SHQIPËRIA PËR PARIMET DEMOKRATIKE NDËRSA GREQIA PËR AUTOKRACI (Aὐτοκράτωρ (¹)

prof_malkolm

Fahri_dahri_yneTema për shkrimin e sotëm, përqëndrohet në disa nga thëniet e personaliteteve shtetërore të dy vendeve tona ndërvite, për “gjenocidin grek ndaj çamëve myslimanë”

Jemi në shekullin e XXI, ku shoqëria njerëzore ka kaluar sfida nga më të ndryshmet dhe shumë të vështira, deri sa ka arritur të realizojë aspiratat më të vyera njerëzor, lirinë e fjalës, të drejtave etnike, të drejtat e patjetërsueshme të pronave, etj. të njohura dhe të pranuara nga shtetet demokratike. Nisur nga këto arritje vlerash të çmuara të shoqërisë, të qënurit anëtar të NATO-s, synimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, po hedhim hapa në drejtim të kërkesave legjitime, për çështjet të mbetura nga e kaluara.

Me arësyetimin se shteti Grek është anëtar i Bashkimit Europian, shpresojmë se e ka kurajon për të dënuar masakrat e përgjakura të shkaktuara vendeve dhe popujve fqinjë gjatë shekullit të shkuar. Për këtë kërkohen bashkëbisedime konstruktive, me argumente shkencore, studimore, për zgjidhjen e tyre, pasi kanë qenë dhe janë pengesë në zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike mes dy vendeve tona. Por nuk qenka e thënë, ka akoma llogore mesjetare në strukturat e shtetit Grek, të cilat kanë mbetur larg qënësisë së një shoqërie të vërtetë demokratike. Një hap u desh të hidhej për të kuptuar zbatimin e parimet demokratike nga shtei Grek. Një zëmërim “zeusian”, një furtunë e gjithëanshme, u derdh kundër nesh nga shteti fqinj.

Rrufe fyerjesh, akuzash krejtësisht të pa baza, ashtu si në vitet 1913 deri në 1944  dhe më pas, u derdhën kundër viktimave të masakruesave nazistë grekë me Napoleon Zervën. Retorikat e dikurshme vazhdojnë edhe pas 73 vjetësh kundër atyre, të vdekurve; këtyre, të lindurve më pas, se na qenkan nazistë, bashkëpunëtorë me ish forcat gjermane. Një shaka, një vetvënie në lojë, kur dihet që EDES-i, parti e djathtë greke, bashkëpunonte tërë kohëqendrimin me forcat gjermane kundër partizanëve të ELLAS-it grek (forcë e majtë greke që luftonte kundër pushtuesit gjerman). Zhgënjim i ditur dhe i njohur, por ja që u desh të çirren maskat e mashtruesve, shpifsve dhe gënjeshtrave greke gati afro 200 vjeçare. Sidoqoftë për ne kjo është arritje e madhe, u bë e mundur heqja e “perdes së syve” tek euroatlantikët, u zbuluan intrigat, demagogjitë, mashtrimet e shteti autokratik.  

 Thëniet dhe qëndrimet e personaliteteve shtetërore Greke ndër vite, vërtetojnë strategjinë për spastrimin etnik të rajonit të Çamërisë.

