gjithandej, nga Prishtina deri në Amerikë, gjithandej Evropës e botës (portali) mbërritën opinionet të firmosura: Shkruan: Riza Greiçevci! Faleminderit, Interpess! Faleminderit president Ruzhdi Kadriu. Faleminderit deputete e Parlamentit të Kosovës, Margarita Kadriu. Faleminderit, profesoreshës, mamasë suaj. Faleminderit vajzës dhe çunit tuaj, si dy bletë me krahë të lehtë, lule me lule të dijes. Faleminderit dy redaktorëve të “Kosova Sot”,dy miqve të mi, Profit dhe Cufës, të cilëve ua “dhurova” bardhësinë e flokëve, u “dhurova” tutla në fytyrë, me gjithë ato shkrime opinione dhe të tjera. Faleminderit që nxorët në dritën e jetës librin tim të parë me publicistikë politike letrare “Non bis in idem”. Po e them në emër të një deti lexuesish që i ka Baca Riza: Jeni të mirë, jeni miq të librit, jeni të dashur e me respekt nga lexuesit që ua bëtë të mundshme të marrin si libër gjithë ato shkrime opinione të mia. Ç’urim t’ju dërgoj për këtë ndërrim motesh? Vetëm një: Ju shpërbleftë Zoti! Ata që nderojnë librin, nderojnë diturinë, gjuhën, ata janë afër Zotit, afër dashurisë, nderit, afër së vërtetës: Të jesh njeri i mirë, je hero!

“E tërë ajo që është e bukur te njeriu është krijuar prej rrezeve të diellit  dhe prej qumështit të nënës…”

Jo, jo, mos u mbyll, o viti 2014!Mos u mbyll se më mbetesh borxh. E borxhin patjetër duhet larë për të gjallë. Kam thënë në një opinion: Edhe gurët e varrit kam me i shitur e pa e la borxhin mos me lëshoni në dheun e Kosovës! Por, fjalët sikur po grinden ndërmjet vete, cila do të dalë e para për të uruar, për të falënderuar, për të përgëzuar, jo me dhurata, jo me proza përrallash të gjata, por me urua në emër të shkronjave shqipe, të pikave e të presjeve, në emër të metaforave e të mendimeve të arta të mendimtarëve botëror e të shqiptarisë…Me urua në emër të margaritarëve të folklorit burimor shqiptar, që shumë ishte i shkrirë në opinionet e mia që pesë e vjet e tepër të botuara në gazetën numër NJË “Kosova Sot”. E kam për borxh me uruar në vigjilje të ndërrimit të dy moteve, me uruar me zë të lartë, me dorë në zemër, deputeten e Parlamentit të Republikës së Kosovës, intelektualen e dëshmuar, pronaren e shumë sukseseve, femrën e veçantë, bijën edhe mamin e një familjeje që di të punojë e pak të flasë, Margarita Kadriu, e cila sapo u bë deputete ngrehu zërin e bëri me dije se pagën e parë do t’ua dhurojë skamnorëve! O le ta hanë bukë, le ta pinë ujë, pagën time prej deputeteje skamnorët, ju bëftë mirë, me hallall! E sapo ua kishte ndarë skamnorëve pagën ca zëra ishin përplasur në veshët e kësaj femre evropiane, sinonim i punës, i sukseseve, e ata zëra vinin nga fëmijët e mëmës Margarita Kadriu:
Faleminderit, mamaja jonë! Na u ka mbushur zemra ngrohtësi, na ke lënë në shpirt e në jetë një shembull e një amanet të paharrueshëm: Të ndihmosh skamnorin, ti ke dorën e Zotit, ti ke zemrën diell, ti ke jetën si një kopsht me lule! Faleminderit, bija ime, na nderove, erdhi zëri i mamit të Margaritës dhe babait Ruzhdiut. Ja pse themi se Dostojevski pati të drejtë:
Ju shpërbleftë Zoti, deputete Margarita Kadriu. Nderove Parlamentin, Kosovën! Qenka e vërtetë: E tërë ajo që është e bukur te njeriu është krijuar prej rrezeve të diellit  dhe prej qumështit të nënës…”

Ta kujtojmë tri herë në ditë Prometeun…!

Ty, o njeri i këtij fillimshekulli të ri,  sikur po përpiqesh për të hipur në Olimp! Ti mbase po synon edhe atje, në guvën e zotave, por gjej pak kohë të mësosh pak më shumë për sakrificën e Prometeut, që i solli shkëndijën e zjarrit njerëzimit, u mësoi për të punuar tokën, mësoi njerëzimin  për mjeshtëritë, zanatet… për të mirën e njerëzimit mbi planetin e tokës, krejtësisht në terr…! Të kujtojmë mizorinë e  Zeusit ndaj trupit dhe jetës së humanistit e heroit të parë të njerëzimit, Promete (dhe nuk kërkoi as një vezë pule shpërblim nga njerëzimi!)! Të kujtojmë sakrificën e Prometeut për popullin, për jetën e tij, për zhvillimin e tij…

Kur unë isha fëmijë…

Mbaj mend s’kemi pasur fletore, s’kemi pasur libra, as gomë, o fëmijë! Të uritur mësynim shkollën dorë për dore: Por s’kemi ditur gëzime mu ngi! Por s’kemi ditur të ngopemi dashuri! Por s’kemi ditur  mu rrah, o sha!Por s’kemi ditur, kush motër, o vëlla! Por s’kemi ditur pas shpine me shty! Shoqishoqmin kurrë s’e kemi pështy!Jo, s’kemi ditur mu ngop miqësi Jo, s’kemi ditur bashkim mu ngi, gjithë kemi besuar: Jemi Shqipëri!

O miku im: Gjeje një minutë jete për të mbjellë lule

Gjeje një minutë kohë për të menduar! Gjeje një minutë kohë për t’u lutur! Gjeje një minutë kohë për të qeshur! Gjeje një minutë kohë për të nderuar!  Gjeje një minutë kohë për të jetuar. Gjeje një minutë jete për të jetuar. Gjeje një minutë jete për të vdekur njeri!
Gjeje një minutë jete për të besuar. Gjeje një minutë jete për të ndihmuar. Gjeje një minutë jete për të ndryshuar. Gjeje një minutë jete për të mbjellë lule. Gjeje një minutë kohë për t’u penduar!
Ndaje një minutë jete me ia falë diellit. Ndaje një minutë jete me ia falë nënës! Ndaje një minutë jete me ia falë qiellit. Ndaje një minutë jete me ia falë tokës. Ndaje një minutë jete me i pranua mëkatet tua. Ndaje një minutë jete me ia pranua vetvetes humbjet, huqe, gafe, minuset. Ndaje një minutë jete me tregua si jetove…
Ndaje një minutë me pranua, e ke hak vdekjen. Ndaje një minutë jete me tregua: të lindësh, të jetosh, të vdesësh njeri, është punë mbretërish.

Shperndaje ne
Updated: 3 Janar, 2015 — 07:25

The Author

Riza GREICEVCI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.