Etnikumi: A MUND TË SHPRESOJMË ?!


Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Shqipëria është një vend që, të paktën në ditët tona, nuk mund të përfytyrohet dot, nga njëra anë, pa ushtarakë të
huaj, nga ana tjetër, pa ushtarakë vendës, që janë 2 kategorish: ose të korruptuar (dmth të dëmshëm) ose të pavlefshëm
(prapë të dëmshëm).

Atje ku pjesë të Shqipërisë ndodhen në përbërje të shtetevet joshqiptarë apo të shtetevet gjoja edhe shqiptarë (shteti grek, shteti maqedon, shteti sërb, shteti malazias), është dukuri “e natyrshme” të shohësh gjithandej policë dhe ushtarakë të huaj. Në Tivar, në Manastir, në Janinë, në Preshevë, ushtarët dhe policët e huaj janë zotër të padiskutueshëm. Shqiptarët aty s’bëjnë as gëk as mëk. Edhe kur tentojnë, si psh në Preshevë, të armatosurit e huaj hyjnë nëpër dhomat e gravet tona si në kotecin e pulavet.

Por as Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, nuk zunë dot karar pa forca ushtarake të huaja. Kosova, pa
llogaritur Anamoravën, më 2009-n kish 15000 ushtarakë të huaj dhe mbi 2000 policë të Euleksit. Republika e Shqipërisë, më 2007-n, 95 vjet mbas Shpalljes së Pavarësisë, pat nevojë për 7000 trupa të huaja. Ftesën ua bëri Bashkim Finoja.

Por edhe në kohë të tjera, ushtarakët e huaj vërdallë i kemi pasur dhe i kemi: “Pelikani”, Guardia di financia, NATO-ja, instruktorë e inspektorë gjithfarësh…

Përballë një të këtillë së vërtete, shqiptarët duhet detyrimisht të pyesin: Ç’popull qenkemi ne, që u dashka të rrojmë nën
koburet e të tjerëvet?! Izraelitëvet, moldavëvet, zviceranëvet, luksemburgasvet, sllovakëvet, Qipros Greke, sllovenëvet,
kroatëvet, armenëvet, gjeorgjianëvet, a u paraqitet domosdoshmëria për t’u sunduar prej policëvet të huaj? Tokat e atyre kombeve, a kanë nevojë për t’u mbrojtur prej ushtrivet të huaja?

Ky është, pa dyshim, njëri prej turpevet tanë më të rëndë. Por, a e njohim këtë lloj turpi ne shqiptarët? A e ndiejmë ne
shqiptarët sa poshtërim, sa ulje, sa injorim na bëhet, secilit prej nesh, kur një pordhac sërb, malazez, sllavomaqedon apo grek, vjen e na fryhet me kobure pas bythës nëpër rrugët e rrugicat e vendbanimevet tanë?!

Jemi vërtet fajtorë! Jemi fajtorë ndaj vetëvetes! Secili prej nesh duhet sërish të reagojë tepër seriozisht, jo duke u shfytyruar e duke bërë “trimëri” një këtu e një atje, por duke kërkuar mënyra të mençura, që Kombit tonë të mos i ndodhë më kështu në të ardhshmen.

Nuk po duam ta banalizojmë problemin, por, kur kemi qenë nxënës, shpeshherë na shkonte mendja: Ne fëmijët, a nuk
mundkemi të rrimë urtë vetë, të mos hidhemi si të marrë e të mos çojmë kaq shumë pluhur, sa të na mbushen mushkëritë plot me baltë?! Pse u dashka të na qetësojë mësuesi, me thupër apo me të bërtitura?!.

Mirë, kur jemi fëmijë.

Po kur rritemi, kur marrim pasaportat, a nuk bëhemi dot aq seriozë, sa të mund tëveturdhërohemi?!

Përfundimisht, prapë na sillet rrotull e njëjta pyetje: Ç’popull jemi ne?! A jemi një popull kalama i përjetshëm apo jemi një
popull i matufjepsur tashmë?

Më një anë, siç thamë, kemi ushtarakët e huaj, që vijnë në vendin tonë (në Preshevë, në Manastir, në Tivar, në Plavë, në Filat, po edhe në Durrës), o për të mbrojtur shtetin përkatës prej nesh, o për të na mbrojtur ne, po prej nesh. Vijnë në vendin tonë dhe marrin rrogat për atë punë. M’anë tjetër, lexojmë përditë nëpër gazeta (si për ironi, më së shumti te gazeta “Albania”), se si ushtarakët tanë (me –ish edhe pa –ish), kërkojnë pensione dhe rroga më të larta se cilido profesion tjetër. I kërkojnë këta privilegje me shumë të drejtë ushtarakët tanë, sepse na e kanë ruajtur Atdheun si s’ka më mirë: Disa dhjetëra gra e fëmijë na i kanë djegur të gjallë në flakë baruti (Frankth, Gërdec e ku kanë mundur), 2000 tanke na i kanë çuar për skrap në Zhelezarën e Nikshiqit, flotën luftarake na e kanë zhytur në det, për t’u ndryshkur atje dhe për t’u zbuluar në të ardhshmen si relike muzeale…

Në të njëjtën kohë, një tjetër gërvishtje i bëhet mendjes sonë, kur meditojmë për të këtillë “diamante” të Kombit, të
cilit i përkasim. Ajo kategori e ushtarakëvet tanë që quhet polici (Kemi, falë Perendisë, nja 10 a më shumë lloje e nënlloje
policie), kur shërben këtu, në vend të vet, është ngulmërisht dhe pandalshmërisht e prirur për të marrë prej këtij populli sa më shumë “shpërblime” (“kafe” shpeshherë milionëshe), përveç rrogës që gjithashtu e marrin prej të njëjtit popull. Nuk po ndalemi në përimtimin e këtij lloj korrupcioni. Ky lloj korrupcioni është evident në çdo ngjarje që ndodh në këtë vend dhe që ka apo mund të ketë lidhje me këtë kategori të ushtarakëvet tanë: Në aksidentet rrugorë, në grindjet, rrahjet e vrasjet midis banorëvet, në kultivimin dhe tregtimin e narkotikëvet, në ruajtje-mosruajtjen skandaloze të pyjevet, në prodhimin e inertevet, në industrinë ndërtimore, në dogana, në policinë tatimore, në policinë përmbarimore, në policinë kufitare, në të gjjithë llojet e trafiqevet të paligjshëm, deri te kasta e hajdutëvet
e vegjël të xhepavet, të cilët doemos kanë nevojë të organizohen, të ruhen e të mbrohen nga policia.

Gjithkund e gjen policin tonë, i cili në çdo rast përpiqet të marrë diçka përmbi rrogë. E kjo “diçka” shpeshherë arrin
përmasa fenomenale. Pyetjet janë: 1.Po atje, në Bosnjë a në Afganistan a e kanë këtë cilësi ushtarakët tanë? Këtë “dhunti” për ta rritur rrogën në shpinë të boshnjakëvet dhe afganëvet? 2.A mos e ka vetë populli ynë fajin, që e kemi policinë të këtillë?

Dhe prapë vijnë pyetjet rrotull kokavet tona: Ç’komb jemi ne shqiptarët?! A mund të shpresojmë që një ditë të vetëpastrohemi prej të këtillë pisllëku?!

Shperndaje ne
Updated: 11 Janar, 2017 — 15:36

The Author

GJOKË DABAJ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.