Arsimi ynë Kombëtar: PROF.KOLË TAHIRI: ME LIBRIN E PARË, PËR GJUHËN SHQIPE NË BELGJIKË…

prof_koletahiri

1.

Për punonjësit e arsimit tonë kombëtar, emri i prof.dr.Kolë Tahirit, tashmë, është i njohur si një ndër personalitetet e dalluara të kësaj fushe jetike për Atdheun tonë. Para disa ditësh ai festoi 80-vjetorin e lindjes, duke qenë larg Shqipërisë, pra në Bruksel, ku jeton familjarisht që në vitin 1997. Megjithatë, me mendje e zemër, por edhe me veprimtari atdhetare, arsimore, botuese  etj., ai  është gjithnjë i pranishëm.

Për të shkruar rreth jetës dhe veprimtrisë shumëvjeçare, arsimore e pedagogjike të këtij personaliteti tonë të shquar, duhen  faqe të tëra. Ndërsa po mjaftohemi duke shënuar këtu, se ai ka qenë pedagog i lëndëve psikologji e pedagogji në shkollat pedagogjike të Peshkopisë e Shkodrës dhe në Institutin e Lartë Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”; metodist në Ministrinë e Arsimit e Kulturës; drejtor i Kabinetit Pedagogjik të Tropojës dhe specialist në Institutin e Studimeve Pedagogjike e, para daljes në pension, pedagog në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës.

Gjatë atyre viteve, ai është marrë me studime e botime të shumta për çështje të rëndësishme të arsimit, shkollës e pedagogjisë sonë kombëtare. Me vlera të veçanta është studimi për mundësinë e zbritjes së moshës së pranimit të fëmijëve në klasësn e parë, nga shtatë në gjashtë vjet, i cili u miratua e u vu në zbatim, shumë vite më parë. Këtë punim ai e botoi, para dy vitesh, në një libër të veçantë.

Prof. Kolë Tahiri është autor e bashkautor i disa teksteve shkollore e universitare, në fushën e pedagogjisë e psikologjisë. Emri i tij ka qenë i pranishëm gjithnjë me punime profesionale, në gazetat e revistat e kohës, sidomos deri sa ai u largua nga vendi ynë. Por edhe atje në emigracion, ai e vazhdoi punën e palodhur e të përkushtuar, si në mbarëvajtjen e shkollës shqipe me mësim plotësues, në Bruksel, por dhe në studimin e thelluar të përpjekjeve mbi 100-vjeçare, që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Mbretërinë e Bashkuar të Belgjikës. Tërë kjo punë afër 10-vjeçare, gjen pasqyrim në librin më të ri të tij, “Gjuha shqipe, në Belgjikë” (Tiranë, 2016), për të cilin do të flasim, shkurtimisht, më poshtë.

ballina_librit_02_kole_tahiri

2.

Libri në fjalë është venë në qarkullim nga ShB&Shtypshkronja “Edlora”, me  autor prof.dr.Kolë Tahirin e konsulent M.Gecaj; puna në kompjuter nga Artan e Valbona Tahiri dhe punimet  grafike e ballina nga Edlira Kame.Mbështetje në hartimin dhe botimin e këtij libri u bë bashkëshortja e autorit, mësuesja veterane Ollga Tahiri. 

Libri “Gjuha shqipe, në Belgjikë” përmban gjithësej 344 faqe dhe është i pajisur me mjaft fotografi. Ai është i ndarë në 12 pjesë. Në të është përfshirë edhe punimi “Faqe nga mësimi i gjuhës amtare në Diasporën Shqiptare” (me autor M.Gecaj). Gjithashtu, ai shoqërohet me aneks-dokumente dhe jetëshkrimin e autorit, prof.K.Tahiri.

