Etnikumi: Ekonomi e dobët. Përse?!


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Përse punëtorët e nëpunësit tanë marrin kaq pak para, kur punojnë këtu në Shqipëri e të tjerët (ose ata të njëjtët) marrin 3-fish, 5-fish apo 7-fish më shumë në vende të tjerë?
Përse nuk e kemi rrjetin e ujësjellësavet të bollshëm dhe të rregullt, kur dihet që vendi ynë ka ujë natyror me tepricë?
Përse ka me mijëra ndërhyrje në tubacionet e ujësjellësavet, aq sa shpeshherë pimë ujë fekalesh bashkë me ujin tjetër?
Përse s’e kemi të zgjidhur problemin e dritës, me gjithë ekzistencën e disa hidrocentraleve dhe me gjithë mundësitë natyrore që ka vendi ynë? Pse s’e kemi të mirëmbajtur rrjetin e shpërndarjes? Pse s’e kemi çmimin e dritës më të ulët? Dhe, në fund, përse duhej t’ia shisnim një të huaji entin shpërndarës të energjisë?
Pse nuk kemi telefoni të zhvilluar ne shqiptarët, në mënyrë që çdo familje, në qytet e në fshat, t’i ketë edhe telefonin fiks edhe internetin? Dhe t’i ketë të lirë, siç i ka gjithë Bota. Pse kemi kaq shumë papastërti nëpër fshatra e nëpër qytete?
Grumbullime të neveritshëm mbeturinash pranë çdo vendi ku banojnë shqiptarët! Shkurre anash rrugëvet! Barishta e ferra që të gërvishtin fytyrën, kur hyn në një katund! Erë të keqe ujërash të zez deri edhe nëpër plazhe. Përse gjithë ky pisllëk në Atdheun e shqiptarëvet?!
Përse nuk i kemi objektet turistikë tërheqës e funksionalë?
Kështjellat e vjetra, objektet e kultit, çesmat, liqenet, shkëmbinjtë, që i ka bërë vetë natyra objekte turizmi, kanionet, shpellat karstike, pyjet, livadhet, pse s’i reklamojmë në mënyrë të atillë që turisti i huaj të ketë dëshirë për të ardhur këtu? Dhe pse s’ia krijojmë ambientin turistit, që të mos pendohet se ka ardhur këtu? Ne, mikpritësit me nam! Mos ia pafsha bojën më Shqipërisë! Thonë një shumicë turistësh, kur largohen këndej.
Pëse nuk kemi një bujqësi tërheqëse, që jo t’i lutemi tregut të huaj për të bërë kontrata, por të na lutet ai ne? Pse s’kemi fruta? (Kemi, por na kalben përtokë, poshtë pemëvet) Pse s’kemi perime e zarzavate? (Kemi, por, në pikun e tyre, na kalben përrenjve e kanaleve) Pse s’kemi grurë, misër e patate?
Pse i kemi lënë djerr tokat tona e shkojmë e punojmë në tokat e Grekut e të Italianit?
Pse s’kemi lloje frutash të famshëm? Lloje rrushi, lloje fiku, agrume, mollë, kumbull, gështenjë, që të vijnë e të na i kërkojnë skandinavët, ukrainasit, rusët? (Kemi, por i kalbim ne vetë skutavet dhe kasollevet) Pse s’kemi vaj ulliri me shumicë dhe pse, kur duam ta shesim vajin e ullirit, e përziejmë me vaj bimësh ose edhe me lubrifikant ?
Pse s’kemi bagëti të mira e të mjaftueshme për ne dhe për tregun e jashtëm, ë jo të blejmë ne në Poloni e në Hungari viça e lopë, por të vijnë të huajtë e të blejnë ndër ne?
Përse nuk kemi një industri dinjitoze në Shqipëri (një të atillë që vërtet të mund të quhet industri), siç i kanë psh, Italia,Çekia, në mënyrë që prodhimet tanë të kërkohen nëpër Botë?
