VËSHTRIM PËR LIBRIN “SHQIPËRIA”, BOTOI K L “ZAHIR PAJAZITI”, PODUJEVË, ME KRYETARIN RUDI BERISHA

zahir_pajaziti_02

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Poezitë e vëllimit “Shqipëri” erdhën në duart e lexuesve në përvjetorin e 104 të Pavarësisë së Shqipërisë, në datën e 28 nëntorit, në të cilën ndodhën shumë ngjarje me rëndësi tepër të madhe për kombin tonë, kur në atdheun tonë ishin lindur edhe dy figura të shquara kombëtare, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, të cilët të betuar nën peshën e flamurit kuq e zi, na e lanë amanet fjalën e tyre të fundit:
-Për lirinë e Atdheut kurrë s’duhet pushuar së luftuari!
Po, është kjo porosi e shkruar edhe mbi shumë pllaka të varreve të dëshmorëve e të lapidarëve, që duhet të përcillet brez pas brezi te çdo shqiptar.
I kujtojmë me krenari Ademin dhe Zahirin, komandantët e UÇK-së, e cila po ashtu u shfaq publikisht më 28 nëntor 1998 në Drenicën heroike.
Sa madhështore është për një popull edhe një fjali, si ajo e Fehmi Lladrovcit:
– Për lirinë e atdheut, po t’i kishja, do t’i jepja edhe dy jetë.
Kjo dëshmon se ky popull ka pasur bij të denjë dhe se rënia e tyre është përjetësuar në vargjet shqipe si kurorë admirimi dhe lavdie, ngase ata ishin brumosur me atdhedashuri që në gjirin e nënës:

Flaka e barotit i përqafon lisat e maleve tona
Shkëmbguri dashuria ime për ty Atdhe këndon
(Rudi Berisha “Shkëmbguri dashuria ime për ty atdhe”)

Bijtë e bijat e kombit tonë asnjëherë nuk lejuan që i huaji të luante me gjuhën dhe me simbolet tona kombëtare. Sa e sa dëshmorë kombëtarë do të ecnin drejt përjetësisë duke i thënë armikut, se kjo Tokë ka emër, gjuhë dhe flamur dhe kurrsesi nuk lejon të ndëshkohet e të sfidohet nga të huajt dhe se o me hirë o me pahirë një ditë do të Ribashkohet, ngase:

Njëqind vjet ruhet dhe guri
Pesëqind vjet ruhet flamuri
Njëqind vjet presim bashkim
Njëqind vjet patëm durim
Prej Presheve gjer në Vlorë
Prej Medvegje në Bajgorë
Prej Bujanoci në Dardani
Prej Tivari gjer n’ Çamëri
Nën Flamurin kuq e zi
Përgjithmonë do jetë Shqipëri
(Rrahman Hyseni “Prej Medvegje në Dardani”)

Madhështore do të jenë të gjitha poezitë e vëllimit “Shqipëri”, që e përjetësojnë në art atdheun dhe flamurin tonë kombëtar, siç ishin madhështorë edhe shumë atdhetarë të Kuvendit Historik të Vlorës, të cilët edhe me jetë do ta paguanin, po të ishte nevoja, por shpalljen e Pavarësisë gjithsesi do ta bënin. Po, pas Skënderbeut do të rreshtohen shumë emra si: Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e shumë të tjerë, të cilët nuk do të lejonin, që mbi këtë tokë, në vend të gjuhës shqipe dhe të flamurit kuq e zi të gjallëronin gjuhë të tjera dhe të valëviteshin flamuj të tjerë, që kishin një qëllim të vetëm – shuarjen e gjuhës shqipe. Këta trima ishin këmbëngulës që gjuha jonë të flitej lirshëm, e cila u trashëgua brez pas brezi nga pellazgjishtja dhe po këta burra atdhetarë nuk e lejuan asnjëherë përdhosjen e flamurit tonë kombëtar, që shqiptarëve u priu në luftëra të parreshtura për liri që nga Moti i Madh i Skënderbeut e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhe me germa të arta
U shkrua 28 Nëntori.
Nëpër shekuj u derdhën
Lumenj gjaku,
Me qindra fjalë urime
Vrapuan atje për tek ty.
Dhe Vlora sykaltër
Kombit i këndoi këngën
Mot e jetë në Liri!
(Xhevahir Cirongu “Jetë e mot në liri “)