  • Në datën 24.07.1923, me Traktatin e Lozanës, u vendos këmbimi i popujve sipas besimeve fetare, histori që dihet. Nga argumentimet e bëra, po atje u vendos që çamët myslimanë të Çamërisë, të mos jenë objekt i “këmbimit”, pasi u vërtetua se shqiptarët çamë (myslimanë dhe të krishterë) ishin të etnisë shqiptare dhe autoktonë në vendin e tyre. Ky vendim u nënëshkrua edhe nga përfaqësuesi i shtetit Grek. Në dëshpërim e sipër, prefekti i Epirit kur mori vesh lajmin, në prani të banorëve çamë, deklaroi: “Ne do t’ju dëbojmë qoftë dhe me dhunë“!  
  • Greqia ishte ndër shtetet e para në Ballkan, ku triumfoi fashizmi. Në gusht të vitit 1936, Joanis Metaksai vendosi diktaturën fashiste. Ndër të parët ishin: Tregtari Stavro Koconi dhe oficeri i xhandarmërisë Zambeta, që filluan goditjet sistematike në qytetin e Filatit; Pitulejtë, filluan zhdukjen e popullsisë çame në Gumenicë. Në Paramëthi u ndalua me forcë mos të flitej gjuha shqipe. Qeveria greke beri çmos për përçarjen e popullsisë, duke u përpjekur për kundërvënije me çamët e krishterë dhe ardhacakët aziatikë, ndaj çamëve myslimanë. Vetë kryeministri grek Joani Metaksas (1936-1941) deklaronte në vitin 1936: “Sa të kemi çamë myslimanë në kurriz, kemi një thikë në zëmër”!
  • Ndërsa mbreti i Greqisë, Rrallis urdhëronte: “Policia dhe xhandërmaria greke të vihen nën urdhërin e nazistëve gjermanë”!. Urdhëri tregon qartë se shteti Grek në ato periudha, ishte zyrtarisht nën shërbimin e pushtuesave gjermanë.
  • Ish kryeministri i shtetit Grek, Andrea Papanderas, në vitin 1986 ka deklaruar: “Heqja e Ligjit të Luftës do kishte pasoja vepruese për çamët myslimanë dhe gjithë atyre që synojnë rivendosje të mundëshme në Greqi. Qeveria jonë nuk ka asnjë gatishmëri që të bëjë tërheqjen më të vogël në këtë çështje”!.
  • Në një miting nga Janina, gjatë muajit nëntor 2016, kreu i “Demokracisë së Re”, Kyriakos Mitsotakis, përveç çështjeve të tjera u është përgjigjur edhe kërkesave të Shqipërisë për çështjen çame. “Shqipëria, me një seri deklaratash dhe aktesh, hap pothuajse të gjitha temat e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke shtuar dhe çështjen inekzistente të ashtuquajtur çame”…, “… ndaj nga Janina po u çoj të gjitha palëve një mesazh të qartë: Mos luani me Greqinë! Dhe mos e konsideroni si të përhershme predispozitën tonë të mirë”. Për kërcënimet ekonomiko-ushtarake, Mitsotakis zgjodhi ish kryeqendrën e Çamërisë, me nënkuptim “masakrat e pushtimit të Janinës dhe të Çamërisë”!
  • “Greqia ia kalon në të gjitha drejtimet. Ka dhjetëfishin e GDP-së, sisteme të shumëfishta mbrojtjeje dhe sigurie, shumëfish forcë ekonomike..”, vjen kërcënimi i Ministrit të Jashtëm Grek, që Shqipëria të jetë më e kujdesshme lidhur me çështjen çame, (sipas Gazetës Koha Jonë datë 16 tetor 2016).
  • Por shqetësimet e krijuara në palën greke, nuk duhet të jenë vetëm për kryetarë shtetesh, prandaj kanë nisur “revanin” masiv edhe figura të shkallëve më të ulta, kjo për të kuptuar “unitetin nacional”. Zv/ ministri i Mbrotjes, Dimitris Vitsa, në intervistën e dhënë për televizionin grek Star, reagoi: “Ata e dinë shumë mirë, se jemi të fortë për të mbrotjtur pavarësinë dhe integritetin tonë terriorial, nga çdo rrezik që mund të vijë si nga lindja dhe perëdimi”... “Më lejoni një buzëqeshje të lehtë, për disa gjëra të çuditshme që dëgjoj nga veriperëndimi (Shqipëria-FD). Për Greqinë nuk ekziston çështja “Çame”. Po qe se dikush do të diskutojë një gjë të tillë, le të ulet në një tryezë dhe le ta diskutojë i vetëm”. Nuk kisha ndërmend të bëja komente për çdo thënie të këtyre rasteve, por më duhet të theksoj dy dallime thelbësore mes demokracisë dhe autokracisë:

-. Pse janë tensionuar dhe shqetësuar kaq shumë?, ku e shikojnë rrezikun ushtarak grekët, që ne si fqinj, ashtu siç i kemi ndihmuar historikisht në çdo situatë, jemi gati ti ndihmojmë përsëri!

