Letërsi Shqiptare: PËRJETIME TË TRISHTA, TË NJË POETEJE EMIGRANTE…

2-ballinat

(Botohet libri i Donika Çelës, “Lotët e dhimbjes”)

Nga: Prof.Murat Gecaj

m-gecaj-pg

1.

Tashmë, është e njohur se emigraconin dhe “plagët”, që ka shkaktuar ai, i kanë përjetuar dhe vazhdojnë t’i përjetojnë një pjesë e madhe e familjeve shqiptare. Ndërsa i shkruaj këto radhë, në “Hyrjen” e librit me poezi të mikes Donika Çela, e cila jeton tash disa vjet me familjen në Milano të Italisë, sjell ndërmend një bisedë, që kam bërë, pak vite më parë, me një emigrante në qytetin Asti të atij vendi mik. Pas mbarimit të degës për ekonomi në Universitetin e Tiranës, ia donte puna që ta ndiqte dhe një profil tjetër, tani për psikologji, në Universitetin e Torinos. Kur ajo shkroi e mbrojti me sukses temën e saj të diplomës kushtuar temës së emigracionit, iu drejtova: “Flitet shumë për këtë dukuri, sa të lashtë dhe të re, duke e quajtur “afrim me botën e qytetëruar të Perëndimit”, “arritje e rëndësishme”, “zhvillim e përparim”, “lumturi e gëzim”, “psurim” dhe “e ardhme e sigurtë e fëmijëve “etj.etj. Pyes, në çfarë përfundimi ke arritur ti, pasi ke biseduar me qindra emigrantë, nga shtete të ndryshme të botës?” Pa u menduar gjatë, Anila m’u përgjigj, shkurt e prerë: “Emigracioni është një fatkeqësi!”

2.

Kur po lexoja poezitë, në katër pjesë (cikle) të Donika Çelës, vëreja me kujdes, se si  e ka pasqyruar ajo temën e emigracionit, këtë të keqe edhe në jetën e saj. E rritur me vështirësitë e njohura të kohës së para viteve ’90-të, në shekullin e kaluar  dhe e mbetur jetime në moshë të re, rrethanat e jetës e detyruan që të shkojë për të jetuar në një vend të huaj. Por, asnjëherë, ajo nuk e ka shkëputur mendjen as zemrën nga vendlindja, Kruja e dashur dhe tërë Shqipëria. Kështu, janë domethënës vargjet e një poezie të saj: “Kam një mall, që s’e shuaj dot,/por veç shtohet pambarim…/Larg vendlindjes, larg prej Zotit,/ndaj plaga e mallit s’gjen shërim!” Po aty, shprehet për atë, se: “Më mungon..çka nuk më mungon?/Më mungon gjithçka nga ti…/Të kujtoj gjithmonë me mall,/ epshi i mallit më djeg në gji.”(Poezia “Më dogji malli”)  

Këto brenga e shqetësime të natyrshme, me ndjenja qytetarie, autorja na i jep edhe në poezi të tjera, si: “Jam shqiptare, me gjak e shpirt!”, “Shtegëtimi është i hidhur”, “Ç’ke Shqipëri, që po vajton?” e “Larg urrejtjes!”; “Me porosi, ma lanë gjuhën shqipe…”, “Vendlindje e bekuar”, “Mos e harroni gjakun e trimave” ose “Fol shqip!”. Ndërsa te poezia “Bashkojuni, shqiptarë”, thërret me zjarrin e zemrës së lënduar: “O shqiptarë, mos u përçani,/bëjuni bashkë e përqafojuni!/Jeta është një e prandaj jetojeni;/thoni fjalën e mirë, se veten nderoni!” Megjithëse larg Atdheut, Donika nuk harron të kujtojë dhe të shkruajë me nderim e respekt, për profesorin e saj, Xhavit Masha; për Antigonën, “bukuroshen e lirisë”; për votën e lirë të  shqiptarëve dhe për Kumanovën tonë.

2-ballinat

Ballinat e librit të ri poetik, nga Donika Çela-Itali…

3.

E pashkëputur me pjesën e pare, janë edhe poezitë vazhduese, në ciklin e dytë. Një vend me rëndësi këtu zenë përjetimet e Donikës për nënën e saj, për të cilën shprehë  mall e dhimbje të pashuar. Ajo, nga largësia, që e ndan prej vendit të vetë, me zemër “të plagosur”, i dërgon “Letër, nënës” dhe, ndër të tjera, i shkruan: “Kam mall ta dëgjoj zërin tënd,/ që t’më thërrasësh:-Bijë, ku je?/Do të bëhesha zog me fletë/ e në mengjes do t’më kishe atje…”. Me këto ndjenja të pastra e të mbushura me lotë të valë, janë shkruar edhe poezitë: “Hallemadhja, nënë!”, “Porosia e nënës”, “Ah, moj nënë, e mjera nënë!” ose “Malli për nënën po më mbyt!” e “Më prit, nënë, se do të vij!”

