Etnikumi: Evropianët e tjerë e mësonin veten me punë, ne e mësonim veten për të ndenjur pa punë


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Njeriu që e ka edukuar veten për të qenë njeri për së mbari,në çdo mbarim dite bën konkluzionin: Sa punova sot ? Jo: Sa ndenja ?, por: Sa punova ?! Dhe jo: Vdiqa, u rraskapita, u rropa duke punuar, më ra bretku ! Por: U lodha vërtet, ama e bëra
një punë. Në ditët kur nuk ka bërë punë, njeriu që e ka edukuar veten për të qenë njeri për së mbari, e ndien veten të pakënaqur, e kalon mbrëmjen i trishtuar dhe vendos që të nesërmen të mos e fillojë më si të djeshmen. Ky është etaloni. Sa njerëz të këtillë kemi ne në mesin tonë dhe sa nga ata që janë e kundërta ?
Eshtë folur në librat tanë të etnografisë për odat e famshme të burravet ose odat e miqvet dhe janë cilësuar ato oda si vatra të edukimit tonë kombëtar. Si shkolla, si universitete !
Intriga e parë që na imponohet, është kjo: I krijoi ose i trashëgoi Kombi ynë ato oda, dhe mirë bëri! Po shkolla të mirëfillta dhe universitete të mirëfilltë, siç i kishin vendet e tjerë të Evropës, pse nuk bëri Kombi ynë ?! Përgjigjemi: Na kish zaptuar Turku ! dhe themi: Mirë që i kishim ato oda, se përndryshe, ishim në rrëzik për t’u shpërbërë, për t’u dekompozuar.
I kemi pranuar, pra, dhe i pranojmë si institucione pozitivë. Janë këngët që u kënduan në ato oda, është proza popullore, janë thëniet e urta, janë gjëegjëzat, lojërat, ngjarjet historike që nuk liheshin në haresë (ndonëse gojarisht), janë mençuria dhe mprehtësia e pjesëmarrësvet, që viheshin në provë në të tillë tubime. Mirëpo, në të njëjtat oda, origjinisht pozitive, kanë depërtuar edhe jo pak elementë rriqërorë. Ta zëmë: Pirja pa kufizim e duhanit, deri në trullosje, ose infiltrimi i mentalitetit oriental, deri te ndërrimi i emravet, jo vetëm i personavet që mblidheshin në ato oda, por edhe i heronjvet të epikës legjendare dhe të baladavet. Heronjtë e dikurshëm homerikë u
bënë Mujë, u bënë Halilë, u bënë Ymeragë.
E mbi të gjitha, veçoria më rriqërore e odavet tona, ka qenë kultivimi në to i mospunës, i parazitizmit, i dembelisë. Ndërsa në Zvicër njerëzit humbnin ditë, muaj e vite, për të realizuar modele orësh sa më të përsosura, ndërsa nëpër Evropë alkimistët bënin me mijëra eksperimente, për të “shndërruar” në flori
lëndët që s’ishin flori, ndërasa një Edison bënte me mijëra prova për të krijuar llampën elektrike, nëpër odat tona gjithë natën luhej filxhanash. Evropianët e tjerë e mësonin veten me punë, ne e mësonim veten për të ndenjur pa punë. Tani dalim nëpër Tiranë a nëpër Prizren, a ku të duash ti, dhe i shikojmë lokalet plot, kafiqet e famshëm, në të gjitha orët e ditës. Ditën bëjmë “jetë dite” nëpër bare e kafene, natën bëjmë “jetë nate” nëpër disko e pabe. Po kur punojmë ne shqiptarët ?! A e kanë traditë shqiptarët që në çdo mbarim dite të bëjnë konkluzionin: Sa punova sot ?!
Apo pyetjet që i bëjmë ne vetes janë: Sa ndenja sot ? Sa u kënaqa duke mos punuar, duke u argëtuar, duke kërcyer, duke tjerrë muhabete e duke sajuar marifete të pafundmë, sipër një makiatoje ? Sa u mërzita, duke mos zgjidhur asnjë punë ? Ose: Sa mish qengji hëngra ? E shtiva apo s’e shtiva dot në dorë filanen ?!
E lidhur pikërisht me dembelizmin, si edhe me veçori të tjera negative që po i renditim këtu, është ai që ne mund ta quajmë mizerabiliteti njerëzor. Natyrisht, askush nuk dëshiron ta quajnë njeri mizerabël, por ja që, nëse është dembel, është mirëfilli edhe mizerabël. Një kryetar bashkie apo komune, i cili nuk është në gjendje ta zgjidhë qëndrueshëm problemin e plehëravet (Si t’i pastrojë, ku t’i çojë, si t’i asgjësojë), nuk mund të vlerësohet, as të respektohet, më shumë se… më shumë se sa vlerësohet plehu!
Nëse jemi një komb i këtillë dhe nëse nuk e ndryshojmë dot vetëveten, qysh prej secilit individ, vetëkuptohet që nuk mund të pretendojmë për një të ardhshme me ballë më të çelur, se sa një i këtillë… kryetar bashkie.

Shperndaje ne
Updated: 27 Dhjetor, 2016 — 00:12

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.