Etnikumi: ARKITEKTURA E SHKATËRRUAR E SHPIRTIT


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

Por ne na shqetëson shumëfish më tepër fakti që ky serialnetësh të errëta (Romë, Bizant, barbarë, sllavë, turq), të mbushura me furtuna e me zjarre rrufeshë, nuk na ka shkatërruar vetëm arkitekturën e qytetevet e të fshatravet, por na ka shkatërruar edhe arkitekturën shpirtërore, shpeshherë edhe trupore, të njeriut tonë. Fan Noli, si dhe shumë të tjerë rilindës, e ka pare dhe e ka shprehur me shumë dhembje këtë të vërtetë tonën kaq trishtimprurëse:

“Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë”…
…“Trup e shpirt i sakatosur!” (Vep.1,f.94)

Nuk po marrim aspektet kur ne jemi të mirë e të zotë. Të mos ishim të mirë e të zotë, të mos kishim cilësi nga ato që rrallëkush i ka ndër popujt e tjerë, ne sot nuk do të përmendeshim gjëkundi, as për mirë, as për keq. Vetëm në kapitujt e historiografisë
ndoshta do të kujtohej ndonjëherë emri ynë, por edhe atëherë si t’u thoshte mendja atyre që shkruajnë.
Nuk do të merremi, pra, në këta rreshta me aspektet e vitalitetit tonë. Do të merremi, madje ashpër, me aspektet e mortalitetit tonë. Me ato cilësi që na vdesin ne si Komb, që na mbysin, ose që na renditin midis fundrrinavet, gjë që më së shpullëshmi përjetohet kur shkojmë në dogana: Të gjithë i lënë të kalojnë lirshëm, ne na ndalin mënjanë, për të na kontrolluar “ndryshe”. Gjithkund e shohim arkitekturën e dekompozuar, të thyer e të shkatërruar, të shqiptarit të sotëm! E shohim në çdo hap që bëjmë dhe në çdo ditë të re që gëdhijmë: Në punë, në rrugë apo thjeshtë duke lexuar titujt e gazetavet, duke dëgjuar e pare emisionet e lajmevet, bisedat televizive dhe ato jotelevizive.
Në rrugë, kur bie shi dhe kur nuk bie shi. Sa herë që shohim si e ka hapur dikush kanalin nëpër asfalt dhe si e ka mbyllur, pasi ka mbaruar punë, e shohim shprtin sakat të njeriut tonë të përditshëm.
Çoji 2 ose 5 punëtorë (punëtorë “llaçi” apo punëtorë “kazme”) në një punë, jepua punën në mëngjes dhe lëri aty deri në darkë! Shko në mbrëmje dhe shiko sa punë të kanë bërë dhe si ta kanë bërë punën! Për faqe të zezë! Po nuk u ndenje mbi kokë, ata nuk të bëjnë asnjë punë. Shqiptari punëtor ose nuk do, ose nuk di ta bëjë punën si duhet. Shqiptari zyrtar ose nuk di ose nuk do që ta bëjë punën si duhet. Shqiptari polic nuk bën punën e policit, por bën punën e përfitimit të kundraligjshëm. Shqiptari mjek pjesën më kryesore të mendjes së vet e shpenzon jo për të shëruar të sëmurët, por për t’u pasuruar prej të sëmurëvet.
Shqiptari jurist rrezaton më shumë padrejtësi se sa drejtësi. Shqiptari mësues shpeshherë e bën veten karikaturë të mësuesit. Shqiptari doganier e shndërron doganën në institucion të shkeljes së rregullavet doganore.
I bëjmë ministra shqiptarët, e ata nuk dinë ta bëjnë punën e ministrit. Një minister që nuk ka frikë prej asaj çfarë mund të shkruajë historia nesër për të, është i cekët mendërisht, por është edhe moralisht difektoz. I bëjmë (ose bëhen vetë) kryeministra,
e ata nuk dinë të jenë kryeministra. Një kryeministër, i cili në çdo veprim apo fjalë të tijën nuk e çon mendjen te ajo çfarë do të shkruajë nesër historia për të, nuk ka strategji as për vete, jo më të ketë strategji për kombin e vet. I bëjmë kryetarë komunash e kryetarë bashkishë e ata nuk i kryejnë ato punë as përafërsisht ashtu si duhet. Madje më shumë nuk duan se nuk dinë. Të gjithë këta, krejt kjo pamje e mbrapsht njerëzish të kohës sonë, ndaj të cilëvet muk po shpifim, por janë realisht të tillë, na ngjajnë me një mori skulpturash të thyera e të copëtuara. Dikush ka gjysmë koke, dikush ka çerek koke, dikush ka vetëm një dorë, dikush s’ka as kokë as parzma, por i kanë mbetur vetëm… ca organe të tjerë.
Nuk po duam t’i përmendim tash me emra disa nga ata që po na vijnë në mendje. Ata nuk janë shqiptarë, por janë fragmente fytyrash të shfytyruara. Një që i shet të huajit një pasuri kombëtare shqiptare, duke parë sa fiton vetë, personalisht ose klanërisht, prej asaj shitjeje, ai nuk është shqiptar. Ai është baltë.
