Letërsi shqiptare: METAFORA E DHEMBJES POETIKE DHE ETJA E MADHE PËR DRITË

bot_libr_bra

(Një studim për librin e përmbledhur

“Art Metafora”, të Gëzim Ajgerajt)

Br_brahim Avdyli_gjat leximit

Autori: Brahim Ibish AVDYLI

Prej veprave letrare dhe poetike që do të lexoj në mesin e qindra veprave letrare kombëtare dhe botërore, pa dyshim do të ishte edhe vepra e poetit më të frytshëm, Gëzim Ajgeraj, të botuar gjithsesi në letërsinë e re shqiptare, por të lënë anash, pa u studiuar mirë. Janë mbi 40 vepra lerare e mbi letërsinë; poezi, tregime, novela, romane, ese, recensione, kritikë letrare, monografi, dramë, poezi për fëmijë, fabulla, antologji poetike, etj. etj. Është i prezentuar edhe në librin e shkrimtarëve të Zvicrës, “Leksikon i autorëve shqiptarë në Zvicër”, i Besnik Camajt e Shefqet Dibranit, të botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, në Prishtinë 2016, por, si duket, nuk është thënë sa duhet për këtë autor shqiptar në kontekstin e përgjithshëm.

Prandaj, e pashë të arësyeshme t`i them disa fjalë për mikun tim dhe shkrimtarin Gëzim Ajgeraj, për përmbledhjen më të madhe e të ribotuar nga vetë autori, “Art Metafora”, në Shtëpinë Botuese “Revista Letrare Metafora”, Prizren 2014, me rreth 440 faqe, apo siç shënohet në fund të librit “454 faqe”.

botimet_bra

Disa nga veprat e para të Gëzim Ajgerajt;

Pa dyshim që këtë poet të mrekulluar e kam njohur që nga fillimet e deri më sot në disa mënyra: si mik, si njeri, si atdhetar, si veprimtar të përgjithshëm e aspak të lodhur; qoftë si gazetar në gazeta, si botues të veprave të ndryshme apo i revistës letrare “Metafora”; si recensent e përcjellës të veprave më të mira nga atdheu shpirtëror, i vlerave artistike nga mërgata, qoftë në artikuj të veçantë, deri te libri i tij, “Urti popullore të Vërrinit”, 1 e 2, me bashkautorin Ahmet Poniku, Ndërmarrja Botuese “Apolloni”, Prishtinë 1998, të dhënë me autograf, krahas përmbledhjes së parë poetike “Klithmë malli”, të botuar nga Shtëpia Botuese “Rilindja”, Prishtinë 1997, poashtu të dhënë me autogram, para datëlindjes sime, 04.09.1997, në Grabs (Buchs) të Zvicrës. Është vepër e bukur dhembjesh, të një individualiteti të mërguar, siç do të thoshte i ndjeri Iljaz Prokshi, në fjalën e recensuesve të tij, se ai nuk ishte degëdisur në Zvicër, në të njëjtin kanton me mua, për t`u shuar përgjithësisht, por për të krijuar pa u ndalur aspak si krijues, duke begatuar letërsinë shqiptare, deri te vepra e tij e mbramë, që do të mund të shkruaj.

auto_bra02Gëzim Ajgeraj u lind me 06 gusht 1967 në Lubiçevë të Prizrenit, në Malësinë e Vërrinit, i cili do të thoshte që atëherë se “unë jam një grusht dhé i Sharrit/në trastën e mërgimtarit”[1], duke pasur si mik mikun tim të vjetër, Faridin Tafallarin, të cilin, zatën e njoh që prej demonstratës së 30 majit 1981, në Gjenevë. Në Grabs apo në Buchs të Zvicrës është bërë prodhimtar i shumë veprave letrare, si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe padyshim si mik i imi. Ai është shkrimtari më i ri, më prodhuesi, më i palodhuri, në letërsinë e përgjithshme letrare shqiptare.

Me këtë rast, më kujtohet Xhonatan Kalleri, i cili, duke folur për letërsinë, e cila nuk do mend se është mjaft e vështirë, që konstaton se veprat letrare janë forma të marradhënieve të llojllojshme, dhe forma e tyre është një veprim i të shkruari apo i një ngjarje tekstore që na e merr vemendjen tonë. Ajo e dërgon lexuesin të trajtojë si letërsi të gjithë ate që ne e lexojmë nga një autor, në kontekst të identifikimit të letërsisë, qoftë një libër poemash apo vepër tjetër letrare dhe është konteksti letrar që ma bën të trajtojmë si letërsi. Letërsia është gjuhë e veçantë në të cilën vihen edhe elemente të komunikimit në një marradhënie të ndërlikuar, e që janë përbërës të tekstit, edhe në saje të përforcimit të kundërshtive dhe mospajtimeve.[2]

Në rastin tonë, parasegjithash duhet të trajtojmë si “letërsi” dhe “letërsi e të gjithë shqiptarëve” letërsinë e Gëzim Ajgerajt të shkruar në mërgatë, me mallin e pashuar të një poeti të veçantë, me një klithme malli apo mallëngjimi “udhëve të botës”, e deri te shfrimet një pas një të thirrjeve të dritës e të lirisë, për një ditë më të mirë.

