Nderim e kujtim: NDAHET NGA  JETA, SHABAN  ZMAJLI  I  ROSUJËS ILIRE!…

shban_zmajli

Shaban Zmajl Margjeka
(Rosujë-Bujan, gusht 2011)

(Një “letër”ose bashkëbisedim, përmes Internetit)

Murat_gecaj

Nga: MURAT  GECAJ

Dje u nda përgjithnjë nga jeta, Shaban Zmajli-Margjeka, biri i njohur i Rosujës ilire, në Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). La në pikëllim djemtë e vajzat, kushërinjtë e të afërmit, kudo që ndodhen, si dhe bashkëfshatarët dhe gjithë ata, që e njohën.Ai do të kujtohet përherë për virtytet e larta dhe të çmuara të malësorit të atyre bjeshkëve, si: atdhedashuria, zgjuarësia e trimëria, besa e mbajtja e fjalës së dhënë, mikpritja e bujaria  etj.

Me këtë rast, dërgojmë ngushëllimet tona më të sinqerta, për humbjen e këtij njeru të mirë, i cili do të kujtohet gjatë, jo vetëm nga famijarët e të afërmit e tij, por dhe nga të gjithë ata, që e njohën.

I qoftë i lehtë dheu i tokës së Rosujës së lashtë ilire, që e lindi dhe e mbajti në gjirin e vetë, një ndër bijtë e saj më të njohur!

Në shenjë nderimi e respekti për Shaban Zmajl Marggjekën, më poshtë po publikoj një shkrim-letër, të përgatitur dhe drejtuar atij,  në muajin shkurt 2013.

Tiranë, 1 dhjetor 2016

1.

Shumë i dashur dhe i paharruar, dashamir i imi, Shaban Zmajl Margjeka, në Rosujën ilire të Bujanit, në Malësinë e  Gjakovës (Tropojë)!

Para se ta tregoj arsyen, se përse po ta nisi këtë “letër” nga Tirana, që është si bashkëbisdim në largësi me ty, të kërkoj të falura që kjo nuk do të jetë e shkruar me laps, stilolaps ose makins shkrimi. Pra, “letra” ime është e shkruar në kompjuter dhe po ta dërgoj me anën e Internetit, siç i thonë tani një mjeti të ri të komunikimit, që ti sigurisht ke dëgjuar për të. Ndoshta, vetë nuk ke mundësi të njihesh aty me përmbajtjen e kësaj “letre”, por jam i sigurtë që djemtë ose nipat e mbesat tua do ta lexojnë, se çfarë të kam shkruar.

Së pari, dëshiroj që letra ime t’u gjejë shëndosh e mirë, familjarisht, ashtu si edhe ne, në përgjithësi, jemi mire në çdo drejtim. Nuk duam t’i përmendim, po sigurisht të dyja palëve na rëndojnë mbi shpinë mjaft vite, po edne jemi të fortë dhe zemrën e kemi të re (ha,ha).

2.

Kur po filloj të shkruaj sot, sjell ndërmend lagjën e bukur të Rosujës, aty afër masivit të madh të gështenjave, me shtëpi të bardha, në mes gjelbërimit të pafund, me pemë frutore e drurë të ndryshëm. Gjithashtu, po më kujtohet edhe shtëpia jote shumëvjeçare, branda të cilës kanë jetuar e jetojnë njerëz aq të mirë, atdhetarë, të besës e burrnisë, mikpritës e zemërgjerë. Tës gjitha këto virtyte të çmuara, i kanë patur paarardhësit tuaj, si dhe bashkëkohësit, ndër të cilët kujtoj me mallëngjim edhe të ndjerët Ukë Mehmeti e Hysen Zmajli, si dhe nënat e gratë shtëpijake të atij trualli. Për këto e të tjera fakte, mua më ka folur babai im, por dhe kusheriri i parë, Xhemë Pjetrush Gecaj (vdekur në qershor 1990), të cilin ti e ke njohur mirë. Ndër të tjera, ky më tregonte se, në operacionin e dimrit të vitit 1943-1944, kundër forcave gjermane, shtëpia juaj u bë vatër e sigurtë për luftëtarët e lirisë. Aty, ata gjetën atdhetarizëm, burrëri, mikpritje e bujari.