-. Kjo puna e tavolinës që sugjeron zotëria, ku shprehet shumë qartë lidhur me këndvështrimin e zgjidhjeve të problemeve mes shteteve tona, fikson dy probleme: shteti Shqiptar, pavarësisht se nuk është anëtar i Bashkimin Europian, kërkon që problemet mes dy vendeve të zgjidhen me dialog, me debate konstruktive, me argumenta bindëse dhe serioze, duke u ulur bashkarisht për zgjidhje në tavolinë, bile të pimë raki, të na shoqërojnë gërrnetat dhe buzuqet. Ndërsa sipas Dimitris Vitsa, shteti Grek, megjithëse është anëtar i Bashkimit Europian, nuk i pëlqen zgjidhja e problemeve në tavolinë, ajo i mbetet varianteve të shekullit XX-të, duke treguar aeroplanët, helikopterët, tanket, forcën e madhe ushtarake që disponon, “harron” parimet demokratike të epokës që jetojmë dhe kthehet përsëri tek metodat e heronjve të saj, si Miçotaqis, Zervas etj.

  • Përgjegjëgjësia e madhe dhe që e ndjejnë ndaj historisë, nuk i lë të qetë, derisa arrijnë në kufijtë e frikës, prandaj fillojnë të trimërohen. Kjo del qartë në ligjëratën e Nikos Kotzias:“Fakti që ata qeverisin me partinë e çamëve i ka detyruar të adoptojnë pjesë së axhendës së kësaj partie, siç janë çështjet e çamëve që kryen krime lufte në Greqi, që janë dënuar njëherë e mirë nga gjykatat greke.”‘Çështja Çame” i intereson kësaj pjese të çamëve dhe jo 160 mijë apo më shumë çamëve shqiptarë, që s’kishin dhe s’kanë asnjë lidhje me Greqinë dhe krimet e asaj periudhe. Gabimi i dytë është se, pas vitit 2008, për shkak të krizës, dikush e nënvlerësoi Greqinë dhe mendoi se mund të bëjë lojëra në kurriz të saj”. Gjithashtu z. Nikos Kotzias dha një mesazh të qartë që problemet me Shqipërinë të zgjidhen mes dy vendeve pa palë të tretë dhe para se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian.“Ne kemi përgjegjësinë më të madhe për të zgjidhur problemet e të tretë pa ndërhyrje.T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian. Shpresoj ta kuptojnë se kjo është në interes të tyre”. Më pas vijoi me akuzat ndaj komisionerit Hahn, duke theksuar se ai kërkon të negociohet për një cështje që për Greqinë nuk ekziston, siç është çështja çame. “Kemi vënë re shfaqjen e një nacionalizmi të fuqishëm nga ana e një pakice të elitës politike në Shqipëri. “Ikemi thënë Tiranës që për t’u integruar në familjen europiane përveç luftës ndaj krimit dhe korrupsionit duhet të respektojë edhe minoritetin”. Duket qartë, për nënështrim tregon mundësinë e vendosjes së “vetos” në BE. Ky është qendrimi i Greqisë për zgjidhjen e problemeve, ajo kërkon që shteti ynë të veprojë siç i thotë shteti Grek, ndryshe ka ndëshkime të të gjitha formave. Ne po vuajmë pasojat e diskriminimit, nga mos respektimi i parimeve për pakicat, të kryer nga shtetit gek dhe kërkojmë të ulemi për zgjidhje, ata thonë “mbyllni gojën” dhe me ironi të paprinciptë kërkojnë të respektojmë minoritetet!?  

Tepër të çoroditur disa nga udhëheqësit e shtetit Grek, për ti kuptuar kur flasin, sepse nuk i kanë të qarta shumë nocione. I tillë qënka ai gen. Sipas tij, të gjithë çamët që u masakruan dhe u dëbuan, i paska dënuar gjykata greke. Një vendim i tillë gjykate as ka qenë dhe as ekziston. E quan PDIU-në, parti naziste, kur vetë shteti dhe partitë e tij në atë kohë ishin nazi-fashistë të tërbuar, vrasës të partizanëve grekë dhe të çamëve (prindërit dhe gjyshërit e PDIU-së, po e them kështu sipas cilësimit të tij).. 