E përgjakshme do të ishte jeta e Atdheut dhe shekujt do ta rëndonin me motet e robërisë, po mos të ishin atdhetarët që u sakrifikuan për gjuhën dhe flamurin, për shkëmbin e gurin, fushën dhe malin, lumin e detin.
Heronjtë nuk u stepën as u ndalën për asnjë çast.
Do t’i rikujtojmë me krenari bëmat e Motit të Madh, do ta rikujtojmë madhështinë e Aleksandrit, Pirros e Skënderbeut, do ta rikujtojmë shqiptarin e vërtetë, që dashuri mbi dashuritë pati veç atdheun, të cilin me gjoksin hapur sikur Mic Sokoli e mbrojti me gjak dhe nder, duke ia rikthyer lavdinë bashkë me lirinë tokës që e lindi dhe rriti, nënës Shqipëri.
Dritë lirie do të dukej mbi retë e robërisë, sepse si rreze lirie do të shfaqeshin në qiellin e atdheut dëshmorët si Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, Shabani, Ademi e Hamzai, Fehmiu e Xheva, Antigonë Fazliu e Vëllezërit Haradinaj e shumë e shumë të tjerë, të cilët luftuan e qëndruan nën flamurin kuq e zi. U betuan në Shqipen Dykrenare se do ta rilindnin madhështinë e Atdheut dhe do t’ia kthenin krenarinë duke i kërkuar dhe vizatuar me gjakun çlirimtar kufijtë e Shqipërisë Natyrale, të lodhur e të drobitur nga robëria dhe të rrudhur e të tkurrur gjithandej nga barbarët.

Si llavë e zjarrtë vullkani
Trupin e shpirtin tim djeg
Dhe derisa unë
Në fushëbetejat e nderit
Dëshmorëve
Plagët ua lidhi
Një zë atdhetari dëgjoj
Që fjalë
E besë nga unë kërkon
Eshtrat
Në tokën e Arbërit t’ia varrosi
Flijimi i tij
Ndër brezni
Në mburrje e krenari
Shqipëria
E bashkuar
Të rrikthehet
Dhe kuqezi të ndjehet
(Sami Sherifi “Varg i lënduar nëntori”)