shaban_zmajli2

Shabani, me djalin e madh, Çelën…

Siç e di edhe ti, i dashur Shaban, të parët e familjes sime, pra babai Zef Marash Gecaj e vëllai i tij, Pjetrushi, por dhe kusheriri i parë, Mark Halili, u larguan nga trojet e tyre, në Curraj i Epërm të Nikaj-Mërturit, në fundin e shekullit të 19-të. Fillimisht, ata u vendosën në fshatin Markaj, te shtëpia e Sadik Duqit enë troje tjera. Ndërsa më vonë, ata zgjodhën vendbanim të tyrin shtëpinë tuaj,  mikpritëse e bujare, ku gjetën ngrohtësi e mirësi. Në atë kullë malësore lindën edhe dy vëllezërit e mi, më të mëdhenj se unë, Sokoli e Nikolla, të cilët, fatkeqësisht, tani nuk jetojnë më. Kur e ke marrë vesh ndarjen e tyre përgjithnjë nga jeta, ti na ke ngushlluar, si p.sh. me vizita, për Sokolin. Ndërsa për Nikollën, kemi folur bashkë me anën e celularit. Por më ke dërguar fjalë ngushëlluse edhe përmes bashkëmoshatarit tim, nga Rosuja jonë, Maxhun Margjeka. Bile, po më kujtohet tani, se ky edhe bëri pak fotografi, kur ishte për vizitë në shtëpinë tuaj, në gusht të vitit 2011 dhe m’i solli, si një kujtim shumë të çuar për mua. Ato  i ruaj tani në një album të veçantë dhe i kam futur në kompjuterin tim.

3.

I dashur Shaban! E di se, ndoshta, me këtë “letër” timen mund të sjell ty edhe ndonjë shqetësim, duke kujtuar vitet e shkuara. Por kur kemi se çfarë të tregojmë për mirë, nuk ka se përse të “mallëngjehemi”, pasi jo vetëm ti, por dhe unë, jemi rreshtuar në radhën e njerëzve të plakur (ha,ha). Ty të kujtohet më mirë, se e kishin aq të bukur urimin malësorët, kur i thonin njëri-tjetrit: “U plaksh, me këmbë e me dorë dhe me mendje në kokë!”

Vërtet nuk kam lindur në shtëpinë tuaj, po në atë të Elez Demës së Rosujës, por aty te ju, unë kam gjetur kurdoherë, në fëmijërinë time, dashuri e ngrohtësi. Më kujtohet se për festa të ndryshme ose, kur nisnin të piqeshin frutat e para, por dhe gështenjat në vjeshtë, vinim aty bashkë me Maxhunin e Niman Tahirit (Margjeka), me të cilin kemi qenë e jemi si dy binjakë. Se edhe unë kam pirë qumshtin e gjirit, bashkë me atë,  te nëna e paharruar për ne,  Mine Myrtja. Kishte ndodhur ashtu, pasi nëna ime, Suta, që ti e ke njohur, por unë jo, meqenëse ishte e sëmurë dhe shkonte sa në Shkodër e në Gjakovë, bashkë me babain dhe rruga ishte e gjatë, sigurisht më këmbë. Ajo vdiq fare e re, nga malarja, kur isha i mitur, pak më i madh se 4-vjeçar.

shaban_zmajli_3

Shabani, me kusheririn bashkëfshatar dhe
laborantin veteran, Maxhun Niman Margjeka

