GJAKU I LIRISË! Portret për veprën e Dibran Fyllit; regjisor, artist filmi, shkrimtar, aktor teatri, skenarist, dhe fotograf

dibran_fylliGJAKU I LIRISË

(Kosovë, lirinë po e fitojmë me gjak burrash dhe bijash. Kthim prapa nuk ka. Koha do të jetë dëshmitare se këtë radhë Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur. Drenica është ngritur sot, që nesër të ngrihet e tërë Kosova, shkruan Dibran Fylli, në ditarin e tij, të datës 2 shkurt 1998. Dibran Fylli, shkrimtar, artist, regjisor, skenarist dhe fotograf, është pjesëmarrës i radhëve të para në Ushtrinë, Çlirimtare të Kosovës)

Dibran Fylli u lind në vitin 1956 në Açarevë të Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Mitrovicë. Pas shkollës së mesme, Dibran Fylli fiton konkursin, për Regjisor, në Akademinë për Teatër, Film dhe Televizion, në Lubjanë. I kulturuar në Odën e Drenicës, Dibran Fylli, u burrnua nën tingujt e rapsodëve të fuqishëm të këngës popullore dhe të pushkës. Në Lubjanë, Dibran Fylli, përveç studimeve në Akademi, ai u bashkohet bashkëkombasve që jetonin në Lubjanë. Fillimisht, Dibrani anëtarsohet në Shoqatën “Migjeni”, e më pastaj në revisten letraro-politike, “Alternativa”. Kosova e viteve 1997- 1999 kudo ishte në kryengritje. Sa mbyllej një varr, hapej një varr i ri.

Betejat në Kosovë rrëfen Dibrani, ishin të çdoçastëshme dhe të përditshme. Lufta ilegale, dhe demonstratat e të rinjëve, ishin çarja më e madhe e thyrjes së përgjakshme të jugosllavisë. Organizimi social-politik shqiptar më thotë Dibrani, lindi UÇK-në, forcën e burrave dhe të bijave që do ta çlirojnë Kosovën. Jam shumë i mbushur me këngë dhe beteja, për të qëndruar jashtë ngjarjeve që po ndodhin. Dibran Fylli, shkrimtar, artist, dhe regjisor, me tërë bagazhin e tij poetik, përveç që armatosi fjalën e vet, u veshë edhe me armë, për ta çliruar vendin. Thirrjes së Kosovës për liri, Dibrani ju përgjigj që në ditët e para të luftës. Ai, pa u hamendur bëhet pjesëtar i radhëve të para të UÇK-së, dhe udhëheqës i njësitit të parë, “Shkoza 2” në Açarevë. Nuk ka tragjedi njerëzore që mund ta vras vullnetin e një populli për liri, më thoshte një miku im poet.

Lufta që po bëjmë sot, është liria që do ta kemi nesër, ky ishte motivi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Amaneti i gjakut të të rënëve, amaneti i këngës popullore, amaneti i nënave me fëmijë të burgosur, nuk më lejonte të bëj gjumë, e të mos jem në betejë. Sëra e armikut e kishte mbushr kupën. Në Luftën e Llapushnikut, më 8 maj 1998, Dibran Fylli, plagoset rëndë, në betejë të drejtpërdrejt me armikun. Plagën e marrë në Luftë, Dibrani i quan, “trëndëfi në trup”, pjesëmarrës i shumë betejave në Luftën e Kosovës. Veprimtaria e Dibran Fyllit, nuk mbaron me kaq. Dibrani, mes tymit dhe barotit, nën krismat e armëve, themelon, Trupen Artistike Ushtarake, „Hamëz Jashari“ të UÇK-së, dhe një varg veprimtarish të tjera në luftë.

Në ditarin e tij të luftës, të vitit 1997, Dibran fylli shkruan; Burgu ku mbahen djemtë tanë pse Kosovën e duan të lirë, është prej hekurave të papushueshëm. Por, kjo nuk e zvogëlon vullnetin tonë, që këtë burg të bërë ta thyejmë. Pushka e UÇK-së, pushka e zemrës dhe e shpirtit, në gjithë vitet e mëpastajme do ta detyrojë Serbinë të ikë nga Kosova. Dibran Fylli, është njëri nga të rrallët shkrimtarë, artistë, dhe regjisorë, që në fushë të betejës, ia shkrepi plumbin armikut. Liria e Kosovës për mua, shkruan Dibran Fylli, është më shumë se gjithçka. Pa liri, unë, Dibran Fylli, nuk di të jetoj.