Nuk është rasti që të marrim lapsin në dorë për një poet, por janë disa vepra të tij të veçanta dhe të lexuara qoftë edhe prej meje, sepse veprat e tij janë të shumta, por kjo vepër që e kemi në shqyrtim është një vepër e ripërmbledhur, mjaft voluminoze e poezisë, me titullin simbolik “Art Metafora”, sepse është arti i tij poetik.

Pa marrë parasysh njëherë idealin e shenjtë të poetit Gëzim Ajgeraj, për Bacën Adem Demaçi, të përkujtoj promovimin e poezive të dërguara te Selatin Novosella, për çka më kishte zgjedhur mua të jem aty, për të marrë pjesë në vend të tij në promovim, për veprën e autorit Selatin Novosella, “Demaçi-aromë atdheu”, është e pamohuar që ta rikujtoj këtë dishepull të gjallë të të gjitha vuajtjeve të kombit tonë, në Neuendorf të Argaut, pranë Badenit, me 11.10.2015, përmes elegjisë së veçantë simbolin e qëndresës:

 

“Në sytë e tij

Shihni diellin e lirisë

Si shëndrinë

Labiritheve të ferrit”

 

(“Elegji për simbolin e qëndresës”)[3].

 

Ishte e pamohueshme të mos çmallesha edhe njëherë me simbolin e rezistencës dhe e qëndresës së lirisë mbarëkombëtare me këtë poezi të Gëzim Ajgerajt, edhe pse që herët e kisha nxjerrë revistën gjithëshqiptare, me emrin domethënës “Qëndresa”, e me qëndresën kombëtare e lirinë e vërtetë isha njëzuar kurdoherë, por poezinë për Bacën Adem Demaçi ende e kisha të paredaktuar e të lënë jashtë këtij libri…

Poetit Gëzim Ajgerajt, ne po i kthehemi. Ajo që e fillon këtë vepër madhore është etja në fjalë, pra mungesa e theksuar e vendlindjes, e Sharrit, e Vërrinit të tij:

 

“Silueta të trazuara në kolonën e mallit dhe orën e shprishur

I huaj mes të huajve dhe damkën e përbuzjes prapa shpinde…”

 

(“Etje në fjalë”, faqe 5, në fillim të veprës, pa numër).

 

Pikërisht për këtë “thatësi” të vërtetë vargjesh, për çka “digjet” kënga nëpër viset të cilat duken të huaja, shkrihen lotë dhe dita bëhet më e hidhët se pehlini, poeti i dhimbjes i ngushëllon vargjet, që të mos t`i zërë harrimi, derisa thotë:

“Himnit të largësive ngrij flamurin e ylbereve të fjalës

Largësitë tek i lidhë nëpër jehonën dhe krismën e saj

Që na e nxjerrë nga harrimi e më kthen atje ndër lisa

Mes dashurisë suaj, mes ëndërrave, mes kullave të shkreta

Kur përhyjnojmë ecjet tona e ditës i vëmë një emër

Me netët e vona gëzojmë edhe kupen e qiellit e atdheun…”

 

(Më poshtë, e njëta poezi, “Etje në fjalë”).

 

Më së mbrami të kësaj poezie, në Vërri, në Sharr, poeti i ruan ende të pakënduara këngët për qëndresën, sepse aty e bënte shkrumë nëpër kulla dashurinë për lirinë, prandaj e shtron në mënyrë të pashmagshme pyetjen se çka mund t`i jepte vargut të tij në atë udhëtim alpesh, kur ikja mbytet zjarrmisë e kolona e mallit e le vetëm.

 

Me këtë poezi antologjike, që e fillon vargëtimin jashtë atdheut të tij shpirtëror e plotë dhembje poetike, na vijnë në kujtesë “Plagët në fjalë”, “Anatema e fjalës së përmalltë”, “Çast alpik”, apo “Motet e etjes së madhe”, etj. etj., në të cilat, emrin e vargjeve të shumta ia lë dritës, si porosinë e vetme të mbetur gjallë.

Në të vërtetë, të gjithë ata që përpiqen në jetën e përkohshme, i kushtohen dritës së madhe të jetesës, e cila është drita për një jetë më të mirë, lirinë e përgjithshme dhe kombëtare, për të cilën mija dëshmorë e dhanë më të shtrenjtën jetë për lirinë-kundër robërisë; për pavarësimin e një pjese të vendit nga dhuna shekullore; për një jetë më të mirë se jeta nën sklavërim, nën robëri e nën varfëri.

Këtë dritë, dritën e lirisë, e dëshiruan të gjithë ata që u sakrifikuan, sepse liria aq shumë i mungonte Kosovës, Maqedonisë shqiptare; dhe mjaft viseve të tjera, madje i tërë atdheu i ynë shpirtëror është nën dhembje të mëdha, pa qenë i bashkuar.

