IDETË PËR KUSHTETUTË TE SHQIPTARËT E KOSOVËS (Me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Kushtetutës së Kosovës, më 7 shtator 1990)

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

kosova_shqiperi
(Me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Kushtetutës së Kosovës,

më 7 shtator 1990)

Idetë për kushtetutë te shqiptarët e Kosovës i kanë rrënjët në përpjekjet e përgjakshme të popullit tonë për të krijuar shtetin. Përpjekjet e tilla janë konkretizuar në demonstratat e vitit 1968 dhe 1981, në kuadër të të cilave përpos artikulimit politik për zgjedhjen e statusit dhe mbrojtjes së identitetit kombëtarë, na kanë shoqëruar edhe brohoritjet për Kushtetutë.
Që nga viti 1968, kur për herë të parë filluan të dëgjoheshin zërat për Kosovën Republikë, si për koincidencë nuk mungonin edhe zërat për të pasur një Kushtetutë. Kjo tregon që koncepti i kushtetutës te populli i Kosovës sa është i karakterit juridik me qëllim të shtetëkrijimit aq është edhe emocional dhe kombëtar, më qëllim të mbrojtjes së identitetit dhe qenies së kombit dhe të popullit.
Në vazhdën e përpjekjeve për të zgjidhur statusin politik dhe gjendjen, në të cilën ishte Kosova në kuadër të ish-Jugosllavisë, përpjekjet për të artikuluar kërkesat e kohës, pashmangshëm quan edhe në përpjekjet për të bërë një Kushtetutë, të cilën Kosova për herë të parë e kishte në vitin 1974.
Ndryshimi i rrethanave politike të kohës, në vazhdimësi shtroi nevojën e gatishmërisë për t’iu përshtatur kërkesave të reja, në kontekstin e ndryshimit të rrethanave politike. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë ndërroi rrënjësisht kursin e gjeopolitikës në kuadër të asaj federate. Ky ndërrim kursi imponoi nevojën që populli shqiptar i Kosovës edhe njëherë të rikonfirmonte gatishmërinë për bërjen e shtetit dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shtetëror, i cili ishte në krijim e sipër.
Të gjitha përpjekjet në kuadër të gatishmërisë dhe përgjigjes ndaj rrethanave të reja gjeopolitike, u kurorëzuan me deklaratën e 2 korrikut të vitit 1990 dhe me refendumin gjithëpopullor të vitit 1991, përmes të cilit u krijua Republika e Kosovës.
Për intelektualët e asaj kohe dhe për popullin e Kosovës nuk ishte e mjaftueshme vetëm deklarimi politik, sepse të gjithë ishin të vetëdijshëm se rrënjët e shtetit duhet të forcoheshin. Kësisoj, rruga më e mirë për të forcuar rrënjët e Republikës, për të materializuar dhe për t’i dhënë peshën e duhur vullnetit të pastër të popullit të Kosovës u shkrua dhe u miratua Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit të vitit 1990. Përmes këtij akti historik dhe sublim, populli i Kosovës edhe njëherë kishte dëshmuar para botës se di të ndërtojë vlera dhe di t’i çmojë ato!
Kushtetuta e Kaçanikut dëshmoi edhe njëherë se kushtetuta te populli shqiptar përbënte shumë më shumë sesa një udhërrëfyes për krijimin dhe forcimin e shtetit. Madje, njëherësh ajo ishte edhe një simbol frymëzues për fillimin e lutës për liri.
Rëndësinë e Kushtetutës, në këtë rast asaj të Kaçanikut, e dëshmon edhe fakti që vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, krenaria e gjithë popullit, ishte krijuar në bazë të kësaj Kushtetute, në mbrojte të së cilës e kishte bërë edhe luftë të shenjtë për liri të popullit.
Kushtetuta dhe rëndësia e saj e shoqëroi popullin e Kosovës në vazhdimësi. Edhe pas çlirimit të vendit, nuk u ndalën përpjekjet për të pasur një kushtetutë. Por, kësaj radhe kërkesat ishin artikuluar në rrethana krejt të reja politike, përpjekje këto që japin edhe një argument më shumë për rëndësinë që kishte Kushtetuta te populli i Kosovës.
Pas hapjes së rrugës dhe dhënies së sinjalit për zgjidhjen e statusit politik, filluan edhe përpjekjet e para për të bërë Kushtetutën. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, pas përpjekjeve të gjata, që rezultuan me bisedimet e Vjenës dhe Pakon e Ahtisaarit – mbi bazën e të cilës edhe u krijua shteti ynë – shtruan nevojën e domosdoshme për të pasur një Kushtetutë, në kuadër të forcimit dhe të funksionalizimit të shtetit të ri. Duke u thirrur në efektet e aktit me të cilin u themelua shteti i Kosovës, Deklaratës së Pavarësisë, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë, konkretisht më 9 prill 2008 u miratua akti ma i lartë juridik dhe njëherazi akti që materializoi Deklaratën e Pavarësisë.
Pikërisht më 9 prill 2008 u kurorëzuan përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për krijimin edhe de jure të shtetit. U kurorëzuan po ashtu përpjekjet e përgjakshme për mbrojtjen e ndjenjës për shtetërore dhe kombëtare që zakonisht tentohej të arrihej përmes Kushtetutës. Pikërisht në këtë ditë, populli i Kosovës ishte i vetëdijshëm që po krijonte identitetin e shtetit!

Shperndaje ne

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.