RILINDJA KOMBËTARE SHQIPTARE DHE VEÇORITË E SAJ DALLUESE

prizren_lidhja_02fb

 

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të Ballkanit, një epokë të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në historinë moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri¬-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura. Këto lëvizje u zhvilluan në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane, të shthurjes së marrëdhënieve të vjetra feudale dhe të lindjes së ekonomisë së tregut, të zgjimit të mëtejshëm të ndërgjegjes kombëtare të popujve të këtij gadishulli dhe të zgjerimit të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në këtë Perandori.

Megjithëse, për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare, krahasuar me vendet e tjera ballkanike, ajo, që në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, nisi të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko¬-shoqërore e politike në po ato drejtime si edhe fqinjët e saj ballkanikë, Serbia, Greqia, Bullgaria e Rumania. Vështirësitë e ritmet e ngadalshme të këtij zhvillimi të Shqipërisë, të diktuara nga kushtet e rënda e të ndërlikuara, që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman, nuk e penguan shoqërinë shqiptare që në agimin e shek. XIX të kishte, krahas ndryshimeve, edhe mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet fqinje, të krijonte premisat që çuan në konsolidimin e shqiptarëve si komb, në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare.

Proceset e reja, që u shfaqën në jetën politike e kulturore të Shqipërisë në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX, shënuan fillimin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila zë një periudhë të tërë historike, shtrihet nga vitet 30-¬40 të atij shekulli dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko¬-shoqërore dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.

Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një lëvizjeje të re nga përmbajtja dhe objektivat e saj, të nacionalizmit, që ishte një lëvizje karakteristike për historinë moderne të të gjithë popujve, e cila, si në çdo vend edhe në Shqipëri, kishte si synim të formonte shtetin kombëtar, që do të përmbushte aspiratat politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të popullit shqiptar. Ashtu si te popujt e tjerë, edhe te shqiptarët nacionalizmi u karakterizua nga ndjenja e përbashkësisë, e komunitetit ndërmjet shqiptarëve, si pjesëtarë të të njëjtit komb. Kjo lëvizje ishte e lidhur me ndryshimet dhe me përparimet që u bënë në shek. XIX në fushën kulturore, ekonomike, ideore e politike.

Shperndaje ne

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.