Poeti Gëzim Ajgeraj ia lë emrit të tij një kandil që t`i bëjë dritë përherë, sepse:

 

“Po i lëmë shumë fjalë kësaj bote e s`do e marrim asgjë me vete

Dhe do të iki duarthatë pa asgjë në gji e asgjë në xhep

Le të themi se fjalët e mira janë drita e kësaj bote, ti hapësirave (u) trete

E të themi se i dhashë gjithçka pata, e asaj që quhet jetë…”

 

(“Lum ai që emrit i len dritën”, faqe 23, të numëruara prej meje).

libr_bra04

Kopertina e librit të ribotuar në një përmbledhje, “Art Metafora”, të Gëzim Ajgerajt;

Nuk do shumë mend të dihet se përse këtij libri voluminoz ia lë titullin e revistës letrare, “Metafora”, në Buchs e Prizren, duke dashur që vargut të këngëve më të mira, plot dhembje e mall për atdheun shpirtëror, ta titullojë “Art Metafora”. Ne po i kthehemi metaforës nga teoritë e ndryshme, për të parë figurat e fjalëve, në të cilat hyjnë të gjitha stolitë poetike, e grumbullohen në dy grupe: tropet dhe figurat. Tropet përdoren shumë shpesh, ndërsa figurat krijohen si rrjedhim i ndryshimit të domethënies themelore të disa fjalëve, në stoli të bukura të artit.

Me metaforën si figurë e letërsisë barten kuptimet e fjalëve nga jeta e përditshme në shprehjen artistike. Ato ndërlidhen me kuptimet e tyre në mes të sendeve, duku-rive natyrore dhe të folmes artistike. Me këtë gjuhë do të jenë të lidhura në të folurën artistike, me metaforë e alegori, e cila është ndonjëherë metaforë më e zgjatur, dhe janë karakteristikat e veçanta të gjuhës letrare. Domethënia e re realizohet në këtë kontekst të veçantë, dhe i ndërlidhë njohuritë e mundshme jetësore me ndjenjat. Ajo është figuara më e njohur në përgjithësi. Pra, është një krahasim më i shkurtër artistik, në mes të sendeve, njerëzve, veprimeve e objekteve kuptimore të tyre në jetën e përditshme me domethënien artistike e të befasishme dhe kuptimore.[4]

Metaforat janë të shumta në poezinë e Gëzim Ajgerajt. Ne po i marrim me këtë rast për të argumentuar thëniet tona, si psh.: kolona e mallit; silueta të trazuara; damka e përbuzjes; pentagrami i udhëve; tingujt e dhimbjes; flamuri i ylbereve; etja e fjalës; daullja e harrimit; flaka e mallit; kronika e ikjeve; ajkën e fjalës; gjeografia e udhëve; portat e shpresës; strofulla e mendimit, dritë mendimi, kokrra e mendimit; pema e fjalës; prehrin e vetmisë; epoka e dhembjeve; sofra e mashtrimit; klithma e lirisë; lisat e atdheut; ylberët e largësive; rishpalosja e plagës; etj., që janë shprehje artistike dhe të befasishme kuptimore me kuptimet e tyre në jetën e përditshme.

Po e themi shkurt me fjalët e profesorit të nderuar të letërsisë sonë bashkëkohore në Fakultetin Filologjik-Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, Prof. Dr. Agim Vinca, të Universitetit të Prishtinës, në studimet postdiplome, kur thotë lidhur me letërsinë shqipe dhe teorinë postmoderne, se “letërsia shqipe, për shkak të vonesës së kritikës sonë, nuk është studiuar sa duhet nga aspekti interlektual dhe me instrumentet e kësaj metode, por kjo nuk do të thotë se veprat e shkrimtarëve tanë, të djeshëm e të sotëm, nuk qëndrojnë në raporte interferuese me traditën letrare e kultu-rore shqiptare e botërore”.[5]

Poezitë më të mira të Gëzim Ajgerajt qëndrojnë në raporte interferuese me traditën kulturore letrare, por ai është një zë i veçantë metaforik e simbolik për të nesërmen e bardhë, siç na thotë ai, në poezinë “Çast”. Atij, në prehrin e vetmisë i mungojnë prore miqtë e vërtetë të poezisë. Ia lë porosi plisabardhit që të kuptojë dhelpëritë e armiqve të hershëm e të pafytyrë “me thikë pas shpine”- Serbisë, ti ruhet mashtrimit e pabesisë, ndonëse ka pak miq e shumë armiq, si të gjithë, sepse:

 

“Sa herë të rrahin shpinën kujdes gjoksin

Pabesia e tyre njëherë të plandosë e s`ngrihesh kurrë më…”

 

( “Porosia”, faqe 33, ende të numëruar prej meje.)

 

Duke ikur edhe i ndjekur prej ndjekësve, me dashurinë e vargut poetik, në Zvicër, e rishpalosë kurdoherë plagën, me strajcën e madhe të mallit, rrugëve të botës:

 

“Ëndërrat tona na i vrau gjarpëri i veriut të zi

Na i ndoqi fjalët, këngët, na e vrau lirinë tonë

Na hodhi përtej harrimit të udhëve…”

 

( “Rishpalosje e plagës”, faqe 56, sipas meje.)

 

Kjo është “kronika e ikjeve”, kur i shpalos “plagët në fjalë”, pikërisht “harrimit të udhëve”. Ai vie me “atdheun në gji”, nëpër udhët pa fund. “Daullja e harrimit”, “bar i harrimit”, kur “fjala digjej largësive”, apo “flaka e mallit” janë metaforat e shprehjet metaforike, që nuk na lënë të qetë, nëpër “motet e etjes së madhe”.

Madje, e thot hapurazi në poezinë e tij “Na hodhën përtej atdheut”, që “lulet e mendimit të lirë mos të rriteshim”. Kokat e mendimit janë lënë përtej atdheut, me mija vështirësi. Ata nuk janë të paktë. Atje, sabotohen me çdo kusht.

