“Pellazgët – stërgjyshërit e kombit shqiptar”

“Pellazgët – stërgjyshërit e kombit shqiptar”

Nga Dhimitër Shtëmbari

Sotir_llashovaMbas një krijimtarie të gjatë në fushë të letërsisë e mbas disa studimeve me vlerë në fushë të historisë, para pak kohësh intelektuali shqiptaro-amerikan me banim në Jacksonville FL., Sotir Lashova i shkoi lexuesit kohët e fundit me librin “Pellazgët – stërgjyshërit e kombit shqiptar”. Është një libër me rreth 300 faqe, i ilustruar ky edhe me mjaft fotografi.
Futur seriozisht në temën historike, duke u rrekur të trajtojë me argumentet e studiuesve të njohur etnogjenezën e shqiptarëve, Sotir Lashova iu drejtohet bashkëatdhetarëve të vetë si për t’u thënë, se ne si popull nuk jemi dokudo, por autokton në vatrat tona, ngulur e mbetur në këto troje që në shekujt më të hershëm. Jemi një popull rracëbardhë, me identitet të plotë europian; një popull që i ka bërë, i bën dhe do t’i bëjë nder kontinentit plak. Studiues seriozë të pellazgëve, mbështetur në shkrime të autorëve të antikitetit, shkruan autori, theksojnë se emërtimi “pellazg” rrjedh nga fjala “pjellarg”, që mund të shqipërohet “pjellë-bardhë”. Të tjerë dijetarë, shkruan autori, emrin “pellazg” e lidhin me fjalën “pelag” – plak, pleqësi. Eskili i famshëm i cilëson pellazgët soj i bardhë, i cili në tragjedinë e tij “Lutëset” shprehet: “I madhi krijimtar i sojit tonë; i bardhi Zeus …”. Homeri i quan pellazgët hyjnorë. Fjala hyjnor – diot, nga pellazgjishtja – në shqip kuptohet “dies” – i ditur. Dhe togfjalëshi del: pellazgët e ditur. (Faqe 26).
Libri “Pellazgët – stërgjyshërit e kombit tonë” përfshin material të bollshëm shkresor e bindës, material ky i përzgjedhur me shumë kujdes, gjithmonë në funksion të idesë qellimmirë: shkuarjes drejt të së vërtetës. Lexuesit i është përciell një libër i ngarkuar me informacion të bazuar në histori dhe me shumë pak koment nga ana e autorit. Gjykuar nga ky kënd, si të thuash, ka shumë më tepër “thella” se sa “lëngë”, duke u realizuar kësisoj një vëllim i mirëfilltë shkencor. Autori ka bërë kujdes që të jetë sa më i besueshëm në ato që shkruan, duke lënë rast që të flasë me gjuhën e korifejve grekë, si dhe me atë të historianëve, gjuhëtarëve, arkeologëve, shkrimtarëve shqiptarë, por edhe të huaj. Në këtë vështrim, autori ka ecur vetëm rrugëve historike, duke u qendruar larg atyre të gjeopolitikës. Autori citon Sami Frashërin të ketë shkruar: “Më të vjetërtë prindërt’ tanë bota i quajnë pelazgë, fjal’ e mbeturë nga prindret tanë më të pastajmë, të cilëtë quaninë më të parët’ e tyre plak a pleq. Sido të jetë, ky komp kaq’ i vjetërë e kaq i vjejturë për istorit ka qën’ i shumë’ e i fortë e i përhapurë nëpër gjithë Europëtë të Lindjes”. (Sami Frashëri. Vepra 2. Faqe 20-21) Dijetarë të shquar, që merren me shkencën e gjuhësisë, kanë vërtetuar se pellazgjishtja e vjetër ka qënë e përafërt me shqipen e sotme … Shqipja qendron në mes të greqishtes së vjetër dhe sanskritishtes, se lidhja e së parës me këtë të dytën, që është nëna e gjuhëve, bëhet nëpërmjet shqipes ..”. (Po aty)
Për të qënë sa më gjakftohtë dhe i paanshëm, autori i këtij libri interesant i është drejtuar lexuesit jo nga pozitat e shqiptarit të sotshëm, por nga ato të pellazgut të hershëm. Të atij pellazgu që do të rrezatonte vlera te shumë popuj pasardhës, vendosur në treva të ndryshme, midis të cilave – edhe në ato ku do të banonin shqiptarët pasardhës. Pa i lejuar vetes mburrje, por duke i shtuar modesti, autori fton të flasin në këtë libër dijetarë të mirënjohur, të cilët pohojnë shkencërisht, se fjalë të shumta të popujve të ndryshëm, deri në thellësi të Azisë, shpjegohen pikërisht përmes gjuhës shqipe. Këtë pohim autori e ka mbështetur me shëmbuj interesantë, që kushdo