Libri hapet me një hyrje nga autori dhe pastaj flitet, shkurtimisht, për Belgjikën, mbretëri demokratike e humane. Në kreun e parë jepen të dhëna me interes për gjuhën shqipe e diasporën shqiptare, në atë vend mik dhe më tej për përpjekjet e bashkatdhetarëve tanë për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Sigurisht, me rëndësi të veçantë është pjesa,  ku flitet nga autori  për pavarësimin e shkolls shqipe, me mësim plotësues, në diasporë dhe krijimin e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), në Belgjikë. Një pjesë të veçantë ia kushton autori “Shkollës së Nënës Shqiptare”, e shoqëruar nga tre faktorë: Nëna, Vendlindja dhe Gjuha Amtare.

Në vazhdim të këtij libri, janë pjesët e tjera, për të cilat nuk po ndalemi, posaçërisht.

koletahiri_shkollavatra01

Kolektivi i shkollës shqipe “Vatra”-Belgjikë (korrik 2015): I pari, nga e djathta, Ahmet Gjanaj, president i shkollës dhe i dyti, prof. Kolë Tahiri; i pari, nga e majta,. Ibrahim Dizdari, drejtori administrativ; në qendër, nga e majta, mësuesi Sali Abdyli.

3.

Libri “Shkolla shqipe, në Belgjikë” është  ndërtuar dhe hartuar sipas një metodike rigoroze shkencore. Përveç të tjerave, aty zë vend të dukshëm dokumentacioni i pasur arkivor, marrë nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, në Belgjikë. Po kështu, është përdorur metoda statistikore e vjeljes dhe përpunimit të të dhënave, si: për qendrimet, komentet, idetë, botëkuptimet etj., që lidhen me gjuhën amtare.

Materiali  është grumbulluar nga një numër i madh njerëzish, pra bashkatdhetarësh tanë, të cilët e kanë plotësuar anketën e dhënë nga autori, si: mësues, prindër e nxënës shqiptarë. Pastaj, të dhënat e mbledhura janë përpunuar me kujdes nga autori.

Mbi këtë bazë, ndër të tjera, argumentohen vlerat e padiskutueshme të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, jo vetëm në rrafshin atdhetar, por edhe për lidhjen me tregun e punës, në Belgjikë, si dhe kritikohen disa qendrime të gabuara, në këtë drejtim.

Vëmendje të veçantë i kushton autori problemeve të psiko-linguistikës, duke sjellë të dhëna: për raportin e gjuhës amtare, me gjuhën e huaj; për moshën më të përshtatshme të njeriut emigrant, për ta mësuar gjuhën e huaj;  për rolin e gjuhës së huaj në zhvillimin mendor të nxënësve; për nevojën e gjuhës së huaj, në përparimin në mësime të nxënësve, në shkollën vendëse etj.

Të gjitha këto janë organizuar në libër, në bazë të të dhënave e studimeve më të reja bashkëkohore, të  cilat janë të dobishme për mësues, prindër e nxënës shqiptarë, në Diasporë.

koletahiri_Abetaret01

Abetare të gjuhës shqipe…

Një pjesë të mirë të këtij libri e zenë gjurmët, “shejëzat”, “urat” dhe interesimet e belgëve, për shqiptarët. Pra, është dëshmuar se, që prej më shumë se 100 vjetëve më parë, ata kanë mbajtur qendrim dashamirës ndaj gjuhës shqipe. Kjo zanafillë është qyshë në fundin e shek. 19-të, me revistën “Albania” të Faik Konicës.

Po kështu, në libër gjejnë vend interesimet e shkencëtarëve belgë, si për gjuhën shqipe dhe trojet shqiptare. Sidomos, kjo dukuri u theksua për Kosovën, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Me dëshmi e fakte bindëse flitet edhe për arritjet e shqiptarëve në integrimin e natyrshëm, në Belgjikë, e pranuar kjo edhe nga vendësit.

Në këtë libër trajtohen edhe përpjekjet e disa shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Belgjikë. Të tilla janë: Shoqata “Iliria”, “Albabel” (me shkollën “Vatra” të Brukselit”), “Shoqata e të Përndjekurve Politikë”(me revistën “Kuqezi”, që deri tani janë botuar rreth 100 numra të saj, në shqip e frengjisht).

