Unë dhe qeveria jonë nuk do të rreshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë…

Pritja madhështore për Kryeministrin shqiptar në Preshevë

ARTEMISA HOXHA

presheva

Presheva Bujanoca Medvegja jane Shqiperi

Mijëra qytetarë kanë pritur para sheshit Liria të Preshevës Kryeministrin Edi Rama. Banerat ku shkruhet “Mirë se vjen Kryeministër” gjendeshin pothuajse në çdo pjesë të Preshevës.

Fotografia e tij ka pushtuar qytetin duke filluar nga gjimnazi “Skënderbeu” e deri në qendër, Komuna e Preshevës në sheshin e dëshmorëve të UÇPMB-së. Kreu i qeverisë ka mbërritur në Preshevë rreth orës 11:45, rreth 45 minuta me vonesë, nga ku ka përshëndetur shqiptarët që e prisnin dhe më pas është drejtuar për të takuar anëtarët e këshillit komunal në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjevës, të cilët i kanë dhënë edhe titullin “Qytetar Nderi” i Preshevës.

Në mënyrë solemne i është dorëzuar titulli “Qytetar Nderi” nga Këshilli Komunal i Preshevës. Të 33 këshilltarët e Preshevës votuan unanimisht që Kryeministrit shqiptar t’i akordohej titulli “Qytetar Nderi” i Preshevës. Titulli “Qytetar Nderi i Preshevës” u dorëzua nga kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanovcit, Jonuz Mulsiu, njëherazi kryetari i ardhshëm i KKSH-së. “Kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare gjithnjë ka qenë i interesuar dhe ju është përkushtuar shqiptarëve të Krahinës së Preshevës. Me vizitën e sotme ai pa asnjë dyshim ka përmbushur edhe një obligim kombëtar dhe kushtetues si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë për t’u kujdesur në lidhje me pozicionin e shqiptarëve kudo që jetojnë”, tha Musliu.

“Mirë se ju gjej dhe faleminderit. Jam i ndërgjegjshëm për situatën, sakrificat dhe varfërinë. Do mbrojmë interesat e vëllezërve dhe motrave tona në këto troje. Barrën e ndiej tani më shumë pas këtij nderimi. Tani ndihem një nga qytetarët e këtyre territoreve”, deklaroi Rama.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi në këto momente se vizita e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Preshevë është e mirëpritur, pasi ka 102 vjet që në këtë tokë nuk vjen asnjë përfaqësues nga atdheu amë. Mustafa theksoi se “deklarata e zotit Rama në Beograd se “shqiptarët e Preshevës duhet të kenë të njëjtin status si serbët e Kosovës” është shumë e mirëpritur nga shqiptarët e Luginës. Sipas tij, shqiptarët e Preshevës duhet të kenë të njëjtin status si serbët e Kosovës.

Pas kësaj ceremonie, kreu i qeverisë është drejtuar për te pallati i kulturës “Abullah Krashnica”, nga dhe ku do të mbante fjalimin që preku shqiptarët në këtë zonë. Duke shprehur besimin se është hapur një faqe e re historie mes Shqipërisë dhe Serbisë, Rama theksoi se tashmë është marrë përsipër përgjegjësia për të mos lejuar më që gjenerata e re e shqiptarëve, por edhe e serbëve, të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të së shkuarës. “Unë dhe qeveria jonë nuk do të rreshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari kudo ku ai jeton.

Ju jam thellësisht mirënjohës për këtë mikpritje të paharrueshme dhe për këtë organizim kaq dinjitoz, që ju siguroj se do të mbetet i pashlyer në kujtesën time dhe pa asnjë dyshim do diktojë edhe përkushtimin e jashtëzakonshëm timin dhe të të gjithëve ne në Tiranë për të qenë pranë jush dhe për të punuar së bashku në mënyrë që secili prej jush të ketë një rrugë të hapur për të realizuar ambiciet e tyre dhe të ketë gjithmonë një derë të hapur në Shqipëri për të kryer studimet e tyre”, tha Rama.

Incidentet

Por përtej entuziazmit të madh në Preshevë për pritjen e Kryeministrit Edi Ramën sheshin “Iliria”, rrugëtimi i delegacionit shqiptar, i cili la kryeqytetin serb në 07:00, u parapri nga incidente në kufirin me Preshevën. Policia serbe bllokoi për rreth 40 minuta autobusin me 28 gazetarë dhe operatorë shqiptarë, rrugës për në Preshevë. Autobusi është lejuar të vijojë rrugën menjëherë pasi ka kaluar eskorta e Kryeministrit Rama, ku policia kishte nxjerrë si pretekst pikërisht këtë arsye që Kryeministri Rama duhet të kalonte më parë në kufi.

Ndërkohë që më herët nuk kanë munguar as incidentet për flamurin shqiptar, ku policia serbe në një aksion të ndërmarrë në orët e para të mëngjesit ka hequr të gjithë flamujt shqiptarë, të vendosur në shtyllat e rrugëve kryesore të Preshevës. Por gjithë vizita e delegacionit shqiptar në Luginën e Preshevës është shoqëruar nga një numër i lartë i forcave speciale serbe që “blinduan” të gjithë komunën, për mbarëvajtjen e vizitës së Kryeministrit në këtë trevë. Edhe pse policia serbe hoqi të gjithë flamujt shqiptarë që u vendosën në Preshevë për pritjen e Ramës, mbetën banerat në hyrje të komunës me mbishkrimin “Mirë se vjen Kryeministër” të shoqëruar me foton e Edi Ramës.

Shperndaje ne
Updated: 16 Nëntor, 2014 — 17:54

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.