Etnikumi: KËTU KA DIÇKA


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Të jetosh në një vend kaq të pasur dhe të përshtatshëm për t’u bërë edhe më i pasur, dhe të jesh Kombi më i varfër në Evropë,këtu pa tjetër ka diçka. Të kesh qenë dikur një etni shumë e madhe, ndoshta në ndonjë periudhë më e madhja në Evropë, dhe të jesh katandisur ndër kombet më të vegjël, aq më keq, më pak të respektuar, këtu prapë ka diçka.Sepse nuk mund t’i thuash vetes i respektuar, as minimalisht i respektuar, kur ai tjetri të diskuton: T’ia njohim apo të mos ia njohim pavarësinë ? (Kosovës, asaj pjese të kombit shqiptar që vetë gazetarët apo parlamentarët e Botës mund t’ia mbajnë mend kohën kur është pushtuar prej sërbëvet). T’ia japim apo të mos ia japim vizat?! Ta pranojmë a të mos e pranojmë në OKB?! Ta pranojmë a të mos e pranojmë në BE?! (Asnjë prej këtyre pyetjeve nuk është bërë për Slloveninë!)…
Nuk mund të quhesh Komb i respektuar e i nderuar, kur ai tjetri (sllavomaqedoni), para se t’u thotë fëmijëvet të vet: Mësoni shqip!, guxon e u thotë fëmijëvet të shqiptarëvet: Mësoni gjuhën time!
Ka diçka këtu dhe këtë diçka duhet vetë ne ta gjejmë e ta shërojmë.
Na zuri sh XX pa një universitet, me mbi 90% analfabetë. Është faji ynë! Lëre Turqinë në punën e saj! Ulqinakët aty e kishin Venedikun, aty e kishin Dalmacinë, që kishin shkolla e universitete dhe që flisnin e shkruanin secili në gjuhën e vet. Shkonin ulqinakët përditë në ata vende, por kur erdhi puna, e
panë veten vetëm me një Hafiz Ali Ulqinak që paska ditur të shkruajë edhe shqip! Të gjithë ulqinakët e tjerë, trima e detarë të zotë, por dërrasë për nga arsimi ! Ulqinakët kishin një flotë të madhe anijesh me vela e me rrema, por kur erdhi koha, nuk ditën t’i kthejnë anijet e veta në avullore, se s’dinin as ç’është avulli. Nuk ditën ulqinakët t’i kthejnë anijet në avullore, sepse e kishin lënë veten në fundin e injorancës. Kur folëm për Ulqinin, kemi folur për krejt Shqipërinë e asaj kohe. Por nuk mund t’i thuash vetes komb i arsimuar, as atëherë kur qindra mijë pjesëtarë të tu, nuk prekin libër me dorë nga dita kur mbarojnë universitetin deri sa të vdesin. Ata janë injorantë më të përbuzshëm se një që nuk ka shkuar kurrë në shkollë. Kemi shumë të tillë dhe deri sa të kemi të tillë, ne do të vazhdojmë të emërtohemi: Komb injorant.
Në vazhdim të kësaj ideje, një njeri që mbaron 8 apo 9 vjet shkollë dhe nuk di të lexojë e të shkruajë (nuk i përdor për asgjë mjeshtrinë e të lexuarit e të shkruarit), s’ka si emërtohet ndryshe veçse: injorant. Një që mbahet për mysliman dhe s’e ka lexuar Kur’anin, ai mund të quhet mysliman, por nuk mund të jetë mysliman, dhe është pa dyshim një injorat nga më të mirëfilltët. (Kemi parë me dhjetëra shoferë që e mbajnë Kur’anin te xhami i përparmë i makinës, por që s’e kanë hapur asnjëherë kapakun e tij.) Një katolik që nuk e ka lexuar Biblën, përkthyer në shekullin XX prej një prifti nga Kllezna, (për turp të të gjithë ilirëvet, të të gjithë arbërvet dhe të të gjithë shqiptarëvet që kanë jetuar para tij), ai katolik, pra, që nuk e lexon atë Bibël, është një injorant, i cili të mos shpresojë se mund të bëhet as katolik, as shqiptar ndonjëherë. Madje një që e quan veten mysliman, mund të jetë mysliman, por, po nuk i pat lexuar Biblën, veprat e Balzakut, Sen Simonin, Mark Tuenin, Darvinin, Marksin, Fojerbahun, Niçen, Bjelinskin, ai gjithsesi mbetet një mysliman injorant. Po kështu edhe për katolikun, le ta lexojë 5 herë Biblën, po nuk ilexoi edhe Kur’anin, edhe librat e tjerë që u përmendën e që s’u përmendën këtu, ai sërish injorant ka për të vdekur.
Mund të jesh një murator i mirë, por po nuk njohe historinë e Kombit tënd, gjeografinë e vendit tend, je pa tjetër murator, por je një murator injorant. Duhet ta dish mire edhe gjuhën, që të mos quhesh injorant. (Do ta shohim në një kapitull më vete sa keq e dinë shqiptarët gjuhën shqipe. Deri edhe profesorët!)
Mund të jesh shitës i shkathtë, por po nuk dite edhe shumë gjëra të tjera, dhe jo vetëm nga ato që shikohen nëpër filma, epiteti injorant nuk të ndahet. Mund të jesh rrobaqepës i mirë, mund të jesh ushtarak i mirë. Në të vërtetë, nuk je as ushtarak, as shitës, as murator dhe asgjë tjetër, kur je një injorant. Aq më pak mund të jesh i vlefshëm për Kombin tend, kur je kaq apo aq injorant.
Kur je injorant, nuk mund të jesh i vlefshëm për Kombin tënd, dhe këtë mund ta ilustrojmë me 1 shembull të vetëm, midis shumë shembujve të tjerë: Kur je injorant, ti nuk di as pse duhet të votosh, as si të votosh, as për kë duhet të votosh. Ti, në rastin e votimevet, je thjeshtë viktimë e berihavet. (S’po dinë për kë të votojnë as ata që nuk janë injorantë, le më ata që janë bosh fare
nga njohuritë.) Turma të tilla injorantësh, sado të mençur të jenë nga natyra, mund t’i rrahësh kur të duash ( I mbledh gjoja për dokumenta, u fut drunë dhe i nis nga kanë ardhur.) Mund t’i shfrytëzosh me taksa e gjoba e ryshfete, si të të dojë qejfi. Mund t’i masakrosh kurdo që ta shohësh ti kohën të përshtatshme: Shpall luftë ose nuk shpall lufë fare, futesh në vendin e tyre… Le të jenë trima mbi trimat, mund t’i therësh tufa-tufa. Mund t’ua copëtosh atdheun, mund t’u marrësh për hiç gjë pasurinë nëntokësore e mbitokësore, mund t’i gënjesh në tregti. Mund t’i futësh në ushtrinë e drogëkultivuesvet dhe të drogëshpërndarësvet dhe,kur s’të duhen më, t’i heqësh qafet, t’i futësh në burgje apo t’I kurdisësh që të vriten njëri me tjetrin. Mund t’ua bësh fertile ekonominë familjare, le më atë kombëtaren, që ata as që e njohin fare. Ku marrin vesh injorantët ç’është ekonomia kombëtare, ç’janë interesat kombëtarë, si lidhen ata me interesat individualë, ç’është politika kombëtare, ç’është diplomacia!.. Mjer ai Komb që shumicën e vet e ka të zhytur në kënetën e injorancës!

Shperndaje ne
Updated: 26 Dhjetor, 2016 — 15:24

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.