Historia do ta gjykojë rëndë gjenocidin grek ndaj çamëve…

papa_kristo_tomorri03

ZERVISTËVE TË RINJ U GËRLLOSËN(¹)  NGA FYTYRAT

fahri_dahri_reja

Autor: Fahri Dahri

Mendoj se shtetit dhe kishës Greke i duhet dhënë një përgjigje, jo në kuptimin e kundërvënies, duke treguar forcat ushtarake, se këto qendrime janë qesharake, foshnjore pak a shumë arkaike në kushtet tona; por një përgjigje reale se: “çështja e gjenocidit grek  ndaj çamëve”, do të trajtohet me shumë seriozitet nga pala shqiptare (duke përfshirë edhe institucionin e parlamentit!). Në situatat e krijuara, trajtimi i  gjenocidit grek ndaj çamëve (me që “qetësia”, “urtësia” u konsumuan dje me tonin e forcës ushtarake, duke na treguar “dhëmbët” e fortë të Greqisë, ashtu si 72 vjet më parë, ku vranë, therën fëmijë, dogjën gra me benzinë dhe dëbuan dhunshëm një komunitet), nuk kërkohet më të merremi me dinakërinë, djallëzinë dhe tradhëtinë greke, por duhet marrë drej përdrejt me institucionet përkatëse të Bashkimit Europian.           

Dje, doli qartë se edhe vizita e delegacionit parlamentar, pavarësisht se në media na u cilësua e shkëlqyer, nuk pati suksesin e deklaruar dhe u kuptua pabesia e drejtuesve të institucioneve përkatëse të atij shteti, që gjatë takimeve mbizotëroi “buzëqeshja”, që, siç pritej doli false, po ashtu u vërtetua edhe fjala e urtë e popullit “Mos ju gëzo dhuratave greke, se ato më pas janë helmuese”, kuptohet, fjala është për deklaratat e qëllimshme për merita dhe dekorime etj. etj. Edhe një herë, nuk duhet harruar se pala greke,ka qënë dhe mbetet agresore permanente si ndaj popullit dhe hapësirave territoriale të vendit tonë. Pavarësisht se ne dëshirojmë zgjidhje të problemeve me mirëkuptim, me dialog, debate konstruktive dhe ballafaqime, ajo këtë sjellje e dëshiron vetëm për çështjet në interes të saj, për ato që mendon se i takojnë për të zgjidhur me shtetin tonë, qoftë deri edhe me kërcënime ushtarake.                                                                   

Naivët e shkretë, nuk arrijnë të kuptojnë se të gjitha problemet mes dy shteteve tona janë krijesa vetëm greke, siç janë ligji i luftës, gjenocidi ndaj çamëve, varrezat e gjoja ushtarëve të vrarë brenda kufirit tonë, problemi i shelfit detar, toponimet me vendlindjet e fëmijve të lindur në Greqi apo dhe ato të çamëve të lindur para 1945 në vendin e tyre autoktonë, ndalimi i lëvizjeve për në vendin e origjinës, pa përjashtuar ndërhyrjet brutale në punët e brendëshme të Shqipërisë, qofshin ushtarake (provokacione), politike (presione elektorale, e drejta e“vetos” etj), sociale (joshje minoritetit me financime, grante, pensione, kredi, diferencime në lehtësira punësimi etj.) 

           Nuk është qendrim për kundërvënie, por derisa nuk jemi “simetrikë” (kjo është absolutisht e vërtetuar me fakte historike mbi 100 vjeçare), kuptohet mendimet, gjykimet dhe veprimet janë të ndryshme dhe për të saktësuar se cili mban anën e drejtë, analizohen rast për rast problemet mes dy vendeve. Nëse problemet janë të shkaktuara nga të dy palët, ka vend për bashkëbisedime dhe shqyrtim të tyre, “një e nga një”, duke përdorur tolerancat; por nëse problemet apo çeshtjet (të vogla apo të mëdha) janë krijuar me dashje nga njëra palë, siç ndodh me problemet mes dy shteteve tona që jan  krijuar të gjitha nga shteti Grek, afër mendsh, se pala greke nuk mundet të bashkëpunojë, le pastaj toleranca, qoftë edhe për faktin e vetëm se ato janë krijuar për të mos u zgjidhur ose të zgjidhen ato në interes të saj.

Problemet e krijuara ndaj vendit dhe popullit tonë dhe që vazhdohet të krijohen nga pala greke, janë rrjedhojë e konjukturave politike dhe ushtarake të shteteve europiane të cilat për interesa të caktuara përzgjodhën krijimin e shtetit Grek, jo mbi baza etnie, por të sajuar teknikisht në dy parime krejtësisht anormalë, atë të gjuhës të mësuar në shkolla, jo të gjuhës që del nga buzët e nënave që mëndin (mëkojnë) fëmijën dhe atë të përcaktimit të kombit nga besimi fetar, në rastin grek-besimin ortodoks.

Dekadat, vitet ikin, erërat, furtunat, shirat e rrëmbyshëm, pa mbarim shplajnë pisllëqet, mbeturinat, pluhurat e kohërave dhe sjellin kthjellim, pastërti edhe objektet natyrore shkëlqejnë, marrin ndriçim më të theksuar, objektet rreth nesh dallohen qartë, të gjitha këto tregojnë se të vërtetat, pavarësisht nga pluhurat e hedhura ndër vite, vjen një kohë qartësohen dhe gjejnë pastërtinë tek drejtësia.

Gjithkush duhet të arrijë të kuptojë, se sado kohë të kalojë duke u përpjekur për të mbuluar krimin apo plagët e rënda, të cilat prekin nervin dhe zemrat e çdo popilli, i madh apo i vogël qoftë, një ditë ato zbulohen dhe shpaguhen. Jemi afër arritjes së mbretërisë së paqes, vëllazërimit mes popujve. Akt i veprimit konkret është politika europiane, e cila e hodhi sinjalin e bashkëbisedimeve për çështjet e rënda, ku kërkohet të arrihet pendimi dhe dëmshpërblimi për krimet. Në përshtatje të kërkesave që koha afron për zgjidhjen e probelemeve me fqinjët, nisur nga rrethanat e krijuara, koha e gjatë dhe këmbëngulja në mos ekzitencën e çështjeve, kërkohet tu drejtohemi dyerve të institucioneve që i hapën.Të mos shpresohet për zgjidhje tek ata që në dekada kanë vendosur mbylljen me “dyer të hekurta”.

Përpjekjet e tjera janë të pafrytshme, ato vetëm zgjatin kohën e zgjidhjeve dhe përdoren për interesa elektorale personale prej të dy palëve. Mirë është të mos ecet në këtë formë, ndryshe historia do të na gjykojë rëndëshëm.

(¹)- u shpërfytyruan.

           17 tetor 2016                                               

Fahri Dahri

 

 

Shperndaje ne

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.