Etnikumi: MIDIS INJORANTËVE DHE BUDALLENJVE…


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

 

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Midis injorantëvet dhe budallenjvet ka një dallim, ndonëse ata shpeshherë shkrihen njëri në tjetrin. Mund të jesh injorant, por nuk je budalla, por mund të kesh studiuar një tonelatë shkencë e prapë të kesh mbetur budalla. Kjo varet shumë nga natyra, nga trashëgimia, por varet edhe nga vullneti, nga dëshira e vendosmëria për të mos bërë budallallëqe, dmth, për të mos qenë gjithë jetën budalla.Të gjithë kombet kanë budallenj me tepricë, por ne na intereson tash vetëm Kombi ynë.
Për t’i renditur kategoritë dhe llojet e budallenjvet tanë, që shpeshherë shkaktojnë dhimbje të paperceptueshme, mund t’ia fillosh nga të duash. Përfundimi është përherë i njëjti: Ata dëmtojnë në radhë të parë veten, por dëmtojnë rëndë edhe ambientin, filluar prej familjes, lagjes e fshatit, deri te interesat madhorë të Atdheut. Një pjesëtar i familjes që nuk di të shtrohet në trajtimin e problemevet apo edhe në bisedat më të thejshta, por që kundërshton e grindet apo fryn turinjtë e nuk flet me prindët, me vëllezërit, me burrin, me kunatën, në radhë të parë është një budalla. Pastaj mund të ketë edhe cilësime të tjerë: i cekët, nevrastenik, fodull, mendjemadh, egoist.
Në Kombin tonë ka me mijëra familje (vëlla me vëlla, prindër me bij e bija, vjehrra me nuse, nuse me vjehrra) apo kushërinj dhe fqinjë, që nuk shkojnë mirë dhe nuk flasin njëri metjetrin. Nganjëherë për hiçgjë, nganjëherë për plot gjëra, por, që të gjitha vijnë prej sëmundjes së rëndë të budallallëkut.
Një nxënës shkolle, i cili i var shpresat e notës së mirë te të kopjuarit, s’është tjetër veçse një nxënës, po edhe student, budalla. Dinak, i shkathtë, por në thelbin e vet budalla. Budalla, sepse: Kush dëmtohet më së shumti në këtë mes ?! Ai vetë ! Më e keqja është që, nëse gjendet midis nxënësve dhe studentëve ndonjë që nuk e praktikon të kopjuarit, quhet ai budalla. Dihet se ku e çon Kombin një e tillë turmë pseudo të mençurish.
Një i ri, i cili e blen patentën e shoferit pa e mësuar mirë dhe me seriozitetin e duhur, profesionin e shoferit, është një i tillë budalla, të cilit ai budallallëk mund t’ia mbyllë jetën pa i mbushur ende të 24 vjetët. Edhe ai që e ka mësuar më së miri profesionin e shoferit, por nuk e ka përvetësuar profesionin e
disiplinës qytetare, hyn në të njëjtën kategori të budallenjvet, ose jetëshkurtër tragjikë, ose jetëshkurtues tragjikë. Nga shumësia e të tillë budallenjve jetëshkurtues, të shumtën e herëvet jo vetëm
të vetëvetes, njeriu i ynë i sotmi detyrohet të ulë kokën, për të mos i parë anash rrugëvet lapidarët e panumërt dhe tufat e pafundme e të kota të lulevet. Mjerë familjet që i kanë rritur e s’i kanë më këta djem ! Themi me vete dhe nuk gjejmë dot ngushëllim. Por përfundimi, logjik dhe i ftohtë akull, është prapë po ai: Budallai, duke qenë e zeza e vetes, është e zeza dhe mjerimi i shumë të tjerëvet, filluar prej nënës që e ka lindur.
Një vajzë që kuturis të bëhet grua qysh 13 vjeçe a qysh 15 vjeçe, pa marrë parasysh shkallën e ngasjevet fiziologjike, s’ka si emërtohet ndryshe veçse vajzë budallaqe. Vajzë budallaqe me pasoja shumë të rënda për atë vetë, po edhe për më të dashurit e mundshëm të një femre: për fëmijët, që ajo do të lindë ose që, për shkak të një të tillë budallallëku, nuk ka për t’i lindur kurrë.
Sa dëme i sjell Kombit një budallalëk i këtillë, i cili mund të jetë i çastit dhe fare i rastësishëm, por i pakorrigjueshëm, e tregojnë proceset gjyqësorë të divorcevet, grumbujt e pafund të dosjevet me jetë jetimësh, me të vrarë, me të helmuar, me të hedhur nga katet e pallatevet, me 60 minuta lumturi në dashurinë e parë dhe me 60 vjet rropatje të dështuara për të gjetur lumturinë normale të një femre normale.
Një grua që lë burrin e vet dhe shkon me burra të tjerë, është thjeshtë budallaqe dhe femër e ulët, një burrë që lë gruan e vet dhe shkon me gra të tjera, është budalla dhe mashkull i ulët. Një burrë që rreh gruan, është budalla i madh, por edhe një grua që ia plas buzën burrit të vet, është budallaqe. Budalla është ai kapterr apo edhe ai ministër, të cilit, duke e parë veten në një post “aq të lartë”, i mbushet mendja se e ka zëvendësuar Zotin në Tokë. (Jo rastësisht i bashkuam kapterrat dhe ministrant.)
U mbush kështu krejt Kombi ynë me budallenj!? Po njerëz të mençur a ka ky Komb ?! Njerëz vërtet të mençur !? Ka, se përndyshe s’do të kishim arritur të gjallë deri në këtë shekull. Jo veç në kuptimin lashtësor, por edhe në kuptimin modern: Të mençur janë ata që janë quajtur dhe që quhen: Burra të dheut. Dhe, të mençura janë ato që janë quajtur dhe quhen: Burrnesha… më të mençura, më të ndershme dhe më të zonjat se shumë prej atyre që vetëm emrin e kishin apo e kanë… “burra”.

Shperndaje ne
Updated: 27 Dhjetor, 2016 — 20:14

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.