Sot përkujtohet ditëlindja e Fan Nolit

Fan-Noli Në 6 janar të vitit 1882, në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi) lindi shkrimtari, politikani, përkthyesi, shtetari, diplomati dhe historiani i madh, Fan Noli. Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Në vitin 1904 Noli shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në atë kohë ai përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Në vitin 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, ai krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Në 9 shkurt të vitit 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Nga viti 1909 e deri më 1911 Noli botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anetarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.

Shkruar nga: Lediona Braho

Shperndaje ne
Updated: 9 Janar, 2015 — 21:04

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.