Një që e derdh ujin e hidrocentralevet (E derdh! Jep urdhër që të hapen portat!), me qëlim që, pasi të jenë boshatisur liqenet, të “detyrohet” të blejë dritë “me prokurim të drejtpërdrejtë”dhe të mund të fitojë ashtu, për vete e për klanin, disa miliona euro… Një që mbledh ujin në liqenet e hidrocentralevet, për të
fituar me atë ujë, për vete e për klanin, e në fund ua derdh “tepricën” shkodranëvet përsipër… Ata janë jo baltë, por më keq se balta.
Elementi që u mungon më së shumti këtyre qindra mijë shqiptarëve të shekullit XXI, që nga punëtori i llaçit deri te kryeministri, është PATRIOTIZMI. Jo ai patriotizëm që shprehet vetëm me fjalë, por patriotizmi konkret dhe i vërtetë.
Kur 1000 elektricistë nuk i mbledhin paratë e dritavet si duhet dhe kur 500000 familje e vjedhin dritën, cili do të jetë rezultati? Rezultati kuptohet: Atdheu mbetet pa drita. Për të parë ku është rroposur shqiptari i sotëm, po përfytyrojmë shtatoren e një mbrojtësi të dikurshëm të Krujës,psh shtatoren e Vrana Kontit, punuar dikur në mermer, nga një dorë mjeshtri. Ajo ka qenë dikur e vendosur në hyrje të kështjellës, por kanë ardhur turqit dhe e kanë shkallmuar. Copërat e asaj skulpture kanë marrë përroin poshtë dhe sot i gjen një këtu e njëatje nëpër fushat e nëpër përrenjtë e Fushë-Krujës. Kjo është skulptura e shqiptarit të sotëm. (Jo e të gjithëvet, por e atij,për të cilin po flasim).
Prandaj shqiptari i sotëm (ai për të cilin po flasim), i shkulvreshtat, i pret ullinjtë, i thyen xhamat e seravet, i vjedh e i djeg magazinat e tregtisë, i shkatërron vagonat e trenit, i vjedh ikonat e Voskopojës, i vjedh qilimat e xhamisë, vjedh edhe padronin atje në megrim, vjedh ose vret edhe kushëririn e vet, në kthim nga mërgimi. Nga ky brumë dalin ministrant. Kuptohet që ata s’mund të jenë më të mirë.
Shkon në Turqi shqiptari e bëhet turk, shkon në Greqi shqiptari e bëhet grek, e pushton Mali i Zi shqiptarin e bëhet më malazez se vetë malaziasi…
Në intervistë përpara vetes
Të këtillë “gjyqe”, që do t’i shohim këtu poshtë, bëjnë madje edhe shqiptarët indiferentë, ata moskokëçarësit, le më të tjerët, ata që shqetësohen kur shohin batërdi rretherrotull. Të gjithëve u pulsojnë nëpër mendje vargje pa mbarim pyetjesh.
Psh: Pse jam një njeri i pashkollë? Edhe prindët e mi kanë qenë pa shkollë. Pse kanë qenë edhe ata pa shkollë? Edhe gjyshërit e mi kanë qenë pa shkollë. Pse kanë qenë edhe gjyshërit e mi pa shkollë?
Cfarë shteti kemi pasur para 200 vjetësh, para 300 vjetësh, që i ka lënë paraardhësit tanë kaq analfabetë e, psh, anglezët shteti i tyre i ka shkolluar? Cfarë shteti kanë pasur ata popuj që sot janë popuj të shkolluar?
Mirë. Bëhen edhe të tjera pyetje: Gjyshi im nuk ka pasur shtëpi të mirë. As gjyshi i gjyshit tim nuk ka pasur shtëpi të mirë. Pse s’ka pasur gjyshi i gjyshit tim shtëpi të mirë, që unë ta kem atë shtëpi edhe sot të trashëguar? Pse s’e ka pasur ai një shtëpi të trashëguar 6 breza ose 16 breza, e ta kem edhe unë 12 ose 22 breza të trashëguar një shtëpi, në mes të një qyteti ose afër një qyteti shumë të madh? Dhe të kem aty sende që më kanë lënë gjyshërit, të kem piktura që kushtojnë 20000 euro, të kem bizhuteri e diamante të rrallë. Pse nuk i kam unë këto, siç i kanë shumë të tjerë nëpër Botë, psh në Hollandë, në Danimarkë, në Francë. Cfarë shteti kemi pasur ne, ta zëmë, para 22 brezash?
Ne nuk kemi as rrugë të mira. (Tani po mundohemi t’i ndërtojmë, duke vjedhur sa të mundim gjatë ndërtimit të tyre) Italia dhe Gjermania kanë rrugë shumë të mira. Ka rrugë të mira edhe Zvicra, që është një vend më malor se ky i yni. Pse ne nuk kemi rrugë të tilla? Pse gjyshërit dhe paragjyshërit tanë nuk kanë
arritur të bëjnë rrugë e hekurudha, siç i kanë bërë të tjerët? Kemi dëgjuar që ka qenë një inxhinier shqiptar, i cili ka projektuar një tunel diku në Evropë. Pse s’u projektua ai tunel këtu, në Bjeshkët e Nemuna, në mënyrë që ato të mos mbeteshin përjetë të nemuna?

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

 

Shperndaje ne
Updated: 21 Dhjetor, 2016 — 05:18

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.