Atdheu ynë ashtu siç ishte

Shkruan  ERMIR HOXHA

Promovohet vepra më e fundit dhe e rrallë për nga lloji e albanologut Robert Elsie, “Dritëshkronja”. Ajo përmban qindra foto të papublikuara ndonjëherë nga koleksionet e të huajve, që udhëtuan nëpër viset shqiptare shumë vjet më parë Elsie ka përmbledhur për herë të parë vetëm koleksionet e të huajve dhe konkretisht të Jozef Sekelit, Johan Georg von Han, Maksimilan Lamberc, të dyshes Franc Nopça dhe Bajazid Elmaz Doda, si dhe të misionit holandez që themeloi xhandarmërinë shqiptare në vitet e mbretërisë

relsie_driteshkronjaMe një album fotografik të promovuar dje në ambientet e Panairit të Librit “Tirana 2007”, robert_elsiealbanologu i njohur Robert Elsie ka plotësuar viganizmin e tij prej studiuesi dhe promovuesi të kulturës shqiptare. Ai nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e promovimit për arsye pune, por ata që folën për veprën e tij më të fundit, “Dritëshkronja”, thanë se Elsie hodhi një tjetër hap të madh në shpërfaqjen e kulturës së kombit tonë, pas një sërë veprash studimore e së fundi si përkthyes. Me veprën fotografike “Dritëshkronja”, Elsie çeli një epokë të re të shqiptarizmës, atë të pasurisë dhe dëshmisë fotografike. Studiuesi Moikom Zeqo tha se vepra e Robert Elsie është një nxitje për themelimin e enciklopedisë së fotografisë shqiptare.

kuvend_burrashNë parathënie të veprës sqarohet fillimisht ngacmimi për t’i vënë emrin “Dritëshkronja”, ku thuhet: Dritëshkronja, kjo fjalë e bukur shqipe, u përdor për herë të parë në shekullin e nëntëmbëdhjetë… Historia e fotografisë në Shqipëri dhe në jugperëndim të Ballkanit filloi rreth kohës së Jozef Sekelit (1838-1901). Komisioni për Ballkanin i Akademisë së Shkencave të Austrisë e caktoi fotografin e ri vjenez që të merrte pjesë në një udhëtim në Shqipëri, në vitin 1863, një ekspeditë e drejtuar nga albanologu Johan Georg fon Han. Pesëdhjetë fotografitë, të cilat rezultuan nga udhëtimi nëpër viset e Drinit e Vardarit, janë ndër më të hershmet në Shqipëri, në Kosovë e Maqedoni. Në parathënie përmendet edhe saga e Marubëve si themelues i artit fotografik shqiptar, por në veprën e tij, Elsie ka përmbledhur për herë të parë vetëm koleksionet e të huajve dhe konkretisht të Jozef Sekelit, Johan Georg von Han, Maksimilan Lamberc, të dyshes Franc Nopça dhe Bajazid Elmaz Doda, si dhe të misionit holandez që themeloi xhandarmërinë shqiptare në vitet e mbretërisë.

grat_nga_gjakovaNëpërmjet tyre sillen realitete shqiptare tejet grishëse, si fotografia bardhë e zi që vishet me një tis magjik. Tek ato është historia, gjeografia, realitetet urbane, njeriu, heroi, politika, diplomacia, si dhe jeta e përditshme në të gjitha dimensionet e saj. Studiuesi i njohur i artit fotografik, Ferid Hudhri, tha se vepra e Robert Elsie u shërben sa historianëve e sa studiuesve në sfera të tjera. Për shembull, ai përmend njohjen nëpërmjet fotove me urën e vjetër të Bahçallakut apo me kalanë e Prizrenit, që deri më sot nuk kanë qenë të njohura.

Apo dhe kostumet e shumta. Deri më sot janë marrë për bazë veprat në pikturë me të tilla realitete, që kanë qenë produkt fantazie, ndërsa sot, nëpërmjet fotove të veprës “Dritëshkronja”, na vijnë dëshmi origjinale. Sipas Hudhrit, përveç historianëve, që tashmë do të kenë në dorë të tilla dëshmi origjinale ilustruese, janë dhe studiuesit, të cilët, nëse do të kenë nevojë për modelin origjinal në një vepër restauruese, mundet të zotërojnë origjinalin për t’iu afruar asaj. Gjithsej në vepër janë 248 foto që u përkasin viteve 1863-1917.

manastiri_shen_naumNë parathënie thuhet se dy nga shkencëtarët më të spikatur në fushën e albanologjisë së kohës na lanë leksione të fotografive të panjohura deri para pak kohe. I pari është baroni hungarez Franc Nopça, i cili, bashkë me sekretarin e bashkëfotografin e tij shqiptar, Bajazit Elmaz Doda, jetoi në Shkodër për disa vjet dhe udhëtoi shumë në Malësinë e Madhe. I dyti është austriaku Maksimilan Lamberc, i cili vizitoi Shqipërinë gjatë Luftës së Parë Botërore, në kuadrin e një ekspedite shkencore të organizuar kjo nga Komisioni për Ballkanin i Akademisë së Shkencave të Austrisë. Udhëtarë të tjerë në jug të Ballkanit bënë fotografi pa menduar që do të vinte një ditë kur fotografitë e tyre do të kishin një vlerë të jashtëzakonshme historike kulturore. I tillë ishte rasti i oficerëve holandezë, të cilëve iu dhanë jo vetëm pajisje luftarake, por edhe nga një aparat fotografik.

Ndërsa J. G. von Han shkruan më 1863-shin, lidhur me ekspeditën e planifikuar nga Akademia Austriake: Para se të ndërmerrnim këtë udhëtim, Akademia mundi të sigurojë gjithashtu pjesëmarrjen e fotografit të dëgjuar vjenez, zotit kimist dr. Jozef Sekeli, në mënyrë që ai të përgatiste një album me fotografi në këto krahina në panjohura. Ky i fundit e përmbushi detyrën e tij me një zell të jashtëzakonshëm dhe bëri një seri panoramash, të cilat mund të vihen në një rang me gjërat më të bukura që ka mundur të realizojë arti fotografik në këtë drejtim, shkruan kështu J.G.von Han.

Vepra “Dritëshkronja” e Robert Elsie është botuar nga “ATV Media Company”, që drejtohet nga familja Pacolli. Dyshja Selim Pacolli dhe kryeredaktori i revistës “Albanica”, Skënder Bllaka, shprehen se i gëzon fakti që albumi del si kurorëzim i idesë që lindi rastësisht në verë të vitit 2006, kur Elsie ishte mysafir te kompania e tyre në Kosovë. Vepra konsiderohet prej tyre si e përmasave që i tejkalon kufijtë kombëtare. Në pozitën e historianit, këtë vlerësim dha dhe i shumënjohuri Kasem Biçoku. Ai tha se kjo vepër është pasuese e disa të tjerave që del në një kohë paksa delikate për fatet e kombit dhe specifikisht për fatin e Kosovës, kur deri para pak vitesh, të huajt nuk dinin asgjë për realitetin e atjeshëm e jo më për historinë e rajonit. E tashmë, sipas Biçokut, është sërish Robert Elsie që ofron një vepër me përmasa historike të mbështetur te të dhënat vizuale, siç është fotoja.

 

Shperndaje ne
Updated: 19 Janar, 2015 — 21:02

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.