Kujtim e nderim: HASAN NEZA, KUADËR I AFTË DHE I PËRKUSHTUAR PËR ARSIMIN TONË KOMBËTAR

HN_02_Hasan_neza

Murat_gecaj

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues

1.

Kur po i shkruaj këto radhë, për një koleg e mik të mirë dhe të paharruar, sjell ndërmend fundvitin 1968. Pasi kisha punuar afër tre vjet me rininë, si i qarkulluar, nga Tirana në qytetin “B.Curri” të Tropojës, më caktuan në detyrën e kryeinspektorit të kulturës, pranë seksionit, që përfshinte dhe arsimin. Ndër  pjesëtarët e atij kolektivi, me detyrën e kryeinspektorit të arsimit, ishte Hasan Hysen Neza.

Jo vetëm pse rrinim në një zyrë, por sespse vërejta njeriun e punës së përkushtuar, korrekt e serioz në çdo detyrë, shpejt u miqësuam. Pra, ne të dy, përfaqësonim dy “degëzime” të atij seksioni të pushtetit në rreth dhe pëpiqeshim që secili t’i dilte plotësisht për zot detyrës së ngarkuar. Ndërsa, kështu,  shefit tonë i mbetej pak punë për të bërë. Nuk do të tregoj raste e fakte konkrete për lidhjet tona të mira. Por shenoj këtu se ato i krijuam edhe familjare. Kjo, sigurisht, u ndikua edhe sepse  bashkëshortja e tij, Afërdita ishte bijë e mësuesit veteran Mustafë Botusha, që e njihja dhe ajo punonte në një shkollë me bashkëshorten time, Katerinën.

Vitet rodhën shpejt dhe unë u riktheva përsëri në shtyp, në Tiranë, në janar të vitit 1974, duke mos u  shkëputur nga punët e shkollave dhe, në përgjithësi, të arsimit. Megjithëse larg njëri-tjetrit,  përsëri ne mbajtëm lidhje të mira e të pashkëputura. Më kujtohet se, kur u bënë propozimet për dekorimin e disa mësuesve nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), pra ndër ta dhe Hasan Neza, me që punoja në Ministrinë e Arsimit e Kulturës, me mundësitë e mia, jam kujdesur që procesi i duhur të përshpejtohej, pra të dërgoheshin propozimet në Presidencë. Kur Hasan  Neza, bashkë me arsimtarët veteranë: Mustafë Botusha, Elez Gashi, Fahri Doçi e Zenun Margjeka u shpallën “Mësues të Popullit”, pas ardhjes së Demokracisë në Shqipëri, jemi takuar ngrohtësisht në qytetin “B.Curri” dhe e kam uruar me gjithë zemër, pasi ai e meritonte plotësisht një gjë të tillë.

Herën e fundit jam takuar me Hasanin dhe Afërditën në spitalin e Tiranës, kur të dy ishin të pamundur nga gjendja shëndetësore. Por ai e kishte më tepër shqetësimin për të shoqen. Më pas, ata të dy u kthyen në vendlindje dhe u përballën me shqetësimet e forta të sëmundjes së tyre të pamëshirë. Kemi folur me ta në telefon e celular, por dhe jemi informuar nga persona të njohur për gjendjen e tyre shëndetësore. Veçse   jetës nuk i dihet. Pra, vdekja e mori Hasanin e dhimbjen ia shtoi pa masë të shoqes e fëmijëve, për këtë humbje shumë të madhe.

Në  kërkesën për të na njohur më nga afër me jetëshkrimin e kolegut dhe mikut të paharruar,  Hasan Neza, megjithëse jo mirë nga gjendja shëndetësore, në atë kohë Afërdita u përgjigj menjëherë e dërgoi të dhëna të hollësishme e me bukurshkrim.

HN_shkolla_9_vjeqare_FB_02

2.

Hasani lindi më 1 nëntor 1934, në fshtin e vogël Leniq, të krahinës atdhetare e arsimdashëse të Bytyçit.  Katër vjeç mbeti pa nënë dhe vështirësitë e jetës sikur e burrëruan para kohe.  Kyesorja, u edukua me ndjnjën e pavarësisë dhe të qëndrueshmërisë ndaj çdo pune e pengese në jetë. Babai i tij, Hysen Neza, i  mbrujtur me ndjenja atdhetare e liridashëse, u lidh me luftën çlirimtare, por dhe me forcat nacionaliste të krahinës. Kjo e fundit do t’i kushtonte shtrenjtë jo vetëm atij, por dhe të birit, Hasanit. Natyra e bukur e vendlindjes e frymëzoi vogëlushin që t’i përkushtohej  mësimit e diturisë. Shkrim e këndim mësoi   nga i jati, i cili i përvetësoi në burg shkronjat e alfabetit të shqipes.

Në fshatin e tij nuk kishte shkollë, prandaj Hasani u detyrua ta vazhdonte atë në Berishë, disa orë larg dhe nëpër pyje, vajtje-ardhje. Mësimet e para ia dha Niman Ademi, të cilin do ta kujtonte përherë me nderim.  Falë zgjuarësisë dhe vullnetit të tij, duke bërë nga dy klasë në një vit, më 1948  Hasani i vogël e mbaroi shkollën fillore. Megjithëse do ta linte babain vetëm, ai mori udhët e shkollave, të diturisë për jetën.