do të mund t’i gjente në këtë libër. Kështu, disa fjalë shumë te hershme dhe me përdorim më të shpeshtë në trevat e shqiptarëve të sotshëm, përbëjnë një bazë të fortë nga ku nuk mund të mos nxiren përfundime shkencore. Jani Vreto, për shëmbull, shkruan Sotir Lashova në këtë libër, na shpjegon etimologjinë e disa prej emrave të tillë, si: Kaos – haos – hapsirë e madhe. Herebos – errësirë. Gjea – gji. Dhea – dhe. Po kështu, studiuesi i njohur arvanitas, Aristidh Kola, ka përmendur emrin e dy qyteteve: Posidhea dhe Potidhea. Dhe shpjegon fjalët Pot – dhe (tokë) i lagësht. Në krahinat juglindore të Shqipërisë (Leskovik, Përmet etj) është e përdorshme kjo fjalë, sidomos nga bahçevanët: potis kopshtin, potis arën. Domethënë, ujis kopshtin, ujis arën.
Emrat e shumë prej perëndive bëhen çelës për të zbërthyer fjalë të veçanta të gjuhës së vjetër shqipe. Kështu, Dhemetra – emri i perëndeshës së prodhimtarisë bujqësore, kaloi në shekuj dhe i rezistoi historisë së evoluimit të gjuhës. Emrin e kësaj perëndeshe “Dhe” sot e kemi në rrënjën e fjalës më kuptimplote. Mëmë – dhe. Madje, kjo është edhe në variantin e gjinisë mashkullore: At – dhe. Që Dhemetra, ky emër i hershëm perëndie ka ekzistuar në të dy anët e Adriatikut, këtë e dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike. Relike të hershme, kryesisht statuja, buste e objekte të tjera që lidhen me Dhemetrën janë gjetur në Dodonë, Butrint, Apoloni. Madje, vitet e fundit, edhe në qytetin e Durrësit është zbuluar një statujë e Dhemetrës, në pozicionin ulur, me përmasat mbi ato të një njëriu të zakonshëm.
Libri “Pellazgët – stërgjyshërit e kombit shqiptar”, si i tillë, është një material më shumë në duart e të gjithë atyreve që dëshirojnë të mësojnë disa të vërteta për prejardhjen e popullit shqiptar dhe, në po këtë kënd, edhe për atë të popujve të tjerë të Ballkanit, si dhe për pozicionet e tyre të kahershme në kuadrin e lëvizjeve të tyre të natyrshme ndër shekuj. Të bën përshtypje fakti, se autori i këtij libri i është shmangur ndjenjës së shqiptarofobisë, duke iu paraqitur lexuesit shumë modest. Krejt ndryshe nga mjaft të huaj, që, duke u marrë me çështje të periudhave të hershme mundohen që të pronësojnë vlera të pamerituara historike, autori i këtij libri shkruan realisht për të vërteta të besueshme të fqinjve dhe të popujve të tjerë jashtë Ballkanit dhe deri tej Europës. Etruskologë dhe historianë të hershëm, shkruan autori i këtij libri (faqe 164), kanë theksuar, se Perandori Romak me origjinë pellazgo-ilire, Klaudi II (shekulli III i erës së re) i ka pas lexuar rregullisht vjetarët historikë etruskë të kohës, ku shkruheshin çdo vit, përmbledhtas, ngjarjet më të rëndësishme. Kjo tregon, se pellazgjishtja – etruskishtja – ilirishtja dhe shqipja përbënin, historikisht në rrjedhë, një gjuhë.
Përpos shumë vlerave të tjera të karakterit historik, ky libër në vetvete është edhe një mesazh që iu drejtohet tërë historianëve shqiptarë dhe atyre të huaj për të ndërmarrë të tjera studime të thelluara në fushë të historisë së prejardhjes së popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të Ballkanit e më gjërë, për të pasuruar në këtë mënyrë dijen tonë lidhur me pozicionin e të parëve tanë e të gjuhës së tyre në kuadër të shtresësimeve në shekuj. Një detyrë e tillë, e kryer me seriozitet shkencor, do të mund të ishte një ndihmë e madhe për të gjithë, deri edhe për tërë politikanët e qeveritarët e sotëm shqiptarë, të cilëve jo në pak raste iu kërkohet të shfrytëzojnë historinë e popullit tonë në dobi të trajtimit dhe të zgjidhjes së problemeve që kanë të bëjnë me vetëqënësinë tonë kombëtare.

Shperndaje ne
Updated: 16 Janar, 2015 — 09:21

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.