Etnikumi: SERVILIZËM SPECIFIK…


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Ne na duket që kjo, që ne po e quajmë “servilizëm specifik”ose “kameleonizëm”, është njëra nga cilësitë që jo vetëm e merr më qafë në shumë aspekte Kombin tonë, por edhe e pakëson këtë numerisht, si dhe e tkurr territorisht. Brenda Shqipërisë janë disa vatra të infektuara keq sidomos me një lloj servilizmi, të cilin mund ta specifikojmë mirëfilli si një nacionalservilizëm.
Këto vatra janë:
1. Në Çamëri, ortodoksët çamë, përfshirë bashkë me ta edhe ortodoksët shqiptarë të Janinës, Konicës, Kosturit, Follorinës etj. Njerëz të mençur, njerëz me një mençuri tradicionale, dhe përsëri: Servilë ndaj Grekut ! Pse dreqin kështu ?!
2.Në Rekë të Dibrës, ortodoksët e asaj treve, bashkë me ortodoksë të tjerë shqiptarë, përhapur andej e këndej në shtetin maqedon dhe përzier me sllavomaqedonët. Ruajtur vetëveten në 6 shekuj të sundimit otoman, tani shkojnë e shkrihen me Sllavin ! Pse dreqin kështu ?!
3.Një pjesë e himariotëvet, një pjesë e dropullitëvet (historikisht jo grekë), e tani së fundi aty-këtu edhe në ndonjë mjedis tjetër brenda Republikës së Shqipërisë, hapur, për fëmijët shqiptarë, psh në Korçë, shkollë greke !
4.Treva e Tivarit, ku strumbullari i këtij nacionalservilizmi janë katolikët e Shestanit, influenca e të cilëvet dalëngadalë po shtrihet edhe në ndonjë fshat të Ulqinit. Edhe këta, ruajtur 4 shekuj prej sundimit otoman, shkojnë e shkrihen me malazezët, madje duke e ditur që Malazezi nuk i do.
5.Treva myslimane e Plavës, bashkë me pjesë të tjera myslimane shqiptare në Rozhajë e në Sanxhak, po edhe në Tivar e Podgoricë. Janë bërë dikur muhamedanë, tani bëhen, për nga gjuha, sllavë, dhe s’dinë si ta quajnë veten: Turq, malazezë, boshnjakë, apo thjeshtë myslimanë, (duke e konsideruar veten
më farefis me arabët se me shqiptarët).
6.Në Prizren, në Tetovë dhe në ndonjë qytet tjetër tonin, ka pasur ose edhe ka grupe banorësh që ende e quajnë veten turq (servilizëm i trashëguar). Këta, kur Sllavomaqedoni kërkon të ngrejë shtatoren e Aleksandrit të Madh në Shkup, për të qenë të “barabartë” me Sllavomaqedonin, i thonë: Duam të ngrejmë edhe ne një xhami në sheshin e Shkupit.
7.Në të gjithë skajet e Shqipërisë: Mijëra tabela hotelesh, dyqanesh e lokalesh në gjuhët perendimore ! S’të vjen të hysh në qytetet tanë! Të neveritet Atdheu, mbuluar puçrrash e dregëzash të servilizmit pa nevojë!
Në diasporë, numri më i madh i shqiptarëvet të infektuar me këtë lloj servilizmi specifik, ndodhet në shtetin turk.
Aty, sipas disa të dhënave të publikuara, ka shumë milionë shqiptarë, të cilët regjistrohen si turq, shkollohen në shkollat turke, nuk kërkojnë shkolla shqipe dhe gradualisht vijnë duke u shkrirë me turqit. E njëjta sëmundje e servilizmit, e kameleonizmit, është tashmë e përhapur në të gjithë diasporën tonë anembanë Globit, aq sa në mjaft raste krijohen edhe skena tragjoko-komike:
