Prizreni është filozofia e Bashkimit Kombëtar Shqiptar …

Abdyl_frasheri_qellimi

Pse qeveriset Prizreni me të burgosurit, të dënuarit e ‘banda nomadësh’?!

• Prizreni nuk është qytet ‘nomad’ ku duhet të qeveriset prej ‘nomadëve’.

• Prizreni duhet të qeveriset prej prizrenasve të dëshmuar për qytetari, kulturë, edukatë e për vlera tjera, që ua ka lakmi çdo qytet i Ballkanit e më gjerë

• Prizreni nuk është ndonjë hapësirë ku në dy mijë vitet e fundit të mos ketë pasur një pikë qytetërim, siç ka ndodhur për fatin e keq me pjesët dërrmuese të shumë prej hapësirave të Kosovës e të cilat, që nga paslufta, po edhe sot e këtë ditë, qeverisin dhe menaxhojnë me Lirinë e Kosovës, medet!

• Prizreni nuk mund të qeveriset prej atyre që nuk mund ta mbajnë higjienën e mendjes, të shpirtit, e aq më pak higjienën e mjekrave

• Prizreni nuk mund të qeveriset as prej atyre që pinë ujë në Shatërvan e mendjen e kanë në Stamboll

• Prizreni është filozofia e Bashkimit Kombëtar shqiptar qysh prej kohës së Perandorisë Osmane

Qyteti i Prizrenit nga lashtësia e deri më sot ka reflektuar qytetërim shqiptar europian. Ky qytet është i njohur edhe për natyrën e vet të qetë dhe për njerëzi me kulturë e qytetari. Në të vërtetë nuk ka as edhe një qytet tjetër në Kosovë ku toleranca, shumësia e vlerave dhe e komuniteteve të të gjitha llojeve të jetojnë në harmoni, pran njeri-tjetrit apo edhe më shumë sesa kaq.

Mirëpo, me ardhjen e drejtuesve të papërgjegjshëm të PDK-së në këtë qytet, shumëçka ka nis të prishet e të rrënohet. Duket se ardhja e shumë kuadrove prej kësaj partie ngjan me ardhjen e ‘nomadëve’ nëpër qytetërimet tjera. Madje edhe vetë thesari i trashëgimisë kulturore shembte dhe digjet brenda natës dhe për çudi askush nuk është fajtor. Vdesin fëmijët brenda rrënimeve të tilla, prapë askush nuk është fajtor.

Qeverisja lokale në Prizren ka fituar një imunitet të pakufizuar. Ata përveç se nuk i pret e nuk i takon asnjë përfaqësi diplomatike, duke se janë duke i rezistuar edhe Kryetarit të sapozgjedhur të PDK Kadri Veselit.

Po a e meriton qyteti i Prizrenit të qeveriset të këtillë, pavarësisht se edhe opozita është duke pritur për ta gllabëruar atë me ‘nomadë’ edhe më të egërsuar?!

Për Prizrenit duhet të kihet në konsideratë një qeverisje më qytetare, e cila nuk i zgjidh problemete vetëm me filozofinë e tenderimit dhe të filozofisë së klikave për të mbajtur gjallë interesin e grupit që determinon në krim, korrupsione e dukuri tjera negative.

Sa për vijëzimin e disa prej çështjeve prizrenase do të mund të thuhet:

E para, Prizreni nuk është Skenderaj që të qeveriset me Kryetar të dënuar në burg, i cili, më pas, të mund të shantazhojë kë të dëshiron në Kosovë?! Sado që në parim nuk mund të thuhet kështu, sepse nuk e do rregulli politik i banditizmit të Kosovës, i instaluat që nga paslufta e gjer më sot prej gjithë spektrit politik të vendit pa përjashtim dhe kundër të cilit është vështirë të provohet për t’u bërë ndonjë ndryshim jashtë interesave të këtij grupi me ‘qytetërim prej nomadeve’. Por, në anën tjetër, duhet të thuhet gjithashtu, sado e dhimbshme qoftë se Prizreni nuk është ndonjë hapësirë ku në dy mijë vitet e fundit të mos ketë pasur një pikë qytetërim, siç ka ndodhur për fatin e keq me pjesët dërrmuese të shumë prej hapësirave të Kosovës e të cilat, që nga paslufta, po edhe sot e këtë ditë, qeverisin dhe menaxhojnë me Lirinë e Kosovës, medet! Për të mos përmendur emra, vetëm mund të thuhet se kush qeveris me Podujevën, kush me Gjilanin, si qeveriset Kryeqytete (edhe me drejtorë revolverë), si Graçanica (nuk e njohin as shtetin e Kosovës), Malisheva e shkret, apo Kaçaniku ku është bërë rrezik të shkosh për të pirë kafe, e sa e sa. Po të kthehet kryet pak më lart mund të bëhet e njëjta pyetje edhe për Qendrën, e sidomos për të. E di populli i Kosovës kush është Kryeministri i Kosovës, kush janë ministrat, zëvendësministrat, deputetët e saj?! Pjesa dërrmuese janë po ai ‘grup nomadësh’ që kanë pak e hiq lidhje me qytetërimin e Kosovës.