Për këtë përpiqet me çdo kusht të zbusë metaforën e mendimit me gjuhën e butë të mendimit, pavarësisht se ecë nëpër tehun e mbijetesës.[6]

Kështu arritë shpeshherë ta zbutë metaforën e ngurtë dhe poezitë i lë në vargun e tij tradicional të poezisë lirike, me pak shprehje metaforike, sa herë kur e do rasti. Poezia e tij lidhet më fort me poezinë tradicionale, se sa me poezinë postmoderne dhe është një plagë e re nëpër plagët e vjetra jashtë atdheut; është edhe metaforë e mallit të pashuar të atdheut; për trollin e lindjes; të Vërrinit të tij; e për çdo gjë që i lindë udhëve të mërgimit, për të nesërmen më të mirë. Edhe kur i lindë në Alpe, atij ia zgjon një kujtim, një fjalë, një varg nga ky mall i dhembjeve të Atdheut. As në perëndim nuk ka aspak qetësi. Është gjithmonë me vargje, edhe kur shpirti i qanë…

 

“Ditë të përmalluar të udhëve

Edhe me copëzat e shpirtit të përvëluar

Dritë nga qirinjtë e pashuar të mendimit dua të u fal

 

Tri dekada rrodhën ujvarë mbi zjarrin e mallit

Po këngën s`e shuan e s`e shuan

 

E ç`tu japë më tepër nga kjo largësi

Kur fijet e ylbereve të malllit ikin orë e çast

E më prongosin udhëve…”

 

( “Për dritën tuaj”, faqe 97, të numëruar nga unë.)

 

Kështu thotë poeti, kur i qanë të tri dekadat që i rrodhën si ujvarat dhe mbi vetë zjarrin e mallit. Shpirti i poetit është përvëluar nëpër vargje; nëpër sa përmbledhje; nëpër sa e sa libra; që do t`ia falë lexuesve të paktë “qirinjtë e pashuar të mendimit”, sepse zemra i djegë për buzëqeshjen e paktë përballë ligësisë. Ai njëjsohet me dritën dhe dhembjet i shtydh plot mall. Vërtetë, në çdo çast, përqafon vetëm mallin, nëpër udhët pa fund, përtej Alpeve.

“E ç`ti jap muzës së mendimit kur etja e fjalës më ka zjarrmi

E largësia në mes na i shkrumon fijet e ylberave të përmallta…”

 

( “Çaste alpike”, faqe 99, të numëruara prej meje.)

autori_bra

Një fotografi e kombinuar për portalin e tij në internet;

“Metafora e mallit”-thotë poeti në shkrimin e tij <Metafora e udhëve të përmallta>- kjo plagë jo e re, sikur ka vërshuar me shekuj ndër ne, kështu rrjedha e saj s`ka të ndal (ë) ur. Ajo, përditë po na i gërryen kullat, trojet tona, farën tonë edhe ashtu të sakatuar nëpër shekuj. Ngado ku shkon e ku shkel gjeografive të botës, është e pa-mundur të gjesh bimën tonë. Rrita e saj ka lëshuar shtat gjithandej, po plagët pak kush ia shpalos. Dhimbja e kolonave të mallit është klithma e vargut, i cili hyn në poret e kësaj kolone për ta shpalosur ate”.[7]

 

“Nëpër muzën e mendimit

Vetmia djeg imazhet e mendimit

E pika-pika bie dhimbja mbi heshtjen…”

 

( “Nëpër vetminë e mallit”, faqe 105, të numëruara prej meje).

 

Pra, dhembja, vetmia, malli i pashuar i vendlindjes, i Atdheut, i kodrave të larta të vendi tonë, të cilat i quajmë Alpet e Shqipërisë; e Prizrenit; vazhdon nëpër udhët e përmallta të poetit, ku autopsia vazhdon t`ia shkruajë mendimet:

 

“Udhët m`i vodhën ëndërrat

E nëpër dhimbjen e ikjeve ndërtuan piramidën e mallit

Brenda gurëve na i varrosen dekadat e arratisë…”

 

( “Eh, ç`qenka jeta e një mërgimtari”, faqe 106 ).

 

Etja e vargjeve e shkrumon shpirtin e djegur për atdheun. Poeti e ka shprehur

shkrumin e mallit nëpër gjeografinë e ikjeve, udhëve pa mbarim. “Piramida e mallit” dhe “dekadat e arratisë” janë disa metaforat e dhembjes, sikurse vetë “gjeografia e ikjeve”, e cila është metaforë në vrushkullin e vargjeve, të cilat, nuk janë të vetmet, sepse metaforat e panumërta nuk kanë përfundim me këto vargje.

Vargu i tij është brum për idenë apo muzës së idesë; fuqinë psikofizike të talentit të tij, që i gërsheton në artin krijues; pa i lënë anash dhembjet e ndjenjat, të cilat e afrojnë me lirikën, duke e përcjellur edhe në ngritjen e artit të veçantë. Materiali i tij është poezia, e dialekti i saj është fjala, siç e thotë Borgesi, kur i kthehemi jetës së poetit mërgimtar Gëzim Ajgeraj dhe brumit të tij poetik, shohim se mërgimi, largësia, mungesa e atdheut, malli, udhët e Alpeve, ikja në arrati, etja për dritë, për liri, për të mirën e kombit, etj., bëhen të pandara prej vargjeve të veprës së tij voluminoze.