Dibran Fylli, shkrimtar, ka botuar 12 vepra;
1 . “Të fala nga Stambolli”, poezi, Tiranë 1998
2. Argumente, “Drenica dikur dhe sot” Tiranë 1998
3. “Ai është i gjallë”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë 2000
4. “Edhe kjo është pjesë e jetës”, roman, “KSH “Vorea Ujko” Klinë 2006
5. “Ditari i Tafrruk Tafrrukuci të Tafrrukajve” komedi-humor, KSH “Vorea Ujko” Klinë 2006
6. “Sharkia e Drenicës” këngë për luftën dhe Dëshmorëve të UÇK-së Klinë 2007
7. “1365 ditët e jolirisë”, Përmbledhje poezish – LSHK (2012)
8. “Prekazi brezni trimash” kronologji në 7 gjuhë – LSHK (2013)
9. “edhe kjo është pjesë e jetës”, roman – ribotim LSHK (2013)
10. “Sharkia e Drenicës” – ribotim LSHK (2013)
11. Hasan Prishtina, stërnip i Avdullah Veliqit, monografi – PrishtinaPress 2013
12. “Çdo shesh, një përmendore”, antologji – “Meshari” 2013

Ndërsa, Dibran Fylli, Regjisor, Artist, dhe Fotograf, ka një veprimtari të gjerë krijuese. Dibran Fylli deri më tash ka realizuar; Një film të shkurtër, një film artistik në dy pjesë, një komedi, 5 role, në 5 filma artistik, 2 monologje, 2 qind fotografi, me pamje nga luftimet, 4 qind minuta, xhirime në luftë, dhe 36 filma dokumentar. Kjo prodhimtari krijuese aq e gjerë dhe aq e vlerë për Kosovën, është vepra e Shkrimtarit, regjisorit dhe aktorit, që e nderon Kosovën dhe lirinë e saj.

Fotografi dhe xhirime ekskluzive gjatë luftës 1996/’99:
-mbi 200 fotografi
-mbi 400 minuta xhirime
3 filma të realizuar
-film artistik në dy pjesë “Deri kur…?” (i realizuar në vitin 1996)
-komedi „Kalanica e Kadiut“ (1996)
-film i shkurtër “Qyteti i zi” (2013)
5 role të realizuara:
-filmi “Rrënjët” – Hazir Dema
-filmi “Deri kur?” – Demë Sinani
-komedi “Kalanica e Kadiut” – Tafrruk Tafrrukuci
-filmi “Vdekja në sy të motrës”- Babai
-filmi “Azem Galica”- Bejtë Galicën

34 Filma dokumentar dhe 2 monologje:
1. „Gjaku i Kosovës“, dokumentar për luftën e UÇK-së dhe shërimin e të plagosurve
(filmi është punuar gjatë luftës në TV Klan dhe është edituar ne TVSH 1998)
2. „Organizimi i shëndetësisë gjatë luftës“, dokumentar i promovuar ne Simpoziumin Ndërkombëtar  (Prishtinë 29.09.1999)
3. film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës heroike të Dëshmorit Skënder Çeku (2000)
4. film dokumentar kushtuar heronjve Nebih e Tahir Meha (kooproduksion me RTK-2001)
5. dokumentar „Lindja dhe rrita e Bat. 40 të shëndetësisë të TMK-së“,(2001)
6. dokumentar „Thyerja e kufirit, ideal i bashkimit kombëtar“,kushtuar Betejës se Koshares (2001)
7. dokumentar „Akademia e Mbrojtjes Tempull i dijës ushtarake” (22 prill 2002)
8. film dokumentar „Vepër, jo fjalë“ (2008)
9. film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës heroike të Dëshmorit Muhedin Morina (2008)
10. film dokumentar „Fryma e lirisë zbutë dhembjen për liri“ kushtuar Dëshmorit Faruk Elezi (2008)
11. film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Dëshmorit të Brigadës 112 Arben Haliti (2008)
12. film dokumentar „Jeta dhe lufta për liri“ kushtuar Dëshmorit Avni Zhabota (2008)
13. dokumentar „Korbi, pjesë e betejave të përgjakshme për shthurjen e Jugosllavisë“-Mirush Dakaj-(2008)
14. monolog kushtuar luftës çlirimtare të ZO të Pashtrikut (2008)
15. film dokumentar poetik „Krushqëzimi“ kushtuar 24 Dëshmorëve të Jezercit (2008)
16. film dokumentar informativ „Libri ne shtegtim“ për krijimtarinë e krijuesit Isak Guta (2008)
17. monolog “Amaneti i kullës së lashtë” (2009)
18. film dokumentar „Gjaku i lirisë“ kushtuar jetës dhe veprës heroike të Dëshmorit Fehmi Rama, (2009)
19. film dokumentar “Krisma e Këngë”, për Dëshmorin Milaim Krasniqi (2010)
20. dokumentar “FASHIKO” (2011) (për sportin e karatesë në Kosovë)
21-33. Emision ekskluziv dokumentar në 12 vazhdime “LUFTË PËR JETËN”, i edituar në RTK gjate sezonit (2010-2011)
34. dokumentar “MBIJETESA” (2012) – pjesëmarrës në “Javën e filmit” në Nju Jork
35. dokumentar “KRIMI” (2012) – pjesëmarrës në “Javën e filmit” në Nju Jork
36. dokumentar “AI JETON NE SHPIRTIN E POPULLIT” kushtuar Hasan Prishtines (2013)