  • Krahas diplomacisë, përdoret edhe forca ushtarake, gjë që jep të kuptojmë edhe arësyen e mos heqjes së Ligjit të Luftës të vitit 1940. E pakuptimtë është që ekzistenca e këtij ligji mes dy shteteve anëtarë të NATOS, nuk tërheq vëmëndjen udhëheqësve të NATOS, as atyre të Bashkimit Europian!? Si rrjedhojë merr zemër, Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, që në aktivitetin e Forcave të Armatosura Greke, zhvilluar disa javë më parë në Selanik, katreguar forcën e ushtrisë së vendit të tij karshi Shqipërisë dhe Turqisë, Me zëmërim theksoi: “Forcat e Armatosura të Greqisë nuk duhet të frikësohen as nga shqiptarët as nga turqit”. Zotëria krijon tensione edhe pa kërcënim real. Qendrime të bazuara tek forca vazhdon z. Kammnenos, edhe me ngiritjen e Flamurit Grek në kufi me Shqipërinë, me date 2 dhejtor 2016, prej nga ku përsëriti: “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë, por edhe me Shqipërinë. Deklaratat e fundit nga Rama duhet të sjellin përsëri në kujtesën tonë se ata për të cilët ai flet ishin bashkëpunëtorë të nazistëve. Ne nuk do të pranojmë  sfida të tilla”.  
  • Lidhur me këmbënguljen e zyrtarëve grekë, se çamët paskan ikur vetë, nga frika e ndëshkimit si vegla të nazi-fashizmit, dhe nga ana tjetër mos pranimi i ballafaqimit prej tyre, tregon se ata i tremben me të drejtë humbjes. E përçmojmë këtë pretendim bajat, me deklarimin e Gjeneralit anglez, z. Hodgson, i cili shprehet: “Çamët u detyruan të largohen nga persekutimi i ushtrisë naziste greke”. Por, krahas këtij deklarimi të oficerit madhor të “Aleatëve”, ka Akte Ndërkombëtare të nënëshkruara edhe nga Greqia, siç është Deklarata e Përgjithshme e OKB-së, e 10 dhjetorit 1948 “Mbi të Drejtat e Njeriut”, në nenin 13 thuhet: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti. Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido shtet qoftë, përfshirë këtu edhe shtetin e tij, si dhe të kthehet në vendin e vet”. Në rastin konkret, çamët janë të rastit kur nuk kanë ikur vetë, por kërkojnë të kthehen vetë!
  • Gjenocidi grek, shkatërroi grupin etnik të çamëve myslimanë, me vrasjet masive të të gjithë anëtarëve të tij. U koordinuan veprimet e ndryshme që shkatërruan themelet thelbësore të jetës së tyre. U shpërbënë institucionet politike e shoqërore, të kulturës, gjuhës, ndjenjave kombëtare, fesë, ekzistencës ekonomike. U shkatërrua siguria personale, liria, shëndeti, dinjiteti, deri edhe jetët e individëve që i përkisin grupit etnik të çamëve.

Akuza për bashkëpunimin e çamëve me pushtuesin, megjithëse është sajesë e pambështetur, nuk qëndron dhe këtë e japim të sqaruar me dokumentat e “Ditarëve të Luftës” të mbajtura nga vetë oficerët gjermanë. Me “Ditarët” konkludohet se për periudhën prej 16 muaj të prezencës së forcave gjermane me EDES-in, 12 muaj e 5 ditë ishin në marrëveshje për mossulmim mes tyre dhe sëbashku luftonin partizanët e ELLAS-it; gjatë 22 ditëve të ndërprerjes së marrëveshjes, konfliktet mes tyre u zhvilluan jashtë rajonin të Çamërisë; ndërsa 3 muaj e 12 ditët e fillimit të prezencës gjermane në afërsi të territorit të Çamërisë (në  rajonin e Janinës), ndiqnin forcat partizane të ELLAS-it, ku vranë e dogjën disa fshatra në verilindje të Paramëthisë. Del qartë se forcat gjermane me nacionalistët e Zervës (EDES-in) nuk ishin në konflikte mes tyre, por ishin me marrëveshje mossulmimi dhe sëbahku ishin kundër partizanëve grekë (ELLAS-it). Krahas “ditarëve të luftës të oficerëve gjermanë”, janë edhe dëshmitë e autorëve të shumtë të vetë palës greke, të cilët rrëzojnë me neveri shpifjet, mashtrimet, kamuflimet e vazhdueshme greke.                                                                          