Kushërinj të parë apo të dytë, njëri flet greqisht, tjetri italisht, itreti anglisht, i katërti gjermanisht. Asnjëri nuk di shqip, sepse prindët e tyre, jo vetëm kanë qenë miopë, injorantë, dinakë dhe të trashë mendërisht, por edhe servilë nga më konformuesit, kameleonë të mirëfilltë. Kameleoni është kafsha më servile ndaj natyrës. Ai i përshtatet çdo lloj ambienti, por kurrë nuk mund të
quhet kafshë e bukur.
Pikënisjet e këtij lloj nacionalservilizmi ndër shqiptarët (sepse atë e kanë në shkallë të ndryshme edhe kombe të tjerë), janë disa llojesh: E para pikënisje është përkatësia fetare.
Myslimani shqiptar e ka ndjerë veten fetarisht të njëjtë me turkun dhe e ka quajtur “të nevojshme” të barazohet me të edhe nacionalisht. (Pa e “ditur” që arabosauditi është mysliman, por nuk është turk.) Në krahun tjetër, myslimani shqiptar e ka ndjerë veten fetarisht të njëjtë me boshnjakun sllav dhe e ka quajtur edhe ai “të nevojshme” për t’u sllavizuar. Ortodoksi i Çamërisë,
duke qenë i së njëjtës fe me grekët, e ka ndjerë veten “më të afërt” me grekët se sa me bashkëkombësin e tij mysliman.
(Pa e “ditur” që edhe bullgari është ortodoks, por nuk është grek.) Në periudha të zeza të historisë sonë, ky dallim fetar, ka arritur të shndërrohet edhe në tragjedi, të cilat për “dekor” kanë pasur dhe kanë pellgje gjaku që nuk thahen kurrë. Ortodoksi i Rekës është i së njëjtës fe me Sllavin e Maqedonisë. Duke mos pasur kishë autoqefale me liturgji në gjuhën shqipe, siç nuk i kanë as ortodoksët tanë të Jugut, në Çamëri, Janinë e gjetkë,ashtu edhe ata në shtetin maqedon, por edhe ortodoksët e krahut të Kuçit, sipër Podgoricës, apo dy-tre fshatra të Shestanit, u janë mbështetur në mënyrë servile fqinjëvet të tyre joshqiptarë.
Ulqinaku i fesë myslimane edhe sot, kur rastis që e fejon vajzën me një sllav të Sarajevës, shkëlqen prej gëzimit dhe mburret përpara të gjithë fqinjëvet: E fejova vajzën në Sarajevë!
Ndërsa në rastistë që vajza t’i dashurohet me ndonjë djalë vendi, por të fesë katolike, asaj familjeje i nxin fytyra dhe bën çmos për ta prishur atë dashuri. Katoliku i Shestanit ka mbetur si peshku në zall dhe nuk di nga t’ia mbajë, sepse me pjesën myslimane nuk bën dot krushqi. Në anë tjetër, malazeztë, përveçse kanë pushtetin, janë edhe të krishterë.
E njëta “filozofi” po e udhëheq edhe sot atë pjesë të himariotëvet që po duan ta quajnë veten grekë. “Himara është kriqi!” bërtiste mu përpara kamerës njëri nga ata himariotë, miopë edhe servilë, njëkohësisht edhe i trashë mendërisht.
Fjalët që thuhen se në Shqipëri ka harmoni fetare, janë vetëm pjesërisht të vërteta. Ato janë prodhim fatlum i mendjevet të ndritura të rilindësvet tanë, një modus vivendi i pazëvendësueshëm, por, në vazhdoftë Greku të na prishë
varret, në vazhdoftë Islami të na përdorë si “avanpost” për të “islamizuar” Evropën, në vazhdofë Evropa të na ngjyrosë me “ngjyrë jeshile”, ne, o duhet të kemi mendjen dhe guximin antiservil, antikameleon, të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe të Rilindësvet, o do të pësojmë disfatën më të madhe në histori, këtë herë të pariparueshme.

Shperndaje ne
Updated: 4 Janar, 2017 — 04:52

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.