TOKA DHE LIRIA NË POEZINË E RRUSTEM GECIT

Ahmet_Qeriqi1

Rrustem Geci është emër i njohur i letrave tona. I takon brezit të intelektualëve e veprimtarëve shqiptarë, të cilët në kohën e dhunës dhe robërisë serbe, sidomos në vitet ‘80-’90 të shekullit të kaluar, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të viseve të robëruara të Shqipërisë,  u detyrua të përcaktohet për rrugën e mërgimit, e cila poetit i hap edhe varrë të reja, jo vetëm  në botën e perceptimit dhe komunikimit poetik. Larg Atdheut, larg vendlindjes, brengat, shqetësimet sa vinë e shtohen. Atyre brengave u shtohen edhe shqetësime të tjera  nga jeta në mërgim, në një vend të huaj, pavarësisht sa mund të jetë mikpritës, sepse “guri i rëndë peshon në vend të vet, sepse guri i shkulur njëherë vështirë ngulet sërish”. Pavarësisht nga këto mesazhe dokesore  shqiptare, jeta është dhënë për ta jetuar, qoftë edhe në dhe të huaj, madje qoftë edhe nën robëri, gjithnjë me aspiratë për çlirim.

Alfa dhe omega e krijimtarisë poetike të këtij poeti e veprimtari, ka qenë dhe po mbetet Shqipëria, e cila është një dhe e tërë në shpirtin dhe frymëzimet e tij, por vazhdon të lëngojë e ndarë dhe e përçarë në shumë pjesë, si moti e tani. Vazhdon të jetë zë i ngritur peshë në ndërgjegjen të tradhtuar të Evropës Plakë e njerkë në të njërën kohë, sepse:

Zemrën e kam të fortë 
po trupin në pesë pjesë 
më shumë se një shekull 
jam nën degë të rrufesë!..

Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
e v r o p a t  më copëtuan
kur  Evropa  s´ish  e  drejtë.
(Çka tha liria)

Poeti mediton e shkruan për një Shqipëri, që përballoi sunduesit më të egër të botës, fqinjët më grabitqarë e hileqarë që i njeh historia, një Shqipëri që edhe kështu si është nuk jepet, sado e mekur, sado e keqtrajtuar, sado e ndarë dhe e nakatosur. Me besimin e pa tundur për realizimin e aspiratave të natyrshme të bashkimit të pjesëve në një tërësi, me besimin e poetit që kurrë nuk e tradhtoi poezinë e fjalën e lirë, me entuziazmin e intelektualit që kurrë nuk dorëzohet ai porositë:

“Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur”
(Antologjia e zemrës)

Rrustem Geci, duket se ka lindur me poezinë, për poezinë, me fjalët që “fluturojnë” lartë e ulët dhe janë prore në një sferë të preokupimeve të trurit. Ato fjalë që duhet prore të jenë të gatshme për t’i kapur  dhe për t’i  bërë zap mendimet në kohën e reflektimeve, fjalë që bëjnë roje për ta kapur motivin, që është bërë një me kuantet që janë kudo të pranishme, të lëvizshme, reflektuese. Janë fjalët fillim e mbarim, Kosovë, Shqipëri, Liri, pavarësisht se bota ecën me të veten, në trajektoret e saja, qoftë edhe në zjarrmi e theqafje, sepse koha për asnjë çast nuk ndalon…

Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
arti i çlirimit nuk njeh kufij
në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..
(Antologjia e zemrës)

Jeta nuk do të kishte kuptim pa tokën, pa atë pjesë të tokës që quhet Atdhe, Mëmëdhe. As Atdheu nuk do t’i kishte hiret e veta pa lirinë, pa më të shtrenjtën e njeriut. Andaj toka dhe liria janë njëzuar në botën e poetit, ato janë si mishi e thoni, nuk bëjnë dot njëra pa tjetrën…

Imja është kjo tokë 
foli liria, vetëtima e saj 
unë jam e juaja, sa të më 
mbroni, dhe të më mbani 
(Çka tha liria?)

