Koha e barabartësisë në Perandorinë e Romës

imgres
Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Në mbarim të Epokës së Vjetër ilirët bënë një kryengritje të madhe, por nuk fituan thuajse asgjë, sepse nuk kishin strategji vetjake. Që nuk kishin strategji vetjake, strategji për vete, e tregojnë fjalët që tha Batoja i desidiatëvet kur po e gjykonin për ta ekzekutuar. “Pse ngritët krye?”, e pyeti Tiberi. “Sepse ju kishit prurë këtu ujqërit për të ruajtur dhentë.” Pra, nuk kishin strategji as për t’u çliruar prej pushtuesit, as për mënyrën se si do të mund të organizohej jeta, mbasi të ishin çliruar. Kërkesa e vetme e ilirëvet ishte që të mos keqtrajtoheshin prej romakëvet.
Sigurisht që Roma nuk do të dërgonte kurrë “dele” për të ruajtur “delet”. Megjithatë, jeta do të vazhdonte edhe ashtu.
Perandoria e Romës tashmë shtrihej thuajse në krejt Evropën, në Azi të Vogël, në Lindje të Afërt dhe në Afrikë, në pjesën veriore. Midis këtyre tokave ndodhej Deti Mesdhe. Popujt, me sa duket, as që mund të mendonin për t’u mvehtësuar. Ata do të përpiqeshin vetëm sa për ta zbutur sundimin e romakëvet dhe për këtë duhej kërkuar një filozofi humane, jo separatiste, por përkundrazi, gjithëbashkuese. Roma kish bërë bashkim ushtarak, popujt duhej të bënin bashkim shpirtëror.
Kështu, mendojmë ne, do shpjeguar lindja dhe përhapja e krishtërimit në Mesdhe e më vonë në krejt Botën. Popujt e Azisë së Vogël, të Lindjes së Afërt, të Greqisë dhe të Ilirisë, qenë të parët që e bënë të vetin krishtërimin. Ai i thërriste njerëzit jo të çliroheshin me anë të shpatës, por të çliroheshin me anë të dashurisë për njëri tjetrin. Ishte pra një përpjekje pacifiste, e cila gjithsesi nuk do të mund të kurorëzohej me sukses pa sakrifikuar jetë njerëzish.
Kaluan 2 shekuj. Anembanë Perandorisë tashmë kishin ndryshuar shumë gjëra. Romakët (latinët) u detyruan më në fund të shpallin barazinë juridike për të gjithë shtetasit e lirë. Ishte kjo një aleancë internacionale e skllavopronarëvet, me qëllim që të bëhej e mundur mbajtja e mëtejshme nën sundim e skllevërvet.
Ilirët përfituan nga një e tillë barazi dhe shumë shpejt ia arritën që të luajnë rol jo vetëm në strukturat lokale të qeverisjes, por të ngjiten deri në majat më të larta të shtetit. Duket se në këtë proces ilirët i favorizoi fakti që një shumicë e popullsisë sonë, prej Istrisë e deri në Pind, kishin qenë tradicionalisht jo skllevër por malësorë të lirë. Në një pjesë të mirë të shekujvet III, IV dhe V të e.s. këtë perandori, që ne po e quajmë, krahasimisht me kohën e sotme, “Unioni Euro-mesdhetar i Antikitetit”, e kanë qeverisur ilirët. Janë më se një duzinë perandorësh tanë, të cilët jo vetëm kanë qeverisur, por edhe kanë lënë gjurmë në historinë e atij shteti vërtet të stërmadh për kohën. Diokleciani bëri reformat e mrekullueshme, si në kupolën shtetërore, ashtu në riformulimin administrativ të provincavet. Konstantini i Madh e bëri fenë e krishterë një fe shtetërore dhe në atë mënyrë hapi,edhe me legjislacion, epokën e re në historinë e religjionevet dhe në përgjithësi të një zhvillimi të ri social në shkallë botërore.
