Etnikum: Prapë barbarët! Ne prapë të paparambrojtur!

Prapë barbarët! Ne prapë të paparambrojtur!
Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

 

Në shekujt XIX e XX krijohen prapë situata si në shekujt e Antikitetit. Këtë herë nuk vijnë barbarë prej së largu, por janë këtu të ardhurit e dikurshëm, ata që i rifillojnë korrjet. Nëse helenët e qëmotshëm i marrim më të vonë se trojanët dhe masakrën e Trojës e vlerësojmë si një masakër të ardhurish mbi vendësit (mjerisht për pakujdesinë vendimtare të vetë vendësvet), atëherë ngjarjet në Shqipërinë e Jugut, në Çamëri e gjetkë nuk duhet të merren ndryshe, veçse si vazhdim i masakravet të Trojës. Përshkrumbjet dhe përgjakjet në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme, duhet të konsiderohen si vazhdimi i përshkrumbjevet dhe i përgjakjevet të shekujvet V, VI e këndej. (Prapë, mjerisht prej pakujdesisë sonë përherë e më tragjike, përherë e më mallkimlënëse nga ana e atyre që shuhen pa qenë vetë fajtorë.)
Kemi përpara një dorëshkrim të Hasan Dinos nga Paramithia. Ai ka shënuar këtu ata tmerre që i ka përjetuar vetë, pikërisht në vitet kur nuk duhej të përjetonte tmerre, por të gëzonte të mirat e jetës në vendlindjen e vet, jo të robëruar, por të lirë.
Më 1913-n, 6 muaj mbasi Evropa e kish miratuar pushtimin e asaj pjese të Shqipërisë nga ana e shtetit grek, grekët vrasin në Paramithi 74 shqiptarë. 2 i marrin nga qyteti e 72 i mbledhin nga fshatrat, i çonjnë në një përrua jashtë qytetit dhe i copëtojnë me sëpata e me thika.
Më 1918-n grekët vrasin në Smokovinë të Margëllëçit 6 vetë. Në Galbaq të Filatit vrasin 5 vetë, 2 nga të cilët i djegin me benzinë. Në Lopës të Filatit vrasin 2 vetë.
Më 1921, grekët vrasin po në Lopës 3 të tjerë.
Vjen viti 1940. Ushtria e Metaksait vret e masakron nëpër Çamëri 350 shqiptarë.
Më 1945-n në Filat vriten 36 ushtarë shqiptarë, në kohën kur ata po ktheheshin nga ushtria greke! Jo nga ndonjë ushtri antigreke!
Në të gjithë këta vite, shkruan paramithioti Hasan Dino, pinjoll i një familjeje me shumë merita për Atdheun, grekët jo vetëm që i vrisnin njerëzit tanë (tashmë shtetas të tyre), por vrasjet ata i bënin me mënyrat më barbare të mundshme.
(Lexuesi duhet ta dijë që grekët quajnë barbarë popujt jogrekë. Por në këtë rast, ata janë barbarë nga më të egrit.) I copëtojnë me sëpata e me thika, i djegin me benzinë duke u shkaktuar vdekje të lemerishme, u ngulin gjilpëra nën thonj, gravet, për t’u tallur me to para se t’i vrasin, u fusin mace në çitjane, i çnderojnë duke i përdhunuar, të tjerëvet u vënë vezë të nxehta nën sqetulla, varin njerëz mbi tym, i rrahin deri sa të vjellin gjak, i vrasin rrugëve, siç vriten qentë bastardë, vrasin fëmijë, djem të rinj, pleq e kë të shohin në rrugë, i kapin dhe i detyrojnë për të hapur vetë varret e vet dhe të fëmijëvet të vet, pastaj vrasin fëmijët në sy të prindit e më në fund edhe vetë prindin, i thërrasin gjoja për t’u komunikuar diçka dhe i therin të gjithë, çojnë në ishujt e Egjeut me qindra dhe atje i vdesin duke i rrahur. I ndjeri Hasah Dino na ka shënuar edhe një të dhënë shumë interesante, e cila do të duhej t’u shërbente sidomos atyre grekëve të sotëm, të cilët studiojnë e analizojnë politikat e atdheut të tyre. Pushtetarët grekë u ofronin shqiptarëvet myslimanë shuma të konsiderueshme parash, me kërkesën që ata të deklaroheshin turq. Sot shteti grek u jep para shqiptarëvet ortodoksë, me kusht që këta shqiptarë të deklarohen grekë. Është punë e tyre, por ne do të pyesnim: A kështu do ta krijojnë kombin e vet grekët?
Një komb i tillë s’ka si cilësohet ndryshe veçse: komb surrogato. Na duhet të nxjerrim këtu edhe një listë shqiptarësh tanë, ortodoksë të Çamërisë, të cilët nuk kanë pasur aspak turp për t’i shërbyer pushtuesit në dëm të bashkëfshatarëvet dhe bashkëkombasvet të vet, vetëm e vetëm sepse këta ishin myslimanë. Dhimitros Hajdhushis nga Pleshovica e Filatit.
Hristo Bilbili, Jorgo Drubadi, Vasil Danello dhe Har Driamandi, të 4-të nga Sajadha e Filatit.
Pano Çino nga Dragami i Paramithisë. Ky ishte një vegël e llojit të veçantë. Policia greke i thërriste njerëzit në zyrat e veta, u kërkonte të dorëzonin armët edhe kur këta nuk kishin armë.
I torturonin dhe i lëshonin duke u thënë: Po nuk e solle armën, do të të marrim prapë. Pano Çinua i shkonte fshatarit të rrahur dhe i thoshte: Ta gjej unë një pushkë. Fshatari e blente pushkën për 2 napolona dhe e dorëzonte në polici, për të mos iu përsëritur tortura. Pano Çinua e merrte prapë po atë pushkë dhe ia shiste një tjetri. Në këtë mënyrë ky shqiptar i pafytyrë e ka shitur e rishitur një pushkë të vetme 300 herë në 300 fshatarë të ndryshëm dhe ka marrë prej tyre 600 napolona. Fshatarët e njihnin pushkën.
Por ishin të detyruar ta blinin. Të njëjtën metodë kanë përdorur edhe sërbër në vitet 1950 nëpër Kosovë. Në mos zënshim mend prej një përvoje të këtillë, edhe ne ose nipërvet tanë, e njëjta histori ka për t’iu përsëritur.
Një kategori tjetër shqiptarësh që i angazhonte dhe i paguante Greku nëpër Çamëri, ishin vrasës ordinerë. Të tillë kanë qenë Panatezejtë dhe Koço Nikolla në Paramithi, Vasil Ballumi në Margëlliç, Andon Tasho dhe Sholi Mitro në Gumenicë dhe Ilia Kalo në Filat. Kapiten Elefter Strugari dhe kapiten Hristo Stavropullo janë zbatuesit e urdhërit të Napolon Zervës për masakrën në Paramithi, për të cilën do të flasim pak më vonë.
Gjithsesi kaq do të duhej të na mjaftonte për të kuptuar sa shumë të këqia kemi në radhë të parë ne brenda vetes.
Dikur, kur e kishin pushtetin, myslimanët tanë keqtrajtonin të krishterët tanë: I vinin për të shirë driza në lëmenj, këmbëzbathur.
Tani që në Çamëri e kanë pushtetin të krishterët tanë, masakrojnë dhe vrasin myslimanët tanë.

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Shperndaje ne

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.