 ٭Jani Sharra në librin “Istorias tis Periohis Igumenicas”, f. 642 (viti 1985), thotë: “ …Nuk kemi sot të drejtë të mos zbulojmë disa të vërteta të pakundërshtueshme dhe siç duam të dënojmë vrasjet dhe krimet e pushtuesit dhe të myslimanëve keqbërës, aq më shumë do të na duhet të dënojmë krimet dhe vrasjet e fuqive të ashtuquajtura të çlirimit (EDES-i) si dhe keqbërjet e elementeve kristiane” (f. 629). Sharra shpreh edhe një zhgënjim të italianëve, të cilët mendonin se çamët do t’i kishin në krahë. “Italianët u zhgënjyen me minoritetin shqiptar në Greqi. Shumë pak çamë u rreshtuan në njësitë fashiste italiane, (f.603-4) kurse shumë çamë u rreshtuan me forcat e ELLAS-i”. Jani Sharra,  në fq. 670, shkruan: “Në Çamëri u shkelën ligjet e njerëzimit dhe u njollos historia e saj nga këto hordhi njerëzish të egër”(është fjala për EDES-in) ; ndërsa në fq. 672 vëren: “Këto ishin përfundimet e politikës së urrejtjes së fesë dhe të politikës së çmendur të EDHES-it; ata, pasi vulosën me gjak, lot e rrënime fatin e të dy bashkësive, patën si përfundim çrrënjosjen e çamo-shqiptarëve nga toka e të parëve të tyre, nga shtëpitë e pasuritë e tyre…”.

٭ Kronisti i Zervës Mihal J. Miridhaqi, në librin “Agones tis Filisi i ethniqi Antistasi”, EDES-EQEA 1941-1944 tomos B. J. Sidherisi”, Athinë 1952, tregon të vërtetën: “Forcat e divizionit X kishin porosi të pastronin Çamërinë dhe njoftuan se si fillim ia arritën qëllimit, duke zënë Paramithinë” (f.191). “Për pastrimin e përgjithshëm nga çamët u ngarkua regjimenti i 40-të nën komandën e Agoros dhe Gallanit dhe 11 batalione të komandës së përgjithshme” (f.191). Më 7 gusht 1944, forcat e Divizionit X zunë fshatrat Margëllëç dhe Mazrek, që ishin mbështetja kryesore e turko-çamëve” (f. 192) “Këto operacione spastrimi i vëzhgonin përfaqësuesit e shtabit të Mesdheut pranë Zervës, togeri skocez Graham” (f.192). “Më 11 gusht 1944, Repartet EO e EDAS-it spastruan kryesisht Çamërinë nga forcat e armatosura të turko-çamëve” (f.193-4).

٭ Sipas S. Muselimi (shkrimtar grek), në veprën. “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë, 1974, Napoleon Zerva, në letrën që i shkruante nga spitali, mikut të tij Jani Dani Popovitit, më 4 gusht 1953, thoshte: “Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmoit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha”. Zerva shprehet qartë për misionin e ngarkuar, “spastrimin e rajonit nga çamët myslimanë”.

Kur flitet për problemet shqiptare që kërkohen bashkëbisedime për zgjidhje, pala greke, krijon zhurma që trazojnë jo vetëm marrëdhëniet e “shkëlqyera” mes nesh, por dallgët e zëmërmit grek arrijnë edhe në dyert e Brukselit. Nga naiviteti, zëmërgjësia jonë, nga ndonjëherë i bëjmë jehonë të veçantë edhe ndonjë sihariqi që vjen nga fqinji, si rasti i deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, që erdhi menjëherë pas falenderimit që shefja e diplomacisë greke, Bakojanis, bëri pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e dy varrezave greke në vendin tonë. “Vendimi pozitiv është si pasojë e një mbështetjeje e të dy palëve, sa i takon Greqisë, mbështetje të koordinuar nga ministrat e Jashtëm dhe atij të Mbrojtjes. Është përfundim i suksesshëm i një procesi të gjatë, për të cilin ministrja e Jashtme (Dora Bakojanis) e falenderoi qeverinë dhe popullin e Shqipërisë për një rezultat të një çështjeje të kahershme, karakterizuar nga një dimension i madh njerëzor”… “Zbatimi i marrëveshjes është çështje kohe. Shpreh shpresën dhe dëshirën që marrëveshja të procedohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ishte deklarmi i Koumoutsakos.                                        

