Letërsi Kombëtare: VARGJE DASHURIE PËR TY, KOSOVË…

Kosovë e shtrenjtë,
vendlindja ime e dashur
Tokë etërish e bijsh
dhe bijash si shqipe mali
Si të të lë në lëngatë
e në vuajtje dhe në varfëri
Ty të kam në shpirt
në frymën e trashëguar prej të parëve
Kosovë-tokë dardane,
vatër e shqiptarëve

Si të të lë, Kosovë e dashur
në dremitje e mynxyrë
Në angullimën e përmbytur,
në ngërç e në mundim
Që sikur shkëmb mali
me shekuj ta zunë frymën
Kosovë-tokë arbërore
për vargun tim frymëzim

Kosovë kreshnike,
o fushë e paanë plot lulëkuqe
Kosovë, o Shqiponjë Flamuri,
e therur për hakmarrje
Kosovë, o vend trimërie
që digjesh në zjarrin e urrejtjes
Të armikut shekullor,
Kosovë o dheu arbëror

Kosovë, o dashuri mbi dashuritë,
për mua je prore
Ta dua Ribashkimin
me vatrën stërgjyshore
Kosovë, lulegjaku ,
moj lule Ballkani
Të lakmuan sa s’ka më
krajli e sulltani

Kosovë, atdhe shqiptar,
fole e Shqiponjave
Djep kreshnikësh prore,
vatër e heronjve
Mbi qiellin tënd
mbret është veç Kuqezi Flamuri
Kosovë-o tokë dardane,
kala prej shkëmbi, guri

Poezi nga Zymer Mehani

 

 

Shperndaje ne
Updated: 14 Janar, 2017 — 09:44

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.