“Nuk ka asgjë më besnike se përvoja personale dhe besimi në vetvete, i cili duhet të shoqërojë një krijues në udhën e tij të pendës”.[8]– thotë poeti.

autori_bra_1

Portreti i poetit Gëzim Ajgeraj;

Përvoja e poetit Gëzim Ajgeraj dhe asnjë shkrimtar përparimtar shqiptar- kështu më duket mua- nuk dëshiron t`i kthehet me dëshirë natës; errësirës; territ; robërisë; dhunës e padrejtësisë, baras me shkeljen e dhunshme të kombit- përveç kontestimit të tyre. Përkundër këtyre, dëshiron më me dëshirë permanente t`u kthehet etjes për dritë; mugullimit të saj; dritës së diellit; rrezatimit të dielllit nëpër ëndërra; etj. sepse Dielli ishte dhe është simbol i shenjtë i Ilirisë për lirinë, përtrirjes së madhe të tij për lirinë; përparimit të njerëzimit dhe e kombit shqiptar:

 

“Nga një etje fjale e zgjuar nga gjebra

Që vloi furtunave moteve pa dritë

Ecja (e) idealit rrugës përplot gjemba

Ishte fjala e dritës që s`ndalej pa frikë…

 

( “Etjes për dritë” , faqe 117, e numëruar prej meje).

 

Është zemra e tij e piklluar që pikon dhembjen në fjalë, pandaj vargu “është për-mbytur në detin e mallit” (“Fjalë e dhimbë”, faqe 113), “për qiellin e lirë të shkëlqimit tënd”, sepse për këtë dritë e për liri nëpër qiellin e fjalëve, ai ka mundur mija herë edhe të vdes:

 

“Nëpër rritën tënde kush e di sa herë i kam ndezë qirinjtë e dritës

Dhe me copëzat e shpirtit të etur për bardhësinë t`i ushqeva motet

Ende ja ndjej duhmën e shkrumit të kohëligës që na verboi…”

 

( “Për fjalën” , faqe 115, prej meje ende të numëruara).

 

Sepse për këtë ndjenjë të hershme, të lirisë së madhe që na mungonte, që dritën e ndezim edhe nëpër ëndërra si qirinjtë e dritës nëpër errësirën e kobshme të palirisë, rrjedhë te Gezim Ajgeraj “kroi i fjalëve”, si poezi antologjike, të cilën po e japim këtu tërësisht, sepse idetë dhe mesazhet që ka, rrjedhin më tutje:

 

“Aty pijnë ujë muzat e mendimit

E freskohen zanat e metaforave të së nesërmes

Edhe kur ka mall shpirti

Edhe kur zjarrmia djeg ballin

Rredha e tij s`ndalet

 

Burimeve të rrjedhës së kujtesës

Gurgullojnë vargjet e dritës

Nga damarët e fshehtësive të shpirtit

                                             që shpërthen

 

Të thella i ka puset e burimeve

E pashtjerrshme rrjedha e tyre

Përherë i freskon këgët e etjes sonë

 

Edhe atëherë kur edhe heshtja fle

E pëllumbat e etjes bëjnë gjumin e tretë

 

Rrjedha e jote vërshon vargjeve për dritë

E ia shuan etjen këngës

 

Këngët e jetës i mbushë me freski

Nëpër rrjedhën e vargjeve

I shtrinë damarët e dritës

 

Lum ata që pijnë në kroin e saj

E i freskojnë dritën e së nesërmes

Me këngët e saj.”

 

( “Kroi i fjalëve” , faqe 117, ende të numëruara kështu prej meje).

 

Pra, zgjohen kështu këngët e dhimbjeve “sikur na kishte djegur malli” (faqe 127). Vjen malësia e Vërrinit; Zinava, që është shkatërruar nga okupatorët e pashpirtë serb, si vendbanimi mesjetar në Opojë; Lezi, një fshat tjetër në regjionin e Vërrinit, e cila është djegur e shkatërruar plotësisht apo është zhdukur nga “faqja e dheut” nga të njëjtit okupatorë “prej veriut”, ku janë vrarë shumë luftëtarë të UÇK-së; Vërrinit; Prizrenit; Sharrit e Pashtrikut, etj., për dritën e të së ardhmes së madhe.

Në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, është “rizgjimi i kujtesës”, sepse pema e jonë i ka rrënjët në gjakun e trojeve tona ( “Pema e jonë”, faqe 141).

 

“Nëpër terrin e netëve tua

Digjeshin për pakëz dritë

Robëria na i nxinte ëndërrat e bardha…”

 

( “Duke kërkuar dritën tënde”, faqe të numëruar prej meje, 144).

 

Sepse, “me gjak e asht nëpër shekuj të thura kuroren e dritës tënde” (“Atdheu i ëndrrave të mia”, faqe 151, numëruar kështu prej meje).