Tashmë dihet se si shkuan ngjarjet e banorëve autoktonë të rajonit të Çamërisë, të cilët mbas shumë dallgësh të egra etnike dhe fetare, u dëbuan nga vendi i tyre.  Disa morën mërgimet kryesisht në Turqi, Amerikë e gjetkë, gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, si njerëz që kishin humbur “kopenë fetare”. Pjesa tjetër, gjysma e banorëve që kishin mbetur pa u larguar, pasi ishin në “vathën” e tyre, u quajtën të padëshiruar dhe me qenëse nuk ishin të besimit ortodoks, nuk mund të jetonin në Greqi jogrekët. Argumenti nuk e justifikonte dëbimin, ndaj magjistarët hodhën gjarpërinj, si në kohën e profetit “Moisi”, ku çamët bashkëpunuan me gjermanin, u thuhej “Aleatëve” dhe “Boshtit” për çamët u thuhej se ishin streha partizanësh. Kaq u desh, “gjarpërinjtë” si të magjistarëve dhe të “profetit”, i helmuan çamët, të cilët kanë 72 vjet që nuk gjejnë qetësi. Ashtu si dje dhe sot nuk kanë gjetur mbrojtje, as miq, dhe as ligje të zbatueshme për rrugën e kthimit në vendin e tyre.

Ndalemi tek banorët e Çamërisë që gjatë vitit 1944 u strehuan në Shqipëri, ku dhe vazhdojnë të jetojnë. Një nga tradhëtitë më të mëdha kombëtare, të shtetit Komunist Shqiptar, është qendrimi i mbajtur ndaj emigrantëve çamë. Heqja e nënshtetësisë greke e çamëve. Ai akt ligjor antikombëtar, u realizua jo rastësisht në pranverën e vitit 1953. Në atë kohë Athina zyrtare po shpallte amnistinë e madhe për gjithë shtetasit grekë me faje të nazi-fashizmit. Në “falje” do të përfshiheshin edhe çamët. Nga hulumtimet rezulton se propozimin është bërë nga Enver Hoxha më 13 mars 1953, duke sajuar “arësyen“ se “çamët kërkojnë të marrin shtetësinë shqiptare” dhe se “dhënia e shtetësisë veç e veç shkakton vështirësira”. Por në nenin 15 të Deklaratës së Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, thuhet: “Gjithkush ka të drejtën e një shtetësie. Asnjeri nuk duhet të privohet dhunshëm nga shtetësia e tij dhe as nga e drejta që të ndërrojë shtetësinë”.

Vitet iknin. Ndërroi sistemi ekonomiko-shoqëror. Shpresa për të dalë nga heshtja, mundësi për të kërkuar të drejtat brenda normave ligjore ndërkombëtare. Dalin pengesa, të cilat i shikojmë tek qendrimet e përfaqësuesve tanë shtetërorë në përballje me problemin “Çamë”.

 ٭ Presidenti shqiptar, Ramiz Alia në takim me kryeministrin grek të kohës, u shpreh: “Çështja Çame ka lindur në një kohë caktuar dhe do të zgjidhet në një kohë të caktuar”. Përulje dhe nënvlerësim i problemit. Populli: “Prit gomar të vijë maj, të hamë lule mëraj”.  

٭ Ndërsa Sabri Godo, ish Kryetar i komisionit të jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë, kërkesës së Shoqërisë Politike Atdhetare të Çamërisë, i është përgjigjur zytarisht: “Problemi që kërkoni, nuk i takon për tu trajtuar nga institucioni ynë”. Kush do merrej një Zot e di.

٭ Në një gazetë shqiptare të dt. 28.11.2007 shkruhej: “Dhe kur ndonjë parlamentar i huaj ka ngritur “çështjen çame” ne, shteti Shqiptar, kemi dalë përpara për të thënë që janë çështje që i zgjidhim ne me Greqinë, nuk kërkojmë ndihmë nga askush….. dhe ka me të vërtetë politikanë në Europë që habiten me një qëndrim të tillë“. Shprehur nga një kryetrar partie, e treta për nga rëndësia dikur.

