Hebrenjtë që u bënë  shqiptar katolikë

Familje hebreje shpëtuar nga lufta e dytë boterore në Shqipëri

Famullia e kishës katolike e Tiranës ishte famullia më e rëndësishme e Shqipërisë për vetë faktin se ishte pjesë e institucioneve qendrore qeveritare, parlamentare, diplomatike, kulturore, ekonomike, shoqërore etj. të kryeqytetit të vendit. Prej vitit 1938 e deri më 1947 kjo famulli drejtohej nga famullitari dekan i saj Dom Shtjefën Kurti. Studimi i qindra e mijëra shkresave, korrespondencave, letrave, buletineve, raporteve, të kësaj famullie që gjenden në Arkivin e Shtetit, janë vendimtare për të hulumtuar historinë e kësaj periudhe.

Kjo edhe për faktin se brenda këtyre viteve ndodhën ndryshime dramatike si rënia e ish-Mbretërisë së Zogut, pushtimi italian e më vonë nazist, ardhja në pushtet e fituesve të Luftës së Dytë Botërore. Çlirimtarët e Tiranës dhe Shqipërisë kësaj radhe ishin komunistët e udhëhequr nga PKSH-ja. Po ashtu, periudha e sipërcituar shënon prurjet më të mëdha të hebrenjve nga vendet fqinje, Evropa Qendrore e vise të tjera të nxehta antisemite, duke gjetur strehë e mbrojtje tek shqiptarët. Sipas studimit të prof. dr. Shaban Sinani, të titulluar “Në Shqipëri s’ka pasur holokaust”, janë mbi 2264 hebrenj që kanë hyrë në Shqipëri para dhe gjatë Luftës. Duke studiuar për këtë qëllim dosjet e shumta të fondit “Arqipeshkvia Durrës-Tiranë, famullia e kishës katolike, Tiranë” në Arkivin Shtetëror, u befasova nga disa dokumente zyrtare në të cilat shkruhej se “disa hebrenj të ardhur në Tiranë kërkonin, nëpërmjet procedurave liturgjike, ndërrimin e fesë së tyre hebraike në katolike”. Në këto rrethana natyrshëm lindin disa pyetje. 

 Cili ishte roli i famullisë dhe i drejtuesit të saj, Dom Shtjefën Kurti, në këtë proces?

A ishte kisha katolike e Tiranës pjesë e ndërgjegjes dhe e solidaritetit human të popullit të cilit ajo i shërbente? Pse famullitari i saj, Dom Shtjefën Kurti, siç rezulton nga dokumentet, duke thyer të gjitha afatet procedurale mjaft të ngurta të konvertimit fetar, u hiqte pasaportën hebraike hebrenjve duke i pajisur ata me “pasaportë” katolike? Për këto le të analizojmë disa dokumente autentike të kësaj famullie. Me shkresën nr. 458/43, dt. 22.VII.1943 të zyrës famullitare të kishës katolike Tiranë, firmosur nga famullitari Dom Shtjefën Kurti, drejtuar zyrës ordinariate të Arqipeshkvisë Durrës thuhet: “Venko Verah, çifut prej Shkupi, asht përgatit në mësimin e fes sonë ma se miri prej Atë Pjeter Meshkalles, edhe nep sheje te mira konvikcioni. Kejo Zyrë Famullitare kërkon leje me e pagzue”. Shërbyesi i asaje Zyre Ordinariate, Famullitari (Dom Shtjefen Kurti).Me po atë datë, 22 korrik 1943, me shkresën nr. 348/43, Curia Archiepiscopalis Durrachiensis i përgjigjet zyrës famullitare Tiranë: “Mbasi kenka gatue ma se miri e po nepka sheje te mira konvikcioni, në ditën qi t’u duket ma e përshtatshme mundeni me i dhanë Pagëzimin Shejt çifutit prej Shkupit Venko Verah.