Ujvarat e dhembjes hyjnë nëpër portat e mallit dhe pikat e mallit pikojnë nëpër imazhin e dhembjes. Ato rriten në dekadat për mall, deri sa u rrit fara e jonë nëpër udhë zjarri. Nëpër këto udhë janë rritur edhe këngët për dritë, për një ag tjetër të ri, siç na thotë poeti dhe recensuesi i veçantë i poezive, Ilam Berisha:

“Etja për dritën, që populli i ynë e ushqeu nëpër shekuj… është kënga e përhershme e tij, sepse të gjitha rrugët e mesazheve në vargun e tij të qojnë kah liria e atdheut. Vetëm të lirë do të mund t`i bënim ballë furtunave të kohëve, që me shekuj kanë rënduar e po rëndojnë pasojat e tyre mbi ne. Pra, vargu i tij nuk është vetëm mesazh, por shpërndan rreze drite e cila ne do të na shërbejë për një vision të shëndoshë drejt diellit të atdheut”. [9]

Është tepër e qartë se kthimit të poetit i bëjnë pritë futunat e viteve dhe se degët e trungut të shenjtë të Arbërit (Arbërisë) po i zhveshnin katrahurat:

 

“I pamë duke krasitur lisa e pipa dheut arbëror

Furi e saj i ngjasonte kobit

Askush s`ia preu udhën bishës

 

Hyri kullave derë më derë

Virus i murtajës që si dihej filli

Fundi i saj ishte plot lot…”

 

( “Furtuna e udhëve” , faqe 223, të numëruara prej meje[10] ).

 

“Gjapri i veriut me skafander e helmetë na e vrite qiellin”, edhe për ne kjo gjë kishte shumë rëndësi, madje qiellit të mendimit tonë “i gjetëm tjetër qiell fjalës”, “që të mos na lidhej nyjë gjuha” (“Në këkim të lirisë së mendimit”, faqe 225, të shënuar me këtë numërim), por kjo gjë doli ndryshe dhe etjes sonë do t`ia shkurtojë gjunjët që të mos mashtrohej me udhët, sepse:

 

“Ëndrres sate të udhëve

Kurr s`e kape diellin e shpresës

Mbete vrap pas rrezes

 

Vrapi i yt m`i ngjan

Luftës me mullijtë e erës

 

Ti kujton se ke zërë dritën

Vrapit tënd nëpër errësirë…”

 

(“Në kërkim”, faqe të numëruar prej meje, 239).

autoretr_bra

Me dy miq të ngushtë të tij, Qazim Thaqi e Ilam Berisha;

Dhe kjo është një mësim i madh për ne, sepse nuk guxon të na mashtrojë armiku shumëvjeqar, me miqtë e vet të shumtë nëpër Evropë e Botë, kur, diku largë, na e premtojnë diellin ( “Mashtrimi mos të të gënjejë”, faqe 245). “Mallin e lamë roje” (faqe 242), thotë poeti në një poezi të veçantë, por “pemën tonë na e mbledhin të tjerët” , përderisa është:

 

“Vështirë të gjendet një rreze dielli

T`ia ripërtërijë rriten…”

 

( “Pemën tonë na e mblledhin të tjerët”, faqe 251). Sepse:

 

“Ditë për ditë mendimin e marr me të mirë

Të më shkëlqejë në varg dritë e mirësi

Sa t`ia jap qiellin e (ta) lëshoj të lirë

Në dritën e fjalës harbon kjo zymtësi”

 

(“Ku t`i gjëj vend fjalës”, faqe 257),

dhe vjen prapë “Melankolia” (faqe 259), pasi na kanë hedhur për shumë kohë përtej Atdhet, nëpër udhët e botës (“Na hodhën përtej Atdheut”, faqe 260)…

gjat_lib_bra

Në një orë letrare në Konsullatën e Republikës së Kosovës, në Zürich të Zvicrës;

Këtu janë disa nga idetë kryesore të mesazheve të poetit Gëzim Ajgeraj, të cilat na dalin nga vargjet e tija e të shumta në këtë përmbledhje të ribotuar, me 440 faqe, pa e marrë parasysh “vetvrasjen” time të palejuar prej Zotave, një dramë voluminoze[11], sado që thonë disa vetë se “i ke përmbledhur 5 drama”, përshkak të përzënies nga atdheu autokton edhe shpirtëror, të cilën e kam përjetuar vetë dhe i kam të qarta të gjitha nuansat e kësaj drame shpirtërore. Mbi dashurinë e tij shpirtërore “harbojnë furtunat”, dhe “mbi degët e tua përplasen rrufetë” (poezitë “Mbi dashurinë time harbojnë furtunat”, faqe 284, dhe “Mbi degët e tua përplasen rrufetë”, faqe 285), sepse ai shfryen dëshprimin e vet në këto vargje:

 

“Vdekjen s`dua ta bëj këtu

I harruar edhe ashtu jam

Kthimi në atdhe më pret…

 

Shpresën e ushqej përditë…

Malli djegur m`i ka udhët… “

 

(“S`dua të vdes udhëve”, faqe 290),

 

dhe kthimin ende nuk e gjënë. Poeti përherë e kërkon dritën e fjalës:

 

“E kërkuan nëpër terrin

E moteve shekullore

Me fanar në dorë

Ia ndriçuan natën

Që të mos e verbonin

Motet e harrimeve…”

 

( “Drita e fjalës” , faqe 297).

 

“Vargun për Diellin e Atdheut s`e ndal” (faqe 305), thotë vetë poeti, në një poezi të veçantë dhe të bukur. “Nëpër qiellin e vargut tonë ngrihet dielli”, shkruan në fund ai, sepse “vërtetë këto udhë– pra, udhët e panumërta të mërgimit-na lanë të harruar” (faqe 314, titulli i poezisë së Gëzim Ajgerajt, sikurse poezia në faqen 305).