Unë e di mirë, se ti vetë, por dhe gjithë pjesëtarët e familjes suaj të nderuar, i keni dashur shumë prindërit dhe vëllëzërit  e mi…Ishte janari i vitit 1970, kur babai im u nda nga jeta, në moshën 83-vjeçare, si shkak i një gripi të rëndë, që thonin se kishte ardhur nga Hang-Kongu. Dëshira e tij, por dhe e jona, ishte që ai të prehej përjetësisht, aty ku ishte dhe nëna ime, vëllai i tij, Pjetrushi e të tjerë. Por, në atë dimër, me borë e ngrica, nuk ishin mundësitë e sotme, pra që trupi i pajetë të mbulohej me pllaka betoni etj. Sipas traditës, duheshin dërrasa të trasha, të cilat vendoseshin pjerrtazi. Më kujtohet fare mirë, se ti more vetë sopatën dhe preve një trung gështenje, sigurisht  jo në prodhim. Por, pasi i kryem ritet e zakonshme të varrimit, dikush e njoftoi rojëtarin (shumarin) e pyjeve, se ti kishe vepruar “në këndërshtim me ligjin”, pra kishe prerë një gështenjë pa lejë?! Nuk dua të zgjatem me këtë rast, por edhe tani e sjell ndërmend bisedën, që ti bëre me rojtarin, duke i thënë se nuk e kishe fare problem, nëse të “procedonin” për një veprim të tillë, të detyruar e njerëzor. Megjithatë, falë arsyetimit të një zyrtari, ti nuk pate ndonjë pasojë, gjë që do të na shqetësonte të gjithëve. Por edhe nga ai rast, ti mbete, ashtu siç ishe dhe je tani, njeri shumë i dashur për gjithë njerëzit e familjes sonë.

Përsëri, tani mendja më vjen fluturim atje, në Rosujën tonë…Megjithëse ishim të vegjël, unë e Maxhuni, shkonim pas vëllait tim, Nikollës e bashkëmoshatarit të tij, Idriz Margjekës, kur i çonin dhitë në “Gjyteta” ose në Përroin e Gashit. Që atëherë, kam mësuar se ai vend kishte qenë një kështjellë e moçme ilire. Prandaj, kur  erdha në Fakultetin Hirosi-Filologji të Universitetit të Tiranës, u tregova pedagogëve të mi të  historisë për këtë gjë. Pastaj, atje erdhi një ekspeditë me arkeologë, njëri ndër të cilët ishte edhe miku im shkodran, prof.Bep Jubani. Aty gjetën objekte me vlera shkencore dhe, tashmë, për atë vendbanim ilir flitet dhe shkruhet shpesh në revista shkencore dhe në tekste mësimore etj. Pra, është një tjetër krenari si për ty, por  dhe  për të gjithë ne, që lindëm e u rritëm në afërsi të qytezës së lashtë ilire të Rosujës, e cila dëshmon se populli ynë  është i ngulitur shumë shekuj më parë, në trojet e tij amtare.

shaban_zmajli4

Shabani, në një mjedis të gjelbëruar të shtëpisë së tij

4.

Jo në një rast, kam dashur që të vij përsëri në Rosujën tonë, në vendin ku unë i hapa sytë së pari, aty ku kalova disa vite të para të jetës sime. Kujtimi për atë kohë të bukur, por dhe me shqetësime, më ka ndjekur kudo pas, edhe kur kam studiuar në Rusi; kur kam qenë dy herë për vizitë, në Nju Jork të Amerikës; kur kam udhëtuar në Itali e Francë, te dy djemtë e mi emigrantë, që në mars 1991; kur kam vizituar trojet shqiptare të Ballkanit: Shkupin, Preshëvën, Prishtinën e Ulqinin; kur kam qenë në qytetet Sofje, Londër e Vjenë dhe në Boras e Goteborg të Suedisë, pra kudo.