 ٭ Shqetësues ka qenë dhe mbetet qendrimi politik ndaj “Çështja Çame”, pasi nga diskutimet e figurave të larta politike shihet një pozicion sikur kjo çështje është problem i një pale të huaj dhe jo si çështje kombëtare dhe detyrim kushtetues. Një trajtim i tillë është kryer në vitin 2013, në komisionin e jashtëm të Kuvendit Shqiptar, ku u theksua se: “Nga një palë tjetër u trajtoka kohët e fundit me shumë patetizëm”(palë tjetër ishte kryetari i PDIU-së që diskutoi). Ky qendrim, nuk përkon me interesave kombëtare dhe bie ndesh me Kushtetutën, që më e pakta kërkohej të bëhej dorëheqja nga postet shtetërore. Më tej u arrit të thjeshtohet çështja, duke u quajtur patetizëm.(Thënie-maj 2013). “Çështja Çame” është çështje e të drejtave ndërkombëtare të njeriut, është çështje ndërgjegjes kombëtare, është gjenocid i ushtruar ndaj kombasve shqiptarë dhe kërkon zgjidhje.                

٭ Sipas Gazetë “Koha Jonë” të datës 25 nentor 2016, rezulton se zgjedhjet e ardhsme parlamentare, kanë hedhur partitë në sulm për alenca e koalicione qeverisëse. Por për deputeten e PS-së, Arta Dade, partia e saj duhet të tregojë kujdes me aleatët. E fjalën e ka për partinë e Shpëtim Idrizit. Ajo është shprehur se:”Partia Socialiste duhet të bëjë kujdes me aleancat e saj, të cilat në qarqe të caktuara kërkojnë të përfitojnë artificialisht duke ngritur struktura partiake pa asnjë lidhje me zonën”. Në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, Dade analizoi edhe zhvillimet diplomatike Athinë-Tiranë, duke theksuar se në asnjë takim zyrtar nuk është paraqitur pakënaqësi nga ana greke për çështje të aleancave në Shqipëri. Por deklarimi i ministrit të jashtëm grek:“Fakti që ata qeverisin me partinë e çamëve i ka detyruar të adoptojnë pjesë së axhendës së kësaj partie..”, tregon pakënaqësi të palës greke.

٭ Ndërsa me datë 27.11.2016, deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, ka reaguar me të drejtë pas deklaratës së zv.ministrit grek të Mbrojtjes, Dimitri Vitsa, ku thotë se “çështja çame” nuk ekziston, ndërsa e bën të qartë se Greqia nuk do jetë pjesë e një tryeze dialogu për një çështje të tillë. Duke e quajtur deklaratën e tij, mohim të spastrimit etnik, Doda akuzoi edhe politikën shqiptare që nuk bashkohet për çështje të tilla….“Të gjithë krahët politikë në Greqinë “europiane” sillen njësoj, arrogantë e meskinë. Vazhdojnë mohojnë një krim të spastrimit etnik dhe në këtë absurditet janë të gjithë bashkë, qeveri dhe opozitë. Vetëm në Shqipëri ndodh që një pjesë e politikës vrapon të mbështesë fqinjin në sjelljet e tij arrogante e antishqiptare, me shpresë se do godasë kundërshtarin politik. Kjo është dhe arsyeja pse sot jemi të ndarë e të prapambetur. Një klasë politike, e cila nuk sheh më larg se hunda e vet”. Përfundon me plot të drejtë mendimin deputetja Doda.        

٭ Avokat Spartak Ngjela, për problemet e pazgjidhura me shtetin Grek nga ana e qeverisë tonë, jep mendim për vijimin e këtij qëndrim. “Hordhitë greke kanë vrarë në Çamëri edhe fëmijë, madje, edhe foshnja, duke i quajtur fëmijët “si kolaboracionistë” me nazistët gjermanë. Ata vranë dhe dëbuan nga trojet dhe shtëpitë e tyre mijëravjeçare shqiptarë autoktonë të pafajshëm me anë të gjeneralit Napoléon Zerva, në një kohë që vetë Zerva ka qenë nazist, dhe nuk u pranua kurrë nga perëndimorët që të ishte ministër në qeveritë greke të pasluftës..”. Mos pranimi i çështjes së genocidit anti-çam nga qeveritë greke, tregon se ato ndihen të fajshme, dhe nuk duan t’i shpërblejnë shqiptarëve dëmin kolosal që i u kanë shkaktuar”.

٭ Ka shkrime të shumta në shtypin shqiptar, lidhur me “Çështjen Çame”, disa prej të cilave po i risjellim për lexuesit.