Poezia e Rrustem Gecit kryesisht është poezi lirike me nota të theksuara atdhetare, është poezi e angazhuar në kuptimin realist dhe motivues të fjalës, sepse ajo i drejtohet njeriut, brengave e shqetësimeve të tij, i drejtohet Atdheut, trojeve të lira, por edhe atyre  ende të robëruara, i drejtohet Shqipërisë. Si e tillë krijimtaria e këtij poeti nuk mund të jetë ndryshe pos poezi e angazhuar me të gjitha tiparet pozitive, me tërë koloritin kombëtar, nganjëherë edhe me mesazhet  që nxjerrin kokë  larg në kohët e historisë, që nxjerrin zëra lirie nga Pirroja, Teuta, Skënderbeu e deri te Legjendari, Adem Jashari.  Në totalitetin e saj, kjo poezi e begatë së sasi e cilësi, i referohet sinkronisë dhe diakronisë shqiptare, së kaluarës e së tanishmes, kohës dhe hapësirës, sepse nuk ndahet dot e sotmja nga e djeshmja, nga e cila rrjedhë dhe në varganin e së cilës degëzohet e lidhet në tërësinë e saj.

Poeti, në tërë krijimtarinë e tij i ka kushtuar kujdes të duhur gjuhës, sepse poezia e tij buron  prej kësaj gjuhe “hyjnore” me të cilën   shprehet më së miri bota jonë, preokupimet e shqetësimet tona, gëzimet e hiret tona, vuajtjet e mjerimet, por edhe fitoret e ngadhënjimet.

Për dallim nga disa poetë që pretendojnë të jenë super të moderuar, futuristë e arrivistë, Rrustem Geci ndihet fare mirë duke qenë pjesë e traditës, e vargut të rimuar por edhe të lirë, pjesë e fjalës që thyen gurin, pjesë e trashëgimisë bashkëkohore poetike, pjesë e një tërësie të  kthjelltësisë së kështjellës poetike shqiptare.

Në rrugën e tij të gjatë, i preokupuar prore me poezinë, Fjalën e lirë,  Lirinë, Atdheun, me mallin e Roganës e të Dardanisë, të Kosovës,  Çamërisë, të tërë Shqipërisë, poeti ka krijuar stilin e tij të shprehjes poetike, mjaft origjinal si në formë ashtu edhe në brendi.

Karakteristikë e kësaj poezie është stilistika e pasur, fjalët e kursyera, fjalëformimi poetik, gjuha e begatë, natyra e çiltër pa depresion e pesimizëm.

Ahmet Qeriqi
11 shkurt 2015

Shperndaje ne

The Author

Ahmet Qeriqi

1 Comment

Add a Comment
  1. Shkrimtar, Ahmet Qeriqi, falemnderit për leximin real të poezive! Në këtë ese ju keni prekë më të ndjeshmen, dhe më të bukurën e poezisë, ajrin në ajër, dhe frymën në frymë. Jo të gjithë shkrimtarët e kanë një zemër, dhe një shpirt! Gjërat e çmuara nuk janë të shumta në këtë kohë. Jam i gërshetuar deri në pikën e madhe të gjakut, për atë që çdo ditë përpiqemi ta ndërtojmë. I nderuar Ahmet Qeriqi, ju edhe në luftë, edhe në paqe, jeni në luftë për toka e pabashkuara. Frekuencat e së ardhme jo të gjithë njerëzëve ua kap mendja. Miku im i penës, kjo ditë nesër do të jetë e shkuar, dhe një tjetër ditë nis nga e para. Me të shkuarën takohem për çdo ditë. Por për të ardhmen, ( me të palindurën ) jam në betejë të përditshme. Jam me të gjithë ata që kanë zemër, dhe shpirt kombëtar! Shkrimtar Qeriqi, respekt dhe nderim për gjithë veprimtarinë tuaj! Miku im, më ndodhë që qiejt dhe tokën herë-herë i mas me prushin dhe flakën e vargjeve. Falemnderit miku im! Shëndet!

Lini një Përgjigje te Rrustem Geci Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.