Rilindja e popullit tonë bashkë me atdheun, do t’i bënte edhe kufijtë e vetë, do t’i bashkonte Çamërinë e Kosovën Lindore, Malësinë e Madhe e Iliridën në NJË SHQIPËRI. Edhe pse jeta me luftëra çlirimtare për ne shqiptarët ishte tejet e gjatë, jehona e tyre ushqeu shpresat dhe dashurinë për komb e atdhe, që nuk shteron edhe sot e kësaj dite – Atdheu në një shtet, apo të themi më mirë, Ribashkimi i Shqipërisë. Po, është ky mendimi dhe qëllimi i shqiptarëve anekënd globit, që gjallëron përpjekjet në kërkim të lirisë, që një ditë jo të largët do ta bëjmë realitet Ribashkimin e Shqipërisë, kur padrejtësinë e madhe historike do ta kthejmë në drejtësi të vonuar dhe më kurrë:
S’do të lejojmë për t’ u nda’
Do të jetojmë si vëllai me vëlla
T’i bashkojmë zemrat e kokat
Gjithë kah janë të Shqipes Tokat
(Vehbi I. Xhigoli “Festës së madhe-28 Nëntorit”)
Prangat e robërisë, asnjëherë nuk do t’i ndalojnë shqiptarët, që të ecin drejt lirisë dhe se Ribashkimi Kombëtar do të mbetet e vetmja alternativë dhe i vetmi qëllim për të gjithë shqiptarët të lodhur nga copëtimi dhe nga robëria. As edhe vdekja që jepet nga armiqtë e botës nuk do t’i ndalojë dasmorët e lirisë për ta Ribërë Shqipërinë Natyrale.
Ti i pafe e ti i pabesë
Nuk e grin dot tokën arbërore
Jam në një Shqipëri
Ku jam lindur
(Sadije Aliti, “Shqipëri e një nëne”)
Valëvitja e flamurit në Vlorë, brenda shtetit shqiptar, prore do të mbetet e vetmja gjuhë – thirrje për bashkim gjithandej Atdheut të të gjitha trevave, që padrejtësisht kanë mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Rezistenca shqiptare, do të rilindë përsëri dhe parësore do ta kenë Ribashkimin e Atdheut, popullin dhe lirinë. Dhe koha tani po vjen që:
Kombi ynë i pastër të vlerësohet përjetë
Njëherë e përgjithmonë bota ta kuptojë të vërtetën
(Minire Rukovci “Të shenjtit Flamur”)
Gjenocidin dhe spastrimet etnike nga hordhitë greke e sllave, shqiptarët nuk do t’ia lënë harresës. Plagët bashkë me qëndresën, vdekjet e varret do të ringjallen dhe do ta hapin kaptinën e re, në Librin e madh të Historisë Kombëtare, duke e kurorëzuar me aktin përfundimtar e që është Ribashkimi i Shqipërisë.
Shqiptari nuk do të pushojë edhe larg vendlindjes, larg atdheut, së përpjekuri dhe së vepruari si atdhetar edhe në Amerikën e largët dhe gjithandej botës, deri në arritjen e Ribashkimit Kombëtar, sepse ai prore do të thotë:
Pjesë e imja është Çamëria
Bashkë me to dhe Dardania
Manastiri me Tetovë
Këtu bën pjesë Plavë e Gucia
Bashkë me Hotin tërë Malësia
(Fatime Ahmeti-Fara “Shqiponja-simbol dashurie”)
Duke i patur parasysh të gjitha këto fakte që u përmendën, edhe në vëllimin poetik “Shqipëri” shpirti dhe mendja e poetëve tanë, mbetet e lidhur fort në idealin e çlirimit të Atdheut dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht.
Të preokupuar vazhdimisht me lirinë dhe Atdheun, nuk është çudi se në pjesën dërrmuese të krijimeve të poetëve dominon tema e madhe e Atdheut, tema e kremtimit të festave në liri dhe tema e flamurit dhe e ribashkimit.
Poezia e poetëve në këtë përmbledhje, na del edhe si një poezi kushtruese, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmit, ku sublimon ideali i lartë për një Atdhe pa ndarje, në të cilin shqiptarët do të jetonin me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tyre të mohuar, sepse:
… s’ka pranga për shqipen tonë
Është zonjë e rëndë e përmbi zonjë
(Migena Arllati “Qëndis flamur”)
Sot, bota shqiptare si dje, vazhdimisht është në kërkim të lirisë dhe Ribashkimit të Atdheut në një shtet, bashkë me popullin edhe poetët, të cilët i prijnë kësaj rruge.
Porosia e këtyre poezive është një porosi e bukur për brezat, që të mos mbeten pikë e pesë të pagëzuar si: shqiptarë, kosovarë, çamë etj, por, të mbeten ata që ishin si gjithmonë -vetëm shqiptarë, sepse:
Ka mbi njëqind vjet…
Fëmija lind në pesë nëna
Lidhet në pesë djepa
Dhe pi tamël në pesë cica
Ka mbi njëqind vjet…
Babai ec në pesë harta
Ka pesë plëngje malli
Me pesë hunj gardhi
Ka mbi njëqind vjet…
Djali ka pesë vëllezër
Pesë dhëndurë për motra
Në pesë kurora kombi
(Ramadan Asllani “Ka mbi njëqind vjet…”)
Përmbledhja poetike “Shqipëri” po e sheh dritën në vigjilje të shënimit e të kujtimit të 104-vjetorit të shtetit aktual Shqipëri, edhe pse ky shtet nuk pati fatin të jetë i plotë, por i copëtuar dhe më shumë se gjysma e tij e rirobëruar dhe e pushtuar nga fqinjët e tyre grabitqarë. Përkundër kësaj, ishte një fat i mirë pasi që Shqipëria u bë dhe u pranua shtet i njohur ndërkombëtarisht, me shpresë se një ditë rrjedha e historisë do të jetë në të mirë të shqiptarëve, kur fuqishëm do të kumbojë thirrja:
Jam një atdhe jam një bajraktar
Jam një popull i tërë me emrin shqiptar
(Emine Imeri “ Jam Një……”)
Në kontrast me territoret shqiptare gjeografikisht e administrativisht të copëtuara, libri që keni në duar nuk e ka këtë fat, sepse në të i takojmë poetët shqiptarë, që vijnë nga:
Njëra degë-emrin Shqipëri
Dega tjetër- Kosovë Lindore
Njëra-emrin Iliridë
Tjetra degë-emrin Kosovë
Njëra-emrin Çamëri
Tjetra degë-emrin s’ po e di…
Arbëri a Iliri
(Fadil H. Curri “Atdheu ynë ka shumë degë”)
Pra, u kuptua mirëfilli se vargjet e thurura bukur, të brumosura me plot atdhedashuri, në këtë përmbledhje i këngëtojnë poetët nga Shqipëria aktuale, nga Kosova, nga Lugina e Ilirida, por edhe nga diaspora.
Dhe fare në përfundim, poetëve u dëshiroj të gjitha të mirat në jetë, ndërsa ty lexues i nderuar të uroj lexim të këndshëm!
Prof. Zymer Mehani Podujevë, më 15 nëntor 2016

Shperndaje ne
Updated: 30 Nëntor, 2016 — 22:40

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.