Pse t’i blejmë gjetkë tenxheret, pjatat, pantallonat, këmishat, kopsat e këmishavet, shtrydhëset e frutavet, sobat me gaz, syzat e gjysmëqorravet, syzat e diellit, orët, fletoret, bojën e murevet,shatat, kosat, qentë e racës, kafazat e zogjvet dekorativë,bluarëset e mishit, kabllot elektrikë, llamarinat për të mbuluar kasollet e magazinat tona, tubat plastikë, plasmasin, brekët e
banjos, sutjenat dhe shamitë e hundëvet?.. Të paktën disa prej këtyre, pse s’i prodhojmë vetë? Pse t’i blejmë të gjitha këto përjashta e askush prej popujvet të tjerë të mos thotë: Po shkoj t’i blej në Shqipëri këta mallra, se ata i prodhojnë më mirë se kushdo tjetër!
Pse nuk kemi lulishte të mjaftueshme nëpër qytetet tanë? Të mjaftueshme dhe të bukura, për të ndenjur e për t’u kënaqur në to e jo të mbushen njerëzit me nerva edhe kur kalojnë rastësisht andej!?
Pse kemi kaq shumë vrasje njerëzish deri edhe në familje?
Pse vriten shqiptarët njëri me tjetrin? A pak na kanë vrarë të huajtë e prapë po na vrasin?!
Pse ka në Shqipëri vjedhje dhe grabitje, aq sa në momente të veçantë, familja të mos bëjë dot gjumë të qetë? Aq shumë vjedhje ka, sa ke frikë, ta lësh makinën përpara shtëpisë! Pse ka kaq shumë vjedhës, sa njeriu të mos rrijë dot i qetë as në autobusin urban? Pse ka kaq shumë vjedhës, sa emigranti ynë atje në megrim, duhet të ruhet më shumë prej bashkëkombasvet të vet, se sa prej vendasvet të atjeshëm?
Pse ne u bëmë të famshëm në Ballkan e në Evropë psh për “industrinë” e pasaportavet falso e nuk u bëmë të famshëm psh për zhvillimin e kapitalit financiar, si ruajtës të besueshëm të depozitavet bankare dhe të ishim pasuruar me këtë rrugë, jo me “industrinë” e falsifikimit të dokumentevet?! Pse u bëmë të famshëm për kalimin e klandestinëvet nëpër Adriatik e Jon e nuk u bëmë të famshëm psh për zhvillimin e nautikës sportive e turistike në brigjet e detravet tanë dhe në liqenet tanë? Të kemi 5 a 6 porte për jahte e për kano.
Pse na ndodhën aq shumë shkatërrime në 91-shin e në 97-n?
Aq shumë nxjerrje jashtë përdorimit të uzinavet, të fabrikavet,të kombinatevet, të hekurudhavet, shkatërrim i flotës detare,asgjësim i plotë i vreshtavet?! Prerje pa dhembje e agrumevet, e ullinjvet, e arravet, e pishavet! Djegie të pishnajavet! Plaçkithje të magazinavet! Djegie të arkivavet! Vjedhje dhe shitje kushedi se ku të objektevet muzealë me vlera për Kombin tonë! Thyerje vandale të xhamavet të seravet tona të shumta! Zmontim i të gjithë instalimevet nëpër miniera! Pse na ndodhën të gjitha këto e nuk ndodhën ato të tjerat, që thamë pak më parë? Pse nuk indodhi Kombit tonë e kundërta, që t’i kishim ruajtur ato që ikishim bërë në kohën e diktaturës dhe të kishim ndërtuar të tjera edhe më të mira e më moderne pas diktaturës?! Diktatura, të themi atë që është, u vu në vendin tonë me plane të studiuar mirë.
Po kundërdiktatura, pse s’u pru me një plan të pëlqyeshëm, që çdo gjë të shkonte për së mbari?! Psh, të projektonte shkencërisht mënyrën se si do të krijohej klasa kapitaliste në Kombin tonë!
Pse kemi kaq shumë të burgosur ne shqiptarët nëpër burgjet e Shqipërisë dhe nëpër Evropë? Në Greqi, në Itali, në Zvicër, në Gjermani. Pse një pjesë e Kombit tonë nuk di të jetojë jashtë burgjevet, por “ia ka qejfi” të futet atje e të myket atje?!
