Letërsi kombëtare: MOJ SHQIPËRI (Poezi)

 MOJ SHQIPËRI

Moj e mjera Shqipëri
si po katandisesh bashkë me fëmijë,
disa po i hanë e zeza tokë
e ca të tjerë po të tretën nëpër botë.

Disa t’i vranë e masakruan
disa nëpër burgje t’i torturuan,
shumë për ty e dhanë jetën
po aq shumë larg teje për jetë mbetën.

Disa për fe po lidhen me shami
e me armiq po bëjnë miqësi,
disa po vriten mes vete simbas kanunit
e disa për lekë vëllaut i japin plumbin.

Disa po i vret droga me të madhe
e disa nga zhgënjimi po bëjnë vetëvrasje,
disave për jetë u humbi gjurmë Serbia
e disa edhe sot po t’i masakron Greqia!

Me disa vasha t’ua të bukura s’i sorkadhe
po bëhen pazare për një grusht pare,
nga baballarët e tyre faqezi
po bëhen nuse për pleq në Serbi!

Çamëria dhe Molla e kuqe
kur ishin me ty dukeshin si dy lule,
tani kan mbetur në mëshirën e Zotit
nëse sërish i bashkon me tokat e Kastriotit!

Edhe Mitrovicës i është vënë kufini
nuk është s’i ka qenë kur ishte gjall Isë Boletini!
Nga tokat t’ua akoma po kërkon hise Serbia
e ty po të vritet në Siri rinia!

Disa edhe sot po e marrin arratinë
se në shpirtë jan lodhur me varfërinë,
po ikin nëpër rrugët e botës
që të sigurojnë kafshatën e gojës.

O moj Shqipëri moj nënë e mjerë
zemra për ty loke po më therrë,
burrat e dheut të bënë zonjë të rëndë
e maskarenjët po të marrin nëpër këmbë.

Dhe sot moj loke pas dymbëdhjetë dekada
po të ishte gjallë Pashko Vasa,
do të thoshte përsëri me lot në sy:
O moj Shqypni e mjera Shqypni
kush të ka qitë me krye n’hi?

Shperndaje ne
Updated: 28 Dhjetor, 2016 — 18:00

The Author

Maki Canolli

Makfire Maqedonci – Canolli lindi në Prishtinë. Fëmijërinë dhe rininë e hershme i kaloi në vendlindje. Është shkolluar në fushën e pedagogjisë, që e ka bërë më të ndjeshme e më njerëzore edhe në poezi. Me këtë art të vështirë ka filluar të merret që kur ishte nxënëse e klasës së dytë fillore. ”Gjeli im plak” ka titullin vjersha e saj e parë. E ka botuar 30 vjet e sa më parë në shtojcën për fëmijë të gazetës ”Rilindja” (1978/79), e cila botohej çdo të martë, në kohën e artë të kësaj të së përdishmeje të shuar shqiptare në Kosovën e pushtimit serb. Makfire M Canolli i përket brezit të rinisë ”së padisiplinuar”, e cila sfidonte pushtetin antipopullor të asaj kohe. Ky pushtet të rinjtë shqiptarë i quante ”irredentistë” e ”seperatistë” dhe me nofka të tjera më poshtëruese, vetëm e vetëm pse deshi të mbante gjallë gjuhën, traditën e kulturën shqiptare, të qenit shqiptar të shqiptarëve në vendin e tyre. Makfires, si motër e vëllezërve ”irredentistë”, iu mohua çdo e drejtë: të regjistrohej në fakultet, të punojë me nxënës, si dhe e drejta për të botuar. E ka vragë të pashlyeshme në zemër këtë kohë, aq më parë, pasi krijimet e saj të hershme ia konfiskuan punëtorët e shërbimit sekret serb, gjatë një bastisjeje në shtëpinë e saj. Në vitet e ‘80-ta, kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe si shumë familje shqiptare, edhe familja e Makfires ishte në shënjestër të UDB-së famëkeqe serbe, e cila në vitin 1982 ia burgosi të tre vëllezërit. Ishte kjo koha kur shpirti i saj sa fëmijërorë aq poetik po këndonte nga brenda, pa u shfaqur për lexues. Në vitet e ‘90-ta emigron në Gjermani, ku qëndroi deri më 1998. Kthehet në Kosovë bashkë me familjen e saj dhe më pas, më 1999, kalon oqeanin për të vazhduar jetën në New York. Aty jeton ende.Zëri i saj dëgjohet çdo të premte në valët e Radio – Diasporës, ku si moderator e udhëheq rubrikën “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”. Poezitë e saj janë prezantuar nëpër disa faqe të internetit, të cilat botojnë krijime artistike, si “Teutat shqiptare nëpër botë”, “Agjencioni Floart-Press”, “Tribuna shqiptare”, “Bota e re”, “Stërkala”, si dhe “Qeparoi”.Gjer tani ka botuar përmbledhjen poetike për të rritur “Gjurmë nëpër flakë” (2010) dhe një tjetër për fëmijë “I shes diellit akullore” (2010). Po ashtu është pjesë e disa antologjive si dhe në librin e përbashkët me teutat shqiptare nëpër botë me titull "Në sytë e nënave". Në një të ardhme të afërt lexuesit do të kenë ne duart e tyre shkrimet tjera qe presin botimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.