Kemi hyrë në tokë të huaj”, thoshte Dimitrije Tucoviqi. E keni harruar?

Fahriu_e_reja_fotoVetëm krimineli mund të shëtitet lirshëm në vendin e krimit nëse i lejohet. Vetëm kriminelit nuk i rrah zemra nga pendimi për krimin e kryer. Vetëm krimineli mendon që edhe pse i humbur mund të ecë mbi gjakun e të pafajshmit që ende nuk është tharë. Thuhet se koha i shëron plagët, koha të bën të harrosh dhembjen, lotin dhe hidhërimin; por plagët e shkaktuara në vazhdimësi që një shekull nuk paskan të harruar. Që t´i numërojmë  krimet gjatë një shekulli më është e tepërt, ato i dini mirë se edhe i keni mbajtur lehtë në mend se kanë qenë në përsëritje..

Uilliams shkruante: “Është tragjedi e madhe tej çdo përfytyrimi që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të katandiset në këtë gjendje, e cila meriton të quhet skandal i qytetërimit evropian. Nuk është për t`u çuditur që pushtuesi otoman ndalonte çfarëdo lloj gërmimesh në tokën shqiptare që mund t’i kujtonin popullit lavdinë e tij të dikurshme… (George Fred Uilliams, 1914)”. Ishim pra ne këtu edhe atëherë, por edhe më herët. Të tjerët erdhën pas nesh dhe po na e vjedhin atë margaritar të historisë duke na thënë që për ne fillon historia rreth shek. XV-të. Vinça, për herë të pare përmendet më 1893, kur në takimin e Shoqatës së Gjeologëve të Serbisë, Jovan Zhujoviqi, iu tërheq vëmendjen për këtë vend historik. Pse nuk flasim për 365 kishat e Shasit (rrethi i Ulqinit), rasti më unik në botë. Në këto vendbanime kemi të bëjmë me një popullsi albane – shqiptare autoktone, vazhduese e popullsisë së hershme ilire, e formuar historikisht shumë shekuj përpara depërtimit sllav dhe atij osman në këto treva.

Këto të dhëna të dorës së parë kundërshtojnë dhe hedhin poshtë hipotezat ”shkencore” dhe antishqiptare te disa autoreve te huaj borgjez, e sidomos te atyre sllavë, të cilët orvateshin të paraqitnin popullsinë shqiptare të kësaj ane si joautoktone, si të ardhur nga tokat e brendshme shqiptare më vonë, aty kah fundi i shek. XVII dhe fillimi i shek. XVIII, pas luftërave austriako-turke (1683-1690). Gjetjet arkeologjike e provojnë se qytetin e Shasit të panjohur deri në shekullin VIII në të vërtetë e prek krishterimi i hershëm në periudhën ilire. Ilirizmi i kësaj kulture dëshmohet veçmas nga njëjtësia tipologjike e objekteve të kulturës arkeologjike të Shasit me kulturën iliro-arbërore të Komanit. Në kalanë e Delmacës gjenden toponimet e katër kishave si ajo e Shën Kollit, Shën Gjergjit, Shën Mëhillit, si dhe Kisha e Zonjës së Mirë. E gjithë kjo tregon se sa e madhe ishte shtrirja e këtij qytetërimi të hershëm, por edhe më rëndësi kishtare e kulturore të Krahinës së Pultit të Sipërm. Zona e epërme e Pultit së bashku me kalanë e Delmacës në bazë të shënimeve dhe fakteve, toponimeve të mbledhura kanë qenë qendrat më të mëdha të krishterimit në këtë rajon. Pse u fshehën këto që u thanë më lart? Thjesht e pastër: qëllimi i përvetësimit dhe humbja e të drejtës sonë për vetëvendosje. Kosova është një shtet i ri, por na jemi të vjetër në këto anë. E dinte gjë bota për ne? 500 vjet ndër osmanët dhe 100 vjet ndër serbët, ishin mjaft ishte kohë e gjatë e robërisë.

Por, le të kthehemi në të kaluarën e largët kur këndej pari nuk kishte as serb e as turk.”Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë dhe si të këtillë janë autoktonë që nga kohët e lashta, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite në trojet e tyre në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, në Serbi dhe Greqi e gjetiu (Dr. Skënder Riza). Në asnjë dokument nuk ka shënime për ekzistimin e serbëve në këto troje, në ato kohë. Duke bërë fjalë për banorët e pronave të Manastirit të Deçanit, Manastirit të Graçanicës, Patrikanën e Pejës etj… prona këto që shtriheshin në një territor shumë të gjerë, siç e tregon “Bulla e Artë” e mbretit Stefan Deçan (1330) Dr. Rizaj do t`na konstatojë se aty kishte vetëm shqiptarë. Kështu kuptojmë se popullata e Kosovës së sotme dhe qeveritarët e saj Nemanasit-Nimanasit-Nemaniqët, të gjithë ishin ilirë tribullë (tribalë, fis pellazgë-ilir), njëherë katolikë e pastaj nga Milutini e këndej Shkizmatik (shqiptarë të sllavizuar) dhe se do të jetë plotësisht e natyrshme që edhe kishat dhe manastiret e këtij ambienti gjeografik si institucionet e shenjta fetare të kësaj popullate shqiptare dhe të sundimtarëve të saj të jenë ndërtuar dhe ato atyre u takojnë..

