KOSOVË, JE AR DHE THESAR

shqipja_jemi_nje

1.
Kosovë –
Kopsht i Lulëkuqeve
Kokë binjake
Në trup të shqiponjës,
I kuqërremtë
Qiell i Dardanisë
Plisbardhë
Mbi sy të Arbërisë
2.
Kosovë –
Këngë kreshnikësh
Të Moteve të Mëdha
Dhe i Dadës Shotë
Je gërshet i lidhur.
Je besa e dhënë
Për liri e nder
I t’madhes Xhevë Lladrovcit
Je dëshirë dhe shpresë
E Ylfete Humollit
Për atdheun e lirë
Je betim n’Flamur
I Antigonë Fazliut:
VDEKJE A LIRI !
Je fortesë qëndrese
N’kuvende e logje
Ishte magji bese
Gjithmonë fjala jote

3.
Kosovë-
Truall Lulëkuqesh
Trëndafil n’lëndina
Me plagët në shtat
Fëmijë, gra dhe burra
Të mbrojtën me gjak
Ranë kurrë për të mos vdekur
Për tëndin bajrak-
Kuqezi Flamur
Kala gur mbi gur
4.
Kosovë-
Je ti vetë
E kuqja Drenicë
Prekazi i shenjtë
E shtrenjta Qyqavicë
Reçaku plot dhimbë
Llapi ilirik
Rrafsh i Dukagjinit
Bajgorë
Mitrovicë
Dhe Anamoravë
I lashtë Kaçanik
5.
Kosovë-
Kala qëndrese
Nderi edhe bese
Fortesë e Jasharëve
E Shabanit
E Ademit
E Hamzës
E Flamurit
E Atdheut
E Skënderit
E Shqiptarit trim
Gjak i kombit tim.
6.
Kosovë-
Qëndrestare
Qiell me bubullima
Je Ali Ajeti
E Bahri Fazliu
E Agron Rrahmani
Besnik Restelica
E Shefki Kuleta
E Shaban Avdiu
Isë Havolli Trim
Hasan Ramadani
Ilir Konushevci
E Afrim Zhitia
Dhe Fahri Fazliu
E Nexhmi Llumnica
Je Zahir Pajaziti
Ballin me vetëtima:
Lidhur plagët e trupit
Me shokën e brezit,
Të Dardanisë Ilirike
Plagë e Gjergj Elez Alisë
Për motrën besnike
7.
Kosovë-
Fole shqiponjash
E djep i kreshnikëve
Dhe kokë kryengritëse
E Mëmë Shqipërisë
Motër e Preshevës
Dhe e Çamërisë
E Iliridës trime
Dhe e Malësisë së Madhe
E Hotit e Grudës
E Plavës dhe Gucisë
8.
Kosovë-
Me lot prej zemrës sime
Plagët t’i prekë me dorë,
O jelek me plumba
N’ Flamur je Shqiponjë
O shtat i Mic Sokolit,
Në të topit grykë
O Pushkë e Bajram Currit
N’Shpellë të Dragobisë
Dhe e Haxhi Zekës
Dhe e Ali Ibrës
E Ahmet Delisë
9.
Kosovë-
Tokë e rrahur
Me zjarr dhe me hekur,
E larë dhe me gjak,
Gjithmonë e paepur
Me kokë drejt në qiell
Kurrënjëherë e mekur
10.
Kosovë-
Simfoni tragjike
Me tone shumë
Je sfidë e përgjakur
N’stuhi e furtunë
Në thëllime
Në luftëra heroike
Gjithnjë me qëndresë
Dhe zemër besnike
11.
Kosovë-
Moj kreshnike
Mbretëreshë e rrallë
Në zërat e çìftelisë,
Në këngët e pushkës
Në rrezet e lirisë
12.
Kosovë-
Ëndërr stërgjyshore
E ëngjujve të trazuar
Me shiprt të Shqipërisë
Mbledhur rreth një kënge
Mbledhur rreth një sofre
Pagëzim ndër shekuj
E Pagëzim ndër mote
Besë dhe trimëri
Lirika e jote