Në shkollën e konviktin e qytetit të Kukësit, ku ishte drejtor veterani i arsimit Vehap Muja, mbaroi shtatëvjeçaren. Më tej, Gjimazin e Shkodrës e përfundoi për tri vjet dhe, si më parë, shkëlqyeshëm.  Megjithëse dëshironte të shkollohej diku jashtë vendit, bursa i doli për degën gjuhë-histori, në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Me krijimin e Universitetit tonë, më 1957, u regjistrua në degën gjuhë-letërsi, me korrespondencë, që e mbaroi mjaft mirë, në vitin 1960. Tashmë, ishte kuadër i kompletuar dhe i aftë, për të përballuar çdo detyrë në fushën e arsimit kombëtar.

Janë disa shkollat e Tropojës, ku ka shërbyer Hasan Neza. Por theksoj se në në çdo detyrë, që u caktua, dëshmoi aftësi profesionale të shkallës së lartë: Drejtor i shkollë 7-vjeçare në qytetin “B.Curri” (1957) dhe shef i seksionit të arsimit e kulturës  së rrethit Tropojë (1957). Por këtu, i hasi “sharra ne gozhdë”. Ndërsa për ekipet e Ministrisë së Arsimit ishte mjaft i aftë në detyrë, partiakët e rrethit e cilësuan “kokëfortë, me pikëpamje intelektualiste, shpërfillës” e  tjerë.  Prandaj e dërguan drejtor të Gjimnazit të parë në qytet, i cili sapo ishte krijuar. Megjithatë, ai përsëri  dëshmoi aftësitë e një specialisti dhe drejtuesi mjaft të aftë.  Po përsëri shpejt u gjet një “çengel”, ku të kapeshin  monistët, për ta ndëshkuar. Kështu, edhe pse ishte me shkollë të lartë,  duke ia ndërprerë punën në profesion, e dërguan dy vjet ushtar, në qytetin e Përmetit.

Por edhe kur u kthye në vendlindje, kur mbaroi shërbimin ushtarak, me dashjen ose pa dashjen e kundërshtarëve të tij, aftësitë e Hasan Nezës impononin që ai të ishte gjithnjë në drejtimin e arsimit në rrethin e Tropojës. Kështu, përsëri e caktuan drejtor të shkollës së mesme në qytetin “B. Curri”. Ndërsa më tej e caktuan drejtor të shkollës së mesme profesionale, në Hidrocenralin e Fierzës, ndoshta, “ për kalitje”, me mendjen e ndonjë partiaku dashakeq. Nga viti 1978 dhe deri më1987, kur doli në pension, përsëri kreu detyrën e drejtorit të Gjimnazit “Asim Vokshi” të qytetit alpin.

Në të gjitha detyrat drejtuese, Hasani iu përkushtua  plotësisht punës edukative dhe mësimore-pedagogjike. Punoi vetë me ngulm dhe i tërhoqi kolektivat përkatës në punën  e përbashkët dhe me synime të qarta, për ta venë shkollën e mesme në baza shkencore e pedagogjike. Ndërsa gjatë kohës në seksionin e arsimit dhe kulturës, synoi që, bashkë me grupin e inspektorëve sipas lëndëve,  ta fuste sistemin e punës studimore në procesin mësimor-edukativ.

Por edhe në vitet e pensionit, sidomos pas vendosjes së Demokracisë në Shqipëri, Hasan Neza nuk i ndërpreu lidhjet e tij me shkollën, me edukimin e brezit të ri. Kështu, u përfshi në shumë veprimtari të Gjimnazit të qytetit “B.Curri”, ku kishte qenë drejtor në vite të tëra, por dhe të Drejtorisë Arsimore të rrethit.

Është domethënëse se edhe bashkëshortja e tij, Afërdita Neza  shërbeu 33 vjet në fushën e arsimit. Djali i madh, Ardiani kreu shkollën e lartë për histori dhe ushtron detyrën e mësuesit në qytetin e Durrësit. Ndërsa djali  i vogël, Altini mbaroi  shkollën e mesme për violinë.  Gëzim i patreguar për  dy gjyshërit ishte, se nipat e mbesat e tyre: Eriku, Xhesi dhe Alisa e vazhdan shkollën me  mjaft  dëshirë dhe përparuan shumë mirë në mësime. Por ata ndien dhimbje të patreguar, kur gjyshi shumë i dashur u nda përgjithnjë prej tyre, në  qytetin “B.Curri”, më 26 prill 2010.

Për meritat e shumta në fushën e arsimit tonë kombëtar, edukimit dhe pedagogjisë, në vitin 1984 Hasan Nezës  iu dha titulli “Mësues i merituar”. Në vitin  1995, Presidenti i Republikës, prof.dr.  Sali Berisha e nderoi me titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Ndërsa, që nga janari 2004, Qeveria  i dha atij  pension të veçantë.

…Nga largësia e më tepër  se pesë vjetëve, qëkur arsimtari i shquar i arsimit në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe më gjerë, Hasan Neza, u nda përgjithnjë nga jeta, familjarët e tij, ish-kolegët e nxënësit, me prindërit e tyre, por dhe të gjithë ata që e njohën, shprehin nderimin dhe respektin e veçantë për të.

Tiranë, 14 korrik 2016

Shperndaje ne

The Author

Dr. Murat Gecaj

1 Comment

Add a Comment
  1. Njerzit të shum vuajtur lanë gjurm shum madhore po mos ti harojm të pakten një her ne vit të gjejm.kohë e ti perkujtojm, besoj mundësi do gjejmë.Ju falemnderit…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.