Udhët qenë kurdoherë doemosdoshmëria e pseudolirisë, sepse jeta në mërgim apo jeta larg atdheut, i cili ende ka mbetur një atdhe i pabashkuar dhe jo tërësisht i lirë, ku përditë shiten pak nga pak trojet arbërore, s`është jetë në kuptimin e plotë të fjalës. “Sfidat e reja në atdheun e lirë, herë-herë i sfidonin edhe kthimet… Ai ndodhej largë me trup, por “me mendjen e me shpirt, në zemër të atdheut” [12]. Poeti “nxitonte të kthehej me dritë”, siç na thotë titulli i tufës së mbramë e poezive të këtij ribotimi. “Mesazhi i vargut– thotë Ilam Berisha në parathënien e këtyre poezive- bie si një shkëndijë drite, që ndriçon në muzen e mendimit për një kthim prej andej nga janë nisur udhët. Udhët e nisura kanë dhe një skaj që dikur do t`u vijë fundi. Mesazhi i vargjeve na përtërin mendjen, duke mëtuar që të mos bëhet vonë”.[13]

 

“Shpresës së kthimeve orë e çast ia shprish mjegullën e harrimeve

Etjes i jap ujë nga gurrat e vendlindjes me frymën e flladeve në Vërri

Dhe me orët e shkrumbuara (të) mallit e djegin pritjen…”

 

( “Në pritje të kthimeve” , faqe 330, e shkruar 340).

 

Vërtetë, Kosova është një ëndërr e plagosur (Titulli: “Kosova, ëndërr e plagosur”, faqe 351, e shkruar faqe 361). Amaneti i pakryer i Ymer Prizrenit dhe i gjithë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vie nëpër hartat e copëtuara të Atdheut, si amanet i brezave, me të drejtën për bashkim kombëtar:

 

“Ideali i pakryer i atdheut sa rrudhshëm po ndrydhet balllit tënd

Çamëria, Plava, Presheva, Dibra… mbeten kësule e shqyer e atdheut

Shqipëri e Kosovë leckë nëpër pazaret e plaçkave të Evropës

Sa keq më vjen Ymer Prizreni se përsëri po t`i rishpalos këto plagë…”

 

( “Amanet i pakryer” , faqe 350, e shënuar faqe 360).

 

Ne “duhet ta rrotullojmë edhje njëherë historinë” (po aty, te kjo poezi), sepse kjo premisë e përhershme ende nuk është kryer, edhe pse kur dhemb shumë e vërteta (faqe 355, apo siç është shënuar, faqe 365). Ne i zëmë “prita diellit” (faqe 358, apo siç është shënuar aty “368”- titull i poezisë), sepse “ky ves i keq, … mi zemëron sheshet e mendimit” ( titull i poezisë në faqen 361, apo të numëruar gabimisht 371), sepse ka hyrë keq në gjakun tonë politika (“Keq na ka hyrë në gjak politika”, një titull tjetër i poezisë, faqe 376, i shënuar gabimisht “faqe 386”). Poeti nuk i nënshtrohet kurrë harrimit, siç nuk duhet të nënshtrohet i tërë populli.

“Do ta vënë në kornizë

Që të na i ruajnë kujtimet e udhëve tona…” -thotë poeti.

 

( “Piktura e mallit”, faqe 386, e shënuar aty, faqe 396).

 

Njollat e smirës bëjnë gjurmë të pashlyera në jetën publike të Kosovës. Koha e ligë është vërtetë një kohë kaosi, siç e vëren edhe poeti. Ndërskëmbëcat vëllai kundër vëllait janë kurthe të rënda të armiqve tanë shekullorë dhe të serbit, si një “praktikë” e lënë edhe në Kosovë, prej kohësh, sepse:

 

“… nata të vërboi mungesës së dritës…”

 

( “Flatro i lirë zogynë”, faqe 403, e shënuar aty me faqen 413), edhe pse:

 

“Për dritën tënde

Gjakun e derdhëm lumë…”

 

( “Kosovës”, faqe 414, e shënuar me numrin e gabuar të faqes “424”).

lex_bra03

Publikim nga Leksikoni me shkurtesën e biografisë-1;

Poeti ia dergon edhe një “Letër Atdheut” (në faqe 428, me numrin e gabuar 438), pas dhjetra poezive të ngjajshme, si psh.: “Fytyrat e dashurisë së Atdheut” (në faqen 418, me numrin e gabuar 428), por kjo është dhimbja e tij që nuk mbyllet për këtë vend asnjëherë, edhe pse duhet të kalojë:

 

“Nëpër teh shpate njëherë kalohet

Dhimbjeve të saj i ka rrënjet liria

Çmimi i saj janë dhe këto plagët e mija”.

 

( “Dhimba që s`mbyllet kurrë”, faqe 425, gabimisht të mumëruar “435”).

 

Prandaj, e lë edhe një testament poeti, sado që ende jeton:

 

“Nëse e kam lënë diku një fjalë

Merrmani me etjen e dritës

T`ju ndriçojë të nesërmen…”

 

( “Testament për fjalën”, faqe 441, gabimisht të numëruar “451”).

lib_bot_bra

Publikim nga Leksikoni me një shkurtesë të veprave-2;

Poezitë dhe mesazhet e tyre të këtij libri të ribotuar janë mjaft të mira. Tjetër është thyrja e gabuar e librit nga shtypësi. Por ai është mjaft i pasur dhe me një kopertinë mjaft të mirë të autorit. Ne e shikuam tërësisht këtë përmbledhje, aq sa mundëm.

