Skënderbeu, midis mitit dhe realitetit

 

sklenderbeu_b

Shkruan Teuta Nunaj

teuta_nunajGjergj Kastriot Skënderbeu, padyshim mbetet figura më emblematike e historisë kombëtare shqiptare; mbetet krenaria e vendit të shqiponjave, nga ato më të mëdhatë që shekujt veç ia ngritën edhe më lartë përmendoren; mbetet burim frymëzimi në çdo kohë dhe për çdo shqiptar, pa dallim ideologjie politike apo bindjeje fetare; mbetet lideri më i madh si simbol uniteti, pa kah politik; mbetet heroi ynë kombëtar, pavarësisht llojit të regjimit politik në fuqi; mbetet përfaqësuesi më i lartë dhe i shkëlqyer i kombit shqiptar në botë, zëri që i bashkon të gjithë shqiptarët në një tryezë, me fuqinë, vizionin apo largpamësinë e vet; mbetet frymëzimi i pashtershëm për të gjithë shkronjësit në të gjitha kohërat. Me madhështinë e tij, ai ende po i bën shërbim shqiptarëve, kudo në botë, si përfaqësuesi më i denjë i historisë kombëtare. Por, atë çka jeta nuk ia ofroi për së gjalli, si mbret i pakurorëzuar për rrethana historike, koha i dha lavdi dhe mbretëria e Kalorësit të Krishterimit u shtri deri në ditët tona dhe jehoi kudo në botë. Marlin Barleti citohet nga historia si biografi apo autori i parë që ka shkruar për Skënderbeun në shekullin XV, dhe në shekujt që pasuan Skënderbeu mbetet një ndër figurat më të trajtuara në literaturën botërore, atë letrare dhe historike. Autorë të kombësive të ndryshme e kanë prezantuar figurën e tij në çdo shekull dhe zhanër. E gjejmë në histori, në opera, në poezi, në tregime etj. Por, edhe politika nuk mbetet pas. Kështu, në vitin 2005, Kongresi amerikan në 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, miratoi një rezolutë në nderim të këtij personaliteti, duke e përkujtuar Gjergj Kastriotin që “bashkoi popullin shqiptar dhe krijoi shtetin e lirë të Shqipërisë”. Edward Gibon, historiani dhe parlamentari anglez i shekullit XVII, e rendit princin shqiptar bashkë me emrat e Aleksandrit të Madh dhe të Pirros së Epirit. Zërat më të fuqishëm të penës shqiptare Skënderbeun e kanë pasur personazhin dhe heroin e tyre. Çdo kohë ia jep një formë, ia ngre një tipar dhe kjo, në këndvështrimin e nevojës, që vetë koha ka për çdo pjesë të jetës së tij. Marin Barleti e përshkroi si hero dhe luftëtar të madh, më të fuqishmin e arbërve, duke e himnizuar në veprën e tij. Naim Frashëri e paraqet si misionar, nëpërmjet vargjeve monumentale të tij, ku ia atribuon Skënderbeut fjalët: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta mes jush”. Noli, kryepeshkopi i shqiptarëve, na e bën të njohur si një udhëheqës popullor, si një strateg, por njëkohësisht e përshkruan edhe si burrë shteti e diplomat. Në çdo këndvështrim, që mund ta marrësh Skënderbeun, ai është real dhe ka fuqinë që në çdo kohë dhe në çdo brez, t’i mbushë njerëzit me forcë e ndjenja të thella për vendin; është heroi që çdo komb do të donte ta kishte; është krenaria jonë kombëtare, që nuk do të shuhet asnjëherë; është simbol uniteti dhe bashkimi në çdo kohë dhe ndaj të gjithëve. Në kohë të ndryshme të historisë së vendit, ndodh që kur kemi nevojë për modele dhe figura që të na kenë përfaqësuar dhe drejtuar me largpamësi, sytë i hedhim menjëherë në gjeneralin mesjetar, siç e quan Kadare, Skënderbeun. Është nga të paktat figura në vend, që nuk e ndan politikën në të majtë dhe të djathtë, që nuk e ndan popullin në admirues apo mohues, të cilët në heshtje dhe pa zë i kanë pranuar bëmat e tij dhe janë ndierë krenarë edhe sot me to dhe e kanë gjithëpranuar si një model të pakundërshtueshëm. Na ndodh që sa herë bien kambanat e kombit, apo kur na nevojitet një lider kombëtar, që të punojë dhe mendojë për shqiptarinë, ne ta hedhim vështrimin te prijësi i madh. Kjo zgjedhje e jona ndodh, jo se jemi të prirur për ta glorifikuar dhe hyjnizuar veprën e tij, por sepse kemi nevojë për të, për mënyrën se si ai mendoi për vendin; për motivimin që i dha bashkëkohësve dhe bashkëkombësve të tij; për largpamësinë e vendimeve të tij; për vizionin që krijoi për atdheun, për qëllimin që i vuri vetes, të cilin e respektoi dhe punoi për ta realizuar deri në fund të jetës së tij; për forcën dhe kurojon që shfaqi; për dashurinë që dëshmoi për trojet tona; pra shkurt: kemi nevojë të frymëzohemi prej qenies së tij. Pyetja që shtrohet është: pse ndodh kjo me një hero, që vepra e tij na vjen ende sot, pa pluhurin e shekujve? Ajo çka të rrok mendja në kësi rastesh për arsyet e këtij rikthimi në kohë, për të gjetur heroin, është nevoja për të dhe kjo për një arsye të thjeshtë: sot na mungojnë figurat frymëzuese, ndaj kujtesa jonë kombëtare na rikthen e na rikthen në një vizion për ardhmërinë atë, prijësin shqiptar, që u bë kolona mbrojtëse e krishterimit evropian nga osmanizimi. Kjo ka ndodhur parë dhe prirjet janë të ndodhë edhe më tej. Pikërisht në bërthamë të këtij abstrahimi lind nevoja për t’u rikthyer në epokën e arbrit, si për të dëshmuar para Evropës dhe botës, për atë çka jemi dhe mundemi, duke tundur flamurin e mbrojtësit të mureve të Evropës. E gjitha kjo bëhet më shumë për të bindur veten sesa Evropën…

Shperndaje ne
Updated: 21 Janar, 2015 — 03:48

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.