Kam lexuar diku, më thotë Dibrani, se burgu, është kafaz prej hekurit të papushueshëm. Populli ynë kurrë s´është pajtuar me pushtuesin. Asnjë ditë në Kosovë nuk ka qenë pa betejë. S´ka pëllëmbë toke në Kosovë, dhe gjithandej Ilirisë, që nuk është spërkatur me gjak. Bërja e Kosovës e lirë dhe e pavarur, ishte domosdoshmëri. Unë me titullin regjisor akademik, kapa pushkën, që ta vrasim luftën. UÇK- ja ishte dhe mbetet lufta më e shenjtë, më e pastërt, dhe më çlirimtare e popullit tonë. Miqtë Amerikanë, dhe miqtë Evropianë, u vunë në krahun e Kosovës, për ta thyer Rajhun, Serbi-Rusi. Miqësinë me ata që na ndihmuan të çlirohemi, populli ynë do të dijë ta ruaj dhe ta çmoj. Dibran Fylli, poet, ka rrëmbyer 3 çmime të para për poezi në 3 qytete të Kosovës; në Prizren në festivalin ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, në Stubëll të Vitisë, çmimin, “Shën Jeronimi- Iliri”, 2012, dhe në Besianë, “çmimin e diasporës”, 2013 .

Veprimtaria e Dibran Fyllit është shumë e gjerë, regjisor, artist filmi, aktor teatri, poet, dramaturg, xhirues dhe fotograf.

Dibran Fylli është themelues i Trupës Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” të UÇK-së (shkurt 1999).

-Ideator, skenarist dhe organizator i Manifestimit Përkujtimor “Ditët e Përndritjës” tash “Epopeja e UÇK-së” (5, 6 dhe 7 mars – e njohur si “NATA e ZJARREVE).

-Drejtor i Trupës Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” të UÇK-së dhe TMK-së (1999-2002).

-Ideator, skenarist e regjisor i Festivalit Folklorik „I këndojmë lirisë“- kushtuar figurës madhore të UÇK-së Mujë Krasniçi-KAPUÇI (Klinë 6, 7 dhe 8 Qershor).

-Skenarist i programit artistik “Ai është i gjallë” pjesa -I- dhe -II-

-Autor i shumë skenarëve dhe organizator i dhjetëra Akademive Përkujtimore e Solemne

-Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” në Klinë.
Dibran Fylli, I arrestuar nga gjykata e UNMIK-ut dhe i burgosur nga “liria” 4 vjet ( me gjithsejt 1365 ditë burg të UNMIK-ut ), dhe pas 4 vjetësh të burgut të “lirisë”, i liruar i pafajshëm. Jeta e krijuesit, Dibran Fylli, është jetë heroike. Dhimbja e tij nuk shtrihet nëpër shkretëtira të kohës, për t´u dehur me vuajtjen dhe dëshpërimin. Kufijt e imagjinatës së Dibran Fyllit janë më përtej, në paanësinë e dëshirave të tij! Shëndet, dhe sukses, artistit, regjisorit, dhe poetit, Dibran Fyllit.

RrustemGeci

Nga: RRUSTEM GECI

Shperndaje ne
Updated: 26 Tetor, 2016 — 20:36

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

1 Comment

Add a Comment
  1. Kështjella

    Flakadan lirie
    Besa-besë e kombit
    Jehona e maleve
    Tokë e larë me gjak
    Kështjellë e re
    Selia e shenjtë
    Përgjithmonë
    Do të mbetet
    Prekazi legjend.

    Baladë për Adem Jasharin

    Më vjen turp
    Që nuk isha pranë teje
    Në kohën e duhur
    Vendosa të vij
    E të çmallem
    Së paku te varri
    E ta kujtoj Ademin
    Luftëtarin trim
    Dhe besnik
    Që dha gjak
    E gjithë çka kishte
    Për ne të gjallët.
    E ne sot
    Harruam shpejt
    Rezilë u bëmë
    E besën fare
    S’e mbajtëm
    Lakmia na verboi
    E fare nga turpi
    Nuk skuqemi.
    Erdha sot
    Në seli të shenjtë
    Në Prekazin legjendar
    Të nderoj
    Të frymëzohem
    Ta kujtoj luftën
    Dhe sakrificën tënde
    E ta shoh në sy
    Epopenë dhe betejën
    Kur filloi dhe u ndez
    Flakadani.
    Ku mori përmasa
    Epokale
    Të lavdishme
    Dhe krenare.
    Ndal, ju lutem pak
    Një zë po e dëgjoj
    ‘’Eu, eu, eu’’
    A e dëgjuat edhe ju?!
    Zëri i Bacë Ademit qenka
    Po thërret –po!
    Jo s’paska vdekur
    Ai është gjallë
    Me zë të lartë
    Po thërret.
    Me mençuri
    Guxim e drejtësi
    Atdheu bëhet.
    Atdheu i të gjithëve
    E jo kështu o të marrë
    Dukagjin, Llap e Drenicë
    Për karrige
    Horë u bëtë.

    Nga Halil Preniqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.