Po e përfundojmë me fjalët e poetit, ku poezia na vjen si një brum, me të cilën krijohen figuracionet e ndryshme artistike, si “simbolikë, një shenjë, një send, ajo emëron diçka, por ajo hyn në varg (edhe) me shumë fjalë të tjera, (atëherë) lidhshmëria e tyre herë herë transformohet në simbolika, në metafora, të cilat edhe i japin kuptimin vargut apo poezisë.” [14]

Poezia e Gëzim Ajgerajt me kuptim të gjërë në vazhdimësi. Dhashtë Zoti e krijon vepra të tjera poetike kësisojit e më të mira!…

 

[1] Gëzim Ajgeraj, „Autoportret“, të librit „Klithmë malli“, Rilindja, Prishtinë 1997, faqe 43.

[2] Xhonatan Kaller, „Teori letrare/ Një hyrje shumë e shkurtë“, SHB „Era“, Prishtinë 2001, faqe 35-36.

[3] Selatin Novosella, „Demaçi-aromë atdheu“, SHBPK, Prishtinë 2014, faqe 70.

[4] Shikoni për këtë p.sh. te Milivoj Solar, “Teorija e letërsisë“, Rilindja, Prishtinë 1978, faqet 83-85.

[5] Prof. Dr. Agim Vinca, „Kurs i teorive letrare“, SHB „Libri Shkollor“, Prishtinë 2002, faqe 249.

[6] Shikoni mendimin e tij të datës 18 qershor 2013, në http://www.facebook.com/gajgeraj/posts/10208911586282453 apo shkrimin në libër, „Përpjekje për ta zbutur metaforën e mendimit“, faqet 87-91.

[7] Shikoni nësë dëshironi shkrimin „Metafora e udhëve të përmallta“, në vazhdimin e veprës së cituar, faqe 216-218, ose në FB, http://www.facebook.com/gajgeraj/posts/10208911578202251, të datës 18 qershor 2013.

[8] Gëzim Ajgeraj, „Metafora e poezisë/Studime letrare“, Revista Letrare „Metafora“, Prizren 2015, faqe 20.

[9] Ilam Berisha, në shkrimin kritik „Vargu si terapi malli“, të dhënë në librin e tij poetik, faqet 206-207, të numëruar kështu prej meje, sepse ende nuk ka numra të vendosur faqesh…

[10] E thashë disa herë se i numërova kështu faqet, që nuk kishin aspak numra të faqeve. Ky „gabim“ i ngjanë vetëm shtypësit „të lirë“ të veprave, në Prizren, sepse kjo gjë më ndodhi edhe mua. Shtypësi e merrte përgaditjen e vargjeve me një Laptop (Notbook) largë shtypëshkronjës ku punonte dhe ta sjellte librin “të gatshme” të shtypur. Në Laptop e ndërronte njëherë formatin e përgaditjes dhe nuk i besohet se a e përgaditë vetë apo dikush tjetër botimin, porse botimi është më i lirë se të tjerët. Në qoftë se i thua për një ndryshim, ndoshta e merr, por i shlyen numrat e faqeve dhe nuk i vendos thyerjet e faqeve, ashtu siç e do natyra e vërtetë e shtypjes. Kështu, Gëzim Ajgeraj nuk i ka të „vendosura“ mirë faqet dhe nuk i ka të vendosura numrat e faqeve, deri në faqen 322 (332). Atëherë vendoset numri i faqes 332, pra 10 faqe më pak se botimi. Kjo tregon se shtypësi i ka shtyrë përpara faqet e thata, që të ruaj sadopak letrën e shtypit dhe ndonjëhere edhe i ka përzier faqet. Ai nuk është “botues i veprave”, por veprat i shtyp, pa dijen e shtypshkonjës. Është vetëm shtypës, por jo grafik, dhe jo përgaditës i veprave dhe as nuk e njeh përmbajten e veprës. Në fund të librit na del faqja 454, pra 14 faqe më shumë se ka botimi. Aty janë gjithsejt 440 faqe me këtë “përgaditje”. Ky faj i bjen shtypësit dhe jo aspak autorit…

[11] Brahim Avdyli: “Vetvrasja e një poeti”, dramë televisive apo thjeshtë dramë e imja, me një titull provokativ, të botuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, në Gjakovë 2013.

[12] Shikoni në fund të pasthënies së pjesës së poezive “Kthimit furtunat m`i bëjnë prita”, faqe 317, pa autor, që ne e dimë se janë të poetit Gëzim Ajgeraj.

[13] Ilam Berisha, „Vargjet e udhëve të zjarrmishme“, faqe 322-326,e shkëputur nga pjesa „Koha për kthim”, faqe 326. Tani, janë vënë numrat e faqeve, por janë 10 faqe më tepër, e faqet janë më të ngjeshura se ç`i ka lënë autori (332-336).

[14] Gëzim Ajgeraj, „Metafora e poezisë/Studime letrare“, e cituar më lartë, faqe 63.

Shperndaje ne

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.