E dyta, Prizreni nuk menaxhohet me drejtorë të dënuar, me zyrtarë të dënuar, nën hetime, me aktakuza e çka jo tjetër;

E treta, Prizreni nuk është hapësirë ku duhet të drejtohet prej një grupi të papërgjegjshëm, pavarësisht prej përkatësisë së tyre partiake e, aq më pak, prej partisë me të madhe në vend, siç është PDK. Jashtë kësaj logjike çdo veprim që ndërmerr PDK, për të ndërruar ministra apo për të inkuadruar ‘të rinjtë’ me huqe e zanate të vjetra, ‘nomadë të rinj’, nuk do të zgjidhet asnjë problem. Përkundrazi! Kosova nuk është Kina për të vendosur mijëra standarde e as nuk pretendon sistem komunist!

E katërta, Prizreni nuk është qytet ‘nomad’ ku duhet të qeveriset prej ‘nomadëve’. Prizreni duhet të qeveriset prej prizrenasve të dëshmuar për qytetari, kulturë, edukatë e për vlera tjera, që ua ka lakmi çdo qytet i Ballkanit e më gjerë. Qytetaria e qyteti i Prizrenit e mbledh gjithë botën rrëzë kalasë, poshtë kalldrëmeve, pranë Bistricës. Jo Politika. Ajo, vjen verës e në çdo kohë dhe përfiton nga qytetaria prizrenase. Kuptohet se pa meritë! Po ku pyesin ‘nomadët’?! Filozofia e tyre është shumësia e yryshit dhe pas tyre bota le të marri fund!

E pesta, Prizreni nuk mund të qeveriset prej atyre që nuk mund ta mbajnë higjienën e mendjes, të shpirtit, e aq më pak higjienën e mjekrave.

E gjashta, por Prizreni nuk mund të qeveriset as prej atyre që pinë ujë në Shatërvan e mendjen e kanë në Stamboll. Prizreni është filozofia e Bashkimit Kombëtar shqiptar qysh në kohën e Perandorisë Osmane. Në kuptimin politik ky është dallimi ndërmjet ‘nomadëve’ që tash e kanë pushtuar Prizrenin dhe qytetarisë së Prizrenit. E sot nuk takohen me drejtuesit e Prizrenit as diplomatët e akredituar në Republikën e Kosovës, sepse ata janë njerëz të dënuar prej ligjit në emër të popullit. Dhe PDK flenë natën pa brengë!

E shtata, cili personalitet në botën demokratike që i thotë vetes akademik, profesor, e që është i dënuar me burg nuk dorëhiqet dhe nuk i largon as të dënuarit, të akuzuarit dhe të dyshuarit e tjerë?! Të paktën një dorëheqje morale për përgjegjësinë publike që ushtron?! Pavarësisht se krahasimi që do ta bëhet është krejt pa shije, i mjerë, por, ai, si i tillë, është i nxjerrë nga realiteti. Sikur të ishte fjala për një komandantë i cili pasi mbaroi lufta mori gjithçka në emër të saj: politikën, meritën, shkollën dhe kapitalin, edhe do të mund të thuhet si për të tjerët, një ‘nomadë i pa kultivuar’. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një njeri edhe të nivelit akademik e edhe në moshë ku nuk ka shumë hapësirë për mëkate të mëtutjeshme. Sa vështirë është të paramendohet kultivimi i edukatës brenda familjeve të tilla?! Si është e mundur që Profesori në moshë, Ramadan Muaja, t’ua lë trashëgim fëmijëve, nipave dhe mbesave edhe këtë marre! Edhe ku, ‘në Prizren ma të bukurin vend’?!

E teta, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli duhet të kuptojë se ora e tij politike nuk është duke treguar as edhe një ndryshim pozitiv në zemelekun që e rrokullis kohën. Mos e dëshpëroni veten dhe gjithë ata që kanë pasur një troh shpresë te ju. Është pritur që në selinë e PDK-së të ftohen konferencat e jashtëzakonshme për të shpalosur informacionin për reformat substanciale e për raste të ‘trasha’ si puna e Prizrenit, fjala vjen e jo konferenca të jashtëzakonshme për njerëzit e shtëpisë për t’i bërë ministra në mandatin e tyre të tretë ose për të krijuar ‘Institute’ brenda partisë me ‘analfabet’ a me njerëz që në jetën e tyre nuk kanë shkruar as edhe një faqe të vetme (Dorën në zemër, nga një faqe për subvencione OJQ-sh edhe do të kenë lexuar kohë pas kohe).

Nga: Alzan Berisha

Shperndaje ne

The Author

Alzan Berisha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.