Me që ra fjala për fëmijët tanë, kam dijeni se ti ke dy djem, Çelën, Fatbardhin e Lridonin dhe  dy vajza të martuara, Olimbinë e Zamirën. Po sa kënaqësi është edhe për ty, si prind, kur e di se ata të nderojnë, kudo që jetojnë e punojnë. Më kanë thënë se djali i dytë i yti është emigrant në Francë. Po atje, ka qenë 10 vjet edhe djali im i vogël, Altini dhe tani jeton në Asti të Italisë, ku është edhe vëllai më i madh, Ariani. Pra, më 6 mars të këtij viti, ata mbushin 22 vjet, që janë larguar nga Shqipëria. Sigurisht, me që e kam përjetuar vetë këtë gjë, e di mirë se edhe ti, i dashur Shaban, ke patur shqetësime e dhimbje për këtë gjë, pra ke një brengë të fortë, në shpirt e në zemër. Se nuk është aspak e mirë, kur djemtë e vajzat tona ose nipat e mbesat, pra të rinjtë e të rejat shqiptare, marrin udhët e botës. Kur ishim më të rinj, unë e gruaja ime e kaluam disi më lehtë largimin e dy djemëve nga Shqipëria, për në Itali. Ndërsa para pak ditëve ne patëm një shqetësim të ri, se nipi ynë, pra djali i vajzës, që ka lindur e pothuajse është bërë 19 vjeç në shtëpinë tonë, u nis për studime në Kiel të Gjermanisë, ku ka me banim djalin dhe vajzën e xhaxhait. Megjithatë, si për ne dhe për ju, urojmë nga zemra që djemtë e nipat tanë të jenë shëndosh e mirë dhe ta ndërtojnë jetën e tyre pa probleme. Kështu edhe ne do të jemi më të qetë, deri në fund.

Tani po të tregoj se, në bisedë me Maxhunin, i cili ishte përsëri për vizitë te ti, këto ditë, mësova një “sekret”, që nuk e dija dhe për të cilin ndjeva kënaqësi. Kështu, megjitëhse në moshë të thyer dhe banori më i vjetër i Rosujës e, ndoshta, i tërë Bujanit, nuk e kalon kohën kot. Ti  i ndjek me kureshtje emisionet televizive, por edhe lexon me dëshirë libra të ndryshëm. Po të kisha afër, do të jepja përherë libra nga biblioteka ime. Ndërsa kësaj radhe, po t’i dërgoj dhuratë dy libra, në të cilët unë jam autor. Pra, lexim të mbarë të këtyre librave, por dhe shumë të tjerëve!

…Shkruaj e shkruaj dhe më duket se u zgjata pak, i dashur Shaban! Prandaj po e përfundoj këtë “letër” timen, me urimin dhe dëshirën e zemrës, se do t’u gjejë të gjithëve shëndosh e mirë, familjarisht! Falëmeshendet keni edhe nga bashkëshortja ime, Katerina. Sigurisht, unë do të shkruaj prapë dhe shpresoj që në këtë vit edhe të shihemi përsëri bashkë, aty në shtëpinë tuaj bujare e mikpritëse. Se kam shumë dëshirë e mall, që të vij në Rosujën e paharruar, e cila me gjithë pasardhësit e saj dëshmon më së miri, se traditat më të çmuara të shqiptarit kanë gjetë aty “strehë” të përhershme dhe kanë ecur e do të udhëtojnë në të ardhmen,  brez pas brezi.

Të përqafoj me shumë dashuri e mall, nga larg, i dashur kumbar Shaban Zmajli dhe falëmeshëndet tërë pjesëtarëvë të familjes suaj të nderuar! Po kështu, i kam pranë me zemër e nuk i harroj asnjëherë edhe të gjithë të njohurit e mi e dashamirët tjerë, në vendlindjen time, Rosuja ilire.

(Tiranë, shkurt 2013)

Shperndaje ne
Updated: 1 Dhjetor, 2016 — 11:56

The Author

Dr. Murat Gecaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.