Me breshër e shi
E me lot e gjak
Veç për një Shqipëri…
13.
Kosovë-
Epikë kreshnikësh –
Emrat:
Gjergj Elez Ali
Mujë e Halil
E çerdhe fatosash –
Zemrat:
Dashuri, miqësi, besim
14.
Kosovë-
Varg i Poetit të Madh
Që u mëkua me qumështin
Nga gjiri i shenjtë
I mëmë Shqipërisë:
“Kosova
Është gjaku im që nuk falet!”
15.
Kosovë-
Xhamadan kuqezi
E mbushur me lavdi
Je gjak i dëshmorëve
I djelmënisë dardane
Në Flatrat e Shqiponjës
16.
Kosovë-
Je mal me luftëtarë
E Fushë me lulëkuqe
Me krushq pajtimtarë
Je Kështjellë Krenare
Epikë e Përgjakur
E Alpeve Shqiptare
17.
Kosovë –
Tokë e mbushur me varre,
T’mbretërve
E t’sulltanëve
Ndër shekuj trupi yt
Është larë me gjak,
Por gjithmonë fortesë
Kështjellë
Barrikadë
E pamposhtur prore
N’ furtunë dhe shtrëngatë
18.
Kosovë-
Mikpritëse e dashur
Për të shtëpisë mik
Përherë e shtruar sofër
Me bukë e me kripë
Dhe me Besa-Besën
E kullave shekullore
Dhe burrërinë malësore
19.
Kosovë-
Këngë e Përvajshme,
E zemër e drithëruar
Në dëshpërim,
Në ankth
Je ëndërr e kombit
Në vaj,
Në këngë,
Në mallëngjim
20.
Kosovë-
Zemër e nënave-
Lokemadheve
Me zemrat Dragobi-
Shamibardhave
Me zemrat Dardani-
Duarbardhave
Me të dëlirin lot
Për dëshmorët tanë
Që të quajtën NANË
Flamur kuqezi
Me zemër SHQIPNI.
21.
Kosovë-
Djep me dëshira
Për Breznitë Orëmira
Shqipe n’t’ bukurën Valle
Me PUSHKË dhe me SHPATË
Për Shqipërinë e Madhe
22.
Kosovë-
Epikë e Vargjeve
Legjendë e shekujve
Kreshnike
Vigane
Me zemër dardane
Me vello nusërie
Je Nuse Lirie,
E Shpirt Shqiptarie
23.
Kosovë-
Moj Fushë e paanë
Dhe ashpërsi shkrepash
Ti, Jehonë Këngësh
Mitesh dhe legjendash,
Mbretër e tiranë
I lave në gjak
Se s’u pate hak
24.
Kosovë-
Qëndrestare moj
Kujt s’i pate hak
Kujt s’i bëre lak
As dje e as sot
Askurrë jetë e mot
25.
Kosovë-
Plagë e dhembjes
Visare e Kombit
Veshur kuq e zi
Kështjellë e barotit
Dhe Shtëpi mikpritëse
E mikut dhe e Zotit…
26.
Kosovë-
Me plisin e bardhë
Gjithmonë mbi vetull
E kaltërt ëndrra jote
Si kaltërsi qielli
E ngrohtë zemra jete
Porsi rreze dielli
27.
Kosovë-
Dhembje e madhe
E plagë që kullon,
Baladë e të vrarëve,
Truall i përgjakur
Vatër e të parëve
Lulëkuqe në fusha
Jo kurrë s’të vret pushka.
Tradhëtarë dhe t’pabesë
Ka me i vra buka,
Thotë poetja vetë:
“Plagë e thellë e zemrës
Je për çdo shqiptar”!
Je ar dhe thesar
28.
Kosovë-
Zemër Shqipërie
Dhe Shpirt Dardanie

prof_Zymer Mehani

Poeme nga: Prof. Zymer Mehani

Shperndaje ne
Updated: 10 Shtator, 2016 — 21:54

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.