Për shqiptarët fatkeqësitë më të mëdha ishin Kongresi Berlinit (1878) dhe tradhtia turke e po asaj kohe: Të gjitha tokat shqiptare u ndanë në pesë shtete. Krimet serbe ishin vazhdimësi, sepse duheshin me dhunë e krime të mbanin një popull të tërë: “Këto krime të pafalshme nuk janë vepra të individëve nga urrejtja e tyre vetjake, por pjesë përbërëse e politikës nacionale të Serbisë, me një bindje kriminale që nëse e zhbëjmë këtë botë të pafajshme (shqiptarët pra, f.xh.) do ta heqim qafe armikun me të cilin në të ardhmen do të kemi problem”, (Dimitrije Tucoviq, 1913).

Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë sillni dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe (Strategjia serbe).

Dimitrije Tucoviqit (1913): ”Mu këto ditë po bëhet një vit që kur kombi shqiptar po e çon kryqin e vet në golgotë. U bë një vit i zhbërjes sistematike të popullsisë arnaute (shqiptare f.xh.) në të gjitha anët që e ka ndërmarrë ushtria serbe. Gjatë këtij viti u derdh shumë gjak njeriu nëpër fushat, fshatrat dhe qytetet shqiptare. Por, këto krime që i vulos është lufta më barbare e më e përgjakur që i ngjason luftërave të mesjetës “këto nuk janë vetëm përroskat e gjakut në një anë, por edhe trupat e shprishur të të vrarëve, fëmijëve të pafajshëm, grave dhe të pafuqishmëve të popullit të Serbisë së vjetër (Kosovës, Maqedonisë, Sanxhakut e deri në Nish, f.xh.) faji i vetëm i tyre që është se i luten një Zoti tjetër, e flasin një gjuhë tjetër e mbajnë një emër tjetër dhe jetojnë në vatrat e veta shekullore…

Këto krime të pafalshme nuk janë vepra të individëve nga urrejtja e tyre vetjake, por pjesë përbërëse e politikës nacionale të Serbisë, me një bindje kriminale që nëse e zhbëjmë këtë botë të pafajshme (shqiptarët pra, f.xh.) do ta heqim qafe armikun me të cilin në të ardhmen do të kemi problem” (Krvna osveta soldateske, Iz arbanskih pisama, Dimitrije Tucoviq). “Pastaj thoshin dëshmitarët tanë (serbët, f. xh.) e krijuan shkretimin më të madh të mundur në mesin e tyre (shqiptarëve, f. xh.).

Shqiptarët binin në grumbuj, si duajt e tallës. Më shumë ndiheshin britmat e viktimave sesa krismat e topave. Nëpër ajër fluturonin duar, këmbë, koka dhe pjesë të mishit të trupit të shqiptarëve. Dhe, kur zbrazja e topave artilerike ndalej, vendet e sulmuara dukeshin të shkreta dhe të lyera me ngjyrë të kuqe) (po aty). Jo ore! çfarë ngjyre e kuqe?

Por, edhe kur mendonim se u krye, ajo nuk po përfundon as sot e kësaj dite. E pabesueshme është se çfarë ka ky sistem (sistemi serb i viteve 1912-13 , f. xh.) ka mundur të bënte mbi popullin shqiptar. Si të dëgjohet ndonjë lëvizje përreth kufirit, menjëherë fillojnë prerjet shtazarake në fyt. Mbi popullatën e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit ndihet vetëm ndjenja e vdekjes. Nëse të zë gjumi të gjallë, nuk dihet se çfarë të pret në agim. Sepse mu natën ishte koha e përzgjedhur që të kryhen krimet më të tmerrshme njerëzore; mbledhja e njerëzve nga burgjet dhe shtëpitë për t’i dërguar në fushat e vdekjes. Natën nuk ndihet asgjë, por çdo natë shqiptarët zhduken mu sikur çakejtë dhe hienat që dalin nga birucat e tyre dhe futen në shtëpitë e tyre që të marrin njerëz, të bartin dhe t’i mbysin. Këta gjakpirës, edhe hienat i kishin vrarë në mënyrën e tyre të njeriut (serb, f. xh.) (Radnicke novine nr.. 223, 22. Tetor 1913. Dimitrije Tucoviqi, Sabrana dela, Beograd 1980).