Kur themi: “Unionin Euro-mesdhetar të Antikitetit”, alias Perandorinë Romake, e kanë qeverisur ilirët, ne duhet të mbajmë parasysh 3 apo 4 të vërteta. 1.Ilirët kanë zënë vende të rëndësishëm jo vetëm në krye të shtetit, por në krejt administratën shtetërore. Sidomos në territoret ku banonin vetë ilirët, si dhe në sferën ushtarake, ku ata “natyrshëm” dëshmoheshin më të aftë.
Do kuptuar kështu që qysh prej fillimit të sh III të e.s. e këndej ne nuk duhet të konsiderohemi më si vend apo popull I pushtuar prej romakëvet. 1. Nuk mund të quhesh popull i pushtuar, kur e ke perandorin të gjakut tend.
2. Ajo kastë shtetërore ilire, e cila u preokupua aq shumë për mbarëvajtjen e asaj perandorie, nuk gjeti dot, si duket, as më të voglën arsye për të krijuar një strategji për vete, për etninë së cilës i përkiste. Ata njerëz, ata paraardhës të shqiptarëvet, bënë politikë gjithështetërore, gjithevropiane, gjithmesdhetare, por nuk menduan aspak që një ditë ai shtet edhe mund të shpërbëhej.
Ç’duhej të bënin ilirët, nëse ai shtet një ditë shkatërrohej?!
3.Në po këta shekuj, në kohën kur jo vetëm ilirët, por asnjëri nga popujt e qytetëruar të atij “Unioni” nuk po gjenin dot ndonjë rrugë tjetër të së ardhshmes, turma popujsh të paqytetëruar, armatosur me logjikën për të plaçkitur çdo gjë që mund t’u hynte në punë dhe për të rrënuar çdo gjë që nuk u hynte në punë, e mbuluan krejt vendin me kufoma dhe me gërmadha. Popujt e lashtë, mes tyre edhe ilirët, u detyruan t’i nënshtrohen procesit të një simbioze të re me popujt imigrantë: vandalë, svevë, normanë, gotë, longobardë, hunë, avarë, sllavë, kotrigurë…
4.Në asnjë shkollë të mesme, as në fakultet, të Evropës së sotme dhe të Mesdheut të sotëm, as në Itali, as në Francë, as në Angli, as në Spanjë, as në Algjeri, as në Libi, as në Egjipt, as në Izrael, as në Siri, as në Turqi dhe as në Greqi, nuk u thuhet nxënësvet dhe studentëvet që vendet e tyre i kanë qeverisur dikur paraardhësit e shqiptarëvet të sotëm. As në filma. Trajtohen nëpër filma tema të furtunshme të asaj kohe, por asgjëkundi nuk thuhet që kryepersonazhet e atyre furtunave kanë qenë paraardhës të këtyre të sotmëve shqiptarë, për të cilët diskutohet me dekada: T’i pranojmë apo të mos i pranojmë në BE?! Na e kanë, vallë, frikën (instinktivisht) se mos i qeverisim prapë?!
Por ne nuk e kemi qeverisur “Unionin Euro-Mesdhetar të Antikitetit” më keq se evropianët e tjerë. E vetmja e metë e jona e dallueshme ka qenë që ne nuk kemi menduar për vete si etni.
Kemi menduar kryesisht për vete si person dhe për “Unionin”.
Të shpëtojmë “Unionin”! Kjo ka qenë deviza jonë e atyre shekujve. Jo: Të shpëtojmë Ilirinë në radhë të parë, pastaj, natyrish që, do të kujdesemi edhe për “Unionin”.
[Të njëjtin mentalitet do ta vëmë re te arnautët (pasardhës të ilirëvet), në kohët kur Perandoria Osmane u quajt: I Sëmuri i Bosforit. I Sëmuri i Bosforit ishte shtrirë për të vdekur, ne bënim çmos për ta shpëtuar. Përjashtim bënë, për fatin tonë të mirë, vetëm Rilindësit tanë. Ata e pajisën me sy Kombin tonë.]

Shperndaje ne
Updated: 4 Dhjetor, 2016 — 18:14

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.