Etnikumi: ARKITEKTURA E SHKATËRRUAR E ATDHEUT


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

Një nip i familjes sonë u kthye nga një shëtitje nëpër Itali. Më parë pat jetuar atje 5 vjet si emigrant, por nuk e kish njohur Italinë. Tani, mbasi ka mbaruar këtu fakultetin, është bërë inxhinier dhe është rregulluar ekonomikisht, shkoi në Itali jo si emigrant, por si shëtitës, si turist.
“Unë tani e pashë Italinë.” Më tha. “Më parë kisha pare vetëm një lavazh (vendin ku punoja) dhe nja 2 rrugë të Firences.
Tani e pashë Firencen, pashë Venecian, pashë Milanon dhe mund të them që e pashë Italinë për herë të parë.”
“Cila është,pra, përshtypja jote?”
“Përshtypja ime” tha ai “është: që ne kemi jetuar në terr e në skëterrë 5 shekuj.”
Kjo ish tema e cila autorit të këtyre shkrimeve ia ka ndrydhur shpirtin e pakta që në moshën 15 vjeç e këndej. Ai kujton:
Janë ca rrëpira ku mezi kalon dhia, përsipër fshatit Togjemil, afër Tivarit. Një ditë po udhëtonim andej im atë dhe unë, për të dalë në Shkallë të Bardhë. Duke u përshkuar
me vështirësi permidis shkurevet, unë hasja në ca fragmente muresh dhe ndalesha. Im atë e vinte re, por nuk fliste. Kur dolëm më lart, te Kroni i Shkallës, që është një pasuri e
papërsëritshme natyrore, e lënë plotësisht jashtë vëmendjes së njerëzvet, u ulëm dhe po prisnim të na thahen djersët, pastaj të pinim ujë. Tata më tha:
“A i pe ato megja andej kah erllëm?”
“I pashë.”
“Ato i kanë bâ të parët tonë lle kjo tregon se na dikur nuk kena kjenë kshtu si jena sot.”
Aty dëgjova për herë të parë edhe emrin ILIR. “Në vakt t’ilirëvet” tha tata “ky vend ka kjenë plot me gjin”.
Im atë ish një njeri i ditur. Ai zotëronte 5 gjuhë të huaja dhe në shtëpinë tonë të varfër, në ata vite, kish gjithfarë fjalorësh: turqisht-frëngjisht, greqisht-frëngjisht, fjalorë
turqisht me shkronja arabe të transkribuar krahas shkrimit arab me shkrim latin, fjalorë të greqishtes së vjetër, një fjalor I H.Bariqit shqip-sllavishte jugore qendrore. Por mua më mbeti në shpirt dhimbja e murevet të kohës ilire, tash të rrënuar kaq keq.
Olsi, kështu quhet nipi i familjes sonë, na foli për Milanon e për Venecian. Na kish prurë edhe një kalendar për vitin 2008 me pamje të Firences.
“Çdo gjë ish më se e mrekullueshme.” Tha ai “Fasadat e ndërtersavet, rrugët e ngushta nëpër Venecia, Duomo në Milano, Galeria, La Skala. Ndërkaq, ne s’kemi asgjë, as të ngjashme me ato që ka Italia.”
Ish një e vërtetë tepër e hidhur. Koha e Turqisë s’na kish lënë asgjë nga ajo kulturë ndërtimore e shekujvet të mëparshëm.
Themi koha e Turqisë, por ne e dimë që më shumë se Turku e kemi prishur vetë ne. I kemi prishur ne, të turqizuarit! Na u kujtuan Kotorri dhe Dubrovniku, të cilët nuk arritën t’I pushtojnë osmanët, por që i sllavizuan sllavët. Ata janë thuajse njësoj si qytetet e Italisë. Ndërsa ne nuk i kemi as Tivarin e atëhershëm, as Ulqinin, as Shkodrën, as Lezhën, as Durrësin, as Vlorën, as Artën, as Nikopolin, as Krujën, as Dibrën, as Ohrin.
Madje as Prizreni s’është qyteti i dikurshëm. Eshtë krejtësisht i orientalizuar. Nuk themi se është keq, por themi se nuk është ai që ka qenë dikur. Në Pejë e në Graçanicë janë ruajtur vetëm kishat tona të sllavizuara. Ato të mirëfilltat që dikur i patëm bërë për vete, mund të gjenden vetëm nën dhe ose në formë themelesh.
Por ne sërish po na shtyn vetëvetiu brenga edhe më thellë në kohë. Ku janë Dimali, Bylisi, Amantia, Antigonea, Foinike, Apollonia, Dyrrahu, Albanoni, Theranda, Ulpiana, Damastioni, Ulcinioni, Oleotopolisi, Meteoni, Diokleja, Svaciumi, Drivasti, Lisusi, Petrela, Petaralba, Stelushi, Uksana, Skupi?!
Ai terr 5-shekullor që na e ka prurë Perandoria Osmane dhe që thuajse na ka mbytur tërësisht, aq sa na duket mrekulli, kur kujtojmë se jemi ende gjallë, i ngjan çapëlimit që i bëjnë ujqërit një dreri të rrëzuar qysh më parë prej egërsiravet të tjera.
Egërsirat e tjera, psh lukuni çakenjsh dhe hienash, e kanë rrëzuar drerin në mes të rrahut, ia kanë çarë e grisur lëkurën, ia kanë derdhur një sasi gjaku. Kur kanë ardhur ujqërit, dreri ka qenë i shtrirë. Ai është ngritur dhe është mbrojtur me gjithë fuqinë e vet, por më në fund është rrëzuar sërish dhe ujqërit i janë derdhur përsipër. Dikur është gëdhirë. Egërsirat kanë qëndruar në pyll, në përgjim për t’iu sulur prapë.
Kjo është Shqipëria. Prandaj dhe monumentet tanë të arkitekturës (bukuria e drerit), ose janë groposur, ose janë thërrmuar e kthyer në rërë.

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Shperndaje ne
Updated: 21 Dhjetor, 2016 — 05:17

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.