Me mall e dashuri shkruan kjo autore edhe për birin e saj: “Para se të ikja,/t’ kam lënë një porosi:/Mos i harro këto fjalë,/ por ruaji përjetë!” Ndër të tjera, i jep atij këshilla të vlefshme edhe për kujdesin ndaj babait. Poezinë “Luleborë” Donika ia ka kushtuar me plot ndjenja, mbesës së paharruar Rita, e cila u bë viktimë e kohës së sotme, kaq të trazuar:“Ishe gonxhe e sapoçelur,/petalet hapur për bukuri;/hijeshia jote, lakmi e botës,/parfumi yt, ushqim për dashuri…”. Edhe poezia kushtuar vëllait të saj, është e mbushur me përjetime të bukura të fëmjërisë, por dhe të trishta, “me lugën bosh”: “Sa më ka marrë malli,/kohën mbrapa ta kthej!/Më mungon koh’e vjetër,/ në të cilën kujtimet tona do gjej…”.

4.

Është interesante se poezitë  e Donikës kanë një lidhje të brendshme të pashkëputur, nga njëra te tjetra ose nga cikli në cikël. Kështu  edhe te pjesa e tretë, “Fati im”, përsëri gjejmë përjetimet e një emigranteje, e cila “rrëfehet” për jetën e vetë, që nga fëmijëria, lindur e rritur në një familje të varfër shqiptare, por me dëshirën për mësim e dituri në shkollë. Kështu, ajo shprehet se: “Në ditarin tim, do të gjeni veç lotë,/ e plot lotë është e mbushur jeta ime;/çdo pkë loti është e madhe, sa një glob!…”. Prandaj i drejtohet edhe detit, që ngjason me atë vetë: “Buzë detit rri e vetmuar,/dallgë deti kam kudo përbri,/lotin seç ma ledhatojnë valët…/ Det,o det, sa shumë ngjan me mua ti!” Me dallgët e detit e krahason ajo tërë jetën e saj:”Dallgë deti je,ti jetë,/ herë të fundosë, herë të nxjerr në breg!…”. Me gjithë ato plagë, që ka në shpirt, autorja i drejtohet Zotit, me besimin e plotë, për të qenë sa më e gëzuar dhe e lumtur: “Lutem, o Zot, lutem më ndihmo,/ma shëro plagën, që n’ zemër kam!/Të lutem ty, o Perëndi,/ më jep forcë, t’ ngrihem përsëri!”

Siç mund ta parandiejë lexuesi i këtyre radhëve, autorja Donika Çela, duke na dhënë detaje nga përjetimet e saj, por dhe duke bërë përgjithësime letrare, në poezitë e pjesës së katërt e të fundit na jep mjaft poezi për dashurinë. Që në poezinë e parë, ajo shkruan për zhgënjimin, që ka një vajzë dhe prandaj e quan dashurinë, “Çmenduri, që vret!”, me këshillën e saj: “Mos e kthe kokën pas, por vazhdo, ec përpara!…”. Me gjithë mëdyshjen për ndjenjat e dashurisë së një djaloshi, ajo përsëri e përligjë këtë gjë dhe jeton me shpresë: “Të kuptoj që je i lodhur shumë,/nga etja që kishe për një dashuri;/ ndaj, vazhdo e flej edhe për mua,/ se unë po pres, kur të zgjohesh ti!’ (Poezia “Mirëmëngjes!”) Me këto shqetësime në zemër për të dashurin e saj, autorja herë fshin lotët e herë mallkon, herë flet për mallin e pashuar dhe më tej për kujtimet, që nuk shlyhen kurrë: “Çdo ditë hapi valixhen e kujtimeve/ e me mall të kujtoj unë ty;/loti, padashur, pikon nga syri,/ për dashurinë, që gjen aty…”.

Pa u zgjatur më tej, mendoj se vetë lexuesi i këtij libri, do t’i shijojë poezitë e bukura të  Donika Çelës, që i ka kushtuar dashurisë, kësaj ndjenje gjithënjerëzore.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, përmbledhurazi, mund të themi se ky vëllim poetik është një arritje e mirë e autores dhe ajo  premton që të ecë e sigurtë në udhën e saj të krijimtarisë, duke na dhënë libra të tjerë, sa më cilësorë dhe të kërkuar nga lexuesit tanë

Me këtë rast, i urojmë nga zemra, mikes Donika Çela: Shëndet të mirë e mbarësi dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë, maj 2016

(“Hyrja” e librit “Lotët e dhimbjes”, nga poetja Donika Çela-Itali)

Shperndaje ne
Updated: 8 Shtator, 2016 — 22:39

The Author

Dr. Murat Gecaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.