Krimet mbi shqiptarët, ‘L`Humanite’ i Parisit shkruan në raportin zyrtar të konsullatës franceze në Selanik, duke i përshkruar krimet serbe si plaçkitje, shkatërrim dhe vrasje. Kurse gazeta daneze ‘Riget’ gjendjen në Maqedoni e përshkruan si zhbërje të popullit shqiptar. Kryeipeshkvi i Shkupit, Lazër Mjeda, lajmëronte se pas hyrjes së ushtrisë serbe në fshatrat e Kumanovës, shumë banorë fshiheshin në tavanet e shtëpive të tyre. Ushtria serbe i ndizte ato shtëpi dhe njerëzit digjeshin të gjallë. Ai tregonte se pas Kalasë së Shkupit gjendej një gropë e madhe e mbushur më trupat e pajetë të shqiptarëve. Meqenëse toka ishte e ngrirë, të vrarët nuk varroseshin, por gjuheshin në bunarë. Me qëllim janë numëruar mbi 68 puse në rrethin e Shkupit të mbushur me trupa të vdekurish.”

 Si thoni ju zotërinj kozmolitë?

T`i harrojmë këto?

E pse mos t`i përmendim?

Sikur serbët të kërkonin falje atëherë, ndoshta. ‘Reichpost’ e vitit 1912 shkruan ku jepet gjendja në spitalin e Shkupit me pacientët shqiptarë.

Në fillim i numërova 132 fatkëqij, të nesërmen i gjeta vetëm 80 dhe të pasnesërmen vetëm 30. Pacientëve shqiptarë nuk u jepej ushqim, prandaj vdisnin. Por, edhe të gjallë hidheshin në Vardar. Kemi hyrë në vend të huaj shkruante Dimitrije Tucoviqi, por ushtria serbe e dinte që kishte hyrë në vend të huaj e nuk tregoheshin aspak ”kozmopolitë” dhe nuk kishte “ardhur koha që të njohim më mirë edhe njëri-tjetrin, për të kuptuar sa të ngjashëm jemi” e as që do të vijë ajo kohë. Pse mos të jepet Pavarësia? Pa kurrfarë habie; Pavarësi mbi tokat tona dhe për popullin tonë.

Pak para nisjes së bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, portali serb e-Novine ka publikuar disa shkrime të liderit dhe teoricienit të njohur socialdemokrat serb, Dimitrije Tucoviqi (1881-1914), ku ai i përshkuan detajisht trojet e Kosovës në kohën e okupimit nga Serbia, ngase edhe vetë ishte pjesëtar i ushtrisë okupuese serbe.

Sqarimet që i jep për shqiptarë, si dhe synimet e okupimit serb, ndryshojnë shumë nga ato zyrtare. Gjakova është një qytezë e pastër arnaute. Turq gati që s’ka fare, e ata pak serbë – një grusht i tyre – posedojnë të ashtuquajturën “lagje serbe”, por pa shitore të tjera pos disa kafehaneve. Gjithë masën tjetër të popullatës së Gjakovës e përbëjnë arnautët. Edhe rrethina e Gjakovës është jo vetëm kryesisht e banuar me arnautë, por është gati tërësisht e tyre.

Pas Pejës, e cila shtrihet në fundin e sipërm të Dukagjinit, ka pak fshatra serbe, njësoj siç ka serbë edhe nëpër fshatrat e tjera të përziera, kështu që edhe në qytezën e Pejës ka pak më shumë serbë. Përreth Gjakovës, banime serbe ka shumë më pak; e pikërisht në këtë rreth, në vend të banimeve serbe Serbia ka hasur në përmendore mesjetare serbe, në mure të ftohta që ruajnë krahinat,dhe që kanë vlera për arkeologë e artistë. Kështu, për shembull, Deçani mund ta emocionojë shpirtin e romantikëve nacionalistë, por për stabilitetin e regjimit të ri në këto vise kjo s’do të thotë gjë. Madje, kjo është arsyeja themelore e të gjitha fatkeqësive nga të cilat vuajmë sot dhe nga të cilat do të vuajmë edhe në të ardhmen, është fakti se kemi hyrë në një vend të huaj.

Por, Gjakova s‘është vetëm një qytezë arnaute vetëm për nga raporti numerik i popullatës; ajo është arnaute edhe për nga jeta e gjithëmbarshme, e jashtme dhe ekonomike. Nuk janë këto vetëm minaret që si male ngrihen drejt qiellit, as vetëm shtëpitë me mazgalle, dritare pushkësh e mure të dedikuara për luftim – sikur të mos ndodhemi në një qytezë dhe sikur ky të mos jetë shekulli i 20-të; nuk është as veshja tipike arnaute, e cila shihet qartazi nëpër rrugë; jo, në Gjakovë bie në sy edhe ajo se të gjitha zanatet dhe tregtia ndodhen në duart e vetë arnautëve. “Kemi hyrë në tokë të huaj”, thoshte Dimitrije Tucoviqi, po pra në tokë të huaj, i thamë edhe ne Serbisë.

Fahri_xharra_fjalimi

Fahr i Xharra 14.07.16

Shperndaje ne

The Author

Fahri Xharra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.