Vend me rëndësi dhe të merituar në këtë libër zë veprimtaria atdhetare, arsimore e kulturore e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, që ka funksionuar tash disa vjet, në Belgjikë. Me dëshmi e fakte konkrete, jepet një mozaik i shkollave shqipe, me mësim plotësues, si në Bruksel dhe në ndonjë qytet tjetër, si p.sh. “Vatra” në Molenbeek, në Saint Nikolas etj.

Po kështu, botohen jetëshkrime të disa mësuesve të dalluar të shkollës shqipe në Belgjikë dhe që janë emigrantë: nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Ndër ta, janë edhe mësuesit Sali Abdyli, Rukie Rama, Myrteza Bajraktari e të tjerë.

Autori thekson domosdoshmërinë e vijimit të mësimit në këto shkolla, nga fëmijët shqiptarë, duke ndihmuar kështu fuqishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, gjë që i shërben edhe përshtatjes me jetën, në atë vend mik, siç është Belgjika.

…Në përgjithësi, libri i prof. dr.Kolë Tahirit “Gjuha shqipe, në Belgjikë”, ka vlera të rëndësishme, teorike e praktike, për të gjitha shkollat në gjuhën amtare, që funksionojnë në Diasporën Shqiptare. Ai u shërben, si mësuesve e nxënësve, por dhe prindërve të tyre.

Me këtë rast, e urojmë dhe e përgëzojmë atë për këtë vepër të re, duke i uruar shëndet të plotë e jetëgjatësi, botime të tjera dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

Murat_gecaj

Nga: Prof.Murat Gecaj
publicist e studiues
Tiranë, 25 korrik 2016

 

Shperndaje ne
Updated: 26 Korrik, 2016 — 07:23

The Author

Dr. Murat Gecaj

1 Comment

Add a Comment
  1. Pavlilna Terpini (Gjergji)

    I nderuar zoti Gecaj,

    Pergezoj prof.dok. Kole Tahirin per punen shumevjecare ne hartimin e botimin e ketij libri te vyer per shqiptaret ne Belgjike e gjetke.
    Jam pak e mallengjyer dhe krenare qe lexoj arritjet e pedagogut tim te lendes se Pedagogise ne Institutin Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” ne Shkoder, Fakulteti i Ghuhe-Letersi-Histori ne vitet 1963-1965.
    Ne punen time, si mesimdhenese, kam pasur parasysh dhe zbatuar metoden mesimore dhe njerezore te ketij pedagogu. Edhe pse tani nuk jam mesimdhenese, por ushtroj detyren e redaktores ne administraten e disa prej orgeneve te larta te shtetit tone (Kuvend i Shqiperise dhe Institucioni i Presidentit te Republikes)respektoj parimet pedagogjike te mesuara nga pedagogu Tahiri ne auditoret e atij Instituti aq te vyer per kumtimin ne grup.
    I kam te dy femijet e mi jashte vendit(Gjermani, Itali). U kam derguar shume abetare, libra per femije me ilustrime dhe shume botime, perfshi edhe ato te perkthyera ne dy gjuhe,mesimet qe jep kanali “Top Channel”, megjithat[ femijet e tyre kane shume veshtiresi ne te folur e shkruar, se gjuha vendase, kopshti e shkolla kane bere punen e tyre. Si mesuese e gjuhes shqipe, por edhe si qytetare, ndihem shume keq kur me vijne nipat e mbesa ne shqiperi apo kur shkoj une atje,Me shume jam detyruar une te meso gjuhet e tyre qe te mund te arrij te bisedoj me ta.
    Si bashkepunetor me zotin Tahiri, ju pergezoj edhe juve per ndihmesen e vyer ne kete fushe kaq te domosdoshme, atdhetare e shqiptarie.

    Me shume respekt
    Pavlina Terpini (Gjergji)

    Tirane, me 12.09.2019

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.