Pse po e poshtërojnë veten kaq shumë prostitute shqiptare nëpër Botë? Pse po e poshtërojnë veten dhe pse po e turpërojnë Kombin, të cilit i përkasin? Dhe pse kemi midis nesh kaq pseudofilozofë, kaq pseudoshpjegues të këtij fenomeni poshtërues gjithënjerëzor, që me një gjysmë fjalie e nxjerrin të ligjshëm, e justifikojnë këtë fytyrë tonën prej kurve?! Këta pseudofilozofë “opinionistë” e bien nganjëherë aq të natyrshëm prostitucionin, sa dëgjuesit i vjen keq, i vjen inat, pse s’i ka edhe ai nënën apo motrën prostituta.
Pse po na shfaqen me mijëra përdoruesit e drogës nëpër Shqipëri, po edhe jashtë Shqipërisë, nëpër rrugicat e shkallaret e ndyta të qytetevet? A s’mund të rrijë shqiptari pa e provuar edhe ky atë “ëmbësirë” që i ka shkatërruar e po i shkatërron edhe kombe më të fuqishëm se ne?! Pak i kemi të këqiat e tjera?! Apo, atje ku rrojnë lakuriqët e natës, rrojnë edhe kërmijtë e krimbat!?
Pse ne shqiptarët kemi kaq shumë korrupcion në të gjitha zyrat tona? A nuk mund të rrojë shqiptari pa marrë ryshfet? A nuk mund të rrojë shqiptari pa dhënë ryshfet?
Pse Kombi shqiptar ka më shumë kontrabandistë se tregtarë normalë, të rregullt e që do të vepronin brenda ligjevet të biznesit shtetërisht të miratuar? Pse kaq shumë kontrabandistë sheqeri, vaji, kafeje e makaronash, kontrabandë nafte, kontrabandë armësh? E, në mos pastë naftë e armë, atëherë le të bëjmë kontrabandë viçash “të Maqedonisë”! Pse kaq shumë trafikantë droge, madje edhe me “karrierë” botërore? Pse kaq shumë trafikantë njerëzish? Pse kaq shumë trafikantë të organevet njerëzorë dhe të foshnjavet? Pse të ketë shqiptar që e kërkon burimin e pasurimit deri edhe te lypësat e mjerë dhe te sakatët, te njerëzit pa këmbë, pa dorë, pa sy, te njerëzit gjysmamendsh, ulokë e idiotë? A i ka hije njeriut, po fjalën e kemi për shqiptarin, a i ka hije shqiptarit që të merret me një të tillë “tregti” kriminale e të ndyrë?! Të ndyrë moralisht, por edhe në pikëpamje vizuale,ta marrë dreqi!
Në fund të fundit, përse ne shqiptarët kemi një krim kaq “mirë” të organizuar e nuk kemi një shtet, 2 shtete apo 3 shtete të mirorganizuar?! Pse njerëzit tanë dinë të organizohen “shumë bukur” për të bërë krime, por nuk dinë të organizohen për të pasur një administratë shtetërore të denjë për një komb të moçëm?!
Krimi i organizuar i yni është i aftë të vërë edhe shtetin në shërbim të tijin, ndërsa shteti nuk është i aftë të organizojë shtetasit e vet për t’u pasuruar me punë të mira. Ka edhe në vende të tjerë krim të organizuar. Por ne nuk po duam të flasim tani për këtë punë.
Ne nuk po duam ta shtrijmë këndvështrimin tonë në drejtim të vetëjustifikimevet. Ne po duam të ndalemi vetëm këtu: Përse ne shqiptarët të jemi të aftë, të ORGANIZOHEMI për të bërë punë të këqia e nuk qenkemi të aftë të ORGANIZOHEMI për ta bërë Atdheun tonë përditë e më të bukur, përditë e më të pasur, përditë e më të lakmueshëm e të pëlqyeshëm, në radhë të parë për vetë ne, të zotët shumëshekullorë të këtyre tokave e ujërave, e pastaj edhe për të tjerë?! Për ne, që të mund të rrojmë këtu me ëndje edhe për shumë shekuj të tjerë, ndërsa për të huajtë, të vijnë e të na shohin dhe të shkojnë prapë nëpër vendet e tyre.

Shperndaje ne
Updated: 21 Dhjetor, 2016 — 22:32

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.