SHKOLLIMI DHE ARSIMIMI – ÇËSHTJE JETIKE PËR ÇDO KOMB

samiu_gjuha_kombit01

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Kudo në rruzullin e dheut, për çdo popull të civilizuar, shkollimi dhe arsimimi i njerëzve ka qenë dhe është një prej çështjeve më jetike dhe kurdoherë e kudo duhet t’i jipet prioritet, sepse prej shkallës së zhvillimit dhe të përparimit të tyre, varet edhe zhvillimi i tërësishëm i atij populli apo kombi në përgjithësi.

Edhe për shqiptarët në përgjithësi, rruga e shkollës dhe e arsimit tonë nuk ishte aspak e lehtë. Shpeshherë kjo rrugë u ujit edhe me gjakun e atyre që punuan dhe kontribuan për to. Historia jonë kombëtare tregon se shumë mësues shqiptarë të shkollës shqipe dhe ideologë të shquar u ndoqën dhe u burgosën, u internuan, u helmuan , u mallkuan nga kisha dhe u martirizuan vetëm pse ishin mësues dhe dëshironin t’i ndriçonin mendjet e shqiptarëve me arsim në gjuhën shqipe. Kështu p.sh., do të pësojë Theodor Haxhifilipi (1730-1805) nga Elbasani, i cili u vra nga andartët grekë, rrugës, duke u kthyer në Elbasan apo në Voskopojë, kur po sillte barrët e shkronjave shqipe të ngarkuara në kalë, që i kishte blerë diku në Evropë, me qëllim për të ngritur një shtypshkronjë në Shqipëri, ku do të botonte libra në gjuhën shqipe.

Një hap të tillë më pas do ta ndërmarrë Patrikana greke në Stamboll, duke e helmuar pionierin apo nismëtarin e Rilindjes sonë Kombëtare, Naum Veqilharxhi (1797-1846), i cili tërë jetën punoi vetëm për Alfabet original shqip dhe për Abetaren shqipe. Kështu do të ndodhë më pas edhe me Papa Kristo Negovanin (1875-1905), i cili ishte mësues i gjuhës shqipe, që i mësonte të rinjtë dhe të moshuarit, burrat dhe gratë. Veprimtaria e tij ra në sy të kishës greke, njerëzit e së cilës e arrestuan dhe e masakruan bashkë me të vëllanë. Fatkeqësi të tilla do të pësojë më pas edhe një plejadë e tërë mësuesish dhe përkrahësish të shkollës sonë shqipe , deri në ditët tona.

Në periudhën e viteve 1878- 1881 në trevën e Llapit, sipas Dr. Abdullah Rr. Vokrrit, nuk ishte hapur asnjë shkollë shqipe, por nuk kishin munguar aktivitete e veprimtari të frytshme në ngritjen e vetëdijes kombëtare . Gjithnjë sipas këtij studiuesi, dokumentet e kësaj periudhe dëshmojnë se odat, teqet, vakëfet dhe xhamitë ishin bërë bartëse të aktiviteteve të shumta kudo në fshatrat e Llapit (1.
Periudha 1878-1881 ishte e turbulluar në çdo aspekt. Jemi në kohën e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila po kërkonte mbrojtjen e autonomisë së trojeve shqiptare dhe në kohën kur Fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit e bënë padrejtësinë më të madhe ndaj popullit shqiptar dhe trojeve shqiptare. Stuhitë e rrebeshet e shekujve ishin treguar të pamëshirshme ndaj kombit shqiptar. Tashmë, tërë vendi ishte përflakur nga luftërat masive për tokën, nderin, gjuhën, traditat, lirinë, tërësinë tokësore të Atdheut dhe autonominë. Ato luftëra ishin shpërthim i protestës shekullore kundër synimeve të shovinistëve fqinjë dhe kundër pushtuesve osmanë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u angazhua

për tërësinë tokësore, për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga agresorët shovinistë fqinjë, për bashkimin kombëtar, për fitoren e autonomisë si hap i parë drejt pavarësisë së plotë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit synonte të shkonte drejt një pike kulmore të Rilindjes Shqiptare – që ishte Shteti i Pavarur i Shqipërisë Etnike.

Në këto rrethana të vlimeve politike dhe ushtarake, në Kosovë dhe në Llap do të hapen mejtepet, që ishin institucione fetare dhe kishin karakter privat. Këto institucione do të hapen dhe në Halabak, në Tërnavë dhe në Bellopojë, të cilat mbaheshin dhe ndihmoheshin nga bashkësitë fetare apo vakëfet, por edhe nga popullsia e besimit musliman.

Edhe në mejtepin e Halabakut, si kudo në trevën e Llapit pas vitit 1908 do të bëhen përpjekje të parreshtura për futjen e gjuhës shqipe, sepse aty mësohej në gjuhët osmane dhe arabe. Këtë fakt e konstaton në punimin e tij edhe Dr. Abdulla Vokrri (2.
___________
1) Abdulla Rr. Vokrri“Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit Brenda viteve 1878-1944”,ETMM i Kosovës,Prishtinë 1995, fq.12
2) Po aty, fq.29

Shperndaje ne

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.