Histori Kombëtare: BIJTË E SHQIPONJËS

14690986_692573017585970_6270740646865644106_n

Nga MELVILLE CHATER
Shkurt 1931.

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Ndërsa lidhnim- dua të them, ndërsa shuanim motorin e makinës- një shqiponjë gjigante u duk në qiellin kaltër që ishte edhe mbretëria e saj. Ky zog mbretëror na bëri që ta ndiejmë me të vërtetë se gjendeshim në Skipërinë (Shqipërinë) antike, në Vendin e Bijve të Shqiponjës.
Në qoftë se ndonjë udhëtar i antikitetit grek ose romak do të thërriste: “Ah, kjo qenka, pra Albania?!”, shqiptarët nuk do ta kuptonin se për çfarë vendi e kishte fjalën. Përpara nëntë shekujsh ndonjë i huaj, i cili konsideronte si të pakuptimtë emërtimin “Shqipëri”, do ta shtrinte “Alp” ose “Alb” në Albania- për të përshkruar me anë të këtij emri vendin me malet e larta e të mbuluara me dëborë.
Prejardhja e emrit Shqiptar humbet në legjendat fiseve malore ballkanike. Pasi fjala “shkep” nënkupton shkëmb, dhe emërtimi shqiptarë ndoshta mundet të nënkuptojë “banorë të shkëmbinjve”. Por Plutarku jep një shpjegim tjetër më interesant. Biografi antik grek na rrëfen se, kur mbreti i Epirit, Pirroja u krahasua nga ushtarët e tij me një shqiponjë, në mënyrë të sjellshme u përgjigj se armët e tyre i jepnin krahë. Ashtu si epiriotët që pranuan modestinë e mbretit Pirro, edhe albanët morën emrin shqiptarë, bijtë e shqiponjës.
Shqiptarët e sotëm do t’ju thonë se janë fisi më i vjetër në Evropën juglindore. Me të vërtetë, gjuha e tyre dhe zakonet e tyre dëshmojnë për një origjinë të lashtë. Janë ndoshta pasardhës të Ilirëve, të cilët e kishin prejardhjen prej Pellazgëve.
Derisa arkeologjia të hedhë më shumë dritë në gjuhën shqipe, mendimet e filologëve do të jenë të ndryshme. Nga këta një pjesë e madhe beson se një e treta e gjuhës shqipe ka prejardhje pellazge. Të tjerë besojnë se gjuha shqipe e ka prejardhjen nga ilirishtja dhe se nuk ka asnjë lidhje me gjuhën greke. Një pjesë tjetër e gjuhëtarëve beson se shqipja është gjuha më e vjetër në Evropë, nëna e greqishtes dhe e latinishtes.
Platoni dhe Herodoti, përmendin në veprat e tyre se grekët e lashtë i morën perënditë e tyre prej pellazgëve. Sipas disa shkencëtarëve kjo teori mbështetet prej faktit se shumë emra të perëndive antike, si p.sh. Zeus, Nemesis dhe Rea mundet të shpjegohen ose të kenë prejardhjen prej fjalëve “ZË”, “NËMË” dhe “RE” e gjuhës së shqiptarëve.
Shqiptarët mundet që ta kenë me të vërtetë prejardhjen prej ilirëve. Si një pemë e madhe, ajo mbretëri e lashtë shtriu hapësirën e saj në Epir, në Maqedoninë veriperëndimore dhe në një pjesë të madhe të Jugosllavisë së sotme. Gradualisht nga shkëlqimi kaloi në rënie, në venitje, pas ekspeditave të Filipit të Maqedonisë dhe djalit të tij të famshëm Aleksandrit të Madh. Më vonë dhe pasi romakët shkatërruan Kartagjenën e shtrinë interesin e tyre tutje Adriatikut, Iliria u nda në tre perandori.
Pas shpërbërjes së perandorisë, Iliria kaloi në duart e Gotëve dhe më pas në ato të Bullgarëve. U ndrydh edhe më tepër fiset ilire, epirote dhe maqedone u grumbulluan në truallin që sot quhet Shqipëri. E vetmja që mbeti prej lisit ilir ishte bërthama shqiptare.
Pasi kaluam Përmetin, Kërcyrën, Tepelenën dhe kështjellën e shkatërruar që ka mbetur nga kujtimi i të ashprit Ali Pashës, në perëndim arritëm në Gjirokastër…

Shperndaje ne
Updated: 17 Nëntor, 2016 — 10:55

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.