Kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët

FEJTON

Shkruar nga Hyskë Borobojka

karikaturaNjë fjalë e urtë thotë: “Çdo shoshar shoshën e tij lëvdon!” Kështu ndodh dhe në vendin tonë me të dy krahët e politikës, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë. E majta rreh gjoksin, se po i sjell “Rilindjen” e re Shqipërisë (të mos e ngatërrojmë me Rilindjen e rilindasve), se po përpiqet me mish e me shpirt ta nxjerrë vendin nga prapambetja, që s’mundi ta nxirte dot me sloganin “Shqipëria po ndryshon” e ia la peshqesh në derë pozita e djeshme, opozita e sotme. Kjo e fundin kundërshton e bojkotoi gjashtë muaj me radhë Parlamentin duke u përpjekur ta zëvendësojë pjesëmarrjen në “sheshin e burrave” me protesta e greva në rrugë. Të dy krahët përpiqen t’ia faturojnë njëra tjetrës fajin për gjendjen e vështirë ekonomike që po kalon vendi, me akuza e kundërakuza, njëra nga foltorja e Parlamentit, tjetra nga selia e saj blu, që të kujtojnë lojën e kungulleshkës.

-Ju zotërinj pozitarë-qeveritarë, keni hapur një hendek të madh, të gjerë e të thellë, që ndan premtimet e mëdha, që bëtë gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit dhe mos plotësimit të tyre!-i dërgon “selam” opozita pozitës ga selia e saj.

-Nuk hapim as vija, as hendekë e as kanale, por po mbushim gropat e mëdha që na latë ju, si varre të zbuluara, kur na dorëzuat qeverinë pas zgjedhjeve!- i përgjigjet pozita nga Parlamenti.

Dhe loja e kungulleshkës ndërmjet dy forcave politike zhvillohet edhe me mjete moderne bashkëkohore, me anë te “Focebook-kut”.

-Ne kemi rritur numrin e qytetarëve të punësuar me anën e zyrave të punës, që kemi hapur në të gjithë vendin!- shkruan pozita në “Fecebook-kun” e saj.

-Keni shtuar repartin e të papunëve dhe të atyre që ushqehen me liste e që presin të marrin ndihmë sociale!- i përgjigjet opozita.

-Ka ikur koha kur kriminelet, trafikantët, kusarët, hajdutët iknin në drejtim të pa ditur!- rreth gjoksin pozita.

-S’është nevoja që ata të shkojnë “firarë” në drejtim të paditur se janë brenda në Parlament!-i përgjigje me mllef opozita.

Metoda hidh e prit, korr e mos lidh, pa bereqet, ndërmjet të majtëve në pushtet e të djathtëve në opozitë, herë nga foltorja e Kuvendit e herë me artikuj në “Facebook”. Të majtët në pushtet kritikojnë të djathtët në opozitë, se kur dorëzuan pushtetin e lanë vendin me borxhe dhe arkën e shtetit bosh, sa po të bjerë miu në të thyen turinjtë. Opozitarët  herë nga selia blu, herë nga mitingjet e herë nga “Fecebook” u përgjigjen pushtetarëve të sotëm e i kujtojnë premtimet e shumta gjatë fushatës elektorale, duke i krahason me ato të Sudes në firmat piramidale. U kujton premtimin e madh për hapjen 300 mijë vende pune. Ku premtimi ku realizimi?!. U përmendin zotimet e bujshme për shëndetësinë falas, për energjinë elektrike, që jo vetëm s’do të rrisnin pagën për të, por do ta ulini. Po ku ishe? Hiçgjëkundi. U kujtojnë zotimin për uljen e pagës së studentëve për t’u arsimuar.

Kur të dy krahët e politikës, të majtë e të djathtë, kërkojnë t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Kjo “metodë” të kujton lojën e volejbollit. Pozita shyton e ia përcjell topin e fajit opozitës, që kur dorëzoi pushtetin e la ekonomin e vendit për të qarë me dyzet palë lotë, Opozita i bën “bllokade” e ia ngec pozitës në fushën e saj, duke u munduar ta shkundë përgjegjësitë e saj, si rosa që shkund ujin kur dell nga pellgu.

Kjo lojë me sherre e inat, që ka një vit e ca që zhvillohet ndërmjet tyre, të sjell ndërmend shprehjen popullore: “Kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët”. Dhe në rolin e këtyre të fundit jemi ne shumica e shqiptarëve, që hamë edhe qepët edhe shkopinjtë Jemi ne që përjetojmë çdo ditë varfërinë nga rritja e taksave, po s’rriten pagat e pensionet sipas premtimeve të mëdha, ndërsa rriten pagat e deputetëve, që s’dinë ku t’i kalojnë festat e pushimet, kur shumica e qytetarëve dhe pensionistët i numërojnë lekët si kokrrat e misrit dhe vrasin mendjen në cilin dyqan do t’i marrin ushqimet e bukën me listë. Ngritja e çmimeve, pa  siguria e jetës, papunësia, bën që shumë shqiptarë përpiqen me çdo mjet të ikur nga sytë këmbët, si thotë kënga:

Marrim ushët e kurbetit,

Dhe s’dimë ç’ven përtej detit,

Rruga jone, dreq o rrugë,

Zgjatet për një copë bukë.

Pasi korrupsioni, krimi i organizuar, prostitucioni, papunësia. vazhdojnë të hedhin valle. Premtimet e “Rilindjes”,u katandisën më keq se slogani i të djathtës “Shqipëria po ndryshon”. U harrua premtimi i bujshëm se do të hiqej “TVSH-ja” për artikujt ushqimorë e ilaçet, por në të vërtetë u hoq nga “Lojërat e fatit”. U tha e u përsërit, sa u ngjir zëri se “Rilindja” do të rriste pagat e pensionet për të varfrit, por në vend të tyre, rriti pagat e deputeteve. Në këtë fushë të dy krahët e politikës bien shpejt në “konsensus”, pasi dihet që është më afër dera se qilari.

Të dy krahët e politikes janë kokëmushke që s’bien në brazë, prandaj duhet të vijnë, njëri pas tjetrit, të deleguarit nga Evropa, që të dy palët të nënshkruajnë marrëveshjen për të vazhduar mosmarrëveshjen dhe kjo ndodh se ato mendjen e kanë si mund të pasurohen ndërmjet pushtetit politik. Qytetarët në këtë tranzicion të tejzgjatur vuajnë e kërkojnë një shtet, që të japë siguri për jetën, punësimin, arsimin e barabarte e jo të sjellë peshqesh varfërinë, por t’u afrojë qytetarëve të vet të mirën, sigurimin e mirëqenies.

Shperndaje ne
Updated: 8 Janar, 2015 — 12:39

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.