Vinçenc Prendushi – Arqipeshkev. Poshtë kësaj letre lexojmë shënimin: “U muer ditën 31.7.1943” dhe më poshtë: “Ditën 3 gusht 1943 , Venko Verah kje pagzue e u regjistrue ne Librin e te Pagzuemeve me numrin 138”. Të dyja shënimet firmosur Dom Shtjefën KurtiSiç shihet, kërkesa për leje pagëzimi nga famullia e Tiranës dhe miratimi nga Arqipeshkvia në Durrës është bërë brenda ditës. Kuptohet, ka pasur një interesim direkt, personal dhe dërgim dorazi i kërkesës dhe marrjes së përgjigjes, pa pritur kohën e gjatë me postë. Pas 10 ditësh çdo gjë ishte përfunduar dhe Venko Verah ishte konvertuar në katolik. Gjithashtu, me shkresën 324/43, dt. 11.VI.1943, nga famullia e Tiranës kërkohet miratimi “me marrë sakramentin e pagzimit nesër, nata e Rrrshajve, për 5 çifuten te tjerë”Po kështu kemi kërkesën me shkresë nr. 565/43, dt. 2 shtator 1943, nga famullia e Tiranës për “Zojushen Olga Nikolic, e bija e Blogota e Danica Kovacevic, lindur në Tandi (USA) me 22 korrik 1913, ardhur në Tiranë prej Kotorrit për me u ba katolike” Historia e hebrenjve të Elbasanit, dëshmitarë të revansheve Hebrenjtë dhe shqiptarët një lidhje që i mbrojti nga revanshi gjerman dhe internimi në Aushvic bën pjesë tashmë në kujtesën e popujve. Kjo mikpritje ka marrë vlerësim përtej kufijve duke e renditur popullin tonë përkrah mbështetësve dhe mbrojtësve të shumë personave madje edhe familjeve që gjetën strehë duke i shpëtuar vdekjes së sigurt.

Populli shqiptar ruajti integritetin e tij dhe çështja e hebrenjve u cilësua si një çështje e brendshme. Shumë vite pas, ende familjet shqiptare ruajnë kujtimet, kanë marrë vlerësimet dhe madje mirënjohjen e atyre që shpëtuan nën mbrojtjen e shqiptarëve. Nuk janë shumë, madje me certifikatën e mirënjohjes “Të drejtë midis popujve”. Një prej këtyre familjeve është familja Nosi në Elbasan. Nipi i kësaj familjes Skënder Kosturi sjell kujtimet e nënës së tij Adelinës, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë. Në këtë familje ka jetuar një hebre, Marko Manehami, i cili nëpërmjet një letre ka treguar historinë e tij, por edhe vlerësimin për familjen Nosi që e mbajti dhe e mbrojti në çdo rast. Një tjetër rast i njohur për strehimin e hebrenjve është familja Biçaku nga Qarrishta e Librazhdit. Nga kjo familje nuk kanë mbetur dëshmitarë, pasi shumica prej tyre emigruan në mundësinë e parë drejt Amerikës apo vendeve të tjera. Një prej tyre në kujtimet e tij tregon se si i strehuan 26 hebrenj, të cilët ruajnë edhe kujtime të bukura nga përpjekjet për t’u fshehur.

 Një prej tyre në shtëpinë e Biçakajve u bë baba. Hebrenjtë e Luftës së Dytë Botërore Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Elbasan u strehuan dhjetëra familje hebrenjsh. Mbiemrat e njohur elbasanas kanë qenë edhe pritësit e familjeve hebreje, të cilat kërkonin t’i shpëtonin genocidit nazist. Mes familjeve që strehuan hebrenj përmenden familja e madhe e Biçakçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri etj. Banorët e lagjes “Kala” i mirëpritën pasi panë tek hebrenjtë besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët. Edhe pse pushtuesit gjermanë ishin të rrezikshëm dhe mund të masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës. Gjatë periudhës së luftës hebrenjtë kanë qëndruar brenda katër mureve të shtëpive ku strehoheshin.

Jo vetëm familjet ku jetonin, por edhe familjet e tjera të kësaj lagjeje ofronin ndihma materiale dhe ushqimore për hebrenjtë. Pas përfundimit të luftës ata u rikthyen në Elbasan duke ju ofruar ndihmë banorëve të kësaj lagjeje. Hebrenjtë i ndihmuan më pas familjet elbasanase me viza, bursa studimi etj. Miqësia mes familjeve elbasanase dhe hebrenjve ka ekzistuar deri vonë. Hebrenjtë u vlerësuan si njerëz të zgjuar, të suksesshëm dhe të respektuar nga të gjithë.

E përgatiti : Fahri Xharra

Shperndaje ne
Updated: 17 Dhjetor, 2016 — 07:42

The Author

Fahri Xharra

2 Comments

Add a Comment
  1. Mir mor zotri Xharra po per familjet shqiptare kosovare qe strehuan hebrej kur do te shkruash apo per kto gamilje nuk ka tdhana?!!

    1. Bleeim Vokshi , mos prito lexo më shumë dhe rregullisht ,e pastaj e sheh qe kam shkruar jo një herë por shumë herë <

Lini një Përgjigje te Bleeim Vokshi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.