                – Me 21 maj 2015.  Gazeta Koha Jonë, ka publikuar shkrimin :”Sot Shpëtim Idrizi: ”Rroftë Greqia” dhe Vangjel Dule: “Rroftë Çamëria”. Interesante mbetet se si Vangjel Dule, i minoritetit grek do të rrijë ngjitur kryetarit çam e do të ndajnë mendimet për problemet e Çamërisë! Apo kur të jetë “Çështja Çame”,vazhdon shkruesi, Idrizi do të bërrtasë: ”Poshtë grekët e rroftë çamët” dhe do ti a presë Vangjel Dule: “Rroftë Greqia”!?

Ky është niveli i artikullshkruesit, i cili duket qartë se nuk kupton asgjë se në ç’farë terreni ndodhet, përpiqet të vërë në lojë kalamajsh dy deputetë të zgjedhur nga populli!

           – E hënë 6 qershoer 2015 . Gazeta Shqiptarja.com, shkruhej: “Kumanova e Greqise”. Deputeti grek: “Çamët do bëjnë sulme në veri”, ose me 8 qershor 2015, lexohet shkrimi: “Kufiri detar, Greqia kërcënon Shqipërinë, shton postat ushtarake në kufi”.

           – Në Gazeta Tema, të datës 15. 06, 2015 lexohet deklarata e kandidatit të PBDNJ, Anastas Guden: “Do u shpëtoj nga çamët myslymanë”!. Ç’farë llogjikë. Mirë do ishte që si kandidat, tu tregonte se ç’farë kanë bërë çamët e Konispolit që ai do i shpëtonte prej tyre!.         

           –  Sipas Gazetës “Panorama” 22 maj 2015, Tritan Shehu, shkruan: “E mirëkuptoj z. Vangjel Dule në dorëheqjen e tij si nënkryetar i parlamentit. Motivi i këtij veprimi është një motiv politik që transmeton një shqetësim të madh për Kuvendin tonë. Me këtë gjest të argumentuar, ai jo vetëm rivendos në plan të parë problemin, por siç duket edhe shkëputet nga kjo maxhorancë. Ka plotësisht të drejtë. etj”. Një deklarim i tillë, nga një figurë e lartë politike dhe shtetërore, sjell shqetësim, për faktin se dorëheqja e z. Dule, ishte kundërvënie ndaj kalimit të deputetit Idrizi në postin e N/kryetarit të parlamentit. Veprimi i z. Dule lidhej pikërisht me mos pranimin e Idrizit në atë vend, pasi, sipas tij, ai përfaqësonte një parti naziste (siç deklarohet me arrogancë nga shteti Grek). Përpara këtij veprimi, ky lloj reagimi lë hapësira të pa kuptuara jo vetëm politike por dhe në prekje të interesave kombëtare. Për ti hequr merakun ndokuj, që mund të frikohet se këto veprime do të quhen si nocione “nacionaliste”, të rrijë i qetë se janë katërqind fish më “nacionaliste” ndërhyrjet e huaja që bëhen ndaj vendit tonë, duke mbrojtur gjoja minoritetet etj.

Duke menduar se edhe me këto raste, jo të vetmet, dalin të qarta veprimet dhe mos veprimet e dy shteteve tona ndaj problemit të gjenocidit grek ndaj çamëve, shpresoj se kam dhënë një ndihmesë për të dy palët, në vazhdim të dialogut miqësor, për zgjidhjen e problemeve të mbetura nga e kaluara e frikshme e shekullit XX-të.

  Do dëshiroj që pyetja e parë në takimin ballafaques, nëse realizohet, të jete:

– Ju insistoni se të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë me nazizmin, ndërsa në radhët e partizanëve të ELLAS-it, që luftonin pushtuesit dhe që u amnistuan në vitin 1953, ishin bashkuar edhe mbi 1.000 djem e vajza çame, ç’farë qendrimi keni mbajtur si për ata dhe familjet e tye? A po dhe ata, meqë janë çamë i quani bashkëpunëtorë me nazizmin?. Këtë përgjigje do doja ta dëgjoja prej personaliteteve greke.

Në mbyllje citoj mendimin e Profesorit Noel Malcolm, i universitetit Cambridge,U.K.

 “Fati i shqiptarëve çamë, është një nga sekretet më të errëta të historisë moderne europiane”.

Shënim (¹):-Një vend që sundohet nga një person apo grup, me fuqi të përgjithshme.

 

30 nëntor – 2 dhjetor 2016.                                  Nga Fahri Dahri

 

Shperndaje ne
Updated: 3 Dhjetor, 2016 — 13:48

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.